Monday, July 11, 2011

Bota e Gruas Shqiptare -EVA GAVANI -Dy fjale per autoren

EVA GAVANI - ky zë mjaft i spikatur femëror, ka krijuar tashmë profilin e saj në fushën e letrave shqipe si poete lirike e prozatore realiste. Aktiviteti letrar i Gavanit ka nisur herët, që kur ishte ende fëmijë në qytetin e saj të lindjes, në Vlorë. Krijimet e para të saj, poezi dhe esse janë vlerësuar me çmime të ndryshme, gjë që e bëri të ecte më tej në këtë rrugë. Në vitet e adoleshencës në qytetin e saj të lindjes, ajo do të shkruante për gazetën lokale “Zëri i Vlorës” duke marë edhe vlerësime për shkrime të ndryshme. Më pas u duk se Gavani pati një tërheqje nga fusha e letrave pasi studimet e larta i kreu ne Fakultetin e Shkencave te Natyrës në degën Kimi. Angazhimi familjar e rritja e dy femijëve më pas, por edhe profesioni si kimiste do të dukej se do e largonin edhe më shumë nga letërsia. Gavani ka dy fëmijë të mrekullueshëm që do të bënin krenare çdo nënë.
Në luftë për të pasur një familje të shëndetëshme, si dhe për të qënë një profesioniste e zonja, ajo gjeti mundësi të zhvillonte pasionon e saj të hershëm – letërsinë. Gavani është shembulli i gruas së fortë e krenare që lufton me dinjitet për jetën, i intelektuales që bën një jetë aktive si në shkencë ashtu edhe në letërsi.
Në fushën e profesionit Gavani ka vite që punon si kimiste në kontrollin farmaceutik shtetëror e që e ndan përvojën e saj me studentët e kimisë prane Fakultetit të Shkencave në Tiranë. Gavani mban titullin Doktor në shkencën e kimisë.
Titujt kryesorë te botimeve të saj janë: “Kam mall” poezi e tregime kryesisht të shkruara gjatë viteve të adoleshencës. Botuar në 1998 ky libër i dedikohet qytetit të saj e vëllait të ndarë herët nga jeta.
“Jam Eva” botuar në 1999 - një libër me lirika dashurie nga me mbresëlënëset, ku siç thotë kritika autorja vjen për të thënë – jam Eva, si titulli i një poezie të këtij libri.
“Të lëmë një emër” ne vitin 2000. Lirika e poezi që transmetojnë emocion e ndjenjë. Metafora poetike e shkurtimat poetike, që janë karkateristikë e poezive të autores janë bërë shpejt pjesë e materialeve të mësuara nga artdashësit. Dallon në këtë libër poezia për nënën me të cilën Gavani u bë e njohur në media.
“Një orë nën qiri” 2002 një libër me tregime të shkurtëra. Ky është botim i parë i plotë në prozë, një libër i sukseshëm ku tematikat nuk përsërisin njëra tjetrën. Tregimet dallohen për zgjidhjet e befta që e lënë lexuesin për një kohë të gjatë në gjëndjen e krijuar nga situatat e tyre.
“Brenda Brengës” 2004 libri me poezi që dallohet për nga mënyra e organizimit të mendimit dhe strukturimit të vargut. Është quajtur si hoje mjalti të servirura brenda një libri te vetëm.
“(F)shihemi në ëndërr” – poezi 2007.
“Amina” botuar në 2009 një vëllim me tregime. Në këtë libër spikat metafora e zgjedhur dhe tematika filozofike. Parimet e shoqërisë si dhe ndjenjat shpirtërore janë sjellë në mënyrë origjinale në tregim. Amina do të përkthehej si anima sepse është shumë afër shpirtit njerëzor.
“Tundimet e një nate me hënë”- roman 2010 që do ta rradhisë Gavanin në emrat më të mirë të romancierëve realistë shqiptarë. Romani është një sfidë e hapur e luftës ndaj korrupsionit në drejtësi. Me një reliev dinamik tematikash të mara nga jeta shqiptare ky roman është quajtur një risi në letrat shqip, jo vetëm për temën e trajtuar por edhe për mënyrën se si personazhet luftojnë në jetën e përditshme për tu ekuilibruar denjësisht në një botë ku sundon paraja e fuqia e pushtetit. Të gjitha të sjella përmes përjetimeve rozë, gjë që e ben romanin krejtësisht të veçantë.
Krijimtaria e saj është botim i shtëpisë botuese prestigjioze “Toena”.

No comments: