Friday, July 08, 2011

Bota e Gruas Shqiptare -EVA GAVANI -Poezi




Ftohtë.
Jashtë fryn
Brënda gjëmon,
Unë dhe dimri agjërojmë,
Jashtë ka dritë,
Une ndez qiri,
Vetminë të dy përgjojmë .
Jashtë fryn
Brenda gjëmon…
(Dimër pa drita Janar 2007)

Kam shpresë...
Kam shpresë, ndaj Afërditës,
Netëve i thur lavdi,
Ne s’ardhsha tek ti ditën,
Netëve hajde ti.

Kur Hëna larg të flejë,
E Yje të mos ketë më,
E në s’dashtë Afërdita ,
Gënjeje dhe atë!

Kam shpresë ndaj Afërditës,
Çdo natë i thur lavdi
Ta njohë dashurinë,
Ashtu siç e ndjen ti.
(Pas një ëndërre .ora 24°° Janar 2007)

Qytetit tim.
Ç’më trishton ky mall për ty,
O, qyteti im i lashtë,
Fllad trazuar erë jodi,
Me ullinj e portokaj.

Këngë malli, iso valësh,
Gëzim e lotë bashkuar,
Tretet loti mall për ty,
Si kripë deti nëpër duar.

Ç’më trishton ky mall për ty,
E sërish të sjell tek unë,
Jam poete ndaj s’rroj dot,
Pa një mall e pa furtunë.

Shoqes së femijërisë.

Sa herë që kot mërzitesha,
Tek ty me vrap vija,
E ti më përqafoje,
E qanim bashkë të dyja.

Gjithmonë në gëzime,
Unë vrapin tek ti mirrja,
Për dore bregut vraponim,
E këngës ia merrnim te dyja.

Nënës.
Shkruaj për ty, pa shumë fjalë,
Një thinjë e jotja më ther në shpirt,
Në qofsh e lumtur Ti dhe një çast,
Unë lumturohem njëqindfish.

E harruar.
Rrugës së blertë,
Largohesh ngadalë,
Ti, gjethe e zverdhur e trupit tim,
Që rruges se blertë me erën shetit,
E unë me lotët e shiut te lag,
Të lag, të lag,
E të thaj sërish.

Lagjes së vjëter.

Ç’më ka zënë ky mall i vjetër,
Kur përskuqej nëpër natë,
Qielli mbi çatitë e vjetra,
Me aroma portokajsh.

Pleq me çibukë ndezur,
Djem çapkënë në trotuare,
Muzg i mbetur nëpër sy,
Me aroma portokalle.

Bredh e bredh të gjej rruginat,
Ec e ngec pa thënë një fjalë,
Ç’më ka zënë ky mall i vjetër,
Erë det e portokall.

Meditim
.
-Më humbën fjalët - i thashë gjuhës,
Ajo u çorr,-Gjeji ato!
-Më humbën fjalët – i thashë këmbëve
Ato zhurmuan -Vrapo!
-Më humbën fjalët – i thashë syve,
E sytë u qanë -Shiko!
-Më humbën fjalët – i thashë zemrës
E zemra më tha – KENDO!

Kthehu në shtator!
Po munde kthehu në shtator,
Këndome të vjetrën melodi,
Aromë mimoze dërgomë,
Të mos mbesim pa rini.
Si atëherë kur të kërkoja,
Nëpër zhurma ,në një bankë,
Pas një zënke bërë enkas,
Të të ndjeja ca më pranë.
Po munde,dërgomë një letër,
Të pa emër anonim,
Të zhurmojnë qeshjet tona,
Nga mesnata në agim.
Të shpallim fitues vetveten,
Në garë vënë me bilbila,
Të këndojmë këngën e vjetër,
lidhur besë me trëndafila.
Po munde “kthehu në shtator”
E në mos paç me ditare,
Tregomë ti si shkuan fatet,
E vajzave ëndërrimtare.
Me trego ç’u bënë djelmoshat,
Syndritur e këmbëshpejte,
E në s’ke se ç’farë të më thuash,
Hesht, mos fol, por hajde vetë!

Po munde, kthehu në shtator,
Si dikur më ke premtuar,
Këngën e vjetër këndomë,
Me vargjet që patëm shkruar!

Mirënjohje.

Dikur mbi detin e trazuar,
Humba në kthim,
Mbi valë deti turbulluar,
Njoha një delfin.

Mbi delfinin nëpër det,
Vetëm pa një shpresë,
Prej tij s’munda të shpëtoja,
Prej tij s’munda as të vdes.

Me delfinin luftova,
Dallgët bërë gri,
Gjithë detin e përshkova ,
Mbi kurriz te tij.

E kur deti u kaltërua,
E ndrinë yjet në qetësi,
Kur ra hëna përmbi mua,
Ai ra në dashuri.

-Nuk të dua, më beso,
të lutem ,o delfin,
nga ky det më shpëto,
më kthe në bregun tim!

Me lot në sy ai u nis,
E nuk e di se si,
Diku u vra ,diku u gris,
E skuqi gjaku i tij.

E putha përmbi plagë,
Si me magji u shërua,
E iku shkoi përmbi valë,
Duke më thënë –Të dua!

Jam për ty.
Unë jam për ty një pasqyrë,
Ku ti vjen e sheh mëkatin,
Jam për ty një ëmbëlsirë,
Që të largoj shijen e fatit.

Unë jam për ty një zanë mali,
Që t’i largoj tundimet,
Jam për ty një ëndër malli,
Ku thyhen gjithë pikëllimet.

Eufori
Dashuruar jam pas vetes,
Pas pasqyrës nazeshumë,
Princeshë përralle jam gjithë ditën,
Hënë magjiplotë në gjumë.

Dashuruar jam pas vetes,
Pa sjetës tërë gaz,
O Zot! Dërgomë ndokënd,
Që sado pak të më ngjasë!

Loti i jetimit.
Loti im,
Loti im,
Bie mbi lumë ,
E bëhet det.

Loti im,
Loti im,
Bie mbi Tokë,
E tund tërmet.

Loti im,
Loti im,
Bie mbi lule,
Dhe e than,

Loti im,
Loti im,
Mbi faqe të jetës,
Oqean...

Zhgënjim
Fustan i bardhë ,
U zverdh nga hijedrita.
Ngre sytë me dhimbje në kaltërsi,
Një qiell me ëngjëj,
qajnë mbi sytë e mi,
Fustan i zverdhur nga hijedritë ,
pa gjeometri...

Ç’është..
.
Lumturia për ne, një zemër e plasur,
Një përhumbje mes fatit të nxirë,
Mes një pasioni e lodhje të zgjatur,
Të sfilitur për të qënë më mirë.

Më pushto !
Më pushto të tërën,
Sa të jemi gjallë,
Mbamë në gjirin tënd,
Si margaritar!

Më pushto të tërën,
Der’ në perëndim,
Edhe kur të vdes,
Bëhu varri im!

Të prita...
Gjithë mbrëmjen të prita,
Në filxhanin e bardhë,
Piva kafen e syve të tu,
Në tymin e hirtë,
Thitha erën e parfumit tënd,
Në vendin ku ti s’ishe,
Fola veç me ty...
S’di pse të prita,
Kur ti ishe aty.

Ëndërr.
Unë them të ik,
E ti s’më lë.
Unë them të rri,
Ti, më përzë.

Unë them të fle,
E ti më zgjon.
Them më kujto!
Ti, më harron.

Harroj.
Me ty harroj të qaj,
Harroj me ty të qesh,
Me ty harroj të jem,
Me ty harroj të vdes.


Shpirti i poetit.
Shkrirë shpirti im,
Në një lumë më fjalë,
Herë vaj si deti,
Herë si det me valë.

Derdhur shpirti im ,
Bërë oqean,
Herë në harrim,
Herë ngritur tufan.

Ikje.
...dhe ika larg një natë të vonë,
Atje ku asgjëja ka mbretërinë,
Nga ty mora veçnjë akord,
Që në këngë të ktheja vetminë.

Dialog.
Ti thua :-jeta është sekondë,
Unë them:-diçka më shumë,
Ti thua:- paqe të kërkojmë,
Unë them:- të shpallim luftë!

Ti thua:- jeta është e marrë,
Unë them:- jë çmendur ti,
Ti thua :-jeta s’do të qarë,
Unë them:- të qajmë të dy.

S’do të harroj
.
S’do harroj të vij edhe kur s’je,
Do vi të puth vetminë,
Si një yll mbuluar me re,
Do t’kërkoj të ndrij dashurinë.

Do t’vij këtu edhe kur s’je,
Do t’vij të puth vetminë.

Jam EVA
Ti kot nga unë mos ki frikë,
Beso në fjalën time të vërtetë,
Unë s’jam Eva e kohës pa dritë,
Jam Ev’ e shekullit të njëzetë!

Ti kot nga unë mos ki frikë,
Pse trembesh a s’më thua,
S’di në e krijova unë Botën,
A më krijoi Bota mua...

Mbushma gotën.


Mbushma gotën lermë të çmendem,
Nën një rreze hëne,
Mbushma gotën, lermë të dehem,
Nën firomën tënde.

Mbushma gotën, lermë të dehem,
N’ëndërra mjaft më tunde,
Mbushma gotën të harrohem,
Edhe vramë po munde!

Mbushma gotën të harrohem,
Nën një ritëm xhazi,
Mbushma gotën të tërbohem,
Të mbytem nga gazi.

Mbushma gotën të tërbohem,
Mos të bëhem esëll,
Mbushma gotën kur të zgjohem,
Të jem Evë tjeter.

Ah!
Sipas Lermontovit

-1-
Mes ëndrrash je pasion i fjetur,
Kujtimesh je trishtim i zi,
Te shihemi? Ç’dëshirë e heshtur,
Të ndahemi? Oh, ç’fatkeqësi!
-2-
Për njëri tjetrin qemë prerë,
Të ishim bashkë s’patëm fat,
Larg njëri tjetrit, ç’fat i mjerë,
Të ndaheshim? O Zot, ç’mëkat!

Më the se do vije...
Më the se do vije...
Yjet ranë në gjumë’
Vala u qetua,
Zgjuar rrija unë.

Ti më the do vije,
Hëna larg u fsheh,
Pylli gjetheshumë,
Të thosh:-Mos gënje!

Ti më the do vije,
Pylli ne blerim,
U vesh të të priste,
Pranë syrit tim.

Ti më the do vije,
Zogjtë këngën lanë,
Era u bë fllad,
Ti të vije pranë.

Yjet mbenë në gjumë,
Shpresa mbet’ atje,
Pylli gjetheshumë,
Thoshte:-Mos gënje!
Ti më the do vije...

Balancë.
Në dashuri mos shko kaluar,
E mos u hiq krenar,
Vetëm aty nuk ka të mundur,
S’ka as fitimtarë.

Fshati u plak.
Fshati u plak. S’ka të rinj.
Dallëndyshet s’kthehen më.
Vallet kanë ngrirë.S’ka muzikë.
Vdekja gëzimin se nxë.

Lulet qetësohen në ara,
S’ka kush thurë më kurorë,
S’ka më dashuri të para,
E vello të bardha si borë.

Fshati u plak. S’ka më valle.
Si në legjendë është kthyer në gur,
Hankoja e vetme shëtit nëpër varre,
Të ngjallë të ritë si në këngë dikur.

Kam gjetur një shteg

Oh, ç’kam gjetur unë një shteg,
Të arratisemi sot të dy,
Por kalon rruga mes yjesh,
Hëna të mos jetë aty.

Po të jetë hënë e zbehtë,
Në shpirt do ndjej pikëllim,
Do të largohem lehtë e lehtë,
Nga i yti përqafim.

Po të jetë hënë e plotë,
Frikë kam nga dritë e saj,
Me gjuhë netësh do më thotë,
Ti ç’ke bërë në çdo skaj.

Po të jetë hënë e ngrënë ,
Do të rrimë mbi të ,të dy,
Yjet larg do t’i përzëmë,
Seç do bëjmë pastaj s’e di...

Kjo Botë...
Deti e ka një brengë,
Kur nxehet e ngre dallgë,
Dhe mali kur buçet,
Patjetër ka një hall.

Një dhimbje e të gjallit,
Në këmbë ngre njerëzinë,
Por dhe nga fundi i varrit,
Shqetësimi ngre njerinë.

Kjo botë e pikëlluar,
Ç’më fut në pikëllim,
Dërgomëni një valë deti,
Të mbysë trishtimin tim.

Dy ninulla

1. Ejonës

Fli ,o mjelmë liqeni,
Fli, sorkadhe mali,
Fli, sirenë deti,
Fli ti , nani-nani.

Fli, o lule borë,
Dielli të ndriftë ballin,
Yjet paç kurorë,
Fli tani, nani-nani.

Fli , o zanë përralle,
O flori mes zallit,
Fli , princeshë,
Fli ti, nani-nani.

2. Arditit

Ylberin me rreze,
Djep do thur për ty,
Fli, o dritë shprese,
Nani-nani, fli!

Hëna edhe yjet,
Ar pikojnë mbi ty,
Fli , o fytyrë diell,
Nani-nani, fli.

Nëpër ëndrra zanash,
T’u bëftë dita flori,
Fli, o trim përrallash,
Nani-nani, fli.

Njëmijë fllade vere,
T’u bëfshin mbretëri,
Fli, o luleshqerre,
Nani-nani, fli.

Fli, pëllumb me fletë,
Paç bekimin tim,
Fli, o shpresë, o jetë,
Nani-nani, fli.

Mbytja e pasionit

Do vi një ditë do mbys pasionin,
Si oktapodi veten mbyt,
E mbi ballin e një shenjtori,
Djajve do t’u thur etyd.
Do vi një ditë,
Do mbys pasionin,
Të mbys pasionin,
Do vi një...
d...

Eklips
Dje Bota nuk u përmbys,
Sepse sot më prisje ti,
Zoti verboi Satanain,
Të më shihje ti, dashuri!

S’kërkoj asgjë.

Do të ulem nën kryq të lutem,
Për mëkatet që s’bëra në jetë,
E kur brenda Parajsës të futem,
S’do të jem e qetë vërtet.

Mijëra ëngjëj do t’më tregojnë,
Vendin ku me ta të rri,
Por kur ty të të kërkojnë,
S’do të jem e qetë përsëri.

Do të lutem përgjërohem,
Mijëra ëngjëj do t’thërras,
Të besova ty mbi dhe,
Më zhgënjeve në Parajsë...

Heshtim
Për ty shkruaj shpirtrazur,
Përmbi mua rri një re,
S’di pse në dyshime vuaj,
Edhe tretem kur ti s’je.

Ngatërrur nëpër pse-ra,
Ti përgjigjesh nënë zë,
Tani s’ka pse-ra të tjera,
Pra ndahemi tashmë.

Me zemrën mbetur shkretë,
Ti bridh nëpër mejhane,
E unë të rroj e qetë,
Pa faj si myslimane.

Të shihemi me mall,
Sot për të fundit herë,
Më lër të vdes pastaj,
Nën kryq si e krishterë.

Kanë mbaruar fjalët,
Le të heshtim tashmë,
Ti shko me gjithë mëhallën,
Dhe unë s’të pyes më.

Të lëmë një emër.
Unë u plaka, ti u plake,
Prapa mbet rinia,
Nëpër udhë e shtigje balte,
Na përgjon vetmia.


Unë u plaka , ti u plake,
Prapa mbeti jeta,
Të jetojmë që kur të vdesim,
Të varroset vdekja.

Ende
Ende skeleti i kujtesës,
Ngarkuar me ty,
Si me një pëlhurë të tretur.

Pres shirat e vjeshtës,
Të marrin me vete,
Kujtimin tënd të vdekur.

Kohë e errët
Ç’më erdh’ kjo kohë e zemëruar,
Ç’më erdh’ kjo kohë pa stinë e mot,
Jam harabel krahëplaguar,
Që qiejt e vjeshtës lag me lot.

Ç’më erdh’ kjo kohë e vjetruar,
Lagunash mbushur gjarpërinj,
Vrapoj të dal e pakafshuar,
Shpirtrave t’u ndez qirinj.

Ç’më erdh’ kjo kohë e egërsuar.

Askush s’na pa...
Askush s’na pa,
As nuk na dëgjoi.
Besnikëri biblike,
Që digjet ngadalë,
Sekrete magjish,
Si në përrallë.
Ne të dy,
Mes botës plot fjalë,
Të etur,
Të netur,
Të tretur,
Për pak qetësi.
...dashuri biblike
Që digjet ngadalë...
S’na pa ,
Madje as dëgjoi njeri.

Më lër të qetë...
Më lër të qetë, tani të shkoj,
Në mikrofiltra kujtimesh,
E fundmja grimcë,
Gjithë brengat e shpirtit ty t’i rëfeva,
E lotëtu thanë,
Në stuhi brengash...
Më lër të qetë sa mund’ të shkoj.

Zero
Njëzetë herë do të të puth,
Pastaj njëzetë herë do të të vjell,
Njëzetë herë do të bërtas,
Do të hesht prapë njëzetë herë,
Njëzetë herë do të të lutëm,
Do të të flak njëzetë herë,
Në njëzetë gojë flakësh do të futem,
E prapë do të dal njëzetë herë.
20.
Një dysh sa ne të dy,
Dhe një zero pa vlerë.

Portret për time më.

Lumturisë, nënës sonë të dashur
Të florinjtat thinja mbi flokët e zezë,
Bukurinë seç ta shtojnë,
Mbi lëkurën e bardhë si memer,
Rrudhat të vijnë pse harrojnë?
Të ta prishë bukurinë,
I vjen keq dhe Perëndisë...
Nënë , moj, e shtrenjta ime,
Që emër i jep Lumturisë.

Është vetë mirësia,
Në sytë e tu të zinj,
Bota më duket e shkretë,
Dhe një orë të jetë pa ty.

Thërras yjet në agim.
Tretet ëndrra nëpër rreze,
Vesa lotë mbi syrin tim,
Dritërohet pyll e gjethe,
Thërras yjet në agim.

Zbras një ëndërr, mbush një jetë,
Yjet vinë e ikin larg,
Lotë zambaku në agim,
Unë pas ëndrrës rend ta kap.

Thërras yjet në agim,
Ëndrrat të mos i braktis,
Mbush një jetë e zbras një ëndërr,
Nata qiejt krejt mi gris.
qershor 2011

Sot endrrat do ti fshij

Sot ëndrrat të gjitha do ti fshij,
Me tingujt tanë e asgjë tjeër,
Por pse më dhëmb kaq shumë , se di,
E ëmbëla melodi e vjetër.

Tinguj me kaq shumë magji,
Vallë kush dëgjoi ne jete,
Po te mos isha as une as ti,
S’ do kish një ëndërr të vërtetë.

Po të mos isha as unë as ti,
S’ do kish më ëndërra në asnjë botë,
Kukulla pluhurosur në harrim,
Brengosur nga kjo botë e kotë.

Po prapë të gjitha dua ti fshij,
Me këngën që dikur këndonim,
...po të mos isha as unë as ti,
Magjinë në botë të ëndërronim.

2011

No comments: