Thursday, October 12, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-FLORA DURMISHI INTERVISTON ALIDA HISKUN

Interviste ekskluzive me kengetaren Alida Hisku
Intervista u realizua nga redaktorja Flora Durmishi ne radion Blue Sky ne Prishtine.
Fotot te ndryshme te Hiskut jane ne dosjet e forumit ne yahoo.Klikoni linkun ne fund te intervistes per t'i pare.


“…nga ajo frikë, nga ai tmerr, nuk mund të shikoj më ditar! Nuk mund ta dëgjoj fjalën ditar se më rrënqethet mishi. M’u vra rinia , m’u vra jeta, m’u vra familja, m’u vra karriera, m’u vra shpirti, nga ky ditar që unë mendoja se do të ishte shpirti im, shoku im… “ Alida Hisku


Ishte vetëm 13 vjeçe, kur zëri i saj jehoi në Festivalin e Këngës në RTSH! Me një cilësi të rrallë zëri, e dhuntie muzikore, Alida shkëlqeu për 10 vjet me radhë! Shumë kompozitorë u dashuruan ne të kënduarit dhe në zërin e saj, dhe sikur garonin se kush do të krijojë këngë për timbrin dhe ngjyrën e zërit të saj!Zoti ia dhuroi zërin e bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Pra një yll kishte lindur, një emër premtues në skenën e muzikës. Mirëpo erdhi një moment siç di ndonjëherë të sjell ironia e fatit. Një moment që ndërroi krejtësisht kahen e gjërave në karrierën e saj. Ishte kohë e rëndë, e vështirë për artin, për krijuesin me shpirt të lirë sic ishte Alida. Ishte kohë e ideologjisë totalitare, komuniste, ku të gjithë ishin të dyshimtë! Të gjithë ishin armiq potencialë të regjimit. Shkaqet dhe shkaset për akuza ishin edhe banale. Kështu ndodhi edhe me Alida Hiskun, e cila u këput si lule në vesën e mëngjesit ende pa celur mirë. Për çka, shtrohet pyetja!? Për një ditar, disa fragmente kujtimesh e përjetimesh, të një adoleshenteje, mjaftuan për ta shpallur armik të regjimit ! Por vlerat që janë vlera, nuk zhduken. Këtë po e provon edhe Alida Hisku. Këto ditë Alida Hisku ka bërë përpjekje titanike për të dalë sa më mirë para publikut të saj që aq shumë e deshi. Alida iu rikthye këngës. Sot s’ka kush e ndalon! Ajo, me interpretimin karakteristik, pasqyron shpirtin, fisnikërinë, madje edhe karakterin e shqiptarit. Ajo sot po e realizon ëndërrën e lënë përgjysmë ! Pikërisht kjo ringjallje artistike e Alides, perkatësisht Albumi “Kthimi” ishte shkas që, ne, të zhvillonim një intervistë me të.

Blue Sky : Alida, për arësye që tashmë dihen, ju për shumë vjet nuk patët mundësi të ushtroni vokacionin tuaj të zgjedhur. Megjithatë që nga viti ‘90 ju keni mundur ta bëni këtë por nuk e bëtë ! Pse ke heshtur deri tani?

Alida Hisku : Heshtja nuk ka qenë rezultat i dëshirave të mia, që të mos aktivizohesha më, por si rrjedhojë e një dënimi, nga ana e qeverisë, muzikës sime prej 10 vjetësh. Kështu mora rrugën e gyrbetit, si shumë artistë të tjerë shqiptarë, dhe mu deshën, afërsisht, 16 vjet që unë të ngrihesha në këmbë, në këtë vend të ri, vend të huaj, i cili më solli shumë vështirësi për të jetuar. Mos harroni, mora rrugën e gurbetit, e vetmuar, në një kohë që burri më ndau dhe shoqëria tërhiqeshin të tërë d.m.th., e vetmuar me dy foshnje mora rrugët e gurbetit dhe mund ta imagjinoni, një grua që nuk njeh gjuhën, nuk njeh vendin, që ajo të ngritet përsëri në këmbë.

Blue Sky: Çfarë keni bërë gjatë këtyre viteve larg Shqipërisë ?

Alida Hisku: Jam munduar, s’pari, të kryej funksionin e nënës d.m.th., të rris dy fëmijë, dy djem, me vyrtytet e një shqiptari të denjë, duke mos marrë rrugët e panjohura të gurbetit dhe duke i mbajtur pranë. Jam munduar të punoj me djersën e ballit, punë të rëndomta, punë të pakualifikuara. Jam munduar që gjatë kësaj kohe ta harroj se kush kam qenë dhe kush jam por t’i vë vetes detyrën e rritjes së denjë të fëmijëve dhe për të qenë një nënë e mirë për ta. Pra kam punuar nga mëngjesi deri në darkë, çdo lloj pune, për të siguruar bukën e gojës.

Blue Sky: E patët të vështirë të riktheheni dhe kujt ia dedikoni këtë rikthim ?

Alida Hisku: Rikthimi erdhi si pasojë e shpërthimit të ndjenjave për muzikën. Muzikën e kam në gjak. Rrjedh nga një familje artistësh. Prindërit më kanë kënduar në Teatrin e Operas dhe të Baletit. Gjithashtu motra dhe vëllai janë akoma debutues të muzikës shqiptare. Duke u lehtësuar një çikë situata, fëmijët u rrittën dhe unë pash një çikë dritë që të shikoj edhe në shpirtin tim kaq thellë për muzikën shqiptare! I dhash vetes si detyrë, duke u mbështetur edhe nga nxitjet e familjes së burrit dhe të dy djemve, që përsëri të kthehesha në skenë sepse dalëngadalë po humbja vetveten. Po harronja veten se kush isha dhe kush jam! Dhe kjo harresë më bëri që unë të mendoja që t’i kthehesha përsëri publikut dhe tifozëve të mi të muzikës shqiptare, për t’i dhënë atë kënaqësi që dikur ua kasha dhënë.

Blue Sky: Pra krejt befasisht ndodhi mrekullia dhe ju iu rikthyet publikut me disa këngë të përmbledhura në një CD! Sa kohë u desh deri te realizimi i këtij projekti ?

Alida Hisku: Ka qenë distanca që më pengonte! Unë duhej të isha pranë familjes, pranë fëmijëve, pranë punës. Albumi ka 12 këngë të reja dhe më ka zgjatur më shumë se një vjet punë intenzive.

Blue Sky: E gjithë puna rreth albumit është kryer në Francë. Madje, është punuar me një ekip të rinjsh, pse ? Pse jo në Tiranë ?

Alida Hisku: Ishte një rastësi ! Në Francë, e ftuar në një festë shqiptare, takova një djalë të talentuar, edhe ai shqiptar, me banim në Francë. Dhe po aty lindi mundësia dhe ideja që unë të bashkëpunoja me të, për të zbatuar, krijuar, këtë projekt, që prej vitesh më mundonte si një brengë derisa unë të dilja dhe të debutoja. Për mua është më afër të shkoj në Francë se sa në Tiranë, është edhe punë kostoje, sigurisht. Shpenzimet janë më të mëdha nëse unë do të shkoja në Shqipëri.

Blue Sky: Albumi juaj ka një titull simbolik “Kthimi”, sipas këngës me të njejtin titull. Ky tekst është shkruar enkas për këtë album apo ka qenë e rastit?

Alida Hisku: “Kthimi”, dhe të gjitha këngët e këtij albumi kanë një larmi dhe kanë një subjekt që identifikon albumin. Albumi rrëfen atë vazhdimësinë e jetës sime që nga shkëputja prej 24 vjetëve. Ky album do të ngjesë, tamam si një ngjitës, si një saldim, një hekur që kur është këputur. Këtë tekst të këngës “Kthimi”, me të cilin edhe hapet albumi, e kam shkruar vet dhe është pasqyrimi i këtij 24 vjetëshi që kam jetuar në megrim.

Blue Sky: A janë të gjitha këngët të reja apo ka edhe ndonjë nga ato të viteve ‘70-‘80 ?

Alida Hisku: Jo, këngët janë krijim i ri! Komplet krijim i ri, i muzikës shqiptare! I premtoj publikut se do t’i futem punës që t’i rifreskoj edhe një herë këngët me albumet e tjera, këngët e mia të repertorit të viteve ‘70-‘80 ( janë më shumë se 60 -70)! Janë mbi 10 vjet aktivitet në festivale të ndryshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit !

Blue Sky: E veçanta tjetër e albumit, dhe e rikthimit tuaj, është se ktheheni bashkë me djalin tuaj, Albinin! A do të thotë kjo se do të kemi më shumë duete nga ju të dy?

Alida Hisku: Sigurisht, sigurisht! Qëllimi im, sikur edhe i çdo nëne, është që fëmijës t’i transmetojë atë traditën shiptare, jo vetëm traditën e bukur shqiptare, zakonet tona, por edhe atë traditë, atë talent që prindërit kanë. Është kënaqësi e veçantë kur fëmijët trashëgojnë talentin e prindërve. Unë i kam ndjekur dhe kam zbuluar se, të dy fëmijët e mi, kanë talent, mendoj unë, dhe këtë talent duhet që edhe djali im ta zhvillojë në rrugën e artit, sidomos artit shqiptar. Djalin e futa një herë në albumin tim sa për ta shoqëruar në hapat e parë të muzikës dhe pastaj ai të vazhdojë karrierën e vet. Unë shpresoj dhe besoj që ne të dy bashkë të takohemi në skenat e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Blue Sky: Sa jeni e kënaqur me realizimin e këtij albumi të parë? Cilën nga këngët do të veçonit?
Alida Hisku: E kënaqur nuk jam plotësisht sepse mendoj që kënaqësia dhe bilanci bëhet në fund dhe unë jam akoma në fillim të atij plani, të atij vrulli, të asaj dëshire të madhe, që kam për të kënduar. Tani jam 50 vjeçe, 24 vjeç isha kur më hoqën! Janë 24 vjet që unë i kam munguar publikut tim dhe popullit tim. Pra e kënaqur nuk jam se po të isha e kënaqur do të më prishte hovin për të vazhduar. Kështu që pakënaqësia vazhdon për të mirën e punës dhe unë do të vazhdoj akoma më tej në krijimtarinë time deri sa të vdes. Unë kam lindur në skenë dhe dua përsëri atje të vdes!

Blue Sky: Cili është mesazhi i këtij albumi?

Alida Hisku: Mesazhi i këtij albumi është që t’i fitoj edhe një herë zemrat e popullit shqiptar, t’u trgoj atyre që shqiptari, edhe vuajtjet, edhe vitet edhe stuhitë që kaloi, nuk vdes në qoftë se e mban të pastër në shpirt traditën e tij, talentin e tij, dhe qëllimin e tij për çka ai jeton, për çka ai lufton! Këto mesazhe ia përcjell të gjithë shqiptarëve kudo që janë me gjithë vështirësitë e jetës që kanë, mos ta japin veten, mos ta humbin veten, mos t’i humbin shpresat në vetvete dhe te populli dhe në qëllimet e tyre.

Blue Sky: Cili është arkivi i Alida Hiskut?

Alida Hisku: Kam lindur në Tiranë. Kam filluar të këndoj në festivalet e pionierëve në Tiranë, në festivalet e të rinjve dhe në shumë festivale të tjera në Shqipëri edhe jasht saj. Kam marrë pjesë në 10 festivale kombëtare të RTSH-së. Gjithashtu kam marrë pjesë në shumë turne me Televizionin e Prishtinës dhe i falënderoj shumë të gjithë miqtë atje, Nexhmije Pagarushën dhe të gjithë të tjerët me të cilën kemi bërë shumë turne organizuar nga Radio Televizioni i Tiranës me RTP-në. Kam kaluar një kohë shumë të bukur në vitet 1979, 1980-‘81, në Prishtinë, Gjakovë dhe kudo në Kosovë.Blue Sky: “Vajzat e fshatit tim” kompozuar nga Enver Shëngjergji, një sukses i papërsëritshëm, do të thosha, edhe nga kjo distancë kohore e kujtojmë dhe na sillet ne kokë!Alida Hisku: Me të vërtetë ka qenë një këngë që bëri jehonë. Ka qenë një këngë që më tregoi emrin, më ngriti në piedestalin më të lartë. Ishte një këngë e thjeshtë, një këngë e popullit, një këngë që e këndonte i madh e i vogël. Pikërisht ajo thjeshësia ishte sekreti i çdo gjëje e edhe i kësaj kënge. Edhe këndimi im ka qenë shumë i thjeshtë sepse atë kohë isha vetëm 16 vjeçe! Me këtë këngë edhe fitova një çmim të artë. Kjo ishte për mua e pabesueshme ngase isha ndërmjet shumë e shumë këngëtarëve të tjerë që ishin profesionistë, që ishin të talentuar, që ishin me përvojë si: Gaqo Çako, Vaçe Zela, Ema Qazimi… Ishin këngëtarë të një epoke dhe unë të konkurroja me ta, të kontribuoja me ta ishte një gjë e jashtëzakonshme dhe për këtë edhe mbetet, pas 30 e sa vjetëve, akoma në gojën e brezit të ri, përsëri e freskët, si dikur, sepse ka dalë nga populli ! Është një këngë e bazuar në tabanin popullor, në motivet popullore.

Blue Sky: Në kulmin e karrierës erdhi dënimi. Erdhi pa e menduar fare. U fol asokohe se Alida kishte një ditar. Çfarë kishte të diskutueshme në atë ditar ?

Alida Hisku: Isha 24 vjeçe. Sapo kisha kryer shkollën politike, universitetin politik, duhej të bënim një stazh një mujor në fshat. Që në moshën 10 vjeçe kam mbajtur ditar, për të fshehtat e mia, si shumë vajza të asaj moshe. Nuk ia besoja askujt mendimet e mia, dëshirat e mia! Kështu që kisha një ditar. Atë ditar e merrja kudo me vete, e kisha si një shok që më shoqëronte kudo në jetë. Kështu, atë muaj që shkuam në praktikë, ishim disa shoqe të kursit dhe, një natë kur unë po jepja një koncert në një kooperativë të fshatit ishin mbledhur të rinjtë dhe po këndonim, ato shoqet e mia në valixhen time morën ditarin dhe e shfletuan! Sigurisht, nuk kuptuan atë qëllimin tim çfarë unë në ditarin tim shkruaja, sepse unë nuk i shkruaja gjërat hapur kundër qeverisë, por ishin disa fjalë, iniciale, sekretet e mia e që ato i interpretuan ashtu siç donin! Me një qëllim keqbërës e quan në Komitet të Partisë duke e interpretuar atë si një akt armiqësor propagande ! Dhe kështu si një rrufe e shpejtë më groposi menjëherë në tokë. Janë gjëra të papërshkrueshme ! I ndjen dhe i kupton vetëm ai që ka provuar, situatën time në atë kohë.

Blue Sky: Çfarë denimi pasoi ?

Alida Hisku: Dënimi, që m’u dha atë kohë, ishte : të gjitha aktivitetet e mia artistike u pezulluan! U përjashtova nga Partia, nga Komiteti Qëndror i Rinisë! U përjashtova edhe nga puna, se atë kohë punoja në shtypshkronjën Mihal Duri, pra m’u hoqën të gjitha funksionet. M’u hoq e drejta e të kënduarit dhe m’u hoq e drejta e filmave televizivë d.m.th., u izolova komplet nga aktiviteti dhe nga jeta! Më urdhëruan të mos largohesha nga qyteti dhe çdo javë të paraqitesha në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Blue Sky: Çfarë do të bëje ndryshe nga ç’keni bërë po të kthehej koha?

Alida Hisku: Nuk e kam menduar kurrë se çfarë do të mund të bëja! Do të vazhdoja muzikën, sigurisht, dhe do të vazhdoja të punoja! Muzika ishte dhe mbetet shpirti dhe jeta ime.

Blue Sky: A mbani edhe më tutje ditar?

Alida Hisku: Jo nuk mbaj më! Më ka zënë frika, jo frika po si themi ne shqiptarët kur të djeg qulli i fryen edhe kosit. Kështu që unë nga ajo frikë nga ai tmerr nuk mund të shikoj më ditar! Nuk mund ta dëgjoj fjalën ditar se më rrënqethet mishi. M’u vra rinia, m’u vra jeta, m’u vra familja, m’u vra karriera, m’u vra shpirti nga ky ditar që unë mendoja se do të ishte shpirti im, shoku im por nuk di, jo nuk kam ndërmend të mbaj ditar më.

Blue Sky: Ekspertët e muzikës thonë se ju shquheni për interpretimin e këngës popullore dhe asaj të lehtë. Ku mund ta shpalosni potencën e zërit më mirë ?

Alida Hisku: Në të dyja! Nuk bëj dot dallim, nuk bëj dot ndarje. Nuk bëhet ndarje në muzikë. Nëqoftëse ke talent, në qoftë se ke shpirtin për muzikë nuk ka ndarje. Të gjitha llojet e këngëve, popullore dhe ajo e lehtë, janë të gjitha në një tepsi. I këndoj të dyja me gjithë shpirt, me dëshirë, me gjithë forcën e zërit. Megjithatë, jam shquar në aktivitetet e mia si këngëtare e muzikës së lehtë dhe e muzikës popullore të modernizuar ose të përpunuar.

Blue Sky: Çka do të veçonit diçka më karakteristike nga pjesmarrja në Festivalet e RTSH-së ?Alida Hisku: Ne, këngëtarët, dikur e vlerësonim më shumë këngën, e vlerësonim më shumë aktivitetin! I jepnim rëndësi më të madhe! Ishim shumë të lidhur, ne këngëtarët, njëri me tjetrin! Na vëllazëronin idetë e përbashkëta, që sot, me keqardhje them nuk i gjenë më në festivale! Intereset e festivaleve sikur janë zbehur! Këngët sikur nuk këndohen me atë forcën, me atë shpirtin, me atë ndjenjën e dikurshme! Mendoj që ato festivale janë të pakrahasueshme dhe të paarritshme sot e kësaj dite.


Blue Sky: Cila do të jetë befasia e radhës? Mrekullia e radhës?

Alida Hisku: Mrekullia e radhës, një sekret që mund t’ua them juve në Radio Kosovë, është se unë, këtë vit, do të shkoj dhe do të paraqitem në Festivalin e RTSH-së, por jo si konkurrent por do të shkoj e do të përshëndes Festivalin! Kam shfaçur dëshirën për të bërë këtë, në Tiranë, dhe e dyta, unë do të përfaqësohem edhe në Prishtinë, atje do te bëj promovimin e albumin tim.

Blue Sky: Çmimet dhe kritika pozitive janë ato që përkëdhelin egon e secilit. Ishte kështu edhe për ju?

Alida Hisku: Ndërmjet ne këngëtarëve ka qenë një ego paksa e mbuluar dhe jo kaq e hapur siç është tash. Sot është një luftë shumë e madhe e kolegëve ndërmjet tyre! Dikur nuk e kemi pasur shumë sepse atëherë muzika bëhej për qejf . Muzika dikur nuk ka qenë mjet biznesi, mjet pazaresh, mjet lekësh! Dikur kemi kënduar për të kënaqur popullin, për të kënaqur vetveten, pa asnjë lloj qëllimi tjetër! Kurse sot është biznes është tjetër gjë. Blue Sky: Ku është Kosova në planet tuaja?Alida Hisku: Ju premtoj që pranvera që vjen do të më gjejë në Kosovë. Koncertin e parë do ta jap aty dhe pastaj do të kaloj në Shqipëri dhe vende të tjera, sepse ndihem si borxhlije që Kosovës nuk i kam dhënë aq shumë koncerte siç i kam dhënë Shqipërisë. Por, këtë do ta realizoj në planin e ardhshëm, direkt në Prishtinë, koncertin e parë, në fillim të pranverës, pra vitin e ardhshëm!

Blue Sky: Mbani ndonjë korrespodencë me këngëtarët kosovarë ?

Alida Hisku: Jo! Dhe më vjen shumë keq! Për këtë qëllim unë do të kthehem në Kosovë. Dua të takoj Shpresa Gashin dhe të gjithë këngëtarët e brezit tim, shoqërisht t’i takoj dhe të lidh marrëdhënie të reja dhe kështu të shtyejmë gjysmën tjetër të jetës që na ka mbetur.

Blue Sky: Skena jonë muzikore, mendoj unë, është kaotike. Ndikime shumë nga gjuhët sllave, këndojnë ata që kanë para, po jo zë etj. Çka duhet të bëjmë, sipas mendimit tuaj, që të përmirësohet dicka?

Alida Hisku: Nëse muzika është një mjet biznesi nuk kemi çfarë t'i bëjmë! Do të mundohemi që gjithkush të ruajë traditën shqiptare, tabanin kombëtar të muzikës sonë, atë ta ruajmë! Dhe, në qoftë se ne atë e ruajmë dhe në qoftëse çdo njëri nga ne artistët ta ketë parasyshë që mos t'i largohet tabanit dhe të mos ketë influenca të muzikës së huaj atëherë këmi arritur atë që duam!Blue Sky: Kemi të dhëna se ju keni qenë shumë aktive gjatë luftës në Kosovë, duke ndihmuar ata që kishin nevojë! Na kujto diçka nga ato ditë?Alida Hisku: Në vitin ’99, një situatë normale këtu në Gjermani, ku unë jetoj, por jo në Kosovë! E ndjeva ashtu si gjithë populli shqiptar se duhet të bëja diçka për vëllezërit dhe motrat e mia! Më dhimbte zemra kur shikoja që ata morën rrugën e mërgimit nga lufta! Dhe, natyrisht unë nuk mund të rrija e qetë si motër shqiptare. Organizova me burrin tim 65 tonë ndihma për vëllezërit dhe motrat që jetonin në Maqedoni dhe Shqipëri. Bashkë me burrin, me ndihmën e shumë miqve gjermanë, mjekëve gjermanë, morëm ndihma dhe u nisëm drejt Shqipërisë me 5 avionë ushtarakë. Mbaj mend që pas shumë peripecive arritëm në Kukës ku shpërndamë të gjitha ndihmat. Poashtu edhe në Shkup e Tiranë, në të gjitha pikat ku ishin të vendosur kosovarët. Dhe jam krenare që kam ndihmuar popullin tim në ditët e vështira që ai pati.

Blue Sky: Alida falemnderit për kohën që ndave për dëgjuesit tanë!

Alida Hisku: Falëmnderit juve, ishte kënaqësi!

Rikthimin e Alidës e kanë përshëndetur edhe kolegët e saj në Prishtinë. Ndër ta veçuam Nexhmije Pagarushën dhe Shpresa Gashin.Nexhmije Pagarusha: Alida Hisku është një zë karakteristik, një interpretuese shumë e mirë! Interpreton me një ngrohtësi të veçantë që secili që e dëgjon i flen në shpirt. Kam dëgjuar se ka filluar përsëri të këndojë prandaj dhe i dëshiroj fat dhe suksese. Uroj të na kënaq edhe më tutje me këngët e saj, me interpretimin e saj të ngrohtë dhe me muzikalitet të veçantë siç di ajo. I dëshiroj sukses!Shpresa Gashi: Më kënaq fakti se Alida qenka rikthyer, me po atë freski zëri dhe me një pjekuri interpretimi! Është e nevojshme që rinia jonë të dëgjojë timbrikën e këngës së lehtë, të asaj kohe, njëkohësisht t’i njohë edhe vlerat e këngës tradicionale.

Intervistoi, Flora Durmishi
http://groups.yahoo.com/group/botaegruasshqiptare/photos

No comments: