Sunday, October 08, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-KEZE (KOZETA) ZYLO CIKEL POEZISH

PERJETËSIMI I LOTIT

E kam kërkuar lotin të gdhendet,
Në monument a ndonjë rrugë,
Se psherëtimat e lodhjes së emigrantit
Nuk mund të fshihen tutje në muzg.
Asnjeri s’ka vënë ujët në zjarr,
Edhe pse qielli me vraga loti,
Çan e bubullin mbi shpirtrat tane!
Hej skulptorë, poetë, piktorë,
Merreni lotin tim të kaltër,
E strukeni një çast në gjokset tuaja,
Se unë aty, pa dashur me ju,
Në burim Valbone do ta kthejë,
Lotin e kristaltë, sokakeve të mërgimit!


STUDENTEVE KOSOVARË
Në kujtim të demonstratave të 1981-it

Në zërat brenda zhurmonte e ardhmja,
Kishte kohë që vetërridhte papushim,
Si një meshë e mekur në kishat e zbrazta,
Kryente ritin e saj gjer në amëshim!

Në miturinë memece, rritej qyteti,
Nga intrigat e kohës, rreshtat e ndyta,
E vrisnin perdite te bukuren hyjnore,
Në vrasje kafenesh, me rrufitje të pista.

Papritur në terr, shpërthyen vullkanet,
Një shekull që zjenin, në vorbullën e tokës,
S’duruan dot hartën e gjymtuar,
Të bërë copë, në zyrat e Europës!!!!!!

Unë mësuesja e vitit të parë,
Në grup me studentët, lamë mësimin,
Në shenjë proteste me vëllezërit tanë,
Nga Atdheu nënë të merrnin bekimin.

Por s’ishte e thënë të mbaronte me kaq,
Gjaku i Kosovarëve, vazhdonte të rridhte,
Shurdh-memecët e botës së marrë,
S’donin të kuptonin, çfarë brenda kishte!


BEFAS…

Në atë kujtim të largët,
Befas papritur erdha,
Prekur nga lotët e shpirtit,
Që rigonin si vija,
Në skeletin e trupit,
Të dërrmuar nga koha.
Aty të gjeta, me letrën e bardhë,
Ku mendueshëm dridhje, duhanin,
Nën fiollat blu të tymit,
Treteshin mendimet e shkuara,
Rreth mureve të heshtjes lyer në të bardhë.
Si në kafaz dergjeshin,
Zërat e heshtjes,
Të kycur në portat e rënda,
Të kështjellave të hekurta,
Prodhuar nga mjeshtrit,
E gurit arbëror,
Për t’u mbrojtur,
Nga gurët e pagdhendur!


PEMA BESNIKE

Gjurmet e puthjes pema jone i ka ruajtur
Te fresketa, te pastra, fshehur nen rrenje
Thone se kjo peme ka shekuj qe ndodhet
Si dashuria jone, lisi I pangrene.

Te gjitha gjethet, tinguj feshferrime leshonin
Marroseshin dhe ato nga dashuria jone
Bashkohej dhe bilbili me zerin e tij
I dehur i teri nga puthja arome.

Cdo vit tek pema, nen zbehtesine e henes
Rreth trungut loznim syllambyzi perhere
Sekretet na i ruante me romancen tone
Si blerim dashurie, kthyer ne pranvere.

Nje furtune e madhe pemen e rrezoi
Rrezoi gjithcka…dru e shtepia
Po rrenjen me sekretin dot s’e shkuli
Priste puthjen tone, nente vjet nga uria.


FJALËT E TUA

Fjalët e tua
Të përdredhura i kam,
Nëpër honet e shpirtit tim,
Të fshehura, si dhimbje kronike,
Që natën kafshojnë,
Dhe ditën të qajnë,
Me lot krokodili,
Pa pushim!…


M’i fshive lotet…

M’i fshive lotët i dashuri im, m’i fshive,
Kur si rubin shndrrinin mbi supet e tua,
Nen zjarrin e puthjeve terreshin pa pushim,
Me afshet e zemrës, më pëshpërrisje të dua!
Ah c’mu kujtuan, në këtë natë vere,
Nën kupën e hënës, që më kundron nga larg,
Me të loz e qesh, e tëra si fëmija,
Sec më ndricon dhomën, po dhe atë prag!
Lermi, le të rrjedhin, prapë pa mbarim,
Përmbi buzët e tua, llavë e gjoksit tim,
Liqenin e mjelmave aty të krijojmë,
Me fijet e mëndafshit dashurinë, te mbrojmë!

Keze (Kozeta) Zylo, Manhattan
http://www.albanianliterature.org/writers/kozeta_zylo.htm
Copyright ©1999-2006 kzylo@yahoo.com All Rights Reserved

No comments: