Tuesday, November 07, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-DRENUSHA ZAJMI HOXHA -SHIKIMI PERTEJ HORIZONTEVE TE NDALUARA

SHIKIMI PËRTEJ HORIZONTEVE TË NDALUARA

shkruan:Drenusha Zajmi Hoxha


Krejt papritmas më informojnë një ditë se duhet të shkoj në zyrat e KFOR-it , për të nënshkruar një kontratë pune. Pas kontrollës rutinore, u futa në zonën e ndaluar bashkë me përkthyesen në gjuhën gjermane , e cila vinte nga Shqipëria. Para se të arrinim në ndërtesën e caktuar, më zuri syri një grup të madh ushtarësh, të cilët po bënin ca ushtrime në rast protestash apo trazirash tjera dhe kjo dukej shumë e zakontë. Ajo që nuk dukej fare e tillë, ishte pjesa tjetër e ushtarëve, të cilët po improvizonin popullatën civile. Ca prej tyre ishin veshur disi të leckosur dhe me plisa në kokë, ndërsa të tjerat ( supozoj femra) kishin veshur ferexhe e shamia dhe fustane deri në tokë. Kjo më bëri të ngrihem në vend. E pyes këtë miken përkthyese se a ndodhë gjithmonë keshtu dhe ajo rrudhi krahët në shenjë pohimi dhe dëshpërimi bashkë. Megjithëse, zhiva në termometrin e kokës sime po shkonte lartë me shpejtësinë e dritës, mundohesha të kuptoj pse këta njerëz e kanë pasur aq të vështirë, të vishen me rroba normale civile , aq më tepër që jetojnë në këtë vend dhe shohin njerëzit në rrugë, të veshur si në të gjitha vendet tjera evropiane……

Pas luftës në Kosovë, me gjithë ndryshimet tjera , vendin e vërshuan edhe shumë shoqata fetare, muslimane, katolike, protestante etj; shpërndaheshin fletushka e pamflete, flitej se jipeshin para të majme për konvertimin e fesë ,madje e njoh një grua nga Shqipëria , e cila ende tani shetit tërë ditën rrugëve dhe ndal ndonjë qytetar të durueshëm duke propaganduar protestanizmin. Në atë kohë, një mike e imja shumë e afërt, disi krejt papritur, nga një femër shumë moderne vuri ferexhen dhe filloi të ndjekte të gjitha ritualet e mundshme fetare. Unë, duke u frikuar se ishte viktimë e ndonjë prej këtyre shoqatave , i dhashë vetes të drejtën ( pa të drejtë) , që t’ia mbaj një leksion të gjatë, në të cilin e lusja ta hiqte ferexhen dhe të vazhdonte jetën duke mos u dalluar nga të tjerët. I thoja le t’i bëjë të gjitha ritet e mundshme ( thuase asaj i duhej leja ime!!!) , por mos të hyjë në atë veshje. Dhe derisa unë po dridhesha nga nervoza dhe më dukej se flisja bindshëm, mikja ime më dëgjoi me shumë durim dhe më bëri një pyetje fare të thjeshtë në fund:
” A dëshiron ti , të më shohësh të lumtur?”
Natyrisht se dua - i them dhe buzëqesha duke menduar se ia arrita qëllimit dhe i them se arsyeja ,që po i flisja ishte ngaqë e doja shumë. Por, ajo ma ktheu se ajo është e lumtur pikërisht kështu dhe se po të isha mike e mirë dhe e e vërtetë, atëherë do ta respektoja vendimin e saj, do ta ndaja gëzimin që ajo ndjente në zemër. Tekefundit, çfarë të drejte kisha unë , t’ia tregoja një udhë krejtësisht të kundërt nga ajo që dëshironte të ndjekte zemra e saj.
Qamë të dyja dhe në zemrën time e falenderova me zemër , që më bëri të ndjehem njeri më i mirë dhe të shoh botën edhe nga një kënd tjetër.

BOOM DEBATET
Pas një ose dy viteve, një delegacion nga Kosova , udhëtonte në një vend të huaj dhe përkthyesja, që duhej të shkonte me ta ishte një femër nën “havale”. Kjo bëri boom dhe u interpretua si një qëllim i keq , për tu paraqitur Kosova si një vend primitiv dhe pro- arab. Gjysma e delegacionit u kthye në mënyrë demonstrative, gjysma e opinionit u nda pro, gjysma kundër dhe megjithë habinë, se vërtetë si u gjet përkthyese mu një femër me ferexhe , ia vlente të mendosh pse do të dukej primitive kjoë grua e shkolluar, e cila fliste disa gjuhë të huaja.
Shumë afër kësaj ngjarjeje pëlcet njëfarë skandali tjetër. Në një shkollë të mesme të Prishtinës, ku nxënësit vishnin uniforma nga koka e deri në këmbë, një nxënëse vinte shaminë dhe vishte pantollona nën fundin e saj. Drejtoresha natyrisht se u vu në pozitë shumë të palakmuar, ajo nuk dëshironte t’ia cënonte asaj të drejtën e veshjes konkrete, por në anën tjetër ajo po cënonte të drejtat e të gjithë nxënësve tjerë, duke privilegjuar një të vetme. Dhe në vend se kjo çështje , të zgjidhej në ndonjë mënyrë psh, nxënësja të kalonte në ndonjë shkollë tjetër, ajo shkoi deri te avokati i popullit, titujt e shumtë të gazetave, përsëri opinioni u nda pro dhe kundër dhe drejtoresha e nderuar dhe nxënësja e mirë , u vunë në arenë, për t’i fshikulluar me debate, mendime, deklarata dhe ofendime e madje shumë vetë hoqën “havalet’ e tyre dhe me një fjalor jo të duhur dhe në emër të drejtësisë , predikonin , shanin dhe fyenin njëri- tjetrin derisa në fund harruan edhe vet çështjen për , të cilën kishin nisur debatin.
Dhe me gjithe këtë pompozitet, vetëm një sekuence e vetme e një seriali australian ,i dha kokës time një përgjegje të pranueshme. Profesoresha i drejtohet nxënëses , që mbante një kapelë në klasë ( për të fshehur flokët e ngjyrosur keq) se duhet ta heq atë, pos në rast se ajo paraqet ndonjë perkatësi religjioni.

NDJENJA HYJNORE

Atë verë, derisa po i jipja not detit , ndalem e lodhur dhe shoh se jam larguar goxha shumë nga plazhi. Ashtu e vetmuar , e ktheva shikimin nga thellësitë e detit dhe malet e larta , që rrethonin plazhin në largësi. Isha vetëm, mes tri mrekullive të mëdha, qiellit, detit dhe tokës.
Dhe atëherë ndodhi.
Ndonëse ndjehesha si pikë e vogël në univers, më kaploi një ndjenjë madhështore. Një qetësi e paskajshme dhe lumturi , që isha pjesë e kësaj bote të mrekullueshme, të krijuar nga një fuqi e madhe. Dhe e di se karshi gjithë kësaj madhështie rreth meje dhe ndjenjës që ndjeja në shpirt, m’u dukën shumë të vogla çështjet e urrejtjeve ndërfetare, hënat, kryqat, shamitë , tunikat, ferexhet, …Më bëhej sikur po shihja një fuqi të madhe , që po qeshte me budallallëqet tona njerëzore, me grindjet tona rreth objekteve, mënyrave dhe fjalëve, ndërkohë që kishim lënë pasdore atë që ishte më e rëndësishmja. Ndjesinë e shpirtërores dhe madhështinë e intelektit.
Ajo që ndjeja ishte vetëm ndjenjë shpirtçliruese , që bënte të ndjesh Zotin në veten tënde dhe të ngriheshe mbi të gjitha gjërat përçarëse që përdorin njerëzit, fatkeqësisht në emër të Zotit.
MIKU ATEIST

Mezi prita këtë ngjarje t’ia them një mikut tim ateist, i cili me gjithë misteret e universit dhe mrekullitë e tij, nuk beson në ndonjë fuqi mbinatyrore. Dhe ndodh që ai me një pyetje të tij , më zuri fare të papërgatitur. Më kishte ndodhur të mendoj se për çfarë na duhej neve njerëzve Zoti , por miku ime tani më pyeste a thua çfarë i duheshim ne atij , pasi ai i kishte të gjitha, pse do të duhej t’i sillnim kaq kokëçarje dhe humbje kohe për të na udhëzuar në rrugën e drejtë.
Më shtyri të mendoj për këtë gjë , por pas pak e pyeta edhe unë se çfarë i duheshin atij fëmijët e tij? Ankohej se ishin bërë të padëgjueshëm, kalonte kohë të gjatë për t’i udhëzuar, i sillnin kokëçarje të vazhdueshme….
Por ata ishin fëmijët e tij dhe i donte pamasë.
Asnjëherë më parë nuk kisha menduar në këtë mënyrë dhe kjo përgjegja ime, na befasoi të dyve.

KUJTIME

Më kujtohen dy ngjarje tjera brenda një familjeje të njohur , që tronditën para ca viteve qytetin. Vajza e madhe ishte dashuruar në një djalosh shumë të zgjuar, me shkollim të lartë dhe sjellje për t’i pasur lakmi. I vetmi faj që kishte bërë ishte se i përkiste besimit katolik dhe nuk i bënte asnjë presion vajzës që pas martesës të ndërronte fenë. Përkundrazi, të gjithë shokët e tij ishin myslimanë dhe ai festonte bashkë me ta festat myslimane ashtu si këta tjerët ia uronin pashkët e krishtlindjet. Por, babai i vajzës vazhdoi ta quante të pafe dhe solli punën që vajza të ikte nga shtëpia. Nuk do mend se babai e shpalli të vdekur dhe priste me padurim ndonjë lajm për pendimin e saj dhe jetën jo të lumtur. Por,vajza vazhdoi jetën martesore dhe, edhe pas shumë viteve e shihje me bashkëshortin e saj si dy pëllumba të porsadashuruar.
Por, shih ironinë, vajza e vogël dashurohet pas disa viteve në një misionar amerikan dhe babai është më se i lumtur. Krekosej për zgjedhjen e së bijës megjithëse ky amerikani nuk kishte shumë gjëra për tu lavdëruar. Madje edhe dasmën e organizoi në tërësi babai i lumtur.
Në mes të ahengut u paraqit edhe vajza e madhe me dhëndërrin , të cilët ishin ftuar nga e ëma dhe vëllai. Babai u afrua dhe megjithëse e shikonte vengërr të shoqin, i shtriu dorën dhe u pajtuan. Më vonë derisa vajza e madhe po largohej, kërkoi nga babai një përgjegje të vetme: pse urrente bashkëshortin e saj shqiptar , që vetëm lutej në një mënyrë tjetër, ndërsa i dukej më i pranueshëm një amerikan , i cili përveç fesë kishte edhe kombësi , gjuhë, tradita dhe mentalitet tjetër.
Kjo e shtyri babain të zbulonte një ndjenjë të re ( shumë vite të vjetër) në veten e tij. Ndjenjën e inferioritetit. Dhe kjo s’kishte të bënte asgjë me bindjet e tija fetare më.

KTHIMI KAH VETVETJA
Dhe çfarë të drejte kemi ne, si krijesa aq të dobëta ndaj ligjeve universale, të gjykojmë çka është e drejtë dhe çka jo, kush vishet bardh e kush zi, kush preferon ta ndjejë Zotin në këtë apo atë menyrë ose nuk dëshiron ta ndjejë fare ; pse do të duhej të gjykojmë nëse çdonjërit i është lënë e drejta të mendojë me kokën e vet; fundja nëse të gjitha fetë besojnë në ditën e gjykimit, vallë a nuk do të duhej të përgjigjemi atje për mëkatet tona...
Asnjëri nuk ka forcën e prokurorit hyjnor , as fuqinë e mendjes më të ndritur dhe intelegjencës së paskajshme. Jemi vetëm pjesë e një universi pa fund , krijesa që plotësojmë njëra tjetrën , pjesë të një procesi, i cili nuk ndalet. Vijmë mistershëm dhe ikim në një mister tjetër gjithmonë duke kërkuar përgjegje tjera. Dhe nëse të gjithë jemi pjesë të një universi, atëherë nuk kemi si të mos jemi një.

……ushtarët po vazhdonin me ushtrimin e tyre ,por tanimë po i shikoja e qetë. Provova me të gjitha ndjenjat, që së paku vetëm një sekondë, të ndjehem si atëherë në mes të detit. Në atë sekondë dhe në të tjerat pas saj , situata m’u duk gati komike . Një kontrast, që më dukej i panevojshëm si ai mes pendlës delikate , në kokën e ca ushtarëve dhe veshjeve e armëve shumëkilogramëshe në trup.
Vazhduam rrugën me miken time elbasanase dhe pas shumë kohësh, më ka treguar se atë ditë ka parë një shkëlqim të posaçëm në sytë e mij. Dhe e dija se nuk ishte nga dielli.

No comments: