Monday, November 06, 2006

Bota e gruas Shqiptare-ROZI THEOHARI-Per XHONI ATHANAS

NJË JETË NË KRAHËT E KËNGËS,
NJË JETË NË SKENË, I DUARTROKITUR,
I MIRËPRITUR
(Tenorit Xhoni Athanas nuk i kujtohet në jetën e tij
të mos ketë kënduar ndonjëherë)
Nga ROZI THEOHARI-- Boston
Sot, jemi mbledhur te gjithe rreth Artistit te Merituar shqiptar,
Xhoni Athanasit: familja e tij, shoket, miqte, korcaret…e quajme veten
te nderuar e te lumtur ta urojme artistin tone lirik per dorezimin e
“Medaljes se Mirenjohjes” me te cilen presidenti, Alfred Moisiu e
dekoroi me 12 dhjetor 2005, me motivacionin: “Per karriere te gjate
artistike ne skenen e Teatrit te Operas e te Baletit, per prezantimin
me dinjitet te muzikes shqiptare brenda e jashte kufijve, per
interpretimin e pare te figures se Gjergj Kastriotit ne operen
“Skenderbeu” te kompozitorit Prenk Jakova.”
Xhoni Athanasi lindi në Brokton, Massachusetts, me 4 nëntor
1925. Prindërit e tij emigruan në Amerikë rreth viteve 1915. Si shumë
emigrantë të tjerë të asaj kohe, ata punuan disa vjet rrjesht në
shtetin Massachusset (ku edhe jetuan) duke u munduar të përmirësonin
gjëndjen e tyre ekonomike. Xhoni ishte në moshë fare të vogël kur
familja e tyre u kthye sërish në Shqipëri për disa arsye familjare, me
mendimin për të ardhur pësëri në Amerikë në rastin më të parë. Por me
fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe më pas me vendosjen e
komunizmit, u bë i pamundur kthimi i tyre në Amerikë. Xhoni që në moshë
të vogël filloi të këndonte psalmet bizantine në kishën ku i ati
ushtronte profesionin e klerikut (prift ortodoks). Pjesëmarrja në
këndimin e psalmeve të kishës e ushqeu Xhonin që në atë moshë me
pasionin për muzikën dhe këngën dhe shërbeu si një bazë për edukimin
vokal të tij. Jo vetëm në kishë, por edhe në shkollën
fillore-tetëvjeçare Xhoni merrte pjesë në grupet vokale të shkollës.
Ndër kujtimet e tij të fëmijërisë është i rëndësishëm një rast kur ai
dhe motra e tij, Katerina, kënduan një duet në një takim të shkollave
të rrethit
të Bilishtit më 1933, me pjesëmarrje të personaliteteve lokale. E
kënduar ëmbëlsisht prej tyre, “Kënga e Mullirit”, e kompozuar nga Thoma
Nasi, banues në Boston në atë kohë, i dha Xhonit dhe së motrës një
vlerësim simbolik me disa dhurata. Në vazhdim të jetës së tij Xhoni,
gjithmonë i apasionuar pas muzikës dhe këngës, shpesh herë merrte pjesë
në festa të ndryshme duke kënduar këngë popullore korçare si “Te plepi
i Bilishtit”, “Tatëpjetë bregut vinje”, “Ftujke moj”, “O moj korçare”,
së bashku me orkestrat e rrethit, aq sa i ati i thoshte me shaka: “Do
të të bëj sazexhi”.
Më 1940 Xhoni pati rastin të takonte profesor Konden, një nga
personalitetet artistike më të nderuar të asaj kohe në qytetin e
Korçës, i diplomuar në Athinë. Profesor Konda e vlerësoi shumë zërin e
tij dhe i rekomandoi të fillonte menjëherë mësime profesionale
muzikore. Kështu Xhoni filloi mësimet e para të muzikës me pr.Konden, i
cili më tej e pranoi si solist në korin e Kishës së Mitropolisë, që
profesori e drejtonte. Edukata muzikore që mori nga Konda, i shërbeu
Xhonit për t’u pranuar si solist në grupin koral “Lira” të qytetit të
Korçës me drejtues Kristo Konon. Xhoni tashmë ishte bërë i njohur si
solist i qytetit të Korçës. Deri në vitin 1947 Xhoni vazhdoi një jetë
artistike koncertale në gjithë rrethin e Korçës me grupin “Lira”, dhe
gjithashtu ai aktivizohej me të gjitha grupet artistike që ishin në atë
kohë në këtë qytet. Xhonin do ta shikoje afër këngëtarëve Gaqo
Jorganxhi, Tole Adhami, Pavlina Nikaj, Gaqi Konomi. Do ta shikoje duke
mësuar bashkë me Dhora Lekën këngët e saj partizane. Në vitin 1947, me
kërkesën e Gaqo Avrazit, në atë kohë dirigjent dhe udhëheqës artistik i
korit të Ushtrisë Popullore, Xhoni bëhet pjestar i këtij ansambli duke
u radhitur si solist bashkë me Ibrahim Tukiqin, Mentor Xhemalin, Avni
Mulën, Ndrek Gjergjin, Lluk Kacajn, Maliq Herrin etj. Në atë kohë
Ansambli i Ushtrisë ishte më i kualifikuari dhe gjatë viteve 1947-1952
kishte një aktivitet artistik shumë të pasur. Një sukses i madh i
ansamblit ishte turneja që bëri në Rusi (BS) në vitin 1949, gjatë së
cilës ai u vlerësua shumë nga media dhe publiku rus. Xhoni ka kënduar
me ansamblin si solist në të gjitha rrethet e vendit dhe me shumë
sukses, në reparte ushtarake, në kufi, fshatra e qytete, në tribuna me
raste festash etj. Në vitin 1952, Xhoni, me propozimin e Komandës së
Ushtrisë dhe Ministrisë së Kulturës, së bashku me kolegët dhe shokët e
tij soliste të Ansamblit artistik të Ushtrisë, u nisën për studime në
Konservatorin e Moskës, BS. Artistët e ardhur nga Shqipëria e vogël u
vlerësuan shumë nga trupa pedagogjike e Konservatorit “Çajkovski”.
Secili nga pedagogët më në zë të Degës së kantos (këngës) donte me çdo
kusht të kishte në klasën e vet njërin prej këtyre këngëtarëve
shqiptarë. Xhoni filloi mësimin e teknikës vokale me një nga pedagogët
e vjetër në Konservator dhe solist i parë në Teatrin Balshoi, Sergei
Baturin. Gjatë këtyre viteve, Xhoni, krahas studimeve në shkollë, ka
pasur edhe një aktivitet artistik koncertal shumë të madh. Ai me shokët
e tij kanë paraqitur me dinjitet artistik për publikun artdashës rus
muzikën shqiptare dhe botërore. Kaq e njohur u bë muzika shqiptare, sa
edhe sot kur takon njerëz të moshave të vjetra të asaj kohe (rusë),
kujtojnë me nostalgji këngët: “Hajde moj”, “Lule bore”, “Vajta në
Elbasan” etj. Në mbarim të studimeve të konservatorit, në vitin 1957
Xhoni mori pjesë si konkurues në Festivalin Botëror të zërave të rinj
që organizohej ne atë kohë në Moskë. Aty përfaqësoheshin 110 këngëtarë
nga e gjithë bota. Zeri i Xhonit, me nje teknike te kulluar dhe vokal
skenik terhoqi vemendjen e gjithe konkuruesve. Xhoni Athanasi u
vlerësua me çmim të dytë ndërkombëtar në atë festival dhe u quajt
Laureat me Çmim të Lartë të festivalit. Ky ishte një stimul i shkëlqyer
për fillimin e karrierës së tij, por gjithashtu një kujtim i paharruar,
sepse Çertifikata e Diplomës ishte firmosur nga këngëtari i mirënjohur
italian Tito Skipa, që ishte dhe kryetar i jurisë së festivalit. Në
vitin 1957, pas studimeve, Xhoni u emerua si solist i Teatrit të
Operas dhe Baletit në Tiranë. Ishte një sukses i madh për artin
operistik ardhja e këngëtarëve të rinj që u diplomuan në Moskë. Krahas
këngëtarëve të vjetër si Marije Kraja, Jorgjia Truja, Gj.Kosturi,
K.Antoniu, H.Pelingu, tani u shtuan edhe M.Xhemali, A.Mula, I.Tukiqi,
M.Herri, L.Kacaj, N.Mula, Xh.Athanasi, G.Cako, Gj.Heba, G.Zdruli etj.
Teatri i Operës në vitet ’58-‘65 kishte në repertorin e tij 25 shfaqje
artistike nga veprat më të vështira klasike të kompozitorëve Verdi,
Puçini, Çajkovski, Leon Kavallo, Maskanji, Glinka, Bize, Masnet…një
jetë shumë të pasur
koncertale në të cilat Xhoni Athanasi ishte pjesëmarrës. Rolet në të
cilat ai u shqua gjatë këtyre viteve kanë qenë: Turidu tek “Kavaleria
Rustikana” e Maskanjit, Kanjo tek “Pagliaci” i Leonkavallos, Lenski tek
“Eugjen Ognegin”, Shonari tek “Bohema” e Puçinit, Don Bazilio tek
“Dasma e Figaros” e Moxartit, Dhimitri tek “Lulja e kujtimit” e
K.Konos, Bash Murgjini tek “Borana” e A.Mulës, Kuestori tek “Heroina” e
V.Noves, Doda tek “Mrika” etj…Gjatë viteve që punoi si solist në
Teatrin e Operës ai ka përfaqësuar disa herë Shqipërinë në aktivitete
koncertale jashtë vendit si në Rumani, BS, Kinë, Mongoli, Kore,
Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi, Hungari etj. Kudo që
ka shkuar, është vlerësuar nga spektatori dhe media si një këngëtar me
zë të fuqishëm dhe shumë komunikues me spektatorin. Midis të tjerash
gazeta “Kultura” e Moskës, më 1959 shkruante: “Me një këngëtar të tillë
si Xhon Athanasi mund të mburret çdo teatër në botë”. Pedagogu i
konservatorit të Bullgarisë Brymorov e ka vlerësuar zërin e Xhonit si
“zë i rrallë botëror”. Todi dal Monte, këngëtarja italiane, pasi e
dëgjoi në një studio, tha: “zëri i Xhonit është një zë i rrallë tenori
dramatik”.
Nuk ka qytet apo fshat, fabrikë apo shesh ku Xhoni bashkë me
kolegët e tij të mos ketë dhënë shfaqje operistike dhe koncerte të
ndryshme për masat e gjera artdashëse. Nga ditari i tij personal i
shkruar gjatë vitit 1957-1993, mund të radhisim 1100 koncerte dhe 450
shfaqje operistike (pa numëruar këtu koncertet para studimeve). Por ai
që i dha vlerat e artistit kombëtar shqiptar ishte roli i Skënderbeut
në operën me të njëjtin emër të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha
me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Kompozitori Jakova, i cili e vlerësonte Xhonin si tenor dramatik, e
shkroi operën “Skënderbeu” posaçërisht që roli i Gjergj Kastriotit t’i
përshtatej zërit, tesiturës dhe figurës së artistit tonë. Ky ishte një
vlerësim shumë i lartë dhe Xhonit i duhej të kryente një detyrë shumë
të madhe për të realizuar figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.
Xhoni tregon: “M’u desh të mendoja ditë e natë se si do të mund të
realizoja këtë rol kaq të dashur dhe të imagjinuar nga publiku ynë
artdashës…” Por me ndihmën e regjisorit të mirënjohur Pirro Mani, i
cili vuri në skenë operën, së bashku krijuan një spektakël madhështor
që u mirëprit nga spektatori. Opera “Skënderbeu” e ngriti Xhonin në
piedestalin e arritjeve të tij artistike. Ai jo vetëm e interpretoi
rolin e Gjergj Kastriotit, në mënyrë të shkëlqyer nga ana teknike
vokale, por krijoi një figurë të Skënderbeut të studiuar aq mirë prej
tij, sa, kur vinte përkrenaren, pelerinën dhe shpatën, dukej si një
Skënderbej i vërtetë, si një hero madhështor kombëtar. Madje
fotografitë e marra nga shfaqja janë përdorur edhe si ilustrime
historike.
Në vitin 1973, pa u shkëputur asnjëherë nga aktiviteti i tij si
këngëtar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Xhoni filloi njëkohësisht
punën si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e kantos.
Rezultatet e punës së tij si pedagog u dukën që në vitet e para, kur
një brez i tërë këngëtarësh të rinj mbaruan me rezultate shumë të mira.
Nga studioja e Xhonit debutuan si solistë në Teatrin e Operës dhe
Baletit dhe u bënë të njohur edhe jashtë atdheut këngëtarët: Agim Duro,
Ruzhdi Karaj, Suzana Frashëri, Nikolin Gurakuqi, Irini Nikolla, Kaman
Aliko, Luan Sula si dhe shumë të tjerë. Krahas punës si këngëtar dhe
pedagog, Xhoni e ka afirmuar veten si artist në kompleksitetin e plotë
të një muzikanti të gjithanshëm, p.sh., si regjisor ai ka vënë në
skenën e Teatrit të Operes disa fragmente nga veprat operistike
“Norma”, “Rigoleto”, “Toska”, “Madama Batërflaj”, “Karmen”, të cilat u
pritën shumë ngrohtë nga spektatori edhe për arsyen tjetër, sepse u
vunë në skenë menjëherë pasi fitoi demokracia në Shqipëri, mbas një
periudhe të gjatë kohe që në TOB, që nga 1967-1990, ishin çensuruar
veprat e autorëve të huaj. Njëkohësisht ai ka bërë edhe disa kompozime,
sidomos për fëmijë. Ka punuar për krijimin e një albumi shkollor, me
vepra operistike shqiptare, për t’u përdorur në Akademinë e Arteve si
material studimi, duke parë me imtësi çdo frazë muzikore, për t’iu
përshtatur sa më mirë studentëve në programin mësimor. Dy nga studimet
e tij me rëndësi janë edhe “Të kënduarit si mjet shprehës dhe
komunikimi” dhe “Teknika e frymëmarrjes së këngëtarit.” Ka përgatitur
një album me përmbledhje këngësh popullore të rretheve të ndryshme të
Shqipërisë. Ka marrë pjesë në përgatitjen e festivaleve të ndryshme
artistike-vokale të këngëtarëve lirikë të Gjirokastrës dhe të fëmijëve,
ku shpeshherë ka qenë edhe kryetari i jurive. Për merita artistike
shumëvjeçare Xhonit i është dhënë nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë
titulli i lartë Artist i Merituar. Emri i Xhonit është i shkruar në
Enciklopedinë Botërore të Artit, një vlerësim i rrallë ky që i bëhet
një artisti.
Mbas vitit 1994 Xhoni bashkë me familjen e tij u rikthye në
Amerikë, në vendin ku kishte lindur, në Boston. Ardhjen në Amerikë ai e
kishte ëndërruar prej kohësh dhe ëndrra u bë realitet ndoshta me shumë
vonesë. Megjithatë, edhe këtu, megjithëse në moshë të thyer, ai e
tregoi veten dhe vërtetoi se një artist i apasionuar, edhe me kalimin e
viteve, gjithmonë e dashuron skenën dhe asnjëherë nuk e braktis atë.
Kështu, Xhoni vazhdon aktivitetin e tij për komunitetin
shqiptaro-amerikan në raste festash dhe pritjesh zyrtare, duke dhënë
shumë koncerte në Boston dhe në qytete të tjera përreth. Ai eshte
mirepritur dhe vleresuar nga spektatori i ketushem si nje kengetar i
nivelit te larte. Me zerin e tij Xhoni ka marre pjese ne te gjitha
festat shqiptare dhe takimet me personalitete zyrtare te Shqiperise qe
kane vizituar Bostonin. Zeri i Xhonit ka tingelluar shume here ne
sallat e restorantit “Pier 4” dhe pronari i tij, Anton Athanasi, ka
thene: ”Ne keto sallat e mia kane kenduar shume kengetare te medhenj,
por Xhoni eshte me i miri nga te gjithe.” Me zerin e tij te
mrekullueshem e te pakrahasueshem, Xhoni mbush sallen ku komuniteti
shqiptar zhvillon festen e pervitshme te 28 Nentorit. Himni i Flamurit
shqiptar degjohet cdo nentor ne Boston nepermjet zerit te Xhonit.
Xhoni Athanas vazhdon te jape koncerte ne komunitetin rus dhe
ate Italian, por gjithmone prezantohet si kengetar shqiptar. Si nje
artist lirik i kompletuar, me nje vokal elegant skenik Xhoni Athanas ka
terhequr vemendjen e artdashesve amerikane, te cilet e kane
duartrokitur ne cdo koncert ku kane qene te pranishem. Nder koncertet
me te rendesishme permendim ate me teme Kosovare, ne vitin 1999, i cili
u shfaq ne nje nga sallat me te njohura e me antike te Massachusettsit
ne Kembrixh, “Sanders Theater”. Koncerti u pergatit nga regjisorja
italiane Luiza Marino, me trupen e kengetareve te ardhur nga Italia.
Xhoni pergatiti dhe mori pjese me nje veper vokale, me tekst per
Kosoven dhe i kushtohej vuajtjeve te vajzave kosovare gjate luftes.
Zeri i Xhonit me nje tingellim emocional dhe veshja e tij me kostumin e
Malesise se Madhe e kompletuan vepren vokale, e cila u mireprit dhe u
vleresua nga spektatori si pjesa me e mire dhe me aktuale per ate
koncert.
Xhoni ka dhene gjithashtu nje numer koncertesh te tjera ne
shtetin e Massachusettsit dhe jashte tij, ne Nju-Jork, Nju-Xhersi etj.
Ne cdo aktivitet, bashke me argetimin e pjesemarresve, Xhoni, me
mjeshterine e te kenduarit e te interpretuarit emocionalisht, ka
sjelle edhe krenari kombetare. Me 1998 ai mori pjese ne nje koncert me
vepra klasike ne Nju-Jork , organizuar nga “Motrat Qiriazi”. Koncerti,
ku merrnin pjese kengetare shqiptare e kosovare, u organizua per te
ndihmuar financiarisht femijet kosovare. Ky ishte nje takim shume i
rendesishem sepse kontribuoi ne njohjen dhe miqesine midis artisteve
shqiptare e kosovare.
Nje aktivitet tjeter muzikor i Xhonit ne Massachusetts eshte dhe
ushtrimi i profesionit te pedagogut. I njohur ne komunitet se
“Profesor Xhoni” ai vazhdon akoma të japë mësime kantoje për studentë
shqiptarë, rusë etj, duke organizuar shpesh koncerte me ta. Ne vitin
1999 Xhoni organizoi korin e pare te femijeve ne Boston, kryesisht me
femijet emigrante kosovare, te ardhur ne Amerike si refugjate nga
lufta. Kori i femijeve mori pjese ne festimin e 28 Nentorit te atij
viti dhe se bashku me Xhonin interpretoi himnin shqiptar dhe ate
amerikan, te pritur me brohoritje nga te pranishmit. Gjithashtu me 2001
Xhoni ka pergatitur nje kor special te femijeve me psalmet e imzot Fan
Nolit per festat e medha te kishes, gjate pashkeve dhe krishtlindjeve.
Ky kor ka kenduar ne te tria kishat ortodokse shqiptare qe ndodhen ne
South Boston.
Xhoni Athanas si gjithnje eshte i rrethuar nga dashuria e kujdesi i
te afermve dhe familjes se tij. Per komunitetin shqiptaro-amerikan te
Massachusettsit do te mbetet e paharruar mbrëmja e ngrohtë e organizuar
në “Pier 4”, Boston, ne vitin 2001, për festimin e 75-vjetorit te
lindjes së artistit tonë të dashur. Ishte nje mbremje domethenese, e
merituar dhe e deshiruar. Pranë Xhonit, si gjithmonë, e bukur, besnike
e zemërdhembshur qëndronte bashkëshortja, Sekinja, artiste edhe ajo,
një nga balerinat e mirënjohura shqiptare. Më kujtohet, 50 vjet të
shkuara në Tiranë, kur ky çift i mrekullueshëm shpalli fejesën. Ardhur
që të dy nga besime të ndryshme fetare, ajo, e bija e klerikut
musliman, drejtorit të Medresesë dhe ai, i biri i priftit korçar. Por
dashuria e tyre që u kthye në mit, shkeli mitin e fanatizmit dhe të
zakoneve të prapambetura. Çifti Athanas ose çifti I emancipimit, u bë
idhull dhe shembull për shumë fejesa të tjera midis të rinjve me besime
fetare jo të njëjta. Xhoni ka ditur të vlerësojë e të nderojë
familjen e të çmojë shoqërinë. Gjatë jetës së tyre bashkëshortore
motoja e tij ka qenë devotshmëria dhe sakrifica për artin. Pa u lodhur
kurrë, gati të rrezikojë edhe shëndetin, për të çuar deri në fund punën
dhe premtimin e dhënë. Kurrë egoist, jo vetëm në jetë, por as në art,
ku në disa raste, ky egoizëm është i nevojshëm. “Çdo shfaqje e koncert,
- tregon Sekinja, - ka qenë me emocione të forta jo vetëm për Xhonin,
por edhe për të gjithë pjesëtarët e
familjes. Xhoni thotë: “Kur unë kam emocion, këndoj më mirë”. Xhoni –
artist, koleg, pedagog, bashkëshort ideal, baba shembullor dhe gjysh i
dhembshur. Vajza e dyte, Edlira, e pershendeste te jatin me rastin e
75-vjetorit: “… I dashur babi!, kur hyj qetas ne shtepi dhe te gjej
ulur ne piano, duart e tua ne tastiere i bien nje melodie te njohur dhe
syte e tu e fiksojne per nje cast noten “do” dhe “do diez” sikur aty te
kesh gjetur nje rrugice te vogel kalimi ku me pas te nxjerr ne nje
qiell te paster e te mbushur me kujtime…Gjej zërin tënd të formohet,
t’i përshtatet përpikmërisht idealit që Verdi apo Puçini kishin patur
kur hidhnin notat në pentagram… Të gjej në ato çaste kur më krihje
flokët me dy bishtaleca, kur, pa përtuar, me çoje përditë me biçikletë
në shkollë… Të gjej gjysh…, të gjej në agoninë e operacionit by pass në
zemër… Si do të ishte, vallë, jeta jote që ti kishe ëndërruar me stil
perëndimor? Ndoshta do të kishe famën e Pavarotit, ndoshta dhe peshën e
tij, por unë nuk do të te ndërroja kurrë me njeriun, shqiptarin e
njohur Xhoni Athanas…Vajza e madhe , Mirela, i kushton te atit vargje:
“/ Babi im i mire…/ Me duket sikur zerin tend te bukur,/ E kam degjuar
e para une/ Me nina-nanat e embla/ Kur me vije ne gjume./ Ndersa mbesa,
Xhulia, i dhuron gjyshit tingujt e pianos luajtur nga duart e saj te
vogla.
Ishte mesdite e bukur e 23 nentorit 2004 kur ne sheshin para
Bashkise se Bostonit ishin mbledhur qindra shqiptare, burra, gra,
femije, djem te rinj, vajza, disa me kostume kombetare. Gjithsecili e
quante privilegj te madh te ndodhej ne kete manifestim te ngrohte
festiv, gjate ceremonise se ngritjes se flamurit shqiptar ne Boston,
per here te pare ne histori. “Mos harroni flamurin!” pat thene dikur
Faik Konica—flamurin , simbolin e qendreses, simbolin e bashkimit,
simbolin e ardhmerise. Ishte mallengjyes casti kur kengetari yne i
mirenjohur Xhoni Athanas i kendoi e i ndjeu thelle keto “simbole” gjate
interpretimit te himnit te flamurit shqiptar. “…Kur fillova te kendoja
vargun e pare, “Rreth flamurit te perbashkuar”, - tha me nje ze prekes
artisti Athanas,- m’u duk sikur kendoja per here te pare ne jeten time.
Kam kenduar ne opera e ne qindra koncerte brenda e jashte atdheut, kam
dhene shfaqje ne komunitetin e Bostonit e rrethinat per vite me radhe,
por emocionin e dites se sotme nuk e kam ndier kurre! Te kendosh ne
sheshin me te rendesishem te Bostonit, ndersa flamuri yne kombetar
nderohet nga flamuri amerikan, eshte nje tejndjeshmeri per cilindo,
eshte nje nder per mua si artist.”- tha ai i entuziazmuar.
Koncerti i paharruar qe ka marre pjese Xhoni eshte ai i
qershorit 2005, titulluar “Buqete kengesh dhe vallesh shqiptare” me
pjesemarrjen edhe te grupit te valleve “Bashkimi” te Bostonit,
pergatitur nga mjeshteri i valles, Bashkim Braho. Koncertin e
Massachusettsit e nderoi me pjesemarrjen e saj edhe kengetarja e
mirenjohur e komunitetit shqiptaro-amerikan, Merita Halili. Koncerti u
degjua nga me shume se 500 spektatore e u vleresua si nje sukses i
arritjeve te artisteve shqiptare ne Boston. Mbresa te vecanta ne kete
koncert la kenga “Lulebore”, e cila u kendua nga Xhoni dhe Merita dhe u
shoqerua me duartrokitje te gjata.
E cilesuar si “Kenga e shekullit” Xhoni Athanas ruan kujtimet me
te bukura per kete kenge shkodrane. “Me kujtohet,- thote ai,- kur kam
ardhur ne Tirane ne vitin 1948, dhe kenga e kompozitorit Simon Gjoni,
“Lulebore” sapo kishte mberritur nga Shkodra. Pa dyshim, kenga
“Lulebore” u be menjehere shume e dashur per spektatorin shqiptar,
-vazhdon Xhoni. –Ne, solistet e Ansamblit te Ushtrise e kendonim ne cdo
koncert tonin, ne rrethet e ndryshme te Shqiperise. Kjo kenge i kaloi
edhe kufijte e atdheut. “Lulebore” u kendua ne festivalin e Berlinit me
1949-1950 nga A. Mula dhe ne festivalin e Bukureshtit me 1953, nga
Tukici-Mula. Por kenga “Lulebore” eshte bere e njohur me shume ne
Rusi.Gjate viteve studentore, 1952-1957, ne, grupi i “Lulebores”,
Mula-Tukici, Xhemali- Athanas, etj. e kemi kenduar me dhjetera here, ne
koncerte te ndryshme ne sallat me te rendesishme ne Moske, S.
Petersburg, Kiev, Odesa, Minsk, etj. Shpesh here, kur ne kengetaret e
“Lulebores”, shetisnim ne nje nga rruget kryesore te Moskes me emrin
“Gorki”, shume qytetare dhe sidomos vajzat, na pershendesnin, duke na
therritur, “Podsnjezhnik”,- perfundon Xhoni.
Sot, ne ceremonine e dorezimit te Madaljes se Mirenjohjes dhe te
festimit te 80-vjetorit te lindjes, do te deshironim t’i dhuronim
artistit tone te dashur nje buqete me lulebore shqiptare me urimin:
“Rrjedhte e mos pushofte kurre kenga jote, Xhoni!”
Kuinsi, Mass, 5 nentor, 2006

No comments: