Monday, December 11, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-VERA PELAJ INTERVISTON DRITEROIN

Interviste me Dritero Agollin
Intervistë ekskluzive me shkrimtarin e mirënjohur DRITËRO AGOLLI
“Shkrimtarët që i tremben kritikës, venë në dyshim krijimtarinë e vet, nuk kanë besim tek krijimtaria e tyre. Shkrimtari kur e boton një vepër, apo kur boton një diskutim, nuk është më pronë e tij, por është pronë e lexuesve. Dhe lexuesi, ka të drejtë çdo gjë për atë. Nuk është prone, që ta mbrojë medoemos ai. Fjala vjen Naim Frashëri, Fishta, Mjeda, Migjeni, Esad Mekulli, etj. Nuk kanë tani shokë, kushërinj, apo dikend që mund t’i mbrojë. Ata i mbron vetë lexuesi”./Dritëro Agolli/Dritëro Agolli, është një nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqipe. Është poet, prozator, publicist dhe kritik. U lind në vitin 1931, në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i ndoq në fshatin e lindjes, kurse ato të mesme, në qytetin e Gjirokastrës. Në Leningrad, të Bashkimit Sovjetik, ka mbaruar studimet e larta për gazetari. Pas mbarimit të këtyre studimeve, ka punuar një kohë të gjatë në redaksinë e gazetës “Zëri i popullit”. Për 15 vjet me radhë, ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, është shumë e pasur. Ai me krijimtarinë e tij, letërsinë shqipe e ka prezantuar denjësisht në aspektin global. Vepra e tij është e përkthyer në disa gjuhë të botës. Romani e tij satirik, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, bëri jehonë të madhe në vendet ku u botua, si në Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rusi, e vende të tjera. Ndër librat e Dritëro Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Mesditë”, “Komisari Memo”, “Njeriu me top”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Trëndafili në gotë”, pastaj dramat ; “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë”, si dhe librat me poezi “Lutjet e kambanës”, “Pelegrini i vonuar” etj.

Blue Sky: Libri juaj “Zhurma e erërave të dikurshme” ishte ndaluar nga diktatura komuniste. Në panairin e librit të fundit në Tiranë, u rikthye përsëri? Cila është historia e këtij libri?Dritëro Agolli : E kam thënë edhe në shtypin e përditshëm në Shqipëri, se çdo libër, në përgjithësi, ka një histori të veten. Ka historinë, se si ka lindur, në çfarë rrethanash, si është botuar, si është pritur etj. Libri është me një biografi si njeri dhe veçanërisht si autor i tij. Ky libër u botua në vitin 1964 d.m.th., 44 vjet më përpara. Libri nuk doli në qarkullim, sepse u ndalua atëherë. Sipas atyre që e ndaluan, ky libër nuk paraqiste realitetin e atëhershëm socialist në mënyrë optimiste por, ishte një libër pesimist. Heronjtë dhe personazhet e librit, sipas tyre, dukeshin të mërzitur, jo luftëtarë, por njerëz me lëkundje shpirtërore dhe në përgjithësi, deheroizoheshin. Këto ishin vërejtjet që u bënë atëherë, prandaj botimi i parë, nuk doli në shtyp. Më pas, doli botimi i dytë, nga i cili u hoqën disa tregime, e pastaj doli në qarkullim. Kur doli në qarkullim, përsëri u ndalua, pas një plenumi të komitetit qendror (plenumi i 15-të, në vitin 1965), një vit para përpjekjeve për të dalë ky libër. Kur doli, përsëri ai u kritikua dhe më vonë u ndalua, si i tillë. Por, ka edhe një ngjarje të çuditshme! Mua më kishte mbetur vetëm një kopje e librit, e botimit të parë, me një kopertinë tjetër, sepse libri doli me disa kopertina, po në vitet 60-të, dhe më kishte mbetur vetëm një kopje. Ndodhi që në vitin 1972, erdhi këtu më një delegacion nga Kosova, Hasan Mekulli. Ai më kërkoi një libër që ta lexonte. Unë i dhashë kopjen e vetme që kisha, me një kopertinë të piktores së dëgjuar, Safo Marko, gruas së Petro Markos. Për çudi, Hasan Mekulli, e botoi në Prishtinë, duke lëshuar edhe dy – tri, tregime që i kisha botuar unë më vonë, por edhe ata të ndaluar, me një titull “Njeriu i mirë” dhe me një parathënie shumë të mirë që e kishte shkruar ai. Unë e mora më vonë këtë libër dhe u gëzova shumë. Ç’është e vërteta edhe u entuziazmova nga përpjekjet e Hasan Mekullit që të botohej ky libër. Mu shtua shumë respekti për të sepse ishte me të vërtetë një njeri fisnik, njeri që e njihte mirë letërsinë shqiptare, që e njihte letërsinë botërore, letërsinë ballkanike... dhe më këto njohuri të pasura, ai e kishte shkruar edhe parathënien shumë të mirë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”. Por, ai për të mos më lënduar mua, nuk thoshte që ky libër është i ndaluar. Sepse po ta bënte këtë, atëherë nuk do të ishte mirë për mua. Por ai, ishte një njeri tepër i kujdesshëm dhe këto gjëra intime të kësaj natyre, nuk i kishte shkruar në parathënien e tij. Aty ishte një tregim, “Njeriu me veladon”, që ishte i ndaluar plotësisht që në botimin e parë. Për herën e parë si botim, u botua në atë përmbledhjen që e kishte bërë Hasan Mekulli. D.m.th., për herë të parë u botua për publikun në Kosovë. Pas dhjetë vjetëve disa tregime të këtij libri dolën në përmbledhjen time. D.m.th., dhjetë vjet pasi e kishte botuar Hasan Mekulli. Ishte kjo përmbledhje me dhjetë vëllime e botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Ky libër u bë i njohur pa thënë që janë tregime të librit “Zhurma e erërave të dikurshme”. Vetëm disa tregime u botuan dhe ato tepër të redaktuara, të masakruara. Por, ky tregim që e botoi Hasan Mekulli, nuk u botua në atë përmbledhje të veprave të zgjedhura. U botua vetëm në vitin 1995, në kohën e demokracisë dhe falë atij botimi të Hasan Mekullit, unë e botova në librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, që nxori edhe shtëpia botuese “Onufri”, por edhe disa vjet përpara që e botoi Lili Bare, në shtëpinë e tij botuese që quhej “Apollonia”, me titullin “Njerëz të krisur”. Disa tregime botoi por edhe ky tregim që nuk njihej në Shqipëri si i tillë. Kështu, në vitin 2006, presidenti i shtëpisë botuese “Onufri”, më kërkoi që ta botoja këtë libër në shtëpinë e tij botuese, megjithëse pjesë - pjesë, ishin botuar edhe më përpara gjatë kohës së sistemit demokratik. Unë ia dhashë atij, duke e paralajmëruar se disa tregime edhe i kisha botuar, por ai nguli këmbë që unë ta botoja në këtë shtëpi botuese dhe e botoi. Unë shkrova një parathënie për historinë e këtij libri. Kishte edhe disa vlerësime të tjera nga Ismail Kadareja, dhe kur doli libri, pati një sukses gjatë kësaj kohe. Edhe në panairin e librit në Tiranë, ai qarkulloi shumë mirë dhe si i tillë, shkoi gjerësisht në duart e lexuesve. Por, siç e thashë edhe më përpara, çdo libër e ka historinë e tij në kushte të vështira po edhe në përpjekjet e shkrimtarëve për të lëmuar sa më shumë stilin e tyre, për t’u kujdesur, që të paktën në stil, të ishin superior, të ishin njerëz që nuk mund t’i zinin lehtë nga ana e formës artistike. Në kohëra të vështira, shkrimtarët janë përpjekur shumë për të dhënë vepra. Në kushtet të ashpëra kanë përpunuar stilin, duke përdorur edhe mjete të tjera për tu paraqitur në publik. U bënë edhe njerëz që dinin ta përhapnin kulturën, qoftë edhe në ato kondita.Blue Sky: A ndikoi në jetën tuaj bashkëshortore, imponimi që iu bë gruas suaj, që ta kritikojë librin “Zhurma e erërave të dikurshme”?Dritëro Agolli : Gruaja ime, Sadija, ishte mësuese në shkollën e mesme “Partizani”. Në atë kohë, vendimet e mbledhjeve të komitetit qendror, plenumeve dhe kongreseve, dilnin në broshura, fjalimet e personaliteteve të shtetit dhe të partisë. Këto fjalime, duheshin që të punoheshin, të diskutoheshin nëpër shkolla, në shtëpi kulture, nëpër institucione, nëpër ministri. Pra, ishte një praktikë e tillë, që duhej që të analizoheshin idetë e këtyre mbledhjeve dhe plenumeve. Meqë Sadija, gruaja ime, ishte mësuese e letërsisë, duhej që të shpjegonte se ç’ishte ky plenum i komitetit qendror, cilat libra janë kritikuar dhe midis tyre edhe libri im, “Zhurma e erërave të dikurshme”. Ajo, përpara mësuesve, në mbledhje, fliste për këtë plenum, për mendimet që ishin shfaqur atje dhe kritikonte edhe librin tim. Madje, para se të diskutonte në shkollë, më pyeste, “cilat janë të metat, e librit tënd” ?. Unë i thosha. Një njeri që e nxin realitetin, nuk i thotë tamam të vërtetat, që i shtrembëron figurat e luftës dhe historisë, se i deheroizon, se është pesimist. Dhe i thosha, këto thuaji edhe ti. Ajo ishte e re, 23 vjeçare dhe i duhej të fliste për këtë libër, të burrit të saj. Unë e merrja gjithmonë si me të qeshur këtë punë. Nuk kishte asnjë lloj ndikimi në jetën tonë familjare. Bile, unë bëja humor e qeshja. Thosha, ja na doli një grua që të na kritikojë. Kështu ishte puna.Blue Sky: Po në vitin 1964, kur u botua libri “Zhurma e erërave të dikurshme”, nga instruktorët e komiteteve të partisë u ndalua edhe nëpër shkolla leximi i librave tuaj. Çka ndodhi pastaj?Dritëro Agolli : Për këtë libër, u dha një orientim, që të mos shpërndahej nëpër nxënësit sepse kishte të meta, ato të meta që thamë. Nuk përhapej, nuk u lejohej nxënësve që ta blinin, megjithëse pastaj u hoq edhe nga libraritë dhe nuk kishin ku ta gjenin. Mund ta gjenin vetëm në fondet e rezervuara të bibliotekës. Pastaj, në vitin 1987, unë e botova një cikël me tregime, në revistën “Nëntori”. Ishin tregimet që i kam përmbledhur edhe në këtë libër, sepse kanë pasur të njëjtën histori. Tregimet “Martesa e papritur e Pasho Velqanit”, “Djali pleng prishur” etj, por edhe këto, fatkeqësisht u ndaluan. Nga instruktorët e partisë në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ishte dhënë udhëzimi, që këto tregime të mos lexoheshin nga nxënësit. Në atë kohë, unë isha kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve ( 1987), 15 vjet isha kryetar i lidhjes, por edhe kryetarit në atë kohë, ia ndalonin librat. Nuk kishte dallim që je kryetar, apo je shkrimtar. Kurse, në vitin 1964, unë isha thjeshtë një gazetar, që punoja në gazetën “Zëri i popullit”. Në vitin 1987, isha një kryetar, njeri me autoritet, por edhe njeri që kisha takuar personalitete të mëdha të vendit, megjithatë, nuk pyetej në atë kohë. Ato tregime, pas shumë vjetëve, u ndaluan. Kështu që, unë nuk kam pasur fat të madh në tregime. Blue Sky: Çka mendoni për letërsinë që krijohet sot?Dritëro Agolli : Unë mendoj që është një fazë e re ku ka hyrë letërsia, qoftë këtej në Shqipërinë zyrtare, qoftë edhe andej nga Shqipëria tjetër, Kosova. E njëjta gjë është që letërsia dhe artet kanë kaluar në një fazë tjetër të re. Këtej bëhen kërkime, njerëzit shprehen me stile sa më të ndryshme por, jo vetëm me stile por edhe me rryma. Me shkolla të ndryshme, në mënyrë që letërsia të pasurohet. Veçanërisht janë autorët e rinj që japin një kontribut të shquar në këto anë, por edhe ata me moshë të mesme dhe ata që kanë krijuar dikur në kohën e socializmit. Përsëri bashkërisht mundohen të gjejnë forma dhe mënyra të tjera të shprehjes, që veprat e tyre të bien në duart e lexuesve, jo vetëm në vendin tonë, por edhe të përhapen në botë. Kështu që, ka një lëvizje të mirë letrare dhe artistike, por do të thosha që kjo veçanërisht është në poezi. Më shumë shkruhet poezia. Ajo që na gëzon shumë, është që ka mjaftë autore vajza dhe gra, që shkruajnë me një nivel të përparuar artistik. Unë do të thosha se në poezi janë më përpara se djemtë dhe burrat. Ka femra që shkruajnë më mirë se ata, siç janë : Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Flutura Aqka dhe vajza të tjera, që janë me një shprehi krejtësisht të veçantë, transparente, moderne, por jo ekstravagante, për t’i bërë librat si fjalëkryq duke marrë parasysh realitetin tonë. Kanë një synim, apo një sens tepër të përparuar. Edhe në Kosovë, unë vë re një gjë që në poezi por edhe në prozë, prozën e shkurtër veçanërisht, ka një element të ri, që po bëhet më me lëng poezia dhe proza. Po hyhet edhe në disa anë më intime të jetës së njerëzve, po jepet edhe ndjenja e dashurisë më shumë, e familjes, e peizazhit, që në kondita të veçanta, siç ishte atëherë në Kosovë puna e lirisë, puna e problemeve nacionale. Ishte si e them unë, në një kohë kur bie tërmet, nuk mund të flasësh për lulet. Kështu që, ajo justifikohej. Kurse tani në Kosovë ka një poezi veçanërisht, por edhe proza ka një figuracion të lartë edhe kështu po ecën edhe ana tjetër e një poezie më intime, më e shkriftë. Blue Sky: Kritika letrare, a po e kryen punën e saj ashtu siç si duhet ?Dritëro Agolli : Ç’është e vërteta, këtej nga ana jonë, kritika letrare nuk është aq e zhvilluar. Ajo ka mbetur pas dhe nuk analizohen veprat letrare. Nuk jepet një mendim për to, për të treguar sesi po ecën kjo krijimtari, çfarë të reje sjell kjo krijimtari e tanishme në këto 15 vjet, cilët janë personalitetet që po e lëvrojnë më shumë të renë, të përparuarën. Ku janë dobësitë ? Ku janë të mirat ? Nuk ka një kritikë të tillë. Tani janë përqendruar vetëm kur bëhen promovime librash, vetëm kur bëhen mbledhje më shumë manifestive, por nuk kritikojnë, vetëm lavdërojnë sesi po ecën kjo letërsi. Janë vetëm njerëz të veçantë, të dikurshëm, që e bëjnë. Fjala vjen Alfred Uqi, që është një nga personalitetet më të mëdha të kritikës, që shpeshherë i drejtohet edhe prodhimtarisë së sotme. Ka edhe të tjerë për gjuhësinë, siç është Emil Lafe, Moikom Zeqo etj, që flasin për këto probleme. Por, unë e kam fjalën për më të rinjtë, që nuk e analizojnë krijimtarinë. Ata më shumë flasin me terma politiko – letrare. E hedhin poshtë krijimtarinë e viteve të shkuara. Ka qenë komuniste, ka qenë kështu e ashtu, d.m.th., në një mënyrë krejtësisht bardh e zi. Duke kritikuar sistemin e atëhershëm, e hedhin poshtë edhe prodhimtarinë letrare dhe në përgjithësi kulturën sot. Nuk është e drejtë. Letërsia dhe kultura, nuk është barazi me politikën dhe ekonominë.Blue Sky : Keni shkruar gjatë gjithë jetës. Cilin nga librat e konsideroni si librin që ju ka lënë mbresa dhe kujtime, që nuk do t’i harroni kurrë?Dritëro Agolli : Është e vështirë ta them por, si libra që kanë lënë mbresë, është “Zhurma e erërave të dikurshme”, sepse ka pasur një histori pak a shumë tragjike. Por, edhe romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që edhe ai është kritikuar në atë kohë por, nuk është ndaluar. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ka bërë jehonë në vendet ku është botuar, si në Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rusi, e vende të tjera. Ky është një libër nga më të mirët, që kam shkruar unë. Sa i përket poezisë, janë librat “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj menduar”, etj. Këto janë librat e mia që më kanë lënë kujtime, që nuk do t’i harrojë kurrë. Blue Sky: Çka mendoni për polemikën, Qosja – Kadare ?Dritëro Agolli : Unë mendoj, ashtu siç e tha edhe Rexhep Qosja, që kjo polemikë i dha rezultatet e saj, sepse u diskutua për disa probleme tepër të ndërlikuara, megjithë përdorimin e gjuhës edhe jo të këndshme, të atyre që ndërhynin në këtë polemikë dhe që ishin tepër të ashpër. Të ndërhyrjeve të të tjerëve e them, jo të dy personazheve, që e diskutuan këtë gjë. Ne duhet të mësohemi të diskutojmë në mënyrë letrare dhe të mos imitojmë politikanët në debate nëpër kuvende. Sepse, politikanët flasin me gjuhë tepër të ashpër, tepër ofenduese. Kurse shkrimtarët, duhet të flasin më me gjakftohtësi, më me argumente dhe pa u nxehur. Unë mendoj që shkrimtarët që i tremben kritikës, venë në dyshim krijimtarinë e vet, nuk kanë besim tek krijimtaria e tyre. Shkrimtari kur e boton një vepër, apo kur boton një diskutim, nuk është më pronë e tij, por është pronë e lexuesve. Dhe lexuesi, ka të drejtë çdo gjë për atë. Nuk është prone, që ta mbrojë medoemos ai. Fjala vjen Naim Frashëri, Fishta, Mjeda, Migjeni, Esad Mekulli, etj. Nuk kanë tani shokë, kushërinj, apo dikend që mund t’i mbrojë. Ata i mbron vetë lexuesi. Kurse shkrimtarët e gjallë, kanë miq, kanë shokë, kanë kushërinj që i mbrojnë. Kështu që, shkrimtari duhet ta mendojë vetën edhe pas 50 vjetësh, kur të mos ketë shokë, kur të mos ketë simpatizantë të gazetave. Çka do të bëjë ai pastaj ? Kush do ta mbrojë ? Do ta mbrojë vetëm vepra e vet. Kështu që, mendoj që duhet të ndryshojë mënyra dhe stili i polemikave tona. Unë, nuk e kam zakon që të ashpërsoj nëpër polemika. Por, sidoqoftë, Rexhep Qosja është një personalitet i madh i kulturës sonë. Një njeri që i ka dhënë shumë Shqipërisë, veçanërisht trevave të Kosovës, me veprën e tij të madhe. Jo vetëm veprën që analizon traditat tona, rilindësit etj, por edhe me polemikat e tij të forta me serbët, me historianët e tyre, me shkrimtarët e huaj, jo vetëm të Ballkanit. Ka qenë në krye, në fillim të viteve ’80-të, edhe më përpara, të kësaj polemike. Rexhep Qosja, është një njeri me përvojë të madhe dhe një njeri me kulturë të gjerë. Është personalitet, që çdo komb tjetër po ta kishte, do të krenohej me të. Sado që të hidhet baltë mbi këto personalitete të larta të kulturës sonë, nuk kanë çka t’i bëjnë. Nuk mbulohet Mali i Sharrit, me një grusht dhe. Edhe Ismail Kadare, është një personalitet i shquar. As ai, nuk mund të dobësohet nga kritikët e ndryshëm. Të dy këta, janë personalitete të mëdha të kulturës sonë dhe ne duhet t’i vlerësojmë dhe t’i ngremë lartë.Blue Sky : Ismail Kadare, ishte për vizitë në Kosovë kur e mori çmimin “Kepi i shpresës së mirë - Fahredin Gunga”. Në njërën nga të përditshmet tona, e ka pranuar që e kishte një problem me juve personalisht, por e ka cekur që nuk keni vazhduar të keni raporte armiqësore. Për çka ka qenë fjala konkretisht ?Dritëro Agolli : Po ishte për kritikat që bëheshin në kohën e socializmit, kritikat që bëheshin për veprat e ndryshme. Dhe unë, në atë pozicion që isha, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, e kam kritikuar. Por, jo si armik por, si njeri, si koleg, që më dukej mua se nuk kishte të drejtë në atë kohë. Por ne, sidoqoftë nuk kemi qenë kundërshtarë, bajonetë me bajonetë. Ne kemi qenë shokë, bashkë kemi qenë në shkollë të Gjirokastrës, më vonë bashkërisht kemi punuar edhe kemi krijuar. Kështu që, nuk ka pasur ndonjë luftë armiqësore mes nesh. Ne përsëri shokë dhe miq mbetemi. Po kështu ma merr mendja që edhe me Rexhep Qosjen, duhet të shkojnë punët. Blue Sky : A kanë shqiptarët kandidat të denjë për çmimin Nobel, për letërsi ?Dritëro Agolli : Po. Tashti me emra nuk mund t’i them, por edhe mund të ketë, edhe ka. Nuk është ndonjë problem, ka edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Nuk është ndonjë çudi e madhe. Ky çmimi “Nobel”, nuk është ndonjë gogol që doemos tek njëri duhet të mbetet. Këtë çmim, mund ta marrë ndonjë i çuditshëm. Fjala vjen në Turqi. Jashar Qemali, ishte shkrimtari më i madh i Turqisë, por e mori Orhan Pamuku ! Pra, jo vetëm në Shqipërinë zyrtare këtej, por edhe në Shqipërinë andej Drinit, ka shkrimtarë të denjë, për ta fituar çmimin Nobel.Blue Sky : Si është një ditë e zakonshme për juve ?Dritëro Agolli : Dita e zakonshme e imja, si e të gjithë njerëzve. Po të isha në fshat, do të ngrihesha sapo të këndonte këndesi. Por, jo këndesi i parë, se ai këndon herët, por këndesi e tretë. E do të ngrihesha. Kurse tani, ngrihem kur zhurmojnë makinat. Në vend të këndesit, janë makinat dhe fëmijët që ngrihen të vejnë në kopshte. Unë kur ngrihem, hap ndonjë libër, hedh ndonjë mendim që më ka mbetur në mendje, mbaj ndonjë shënim, shikoj nëpër arkivat personale ato që më kanë mbetur pa i botuar, pa i sistemuar. Pastaj, takohem me njerëz. Këtu në shtëpinë time vijnë shumë miq edhe shokë. Çdo ditë është e mbushur. Ndonjë ditë vijnë edhe 20 veta në shtëpi. Kuvendojmë bashke me ndonjë gotë raki, me ndonjë kafe. Pastaj nata është më e qetë. Natën njeriu mund të mendojë sepse nuk ka shumë zhurmë, nuk ka njerëz nëpër këmbë dhe atëherë unë shkruaj ndonjë gjë, ripërpunoj ndonjë gjë që më ka mbetur në shkrim. Pastaj shikoj lajmet në televizor, interesohem për politikën, për ekonominë e vendit, për kulturën. Shikoj ngjarjet për Kosovën, për statusin e shumë pritur të saj. Kënaqem kur dëgjoj ndonjë emër të njerëzve që njoh në Kosovë. Të Rexhep Qosjes, të Ali Podrimjes, të Ramiz Kelmendit, që e kam mik të ngushtë. Gëzohem kur përmendet shpesh edhe emri i Azem Shkrelit, që e kam pasur mik të ngushtë. Një javë para se të vdiste, ishte tek unë në shtëpi. Azem Shkreli, ka qenë edhe përpara dhe kanë fjetur në shpinë time afër 10 ditë, bashkë me Ali Podrimjen. Në vitin 1995, kemi bërë diskutime me ta, kemi lexuar vjersha bashkërisht. Dua të them, se e mbushi ditën me kujtime kështu. Blue Sky: E përmendët arkivin e shkrimeve tuaja. Keni në plan të botoni ndonjë libër të ri ?Dritëro Agolli : Unë kam një libër që mundohem ta mbarojë. Është nga jeta ime. Kujtime të jetës, të njerëzve që kam takuar, prejardhjen time. Si jam rritur, çfarë shkolle kam mbaruar, çfarë raporteve kam pasur më shokët, kolegët. Çfarë raportesh kam pasur me zyrtarë të lartë të dikurshëm të socializmit, po edhe të sotëm. Si jam martuar, si ishte familja e gruas sime, çfarë është ajo, si e kam dashur, çfarë kam bërë etj. Është një libër, përzierje e jetës sime shoqërore, intime dhe politike. Ky është një libër i vështirë për ta shkruar por, edhe për ta botuar, sepse unë dua t’i them të vërtetat siç janë. E vërteta është lakuriq, është nudo dhe shpesh ne kemi turp ta takojmë, t’i japim dorën. Por, megjithatë, duhet dhënë dora të vërtetës dhe ta kapërcejmë atë të turpit. Ky është libri më i vështiri që kam, por është edhe një libër që e kam shkruar 40 e ca vjet më përpara, por nuk e kam botuar për disa arsye. Është një roman që quhet “Vrasja e kukuvajkës”. Kam edhe shënime të ndryshme, një libër që mendoj ta botojë më përpara. Është një përmbledhje me publicistikë, me intervista, me artikuj për gjendjen politike, shoqërore, kulturore, që i kam botuar nëpër gazeta.Blue Sky: Çka do t’i porositnit shkrimtarët e rinj ?Dritëro Agolli: Unë mendoj, që shkrimtarët e rinj duhet t’i njohin dy realitete. Realitetin e jetës që të takojnë shumë njerëz, që të mos jenë indiferentë ndaj zhvillime të shoqërisë, të politikës, të kulturës. Sa më shumë të jenë njerëz kurioz, aktiv, ashtu siç thoshte poeti i madh gjerman Hajne. Ai thoshte, po me humbi kuriozitetit politik, unë mbarova, nuk mund të jetoj dot. Po kjo është një gjë shumë domethënëse, që shkrimtari nuk duhet të jetë kurrë indiferent. Duhet të jetoj me pulsin e zemrës së popullit. Duhet ta njoh mirë atë, të njoh kërkesat, të nxit njerëzit për përparimin e shoqërisë etj. Të bëjë vepra të atilla, siç kanë bërë rilindësit tanë dhe të mos mbyllet në Kullën e Fildishtë edhe të duket si njeri që vetëm shkruan dhe bën eksperimente në krijimtari. Ky është njëri realitet. Kurse realiteti tjetër, është realiteti i librit. Shkrimtari duhet të jetë gjithmonë një lexuesi nga më të mëdhenjtë, që të jetë në kontakt gjithmonë me zhvillimin e letërsisë së vendit, por edhe të huaj. T’i njoh mirë teknikat e reja, zhvillimin e këtyre teknikave, zhvillimin e kësaj teknologjie të re të të shkruarit por, gjithmonë në funksion me ato të psikologjisë së vendit të vet.Vera Pelaj – Radio, Blue Sky
__________________________________________________

No comments: