Monday, December 11, 2006

Bota e Gruas Shqiptare-ALBANA MELYSHI LIFSCHIN-ESE

Nga Albana Melyshi Lifschin


Meditim në 5 vjetorin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiparo-Amerikanë

Këto ditë shoqata e shkrimtarëve shqiparo-amerikanë mbush 5 vjet nga krijimi i saj. Sa shpejt ikin vitet! Pesë vjet në jetën e një shoqate nuk janë shumë, por për një organizatë krijuesish koha nuk do të mund të shërbente si njësi matëse, pasi krijuesi nuk e mat punën e tij me vite por me frymëzimin e krijimit. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiparo-Amerikanë lindi si nevojë shpirtërore e poetëve e shkrimtarëve shumë prej të cilëve kishin kohë që kishin emigruar në SHBA dhe mendonin se kishte ardhur koha për një organizim të tillë.
...Sjell ndër mend atë ditë të ftohtë dimri kur ne do të takoheshim për herë të parë në Manhattan. Ishte aq ftohtë sa rrugës mendoja se si duhet të jenë ndjerë me acarin e Nju Jorkut ata kolegë që vinin nga shtete të ngrohta të Amerikës, ku nuk kanë parë dimër kurrë. Takimi qe organizuar tek restoranti "Macelleria" i Z. Sejdi Bytyçi. Një dorë mikpritëse ishte kujdesur të krijonte një ambjent të këndshëm e frymëzues për krijuesit e artistët e ftuar.. Shumë prej nesh aty u prezantuan për herë të parë me njeri tjetrin.
Me poetin e gazetarin e njohur Z. Anton Çefa isha në komunikim të vazhdueshëm dhe njihesha personalisht. Na binte të takoheshim në mbledhje të komuntetit. Më kishte lënë mbresa përmbledhja e tij poetike, Heshtja ka tingull guri, koncentrat i një mendimi të thellë thurur me një mjeshtri artistike të hollë. Mbaj mend që i dërgova një mesazh Z. Anton ku i thoja se pas leximit të poezive të tij poezia ime me dukej çupëlinë që mblidhet mënjanë për të respektuar maturinë.
Me Gjeke Marinaj, të cilin e kam njohur fillimisht si poeti që e pësoi nga poezia Kuajt, kisha rënë në kontakt të hershëm. Bisedonin shpesh në telefon e kishim shkëmbyer librat e parë. Më kujtohet kur vëllimi me poezi Infinit "trokiti" në portën time, mu bë se mora në dorë librin më të bukur të biblotekës sime. Dukej që poeti dhe botuesi, shkrirë në një, e kishte "mbështjellë" krijesën e vet me një dashuri sublime.. Mbaj mend që patëm diskutuar nevojën e organizimit të krijuesve të ardhur në Amerikë e nuk u habita aspak kur më dha lajmin për krijimin e shoqatës. Në të kundërt u gëzova shumë dhe menjëherë nxitova të bëj lajmërimin e parë nëpërmjet internetit për ngjarjen e madhe. Ishte 7 dhjetor i vitit 2001.
Në krah të Gjekës ditën e takimit tek "Macelleria", njoha Andi Mehmetin, shkrimtarin nga Kosova, të cilin e ruajta në kujtesë si fjalëpakë e punë shumë. Kishte botuar një libër me poezi në anglisht gjë që atë kohë me bëri përshtypje. U takova aty edhe me kolegë të tjerë, duke shkëmbyer përshëndetjet e para e duke u përpjekur të merrja me mend se cilët ishin ata krijimet letrare të të cilëve i kishim njohur më shumë nëpërmjet internetit. E vetmja shoqe anëtare e shoqatës që nuk kishte nevojë për prezantim ishte shkrimtarja e njohur Rozi Theohari. Atë kohë ne ishim vetëm dy femra anëtare të saj.
Z. Naum Prifti mbajti fjalën e rastit, duke u uruar të gjithëve mirëseardhjen e falenderuar Gjekën për kontributin e tij për krijimin e shoqatës. Kolegët u shkëmbyen libra e u recituan poezi. Aty për herë të parë morën në dorë revistën Pena, organin e shoqatës, frut i mendimit e punës së palodhur të Gjeke Marinaj dhe kontribut i shkrimtarëve themelues të shoqatës. Pena ndër vite u bë propaganduesve e botimeve më të mira të kolegëve tanë.
Ardhja në Amerikë, për shumë shkrimtarë, mjeshtër të prozës apo poezisë, qe periudhë e një shpërthimi në krijimtari që dëshmonte për një çlirim shpirtëror. Qe një çlirim që filloi që në Shqipëri, me kthesën demokratike që mori atdheu ynë. Pas vitit 90-të pati një lulëzim të vrullshëm talentesh. Letërsia në sasinë e saj u fry dukshëm si shtrati i një lumi që shkon drejt vërshimit. Kushtet e reja shoqërore politike në Shqipëri e shëndruan letërsinë nga pronë të një elite në pronë e të gjithëve. Fjala doli nga heshtja .. Sjell ndër mend poezinë Varrosja e Fjalës të Anton Çefës ku poeti thotë se "Në qelinë e heshtjes kam varrosur jetën, me heshtjen e varrit kam mbuluar fjalën". Falë këtij çlirimi, tematika mori frymë e u zgjerua pa kufi. Shkrimtarët e rinj në moshë e ata të rinj në krijimtari dhanë vepra të lavdërueshme duke afirmuar veten e tyre. Krahas temës të së kaluarës, dhimbjeve të shkaktuara nga padrejtësitë e regjimit, vuajtjeve të papërshkrueshme të kalvarit të burgjeve e internimeve (kujtoj këtu poezinë e Dalan Luzajt "Pantallonat e Internimit) u trajtua edhe jeta e emigrantit të ri shqiptar dalë në botën e madhe.. Sot, pas 5 vjetësh shoqata i ngjan një mozaiku të larmishëm nga spektri i zhanreve artistik e personaliteteve krijues. Si grua krijuese nuk mund të mos përmend edhe rolin i femrës shkrimtare emigrante, e cila i ka shtuar radhët e shoqatës sonë jo vetëm në aspektin sasior por edhe cilësor. Kjo vihet re lehtësisht po të marrësh në dorë arritjen e fundit të shoqatës, antologjinë poetike të botuar këtë vit, me titull Perëndim i malluar, përgatitur nga Dhori Thanasi. Të bie në sy që një e katërta e krijuesve që kanë botuar poezitë e tyre janë femra. Kjo antologji u prezantua në takimin e fundit të anëtarëve të shoqatës në Chicago.
Në këtë takim u ndanë edhe çmimet për krijimet më të mira, është për tu vënë në dukje se dy prej tyre janë shoqe. Këtë radhë në krah të shkrimtares sonë të njohur e respektuar Rozi Theohari që fitoi Penën e Artë në publicistikë për librin e saj Mbi thinja fryn erë ishte edhe Merita Bajraktari që u nderua me të njëjtin titulll për vëllimin poetik Tinguj Malli. Nuk do të ishte çudi nëqoftëse në takimet e ardhme stafetën e këtij titulli ta përcillnin përsëri shoqet. Në shoqatë kanë hyrë krijuese të reja e me perspektivë si Teuta Tower, Ejvis Xhajanka, Keze Zylo, etj. Rritja e numrit të shoqeve anëtare të shoqatës tregon edhe shkallën e emancipimit te saj. E jemi të ndërgjegjshëm që ka ende shoqe që deputojnë me sukses jashtë radhëve të shoqatës, të cilat do ta nderonin atë me anëtarësimin e tyre. Do të përmendja këtu Julia Gjikën, poezitë e bukura të së cilës i kemi lexuar në gazetën e komunitetit .
Shoqata jonë është në rrugën e rritjes se saj sasiore por ç'është më e rëndësishmja, atë cilësore. Kjo nuk është rrugë e lehtë, janë përpjekje individuale të secilit autor por edhe të shoqatës gjithashtu për t'iu përgjigjur kërkesave të anëtarëve të saj e ecur me një ritëm me ta. Një krijues i mirë ka kërkesa ndaj vetvetes e këto normalisht vijnë gjithnjë duke u rritur. Ne që banojmë në SHBA, duke e lidhur jetën tonë me atdheun tonë të adaptuar na u dha shansi të marrim frymëzimin krijues nga të dy sistemet ekonomiko-shoqërorë. Në aspektin e krijimit unë përjetimin e dy sistemeve, e quaj privilegj pasi na dha mundësinë të shihnim e ndjenim thellë kontrastin e madh midis tyre, kemi jetuar zhgënjimin e dhimbjen që janë bërë burime të fuqishme frymëzimi. "Më jep një dhimbje, të të jap një kryevepër" ka thënë Shopeni. E vlera të frymëzuara nga dhimbja janë evidentuar tashmë tek krijuesit tanë emigrantë. Në një promovim të fundit të librit të Dalan Luzajt Dhe Hëna kurrë nuk qeshte u dhanë vlerësimet maksimale. Vlerësime të larta ka marrë vazhdimisht krijimtaria Ramiz Gjinit, pena e të cilit tashmë është cilësuar si si "penë e veçantë" në letërsinë shqipe. Lidhur ngushtësisht me arritje të këtij niveli mendoj se ka ardhur koha që të rrihen mendime, trajtohen e shtrohen për zgjidhje probleme që do të ndihmonin në perspektive afirmimin e vlerave më të mira artistike të krijuesve tanë në botën e lexuesit amerikan. Pra duke parë mes nesh artistë të vërtetë të fjalës do të ishte në nderin e shoqatës dhe të vetë letërsisë shqipe që këto vlera t'i bëheshin të njohura jo vetëm publikut shqiptar por edhe atij të huaj.
Eshtë rasti këtu për tiu referuar fjalës së shkrimtarit tonë të njohur Z. Naum Prifti, kur tha që "vlerat tona ne duhet t'i zhvillojmë në gjuhën tonë , por për t'i mbrojtur duhet t'i mbrojmë në gjuhë të huaj". Eshtë e nevojshme që si shoqatë të gjejmë rrugët për t'ia transmetuar këto vlera opinjonit amerikan në gjuhën e tij, në gjuhën angleze që është gjuha e njohjes në botën e sotme. Ka midis kolegëve tanë krijues që i kanë bërë hapat e para në këtë rrugë në mënyrë individuale e të sukseshme. Para dy vjetësh, në mos gaboj, kam lexuar në anglisht përmbledhjen poetike të Sami Milloshit : "Not enough time to die", që më la mbresa. Poeti me art e sinqeritet shpreh ndjenjat e emigrantit në përballimin e jetës në këtë vend të madh si edhe ngrohtësinë e vatrës familjare shqiptare. Përpjekje të suksesëshme janë bërë nga Andi Mehmeti, i cili tashmë ka terhequr vemendjen e Universitetit ku punon. Poezia e tij është vlerësuar e nderuar me çmim. Po në gjuhën angleze kanë dhënë botimet e para edhe Rozi Theohari, Merita Bajraktari, etj.
Me gjithë kurajon që kemi për të shkruar apo përkthyer krijimet tona në anglisht, jemi të ndërjegjshëm që botimi në gjuhë të huaj kërkon përpjekjet maksimale për të dhënë cilësinë maksimale. Përkthimi i një vepre letrare është art. Shumë nga ne që erdhëm në moshë të pjekur në Amerikë edhe pse kemi studiuar në shkolla këtu, e dijmë që shkollimi nuk na ka dhënë një gjuhë ekuivalente me gjuhën e nënës. Nuk është aspak e lehtë të transmetosh dritë hijet e gjuhës amtare në përkthimin e një vepre artistike në një gjuhë të huaj. Nëse përkthimi nuk jep të njëjtin sens si në shqip, poezia apo proza bie nga vlerat.Të mos harrojmë që lexuesi ynë është amerikan. Po sjell ketu një shembull nga eksperienca ime. Kur shkrova "Children of Kosova -Stories of Horror, libër i cili për vetë ngjarjet e dhimbshme që pasqyron preku ndjenjat e mjaft lexuesve, më kaloi një pasaktësi në dukje e vogël, të cilin nuk e kishte vënë re as redaktori, i cili ishte gazetar amerikan. Vonë një kolege pune amerikane më pyeti me shumë kujdes nëse me fjalën " pigeon ", kisha patur parasysh " dove" . Ishte pikërisht ashtu. E megjithatë këtë nuancë nuk e kishte vënë re as im shoq, që ka lindur në këtë vend e as redaktori ilibrit që siç thashë qe amerikan. Natyrisht në vitin 1999 kur u shkrua ky libër unë për pëllumbin e njihja vetëm fjalën "pigeon". Ndërsa pëllumbi të cilin kisha në mëndje ishte pëllumbi-simbol paqe, pra "dove".
Para pak kohësh pata rastin të lexoja në anglisht tregimin e bukur "Çezma e Floririt" e mjeshtrit të tregimit Z. Naum Prifti, përkthyer prej Profesor Peter Priftit dhe e shijova këtë tregim njëlloj si në gjuhën shqipe, madje, si një gjimnaziste shënova shprehjet e goditura në anglisht.
Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel ndrroi tre përkthyes deri sa gjeti përkthyesen që i duhej. Deri atë moment librat e tij kishin rënë preh e kritikës. Përkthyesja e veprës që atij i dha cmimin NOBEL, ishte vetë shkrimtare. Edhe pse fluent në anglisht, Pamuk nuk mori përsipër ta shkruante librin e tij në anglisht. Ai deklaroi se pa përkthyesen Maureen Freely, vepra Snow, nuk do të kishte patur atë sukses që pati. Maureen Freely duke qenë vetë autore arriti të kuptojë vlerat e shkrimtarit të madh akoma edhe më shumë. Ajo madje braktisi penën e saj për tu bërë përkthyesja e tij. Siç thotë vetë Freely ajo donte që lexuesi anglishtfolës ta kuptonte e ndjente veprën e Pamukut ashtu siç e ndjente ajo. Shembulli e këtij bashkëpunimi nxjerr në dritë rëndësinë e përkthyesit si bashkëautor i veprës letrare që transmeton pikërisht tek lexuesit mendimet e ndjenjat e autorit me gjithë nuancat e tyre.
Duke qëndruar në këtë ide që për mua është shumë e rëndësishme, mendoj që po vjen koha (në mos ka ardhur) që shoqata t'i hyjë ndërmarrjeve të tilla të vështira, si gjetjes së përkthyesve cilësorë për t'i berë të njohur publikut amerikan vlerat më të mira letrare të autorëve tanë. Ku janë këta, si gjenden ,si duhen kompesuar për punën që do të bëjnë si përkthyes ?
Këto janë pyetje që duhen shtruar e diskutuar seriozisht. Mendoj që duhen zgjedhur kritikë letrarë të pjekur e objektivë, njerëz me eksperiencë në fushën e letërsisë të cilët duhen të vihen në korent me botimet e reja të anëtarëve të shoqatës së shkrimtarëve tanë, e në mënyrë të paanshme të shikojnë krijimet me syrin se ç'farë vlerash gjen në to jo vetëm lexuesi shqiptar por edhe ai i huaj. Cilat do ishin më të kuptueshme e me të ndjeshme për këtë të fundit. Cilat vepra shpalosin vërtet vlera. Për këtë shoqata ndoshta duhet të bëjë më shumë për promovimin e propagandimin e veprave më cilësore që dalin nga botimi, pa i a lënë këtë spontanitetit.
Zoti Gjekë Marinaj , që është president i Shoqatës së shkrimtarëve shqiparo-amerikanë përfaqsohet me dinjitet para lexuesit të huaj dhe prezanton autorë të huaj para lexuesit tonë me përkthimet që bën veprave të tyre nga anglishtja në shqip. Po aq i nevojshëm është krijimi i mundësive për transmetimin e vlerave krijuese nga shqipja në anglisht.
E fundit që dua të theksoj në këtë shkrim, është se nuk mjafton vetëm një përkthim cilësor në anglisht, por duhet tu afrohemi me guxim shtëpive prestigjoze botuese amerikane. Natyrisht kjo nuk është e lehtë .. Por duhen bërë përpjekje për të gjetur rrugët. Duhen vendosur kontakte e nevojshme me agjentë të këtyre shtëpive botuese, ndryshe botimi i veprës nga një shtëpi botuese shqiptare qoftë edhe në anglisht nuk nuk do t'i siguronte asaj thithjen e lexuesit amerikan. Gjithashtu as shtypshkronja amerikane, nuk të jep kurrë atë që të jep një shtëpi botuese. Nëse nuk do të gjejmë rrugët për tiu afruar shtëpive botuese amerikane apo angishtfolëse, do mbetemi gjithnje në një defiçit të madh. Mos jam "herët" në sugjerimet që shtroj ?
Një vepër e bukur është si zogu që ka rritur krahët e kërkon të fluturojë për të lajmëruar pranverën, por pret t'i hapin dritaren. Le t'ja hapim....

Albana Melyshi Lifschin,
Nju Jork, 23 nentor 2006
(ky shkrim eshte botuar tek gazeta ILIRIA, 8 Dhjetor, 2006)

1 comment:

Agobooks said...

Gëzuar Vitin e Ri, 2007-të!