Monday, April 30, 2007

DRENUSHA ZAJMI HOXHA-POEZI

LEJLEK DHURATA

Isha në pikë të gjumit, kur babi im më zgjoi
N’spital duhet t' shkonim, gëzueshëm më tregoi
Gjersa lodhja kokën kush ishte i sëmurë
Babi si femijë, fishkëllonte në veturë
Ngadalë mu afrua edhe xhaxhi mjeku
Tha në çerdhen tonë paska ardhë lejleku
Nën pendlat e bardha me vete kishte sjellur
Një bebe të vogël kokë e këmbë mbeshtjellur
Afrohem ngadalë mirë për ta vështruar
Ç’shte kjo fytyrë gati e shëmtuar
Si u bë kjo punë që fare hiq pa rend
Të vinte kjo bebe e të më zinte vend
Mami edhe babi aq shumë ishin gëzuar
Më dukej se në mua krejt kishin harruar
E në dhomën time të bukur e të ajrosur
Këtë banor të ri m’a kishin vendosur
Vinin mysafirë, ndërroi gjithë shtëpia
Sa e vështire më dukej tash kjo xhelozia
Dhe ky vëllau i vockël mu në mes të natës
Për pikën e qejfit , ia kriste serenatës
Mami krejt pa frymë, drejt tij vraponte
E merrte ne gji, e puthte i këndonte
Une pëlcisja fare syhapur nën jorgan
Që ma vidhte mamin, tash ky qaraman
Dhe bëhej punë e madhe, na tronditej bota
Kur e vinin në karrocën me pika e me rrota
E ai kacamiu pa asnjë fije flokë
Rrinte sikur mbreti me kapelë në kokë
Një ditë më nuk durova dhe babit i bërtas
Ma thirrni pak lejlekun , kam ca fjalë t’i flas
Tani keni beben, unë s’ju duhem fare
Mua të më kthejë, o ika për dritare
Më shikoi babi me sytë e tij të thellë
Më tha se unë gëzimin, e para kisha sjellë
Tani pasi prindërit nuk bënin dot pa mua
Do kthenin beben prapa, pasi unë s’e dua.
Nuk di se ç’më gjeti dhe fare për habi
Ndjeva se për vëllaun kisha dashuri
Pastaj një bebe e vogël s’do më bënte gjë
Gjersa unë për prindërit isha numër një
U gëzova shumë, vrapova si sorkadhe
O sa bukuri, të isha motra e madhe
Sa herë dëgjoj vëllaun, që qan si serenatë
Falenderoj lejlekun ,që na solli këtë dhuratë.

No comments: