Monday, April 30, 2007

R.Moisiu -INTERVISTE ME DRENUSHA ZAJMI HOXHA

Flet juristja ,poetja ,prozatorja dhe gazetarja ,Drenusha Zajmi Hoxha ;-Hobi im, muzika dhe letersia !

Intervistoi Raimonda Moisu

BOTOI TIRANA OBSERVER -12 PRILL 2007

1-Drenusha pershendetje!.Kemi kohe qe lexojme prej jush dhe ju urojme per krijimtarine tuaj. Kur do shohim botimet ne leter?

Së pari ju falenderoj që më keni ftuar në intervistë dhe njëkohësisht përshëndes lexuesit tuaj, që janë sigurisht të shumtë..
Është fakt se kur vjen fjala te botimet, unë i kam lënë pak pasdore jo pa arsye. Ju e dini se vitet e fundit shumica e shtëpive botuese janë shndërruar në treg të hapur dhe mund të botojë secili që ka para. Pra, fillimisht ato kërkojnë që autori të marrë pjesë financiarisht në botimin e veprës së tij, gjersa kohë më parë krijuesi është paguar për këtë. Kriteret për botim janë shumë të ulta dhe librat nuk kalojnë asnjë filtër ose kontrollë të duhur. Mos të flasim për faktin se shumica e shëpive botuese nuk bën as shpërndarjen , as redakturën e gjëra si këto, duke ia pamundësuar krijuesit botimin e veprës.Njeriu nuk mundet edhe të krijojë, edhe të bëjë tregtarin. Pra, nuk ka lehtësime, ka shumë pak konkurse letrare, asnjë mundësi për autorët e rinj .Edhe mediat iu japin shumë pak hapësirë krijuesve të rinj dhe ne vazhdojmë për një kohë të gjatë të ndjekim lajkat që ia bëjnë klikat e vjetra të shkrimtarëve njëri tjetrit, duke mos dhënë asnjë shansë për krijimtarinë e re me vlera të mira.
Pra, vështirësitë që japin së pari shtëpitë botuese, e pastaj kushtet tjera, prania e jovlerave dhe mungesa e ligjeve sidomos në Kosovë , ka bërë,që në tregjet tona të kemi një mori botimesh pa asnjë vlerë, që me njefarë mënyre i kanë zene frymen librave me krijimtari të mirëfilltë, e besa plot mbeten edhe pa u botuar. Me njëfarë mënyre kjo është shumë zhgenjyese dhe të humb vullnetin për të botuar ndonjë gjë. Madje, një kohë kisha përshtypjen se me ta botuar ndonjë vepër automatikisht do tia humbja vlerën që ka.
Natyrisht se lexuesi i mirëfilltë e seleksionon vlerën dhe antivlerën, por megjithatë, ka shumë rëndësi se çfarë i serviret popullit Me kohë, mendoj se këto gjëra do të rregullohen si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Megjithë këto, unë jam duke përgatitur tre libra të mij në tri zhanre të ndryshme, të cilët besoj se do të botohen me rradhë, sipas një plani që e kam menduar . Këta janë punë e imja e kahershme dhe do ti botoj, atëherë kur të mendoj se vërtetë ia vlejnë për të dalur në publik të gjërë. Kam gati për botim një roman dhe dy libra tjerë me poezi. Një për të rritur dhe tjetrin për fëmijë.


2-.Ju shkruani si ne proze dhe ne poezi shume bukur. Ne cilen gjini ju shkelqeni.? Cila eshte gjinia me e preferuar per Ju?


Kjo është shumë e vështirë për tu përgjegjur. Sikur të pyesësh cilin nga fëmijët e don më së shumti. Në fakt , unë shkruaj në disa zhanre ,por gjithmonë në momente të caktuara.Pra, ka kohë kur jam e frymëzuar për poezi për të rritur dhe kalon një hapësirë kohe derisa inspirohem për të shkruar për fëmijë, ose kohëve të fundit psh shkruaj vetëm prozë. Më rëndësi është që unë ndjehem mirë në të gjitha këto zhanre dhe është lexuesi ai, që do ta vendose cilën ta pëlqejë.

.3- Ju u kushtoni shume vargje femijve ,ketij simboli te se ardhmes se njerezimit. Pena e Juaj poetike per kete bote te ndjeshme feminore ka nje stil te vecante frymezimi dhe vargjet artistike rrjedhin bukur e vrullshem.Ju keni gati per botim nje liber me poezi vetem per femije.C'mund te na thoni per kete?

Poezitë e mia për fëmijë mund të quhen edukativo-humoristike. Përpiqem që përmes humorit , fëmijëve t'iu ofroj një copë dituri, të cilën ata do ta mbajnë mend shumë më lehtë në këtë mënyrë. Pastaj fëmijët janë qenie shumë të brishta dhe mendoj se në letërsinë që iu takon, duhet pasur shumë pak vend për luftëra, gjak dhe vdekje. Fëmija për mua paraqet lumturinë, qeshjen, gëzimin e botës dhe duke e përjetuar si të tillë, mendoj se edhe poezitë që do të vihen në buzët e tyre, duhet të ngjallin emocionet e mira në ta. Dhe aq më shumë nëse ia arrijmë që nëpërmjet këtyre poezive, t'iu mësojmë edhe gjera tjera të rëndësishme për gjuhën, gjeografinë, internetin, vlerat njerëzore dhe shumë gjëra të tjera me të cilat ata do të ballafaqohen në udhëtimin e tyre jetësor , që do të kalojë nëpër faza të ndryshme.
Letërsia për fëmijë është shumë e mangët e sidomos në Kosovë. Ndoshta kësaj i ka kontribuar sërish problematika e të botuarit.
Libri im për fëmijë ka kohë që është gati për botim dhe në të është puna ime rreth shtatë vjecare. Por, ndërkohë kam thurrur një plan, të cilin do të mundohem ta realizoj me ndihmën e atyre që do të më përkrahin. Kam menduar që libri të sponzorizohet nga dikush që dëshiron të bëjë dicka me shumë për fëmijët e braktisur dhe ata me aftësi të kufizuara;, pastaj ai të shpërndahet më anën e ndonjë gazeteje ditore, e cila do të lajmëronte me kohë se cdo libër i blerë, është ndihmë për këtë kategori të fëmijëve. Natyrisht, unë do të heqja dorë nga cdo lloj fitimi prej librit, në mënyrë që të gjitha paratë që do të mblidheshin, ti shkonin qendrës së fëmijëve të braktisur dhe atyre me aftësi të kufizuara.
Atëherë, pra ky realizim i këtij plani, do të më plotësonte shpirtërisht , pra do ta arrija kulmin e atij shkaku, për të cilin edhe kam punuar. Për buzëqeshjet e pakufijshme fëmijërore.



4-Kush eshte shkrimtari/shkrimtarja juaj e preferuar ?

Ka shumë shkrimtarë e shkrimtare që i parapëlqej. Nëse duhet të cek ndonjë, atëherë mund të ishin: Umberto Eko, Coelho,Isabel Allende, Wilbur Smith, Og Mandino, Deepak Chopra e shumë të tjerë.Më pëlqejnë edhe klasikët botërorë , ndër to shumë vepra të Dostojevskit, Remarkut dhe Cehovit. Ka pasur edhe libra të cilët më kanë pëlqyer pa masë dhe që për autor kanë pasur dikend krejtësisht të panjohur. Mirëpo më duhet ta pranoj se lemia ime e preferuar jane enciklopeditë. Më pëlqen ti lexoj në të gjitha llojet, format dhe madhësitë. Njëkohësisht më terheq psikologjia dhe lexoj mjaft nga librat e tillë, madje kam ca plane që ndoshta në të ardhmen të filloj studimet edhe për psikologji.


5.Per nga origjina familajre ju keni nje thesar me talente.Mund te na njihni pak me gjere me traditen kulturore familjare?(te flitet gjeresisht per prindrit dhe )

Unë rrjedh nga një familje intelektuale, ku është kultivuar me shumë kujdes dashuria për shkencën, artin dhe vlerat kombëtare. Babi im Ylli, është i lindur në Shqipëri, meqë gjyshërit e mij gjakovarë kishin shkuar për të jetuar e punuar atje për më shumë se një dekadë. Me rastin e kthimit këndej , gjysma e farefisit mbesin andej kufirit dhe ashtu siç rrodhën pastaj ngjarjet, nuk janë takuar me dekada. Në shtëpinë tonë gjithmonë është folur me dashuri për Shqipërinë , ndërsa flamurin kombëtar e mbanim të fshehur . E di se kur më merrte babi në atë dhomë dhe ma tregonte, kisha një ndjenjë të vecantë respekti e admirimi dhe këtë ndjenjë e kam të ruajtur edhe sot. Babi im mbante korrespodence me xhaxhain e tij të ikur në Belgjikë nga komunistët dhe shkonte shpesh për ta vizituar. Ai kishte qenë njëri nga themeluesit e Lidhjes së dytë të Prizrenit. Atij i kishte mbetur familja në Shkodër dhe nuk i pa më kurrë. Vdiq i vetmuar. Më vonë babai im iu dha letrat fëmijëve të tij tashmë në moshë. Ishte një nga momentet më prekëse, që kam parë.
Babai im është albanolog dhe ka doktoruar mbi jetën dhe veprimtarinë e Fan Nolit. Unë qysh si e vogël i ndihmoja dhe kështu njëkohësisht mësoja mjaft nga gjithë ato që ai punonte. Ai jep akoma sot mësim në Universitet dhe ka të botuara libra me punime shkencore. Nëna ime Sevdije Boshnjaku Zajmi, ishte po ashtu gjuhëtare dhe një ndër poetet e para në Kosovë. Pas vetes ka lene nje doreshkrim me poezi. Ndikimi i saj në neve fëmijët, ka qenë shumë i madh, meqë ajo ishte një grua shumë përparimtare dhe luftëtare për emancipimin e femrës. Njëkohësisht ajo na ka dhënë njohuritë e para mbi vlerat njerëzore , të cilat i kemi të skalitura përgjithmonë në rrugën tonë jetësore. Maturia, logjika, edukata dhe të mirësjellurit, puna dhe bëmirësia, janë vetëm disa nga shtyllat që ajo ndërtonte në jetën tonë.Një ndikim të madh në jetën time ka pasur edhe xhaxhai im Gazmend Zajmi, një njeri erudit, me një njohuri të gjithanshme dhe jurist i mrekullueshëm. Ka qenë njëri ndër hartuesit e kushtetutës së Kosovës ( Kushtetuta e Kacanikut) dhe pavarësisht se ligjëronte në disa universitete botërore dhe ishte rektor universiteti, ai merrej edhe me muzikë, pra ishte kompozitor, i cili fitonte shumë cmime nëpër festivalet tona. Ndoshta ai ka ndikuar që unë më vonë të zgjedh studimet për drejtësi dhe të kem njëkohësisht dashurinë për pianon dhe muzikën në përgjithësi.Fatkeqësisht edhe nëna edhe xhaxhai kanë vdekur në moshë mjaft të re .Na ngushëllon fakti se pak a shumë ia kemi arritur të realizojmë qëllimet e saj që të ngritemi në këmbë tona dhe të punojmë me forcat tona, t’i cmojmë njerëzit dhe të mirën, ta cmojmë pozitiven dhe ti shmangemi vogëlsirave dhe injorancës. Sot jam motër e dy mjekve të suksesshëm, një okulisteje dhe një onkologu, ndërsa jam bashkëshorte e një ekonomisti.

6.-Ju jeni juriste ne profesion ,c'ka ju ka dhene Ju mundesine te jeni nje luftetare e te drejtave te njeriut . Cka mendoni për mbrojtjen e kafshëve dhe ambientit? Si keni arritur t'i ndertoni keto raporte,c'mund te na thoni per kete?

Si juriste kam punuar në disa vende të punës dhe një kohë kjo më ka plotësuar deri diku. Duke marrur parasysh fazat në të cilat ka kaluar Kosova, ishte shumë vështirë të realizoje ëndërrat për tu bërë një gjykatese që ndan drejtësinë si nëpër ato sallat e gjyqit, që i shihja nëpër filma me shumë ëndje. Një kohë nuk kemi mundur të punësohemi fare, për shkak se të gjithë shqiptaret ishin flakur jashtë nga puna, pastaj erdhi lufta e përgjakshme dhe pas saj, natyrisht faza ku asnjëri nuk ia kishim haberin se cfarë po ndodhte dhe duhej kohë të ambientoheshim me sistemin e ri.
Mendoj se populli kosovar është një nga më të ambientueshmit në botë. Vetëm mendoni në sa faza kemi kaluar, në sa sisteme, ndryshime , luftë e shtypje, pastaj prap ndërrime rrënjësore. Tani po na pret përsëri një ndryshim i madh , ku duhet të jemi maksimalisht të përgatitur. Të gjitha këto natyrisht se kanë ndikuar në psihën e popullit në njëfarë mase për të keq, meqë ai është i stërlodhur dhe me njëfarë menyre për të mirë, meqë ka ndryshuar rrënjësisht mentaliteti dhe sot njerëzit kanë mendime shumë më demokratike dhe përparimtare se më parë.
Gjithmonë më ka pëlqyer të punoj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e sidomos për ato të fëmijëve, por njëkohësisht jam luftëtare për mbrojtjen e ambientit dhe të drejtave të kafshëve. Qysh si e vogël sillja në shtëpi mace e qej që i shihja të uritur në rrugë dhe kujdesesha për ta. Këtë dashuri e kam edhe sot dhe jam kundër cdo vrasje dhe keqtrajtimi të kafshëve. Sa i përket ambientit., kam pasur fatin të jetoj në një qytet të bukur si Prizreni,i cili është qyteti më i pastër dhe i qetë në Kosovë. Bukuritë që ai i ofron në të katër anët e tij janë të shumta, por edhe vet qyteti është sinonim i artit, kulturës, historisë dhe traditës.

7-Ne librin "Mozaike te nje portreti nje vend nderi i eshte kushtuar te ndjeres, Nenes tuaj,Ju ofroj ngushelllimet e mija , dhe shpreh se poezite e saj ne ate antologji jane nga me te bukurat e atij libri. Patet veshtiresi te zgjidhnit ato poezi,ose nga cfare kriteri u niset te zgjidhnit ato?Sa ka ndikuar krijimtaria e nenes Suaj te ndjere ,ne krijimtarine Tuaj?

Ju falmnderit për ngushëllimet dhe mendimin tuaj për poezitë e nënës sime. Fjalët e mira janë gjithmonë balsam për shpirtrat e lënduar . Kur njeriu e humb prindin , sidomos nënën, një copë e zemrës shkon përgjithmonë me të. Por pjesa tjetër mbetet për ta kujtuar dhe dashur përjetë. Për ta mbajtur afër vetes përgjithmonë. Dhe njerëzit që nuk harrohen, nuk kanë si të vdesin.
Eshte e vertetë se një vend nderi iu dha poezive të nënës sime dhe atë falë respektit që kanë treguar për të, të gjitha autoret në libër. Mënyra si e kemi krijuar atë libër ka qenë shumë e vecante dhe e rrallë. Kemi punuar në të katër anët e botës dhe përmes internetit kemi arritur të krijojmë, redaktojmë dhe botojme. Libri ka vlerat e veta pikësëpari për vet mënyrën si është krijuar.Nëna ime ka pasur shumë ndikim në krijimtarinë time , pikërisht duke më mësuar fillimish si ta kultivoj talentin për të shkruar. Ajo më ndihmonte t’i përmirësoj vargjet qysh kur isha ndoshta diku tetë vjecare , por gjithmonë duke më lënë të mundohem vet të shkruaj dhe të shpreh lirshëm ndjenjat e mija në letër. Pastaj m’i mësonte rregullat e drejtshkrimit, gramatikës e sintaksës , mundohej të ma ngriste vetëbesimin duke më shtytur që ta ndjek rrugën që e dëshiron zemra, por duke qenë njëkohësisht gjithmonë e arsyeshme.

7.-Ju jeni juriste ne profesion, gazetare dhe manaxhere e nje kompanie.Si mundeni te balanconi te tre keto profesione?

E cuditshme, por shumë lehtë. Kur keni një organizim të mirë kohe dhe pune , të gjitha mund të arrihen e sidomos kur keni edhe përkrahjen e njerëzve të afërt. Mundohem që të gjitha ato që i bëj, ti bëj me përgjegjësi dhe të ndaj për secilën aq kohë sa duhet për atë ditë. Në të vërtetë unë nuk jam gazetare, por kam qenë kolmniste dhe kam punuar për afro tre vite për një reviste javore në Kosovë. Në kolumnet e mia kam rrahur dukuritë shoqërore , politikën, estradën etj, gjithmonë përmes sarkazmës , duke u munduar që lexuesit tia paraqes këtë problematikë nga një kënd tjetër. Ndoshta nga ai kënd që të bën të qeshesh për sa kohë lexon, por që të le një shije të hidhur në gojë kur ta përfundosh dhe të ve në mendime.Tani nuk punoj më për atë revistë, por botoj si e lirë, e pavarur sa herë që mendoj se duhet dhe ku duhet.
Sa i përket punës si menaxhere, vazhdoj ta punoj edhe sot prej diku shtatë vitesh e më tepër. Menaxhoj një kompani të suksesshme private , që shtrihet në disa qytete. Fillimisht më dukej absurde të punoja në biznes , meqë ishim edukuar më sistemin komunist ku ai që kryente fakultet, duhet të punonte në punë shteti. Më vonë jam adaptuar shumë duke kryer edhe punët juridike për kompaninë, pra duke qenë edhe këshilltarja ligjore e saj. Natyrisht, e gjithë kjo ka pasur edhe një arsye tjetër si pikënisje. Situatën e mjerueshme të pagave për intelektualët në Kosovë. Duke qenë se është e pamundur të mbijetosh me ato paga që jipen për juristë, ekonomistë, mjekë e arsimtarë, shumica i jemi kthyer bizneseve private duke u munduar kështu të kombinojmë dijet tona.Sot pra , plotësoj profesionin tim me punë juridike, anën financiare me biznes dhe atë shpirtërore me letërsi dhe muzikë.

8. Mesa shoh resumeja e Juaj ,tregon se ju spikatni ne shume talente ,drejtesi,poezi,proze,gazetari,por , Ju keni talent edhe muziken. Cfare instrumenti preferoni me shume dhe cfare aktivitetesh jeni perfshire ne kete gjini?Si ja keni arritur te perfitoni keto talente?

Pra sa i përket punëve juridike, ka shumë fusha në të cilat më pëlqen të punoj, por ato punë janë goxha të ftohta për një shpirt kreativ , kështu që me kohë kam filluar të ndjej nevojën ta plotësoj atë anën artistike timen. Kështu pra, përvec në gazetarisë, letërsisë dhe muzikës, kam edhe një varg të hobive tjera sic është psh filatelia dhe numizmatika. Më pëlqen edhe rregullimi i kopshtit dhe kultivimi i luleve.
Një kohë kam lozur edhe në teatrin e fëmijëve dhe më vonë në atë për të rritur , por mendoj se nuk kam talent për të aktruar, pavarësisht dy cmimeve që kam marrur. Jam provuar edhe në pikturë dhe me gjithë zhgënjimin tim, kam parë se më mungon talenti i duhur. Kam qenë për pesë vite valltare e ansamblit të qytetit, por të gjitha këto aktivitete i kam ndërprerë me fillimin e studimeve të mia në Prishtinë, duke i lënë vend kështu vehtes për studime dhe letërsi.
Instrumentin që e preferoj është pianoja .Kam të kryer shkollën e ulët të muzikës , por pianos nuk i jam ndarë kurrë. Me të ndaj gëzimet dhe hidhërimet e mia gjatë jetës. Në shtëpi kam një pianino, dhuratë e babit tim dhe një sint elektrik, me të cilin e dridh shtëpinë sa herë jam e gëzuar, e që e kam dhuratë prej bashkëshortit tim.Natyrisht, atëherë nuk e ka ditur se sa zhurmë do bëj me të në shtëpi. Do të më pëlqente të mësoja edhe për kitarë.



9.Ju keni shetitur ne shume vende ne Europe. Cili vend ju ka pelqyer me shume?

Nuk kam shetitur aq sa kam dëshire. Kam shumë vende akoma pa i parë. Por më pëlqejnë vendet që kanë një histori , si dhe ato që janë të rrethuara me bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Asnjë dorë e njeriut smund të krijojë dicka të madhërishme si natyra.
Më kanë pëlqyer shumë qytete të bukura e moderne, ashtu sic më kanë pëlqyer ato orientale . Më pëlqen cdo qytet që e ka detin afër dhe sidomos ishujt , por më së miri e ndjej vehten kur jam në mes gërmadhash te qyteteve te lashta, sepse të bën të ndjehesh pjese e historise, e ndonjehere sikur pjesë e një bote tjetër. Të shkelësh nëpër ato vende kur kanë shkelur perandorë e faraonë, thjesht është dicka e bukur mistike, që nuk harrohet. Caku im i ardhshëm është Egjipti dhe Roma.


10.Pyetja me delikate. Si ndjehet Drenusha per zhvillimet ne Kosove e Bote per statusin e Kosoves?

Unë i përkas një gjenerate, e cila ka kaluar nëpër shumë faza e procese në Kosovë. Dmth që nga koha e Titos kur kemi qenë një krahinë autonome jugosllave e deri sot kur jemi shumë afër pavarësisë. I kam përjetuar frikat dhe shtypjen, protestat e demostratat , helmimet dhe vujatjet tjera. Pastaj kam qenë gjatë gjithë luftës së fundit në Kosovë, madje kam mbajtur një ditar, ku kam përshkruar të gjitha ato tmerre që kemi parë, dëgjuar e përjetuar dhe kur vdekja dukej si dicka shumë e zakonshme. Më vonë e kam përjetuar lirinë në plotkuptimin e fjalës së saj, dmth jo vetëm si fjalë nga librat, por si ndjenjë që nuk harrohet kurrë dhe që t’i përzien të gjitha emocionet dhe ndjenjat bashkë. Më kujtohet dita e clirimit dhe lotët që na shkonin faqeve kur shihnim flamurët kombëtare tek valëviteshin të lirë, ndërsa njerëzit vallëzonin rrugëve gati si të cmendur nga gëzimi. Dhe kur shoh sot politikanët tonë , se me sa pak përgjegjësi i qasen këtij momenti historik, në të cilin po kalon Kosova, vërtetë më vjen për të qarë.
Vuajtjet e këtij populli i kam përjetuar bashkë me ta dhe e admiroj këtë popull pikërisht për shkak të durimit, dëshirës për liri dhe optimizmit të pashterrshëm që e ka, pavarësisht se gjysma jetojnë në varfëri të skajshme, sidomos pas luftës. Ju keni parë se si u kthyen të gjithë kosovarët në shtëpi menjëherë pas luftës, edhepse shumica e tyre e dinin se i kanë shtëpitë e djegura. Është mahnitëse dashuria e ketij populli për Kosovën.Unë jam poashtu një prej tyre dhe e dua vendin tim aq sa mund të duhet atdheu.
Natyrisht se Shqiperia ka luajtur nje rol të madh në përkrahjen tonë si gjatë luftës ashtu dhe pas saj. Cdo ndryshim në Shqipëri reflektohet në Kosovë dhe anasjelltas. Fatkeqësisht ende ka shumë moskuptime, përbuzje reciproke, gjuajtje faji dhe akuza të ndërsjella, por unë i marr si gjëra normale që paraqiten në këtë fazë, kur ne ende po njihemi mes vete dhe nuk preokupohem me njerëzit që kanë shpirt të vogël dhe mendje të ngushtë. Kjo fazë njohjeje është tranzitore dhe dikur do ta shohim se ne jemi vetëm imazhi i njëri tjetrit në pasqyrë. Vërtetë jemi rritur me kultura e rrethana të ndryshme, por na lidh kombi, na lidh lashtësia jonë e përbashkët, na lidh gjuha dhe afërsia jonë.
Ndaj, po e përbuzëm njëri tjetrin, nuk kemi bërë asgjë tjetër pos se kemi përbuzur vehten tonë.
Zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova , janë mjaft të vështira dhe serioze. Natyrisht se gjithmonë ka prej atyre që janë pro dhe kundër një procesi, nje faze ose lëvizjeje, por tani vendi është në hapat e fundit për te caku dhe personalisht, nuk më pëlqen asnjë pengesë që mund të na dalë rrugës. Natyrisht se edhe pas statusit përfundimtar, Kosova do të përballet me vështirësi të mëdha, por shpresojmë se vet statusi ynë si shtet, ndihma e botës perendimore që na ka përkrahur gjithmonë dhe shpresoj vet puna jonë, do të bëjnë që në të ardhmen, Kosova të jetë një vend sa më demokratik dhe i zhvilluar.



11. Ju jeni nje nga moderatoret e forumit tone Bota e Gruas Shqiptare.mendoni se me komunikimin dhe aktivizimin e deritanishem te mikeve , ky forum ia ka arritur nje niveli te kenaqshem rezultatesh ?

Jo vetëm që ia ka arritur por e ka tejkaluar. Në këtë forum bëjnë pjesë shumë gra e vajza të ngritura e intelektuale, mikesha të mira dhe krijuese të mirëfillta. Cdo ditë kultivohet një dashuri e sinqertë miqësore, pa imponime, pa oligime , por vetëm një përkrahje e mirëfilltë, fjalë e mirë, krijime të bukura, këshilla të duhura dhe iniciativa të mira që i vejmë në diskutim dhe bisedojmë për to. Forumi ka edhe një revistë të veten elektronike, ku mund të lexohen veprat e anëtareve të tij dhe shumë shpejt po përgatitemi për ca plane tona të ardhshme, të cilat do ti lëmë si befasi të këndshme në të ardhmen.


12-Ju jeni bashkepunetore e disa revistave ,me ze ne Kosove e Shqiperi,si edhe ne shtypin shqiptar,c'mund te na thoni per kete bashkepunim?

Për fat të mirë, unë kam pasur gjithmonë përvoja të mira dhe të këndshme. Ndoshta më ka ndihmuar fakti se gjithmonë kam shkruar vetëm nga dëshira . Kam bashkëpunuar dhe ende bashkëpunoj me shumë revista për fëmijë e të rritur jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në diasporë .Jam bashkëpunëtore e rregullt e disa revistave për fëmijë në Kosovë ,Maqedoni dhe Gjermani.Nder to jane "Fidani" " Ylberi" , " Pionieri" "" Tinguj malli" etj, Kam botuar nepër gazetat tona të përditshme kosovare. Tani vonë kisha ca poezi në Mehr Licht në Tiranë dhe shpresoj të bashkëpunoj me ta edhe mëtutje., Pastaj bashkëpunoj më një sërë revistash femërore dhe letrare prej atyre të shkruara, por edhe elektronike.


13-Cfare po shkruan Drenusha ne kete moment?

Momentalisht e kam përfunduar romanin tim të parë, i cili po redaktohet dhe do të shkojë së shpejti në botimin e tij. Quhet “Engjëjt vdesin ndryshe” dhe flet për vlerat njerëzore, për situatat me të cilat ballafaqohet njeriu gjatë jetës, kalimin e shpeshtë nga ana pozitive dhe negative e anasjelltas, ndryshimet, kthesat dhe cdo gjë tjetër që mund të quhet njerëzore. Derisa libri po redaktohet, kam filluar ta shkruaj romanin e dytë , i cili ka disa tema shumë të dhimbshme por reale në shoqërinë tonë. Mendoj që krimtarinë time ta bazoj në paraqitje të sinqerta dhe të prek sa më shumë ndjenjat njerëzore.Pra, sic po e shihni edhe vet, tani jam në një fazë të prozës dhe nuk kam fare inspirim për zhanër tjetër. Por, e lejoj frymëzimin tim të frymojë lirshëm dhe atëherë kur të vijë koha sërish për vargje, atëherë edhe do ti shkruaj.





14-Emri i Juaj shume i bukur ,kush ju ka vene kete emer ,DRENUSHA?

Paj meqë prindërit e mij vec e kishin një djalë e një vajzë, dhe duke qenë se në ato kohëra nuk mund ta dije gjininë më heret, prindërit e mij kishin vendosur se po të lindte djalë do ta quanin Dren, po të bëhej vajzë atëherë Drenushë. Në kohën e adoleshencës , nuk më pëlqente fare emri im, meqë në atë kohë udhëtonim nëpër vendverime të ndryshme jashtë shtetit dhe mikeshat e reja gjermane, suedeze, angleze etj e kishin vështirë ta shqiptonin emrin tim, ndërsa motra ime Rina kalonte fare lehtë. Ka ndodhur që edhe i kam gënjyer ndonjëherë se quhem Tina, meqë emri im më dukej demode. Më vonë jam mësuar me të dhe ajo që më bën edhe sot e kësaj dite të ndjehem mirë, është se me ta dëgjuar emrin tim, njerëzit menjëherë krijojnë një afërsi me mua, sikur jemi njohur qëmoti, më drejtohen me emër disi nga shpirti. Është dicka e bukur. E vetmja gjë që akoma më duket qesharake është se e kam zor të më quajnë zonja Drenusha. Meqë atëherë vetja më duket si personazh nga përrallat si zonja Dhelpër, zonja Arushë e si këto. Nga gjërat më interesante që më ka ndodhur është se nëpër lista të internetit, ka pasur miq nga Shqipëria që më kanë menduar si pseudonim, meqë sic kam kuptuar ky emër nuk përdoret në Shqipëri. Më vonë u mësuan edhe ata, që ta kenë një Drenushë në mes dhe unë si kosovare ndjehem shumë mirë në mesin e tyre.





15 -Cili eshte mesazhi i Juaj ,per Femren intelektuale e krijuese ne Kosove ,Shqiperi e Diaspore ,por ne menyre te vecante ne token e huaj,per ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombetar?


Femra shqiptare sot , pavarësisht ku jeton e krijon është një zë i fortë , që then paragjykimet e ndryshkura, injorancën dhe mendjengushtësitë e vjetra. Sot femra shqiptare ka gjetur rrugën e vet dhe të rritet zemra kah sheh e lexon për të arriturat e tyre në cdo cep të botës. Ato sot jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe vende tjera nëpër botë , por i lidh e njëjta gjë; të qenurit pjesë e një kombi të bukur plot me vlera dhe tradita , të cilat duhen kultivuar në mënyrën sa më pozitive dhe kështu ti japim edhe botës një pasqyrë sa më të mrekullueshme për kombin tonë. Aty ku femra është e emancipuar, aty edhe vendi është në lulëzim e sipër.
Mendoj se ne vet si popull jemi disi shumë vështirë të asimilueshëm, ndryshe nuk do ti bënim ballë të gjitha furtunave që i kemi kaluar në mënyra të ndryshme.Këtu ka luajtur një rol të madh femra shqiptare, që gjithmonë ka ditur ti ruajë vlerat dhe traditat . Ndaj dhe kam besim të fortë se femra shqiptare dhe mëtej do të shkojë drejt emancipimit të saj duke u bërë kështu pjesa më e cmuar e shoqërisë. Dhe këtë nuk do ta arrijë me protesta feministe, me shoqata që parakalojnë kot pa bërë asgjë ose me thirrje te deshperuara se bota iu takon meshkujve. Por do ta arrijnë me punën e tyre, me mencurinë, dijen dhe cka është më e rëndësishmja me forcën e tyre që buron pashterrshem si dhuratë e natyrës.




Ju faleminderit per biseden ,Ju uroj suksese fat e mbaresi! Intervistoi Raimonda Moisiu ,moderatore e Forumit :Bota e Gruas Shqiptare

No comments: