Saturday, August 25, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-JULIA GJIKA -POEZI


KOSOVE, VJESHTE 2006


Po vij tek ty dhe humb
Në luadhet e gjelbra
Në luginat ku krihen zanat
Fytyren te laj me to
Në ujrat e bardha.
Janë trembur –thonë
Fshehur rrinë në Bjeshkët e Namuna.
Po vij tek ty
Të dëgjoj trokitjen e zemrës
Dhe fjalën e burrave të mëncur.
Gryka e Rugovës
Të flladit faqet
Dekori maleve të pushton
Stuhitë shekullore
Trazuan paqen e lumenjve
Por nuk ua ndruan dot shtratin
Nga goja tënde dua të dëgjoj
Dielli, dielli, të do e të ka dashur
Shkëlqimin u fali vajzave
Fytyra jote, hënë e plotë
Duart mëkojnë pëllumba
Kur yjet buzëqeshin në qiellin tënd Kosovë
Vezullimet reflektohen tek Nëna.



KUFIRI

Eshtë e njëjta tokë
Toka ime ku kam lindur
Ku kam jetën time.
Unë i njoh këta gurë shekullorë
Në këto luadhe bari zgjatej
Nga gëzimi im
Kufiri ndau pjesën time
Nga ty…
Këtu ka dritë, ka ajër, ka zogj, njësoj
Ka tinguj, ka policë
(Ata më buzëqeshin kur u jap pashaportën)
Kufiri
Ka qiell këtu
Dhe unë mbrita në mesditë
Kur dielli ishte në zenith…
E kapërxeva kufirin dhe erdha
Në zemrën tënde, Kosovë,
Bash në zemrën time, njësoj
Do fle tek ty, e shkela kufirin
Përtej kufirit
Nën qiellin që dje ish ndarë më dysh.
Do fle në qytetin
Rrethuar nga Bjeshkët
Fytyrën do t’ja kthej dritës së natës
Dhe do të pres zgjimin me ty.



NE PRIZREN

Roje të bëjnë murret e hirta të kalasë
Hëna e zënë në re, bën dritën e një kandili
Ndricimi dridhet mbi gjokse malesh
Mbi vale dilemash akoma ti.
Era ngre pluhurin.
Aroma e tokes kudo hyn
Bistrica rrjedh e heshtur
E heshtur valet shtyn.
Malli mat rrugët,
Pëllëmbë për pëllëmbë
Nga Xhamia e Sinan Pashës
Tek Shtepia Muze më sjell.
Njerëzit nxitojnë për në shtëpi,
Pa vajtur gjashtë e mbrëmjes.
Paqeruajtësit me uniforma kaki
Mbi kamiona
Shtrëngojnë armët
Tytat e zeza në një drejtim
Me vështrimin
Kryq e tërthor Prizrenit.
Vjeshta i mer ngjyrat perendimit



JAM RE E QIELLIT TEND

Gjakovë me cati të kuqe
Me oborre, pemë rrënduar nga fruta
Gjithcka e pabesushme më duket
Edhe qënia ime tek ty, e pabesueshme.
Lëviz si një re e qiellit
Herë ndricohem
Herë ngrysem, herë humbas.
Ti e sapozgjuar
Me veshtrimin në lëndinën e Mejës
Të qan zemra,syri të qan
Me gjak të trembur je
Nga ëndrra e frikshme
Akoma nuk e ke marë vehten
Dukesh e mpirë
Sapo ke filluar jetën e re
Ringjalljen takoj tek gjakovarët
Tek krahët e tyre që varrosën të keqen
Shpresa është mbështetur .






NE PRISHTINE

Eshtë muzg
Qyteti nuk ka mjaft ndricim
Elektromotorët japin energji,
Pak dritë, pak dritë.
Zhurma e tyre të kujton luftën, breshëritë
Ndonse ka mbaruar, kudo duken gjurmët
Pikellimin mund Prishtinë.
Nga lart zbret hëna
Të lahet në shpirtin tënd
Dhe yjet në syt e tu marin dritë.
Akoma tmerri s’është larguar
Nje fëmije i vetmuar
Numuron me gishtat e dorës së vogël
Të humburit
Në një qoshe te shtëpisë, baca ,
Oh, i ka ikur drita e syve
Me gishtat zverdhur nga duhani
Numuron zhdukjen e bijve
Zërat janë mbledhur lart në qiell.






KODRINA E JASHARAJVE

Kodrina i mban në prehër
Kodrina e e blertë,
Përkund një fis me emër .
Ka ikur ora e tmershme.
Një harpë dëgjohet
Muzikë ka në qiell
Zgjatim duart, prekim emrat
Lulet janë pak,
Fjalët s’janë mjaft
Flenë trimat
Në gji të Prekazit
Mosha të ndryshme
Nga pesë, mbi shtatëdhjetë
Fëmije buzëqumësht
Fisnikë pleq
Zemra ime sa e dobët je
Fillon të qash.




NE KRUSHEN E VOGEL

Pranvera atë vit u ngatërua
Stinët e tjera nuk u takuan me të
Për t’a ndjekur me shpërthime
Me ngrohtësi
Fëmijët nuk rendën në luadhe
Nata kish rrëmbyer burrat e Krushës së vogël
Ishin thyer trarët e shtëpive…
300 burra i vranë,
300 palë krahësh u ndenë
U ndenë sa mbuluan dhenë
Të nesërmen,
Fëmijët vunë fotografite në korniza
Ne ikona baballarët u kthyen.

No comments: