Wednesday, September 05, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA B.McCORMACK-meditim




E bekuara Nënë Tereza.-Në përvjetorin e saj të vdekjes




Nga Merita Bajraktari McCormack
Wash. DC, 5 Shtator 2007
Ne foto me siper autorja e shkrimit nga vizita ne Irlande, vere 2007



Para dhjetë ditësh u kthyem nga Irlanda ku vizituam familisht gjatë Verës. Gjithmonë në udhëtimët për ose nga ai vend përdorim fluturimet nga Dublini, kurse këtë herë zgjodhëm aeroportin Knock, në rrethin Mayo, në zonën Perëndimore të Irlandës,pasi donim të vizitonim atë zonë. Tek po nxitoja për nga restoranti i aeroportit, për të kaluar në dyert e sigurisë, në të majtë të shkallëve, pashë një kishëz të vogël, dhe u bëra kurioze pse kjo kishë këtu. Pas një momenti reflektues brenda saj, zbrita poshtë dhe me kapi syri një dyqan suvenirësh e relikesh fetare. Duke ditur se Irlanda është një “keshtjellë” kristianizmi, nuk është e habitshme që të shohësh diçka të tillë, qoftë edhe në aeroport, por u bëra kurioze tek pashë foton e madhe të Nënë Terezës në mur, me mbishkrimin: “Mother Teresa of Calcutta , pray for us” që përkthehet “Nënë Tereza e Kalkutës, lutu për ne”
Pyeta gruan tek banaku për disa detaje dhe më tregoi se në këtë vend njëqind e ca vjet më pare, 1879, është shfaqur Shën Maria me Shën Jozefin dhe Shën Gjonin, së bashku me altarin dhe shqerrën, përmes dritës në kishë.
Më tregoi se Vatikani e ka ratifikuar si vend të shenjtë,Papa Gjon Pali e ka vizituar vete atë vend dhe dhe se prifti i zonës, Monsinjor Horan, rreth viteve 1980, ngulmoi që të ndërtohej një aeroport ndërkombëtar për shkak të pelegrinëve te shumtë. Qeveria irlandeze e mbështeti dhe aeroporti u ndërtua e funksionon që prej pothuaj tre dekadash tani.
Nënë Tereza,- vazhdoi ajo,- murgesha shqiptare, vizitoi këtë vend në vitin 1993.
Atëherë e kuptova cdo gjë dhe tek bleva me nxitim disa relike dhurata dhe një foto të Nënë Terezës, mbeta e habitur nga shumë gjëra që mësova……dhe natyrisht emri i Nënë Terezës më lumturon gjithmonë…aq më tepër kur më thuhet në sy ,Shqiptarja Nënë Tereza…Kush nuk do ta dëshironte një “takim” te tillë me Nënë Terezën.?
Ata që e kanë njohur nga afër kanë shkruar dhe janë frymëzuar prej saj, ne shqiptarët që jemi pjesë e gjakut të saj jemi kombi i bekuar nga Zoti ta kemi Nënë Terezën motrën tonë.
Përgjatë viteve komuniste, emri i Nënë Terezës në Shqipëri ishte i panjohur krahasuar me njohjen në botë. Dihej që një murgeshë shqiptare jetonte në Indi dhe ishte bamirëse, por më shumë nuk flitej për të. Ndonjëherë kur mundnim të shihnim lajmet (në sekret) në televizionin e Shkupit, nga fotot kuptonim se ishte fjala për murgeshën shqiptare, dhe ndjenim keqardhje që ato lajme e ato bëma të saj nuk transmentoheshin në gjuhën shqipe,ne TVSH. Por arësyeja dihej, Shqipëria ishte vendi më ateist në botë. Çmimi Nobël dhënë Nënë Terezës, sikur i zgjoi pak autoritetet shqiptare, por vizita e saj në Shqipëri e shumëdashur prej saj, ishte jashtë rendit ditor te autoriteteve komuniste.
Kjo foto eshte bere ne kishen e St.Stefanit Vjene nga autorja e ketij shkrimi.

Edhe kur ajo ndodhi, u reklamua si një “ngarje pa rëndësi”.
Përpjekjet e Nënë Terezës për të ardhur në Shqipëri për t’i ofruar dashuri popullit të saj, gjithmonë hasën me djallin, komunizmin e pashoq. Ishte periudha kur qeveria defensive e Ramiz Alisë, përgjatë kohës së rrëzimit te diktaturave në bllokun lindor, bënte cmos të bllokonte ardhjen e Nënë Terezës në Shqipëri. Nënë Tereza, në një nga intervistat që i ka dhënë Kathryn Spink, autores së Biografisë së saj të autorizuar, thotë se kur Nënë Tereza kontaktoi qeverinë shqiptare, per te hapur një shtëpi bamirësie,Ramiz Alia i kishte thënë që të vish në Shqipëri e të hapësh një shtëpi përkujdesje do të thotë të thyesh ligjin dhe Nënë Tereza iu përgjigj : “Atëherë unë jam gati të thyej ligjin”!

Për Nënë Terezën thyerja e ligjieve të tilla qeveritare, në emër të dashurisë të shenjtë ishte e domosdoshme dhe plotësisht e mundshme. Mbajmë mend vizitën e saj në Shqipëri dhe kujtojmë se sa pak publicitet iu bë. Ndërkohë që radiot dhe televizionet e botës e shihnin si një moment historik për kombin tonë vizitën e saj ne memedheun e dashur. Ajo vizitë ishte mbajtur tepër sekret, as ne listën e pasagjerëve në avion,emri i saj nuk figuronte nga udhëtimi ne Romë prej Indisë. Në Romë Nënë Tereza morri bekimet e Papës dhe duke e ditur që euharistia (Corpi/Trupi i Krishtit) nuk shërbehej në Shqipërinë Komuniste, ajo me udhëzimet e Papa Gjon Palit, e morri me vete Euharistinë e bekuar dhe e vari në një medalion.
Këtë të vërtetë ma pohoi sot një nga priftërinjtë e famullisë ku ne jetojme ketu ne Washington DC (ku ne po jetojmë tani), dhe është këshilltar shpirtëror i misonit të bamirësisë në këtë zonë.
Duke biseduar me priftin, kujtova se jam e bekuar që takohem me fakte nga jeta e Nënë Terezës. Shpesh në rrugetimet tona, unë,sikundër edhe ju vëllezër dhe motra shtegtarë , kam hasur në objekte, njerëz, jetë të ndryshuara nga shpirti i madh i Nënë Terezës, por ende në Shqipëri, pavarësisht nga angazhimi qeveritar i sotëm, në tërësi populli ynë nuk e njeh ose nuk e ka përqafuar misionin e Nënë Terezës në dimensionet e duhura.
Personalisht kur kontaktoj me priftërinj, murgesha apo njerëz me pozita apo aktivistë e vullnetarë, mësues etj, të kishës, reagimi i parë është: “Oh sa me fat, qenke shqiptare nga vendi i Nënë Terezes”. Dhe une natyrisht ndjehem mjaft mirë…Gjithmonë kam ndjerë dhe ndjej adhurimin e të qenit shqiptar për hir të famës së mirë që na ka dhënë Nënë Tereza. Ne sërish si komb,në përgjithësi qëndrojmë larg frymëzimit të saj.
Së fundi po keqinterpretohet libri qe do të dali me titullin “Eja pranë dritës sime”, shkruar nga Imzot Brian Kolodiejchuk ,nje anëtar i devotshmën i misonarëve të bamirësisë. Disa media po e ekzagjerojnë dhe e keqpërdorin publikimin e letrave private shkruar nga Nënë Tereza superiorëve apo konfesorëve përgjatë vitive që ajo shërbeu në tokë në emër të Zotit të plotfuqishëm. Mes atyre mediave ka dhe zëdhënës të së gënjeshtrës edhe në gjuhën shqipe.
Por a e ka ulur kokën dikush dhe të pyesë vetveten: “Unë, njeriu i devotshëm, sa herë në ditë e dyshoj egzistencën e Zotit?”
Duke e lënë këtë pyetje për gjithsecilin t’i përgjgijet po vetes, dëshiroj të pyes sërish(vetveten se pari):
A ka mbështetje më të bukur shpirtërore dhe më te lumtur se gjetja e publikimi i këtyre letrave private të Nënë Terezës. A e kuptojme dot ne, mëkatarët e shumtë, lumturinë e shpirtit që vjen prej tyre?
Nëse Nënë Tereza rrëfen përmes letrave skutat më të thella të shpirtit, e kërkon një shenjë prej Zotit, pasi ajo ndeshet me të varfërit e më të varfërve, me të sëmurët ndër më të sëmurët, ajo përsëri nuk e ndërpreu asnjë cast punën e saj bamirëse.A ka ndonje njeri që të kundërshtojë këtë fakt?Besim absolute dhe dashuri absolute, këto janë ato veti që ajo mishëron.
Mendoj se cdo kush nga ne duhet të lumturohet ,pasi sheh se cdo njeri,edhe shënjtorët mbi tokë, kanë dyshime e pyetje,por asnjëherë nuk e ndalin punën,se në fund të fundit,atje është gjithë misteria e besimit,të shërbesh pa kërkuar prova.
Për shembull dyshimi e prove, mjafton te përmendim se si e provoi St.Tomasi,kur tha se Krishti nuk është ringjallur dhe kur Ai iu shfaq përmes Dritës, ishte po St.Thomasi që duke rënë më gjunjë klithi”Zoti im,Perëndia ime”
Për të mos e cytyr më tej punën që ateistët e mirepresin si “skandal”, do doja të sqaroja se mbledhësi dhe publikuesi i këtyre letrave e bën këtë për arësye të duhura e tejet të domosdoshme. Egziston një process për lumturim e shënjtërim. Përpara kanonizimit,(shenjterimit) çdo shenjtor kalon një periudhë ku jeta e tij/saj studjohet, kundrohet, analizohet dhe shpesh quhet “periudha e errët, pasi cdo gjë private bëhet publike”.
Për hir të së vërtetës, të jemi të lumtur që këto letra të Nënë Terezës, reflektimet, agonitë, pendimet , etj…në periudha të ndryshme, janë ruajtur dhe po publikohen tani. Për cdo kënd që mund të ketë dyshime ose edhe për ateistët, ose për cilindo qoftë që abuzon me të vërtetën, lidhur me figurën e Nënë Terezës,do përdorja dy nga shprehjet e mirënjohura të saj:
“Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë të lutemi për dritën që te shohim e njohim vullnetin e Zotit, për dashurinë që të pranojmë vullnetin e Zotit ,për mënyrën se si t’a zbatojmë vullnetin e Zotit” dhe
“E djeshmja ka shkuar, e ardhmja ende s’është këtu. Kemi vetëm të sotmen. Le të fillojmë!”
Dhe guri i qoshes së kësaj ndërtese që duhet filluar të ndërtohet për të pastruar shpirtin njerëzor e për të bërë punë të mira, është besimi! I joni qoftë besimi dhe bekimi!Le të lutemi për to!
Në dashuri dhe paqe ,me respekt, Merita

No comments: