Wednesday, September 05, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-ILIRIANA SULKUQI-Cikel Poetik




Me këtë cikël poetik, të cilin e kam organizuar nën titullin "Përballë me Zotin", dua t'ju përshëndes të gjithave ju, miket e mia me moshat nga vajza-te gjyshja.

Ju uroj shëndet, qetësi. Uroj të kemi sa më shumë mirësi dhe dashuri universale, të cilat më shumë se çdo kush dijmë t'ia dhurojmë botës ne, femrat.

Si prolog të ciklit, po ju dërgoj disa vargje të Nënë Terezës, në këtë Ditë (Përkujtimore) të Pranisë së saj me Zotin, që titullohet "Himni i Jetës" dhe që është e shkruar në Faltoren për prindërit e saj në Kalkuta:


Jeta është një mundësi: Kape!

Jeta është një bukuri:Admiroje!

Jeta është një ëndërr: Realizoje!

Jeta është një detyrë: Plotësoje!

Jeta është një mister: Njihe!

Jeta është një premtim: Mbaje!

Jeta është një dhimbje: Kapërceje!

Jeta është një këngë:Këndoje!

Jeta është një luftë: Luftoje!

Jeta është një aventurë: Sfidoje!...

Jeta është Jetë: Shpëtoje

Jeta është një lojë : Luaje


Pas këture vargjeve-postulat, poezitë tona e humbin vlerën e tyre, por gjithsesi, sipas mënyrës dhe rrëfimit tonë shpirtëror, të paktën të bëjmë atë, të vërtetën poetike, pavarësisht se sa ia arrijmë qëllimit artistikisht.Uroj dhe përshëndes, të gjitha poetet dhe krijueset (krijuesit) , frymëzim e krijimtari të suksesshme. Lexim të këndshëm dhe gjithmonë e mirëlexofshim njera -tjetrënMe dashuri dhe mirënjohje për të gjitha ju - Iliriana Sulkuqi

"Përballje me Zotin"- cikël poetik-ekskluziv


Iliriana Sulkuqi, gusht, 2007
Brooklyn

PËRBALLJE ME ZOTIN...
(më faltë!)
Para nisjes sime për në Atdhe
Shkronjë më shkronjë,
Fjalë për fjalë
Vargun tim do ta përplas...
O t'më bëhet dallgë mbi valë,
O me dallgët të më marrë!
Kjo nata jonë…
"Andej mesnatë, qiell me shi...
Këtej mëngjes..."
Mëngjesi Yt më gjen të lodhur,
si të të vij?
Fijet e natës, thurr edhe shthurr
nëpër gishtrinj…
Mbi natën Tënde, sot mbeta zgjuar,
gjer në mëngjes,
Ah, Zgjimi yt ma "vodhi" ëndrrën,
prapë ëndërr pres…
Kjo nata ime , sonte më vjen,
dy jetë e gjatë,
Nuk paska lindje , nuk paska diell,
është vetëm natë…
Dhe dita-natë, është vetëm natë,
natë e vërtetë
që çel Atje, mëngjes të Ri
dhe gdhihet shpejt…
Sonte nuk fle, dhe po të fle,
e zgjuar jam…
Jam fryma Jote, po fluturoj,
mbi oqean…
...
V.O :Pyetje Zotit:
Po tani ,
kush e ka fajin
ne apo Ti?
Përse e ndave
në dy gjysma globin-
njera me natë ,
tjetra me ditë?
Si mund të puthen
Dashuritë?
Dy dhimbje mbi të gjitha dhimbjet:
Dy dhimbje paska më të dhimbshme kjo Botë;
Kur të ikën nëna,
Kur, pas vdekjes së fëmijës-
pa frymë jeton...
Gjithçka të bukur, Zot…
Gjithçka të bukur, Zot,
i paske mbajtur pranë vetes…
( Madje, edhe shpirtin atje na e "rrëmben",
pas 40 ditëve…)
Prandaj s'e trashëgojmë dashurinë e Mari-së
dhe bota shëmtohet deri në çmendje…)
Prandaj poetët s'u puthkan në tokë
Dhe zenë e flasin me vete…
Prandaj,
Askush s'i dëgjon e pëshpërisin:
"Gjynah , të shkretët…"
Prandaj e vrasin që në mengjes
me "armën"- "shpejtësi moderne"-
që në gjuhë mëkatare do të thotë:
-Internet,
pa trok zemre.
Përse më mban peng?
Tri herë në ditë të falem
(me apo jo Ramazan,
me apo jo Lindje e Ringjallje të Krishtit tënd!)
Ti përsëri peng më mban ...
Tri herë në ditë më shfaqesh para,
si i Madhi të voglit,
që mund ta rrahë kur të dojë...
derisa ia tret edhe kockat...

As më merr, as nuk më le..
Të shkretën,
mos ma mbaj në Harresë Vdekjen...
Nuk mundem më
Edhe malle edhe ligje
edhe pragje edhe ikje,
edhe prush edhe hi,
dhe puhizë dhe stuhi
dhe një shkronjë dhe një përrallë
dhe një yll me yjësi
dhe një Tokë me Dashuri..., -
për hatrin tënd
mbi shpinë t'i mbaj.
"Stilistja" e këmbëve të mia…
Nëna ime,
Stilistja 16-vjeçare,
Dipllomuar si e parë në Milano-
ua nxorri "në shesh"milanezeve
hiret prej nëne…,
si ndëshkim
prej "ferexhes"-ë
nga vinte…

Kur më lindi mua,
Ma qendisi jetën me rroba kukullash,
Me "shalka" jashtë"
e rripa mbi gjysmën e trupit…

Nga viti në vit
ma ulte një gisht
palën e fundit…
Derisa sot,
m'u bënë pantallona
deri në grykë të shpirtit…

Kujt t'i besoj


Kujt t'i besoj,
ëngjëllit a djallit,
njeriut a kafshës,
lotit a këngës,
heshtjes a britmës
fjalës a krismës,
Ty, Zot, a vetes,
Vetes apo Ty ?!...

Të them:- Zot, ndihmomë!
Përgjigjesh: -Je zonja e dhimbjes!
Të lutem:- Shpëtomë!
Më thua:- Ndihmo veten!
Të çirrem:- Merrmë!
- Jo, i duhesh botës!
-Bota më ha jetën…
-Shëët, jeto të vdesësh!


Kur m'u kujtua mosha…


Dhe një herë që desha të qeshja
dhe një herë që desha të flisja,
midis dy rrudhave m'u mbyll buzëqeshja,

kur mu kujtua mosha…

Dhe… Më fal, o Zot!
Mallkova vitet…
mallkova kalendarët…
Për ngjarje historike
pas qejfit datat i ndërrojmë,
për moshën s'lëvizim as qimen.


Skllavja ime L I R I...

Liri, liri,
ti, skllavja ime,
ti-ëndrrakëngë,
ti-njëmijë dete!
Sirenë më je,
gjithë dallgëzime,
burime pi e prapë kam ètje…


E skllave s'je,
skllave s'të dua,
paçka se prangat nuk t'i shoh…
Paçka se Zoti s'është mua,
Paçka se Zoti prap më do...
Me pranga
fort më dhimbsesh mua,
me brenga zemre ty të njoh…

Liri, Liri,
Pasthirrmë brezash-
Që s'gjejmë këngë
të të LIROJMË…!
Dhe Zoti më përgjigjet:
Bëj Dashuri si Dashuria
Dhe vetes tënde mos i trego!
Jam Plak i Motçëm
Dhe Urtësia
S'më le
Të Keqen
Ta "Luftoj"!

Jam e bukur
me dhimbjen time

Me dhimbjen time jam e bukur
me pasurinë, e pakrahasueshme,
di dhe pranoj sekondën
e vdekjes…-
nga xhelozia Tënde,
Zoti im
i Përjetshëm… !
...Dhe thotë një këngë...
Për dashurinë jap shpirtin
Për urrejtjen-dashuroj
-autorja-
...dhe thotë një këngë e bukur brenge:
"Çomë ku të duash taksixhi…"
... dhe ndal atje ku ndalet loti…
dhe lotin tim mos e rrëfe …
…Dhe ndal atje ku digjet heshtja,
ku shpirti flaket nga një trill,
ku mbyllen sytë, ku rreket zemra,
ku trupi preket nga një "xhind"…
Ku tokë e qiell të përndezur,
përdigjen si një Vetëtimë,
Ku Zoti zbret, ngjallen të vdekur
Ku nata ditës i bëhet flirt…

Dhe thotë ofshama dalë nga nata
"Çomë , ku të duash Dashuri,
Mbi shtatë palë qiej, me shtatë Hëna
qendisma trupin me qirinj!
Mermerin tim…

Kjo botë që trupa mbledh nën dhè,
s'ka punë me mua,
i jam e huaj...

Flirtoj e ndezur prej një shpirti,
sa nuk ka dimër
të më shuaj...

Dhe ndizem, digjem si Vezuvi,
herë brenda vetes,
herë si llavë…

Herë si hi, mbetur prej fisi,
herë si èthe
në mesnatë...

Djegur, shkrumbur gjer në palcë,
Nga varri im do mbetem jashtë…

Nju Jork, 21 gusht, 2007, ora 1.00

Metafora e personazheve fëminore
1. ...Nëse të duhet pak Atdhe...
Një Kësulkuqe mbetet përrallë -
Një "Pendëkaltër" – flatron mbi rè…
(përgjigje miqësore autorit, për poezinë e tij "Kësulkuqes"-Litlle Red Riding Hood)
Mos u trishto, zog qiellor!
Kudo, kudo të fluturosh…,
nëse të duhet pak Atdhe,
një Kësulkuqe ta gjen kudo…
Se kjo përrallëz, thonë, tregohet
veç në dimër dhe në vjeshtë,
kur nata bëhet më e gjatë,
kur gjumi s'vjen pa u ndjellë…
Kësulkuqja, siç ti thua,
Vjen dhe ikën si legjenda:
Herë me shportën e "uritur",
herë me lule dhe "gënjeshtra"…
Kësulkuqja –vajzë përralle-
Vjen papritur si e madhe,
Me një shportë me dy barkushe-
Një me dhimbje, një me vargje…
2. "Lejlekët nuk vijnë më…"
(autorit të librit me titullin e sipërm)
O shpend i bukur,
me flatra e shpirt deliri...
hapësirë më hapësirë,
mbi ikje zjarrore…
Po të duash,
edhe unë mund të kthehem në Kumuri,
e një folezë ku të shlodhemi,
mund ta gjejmë nëpër hoje…
(… edhe kështu –pa fluturim
një mrekulli duhet të jetë,
tek foleza e ballkonit – vendlindje)
3. ...tek "Udha e Qumështit"
Një shteg do ta gjej për tek "Udha e Qumështit"
dhe e tëra do të lahem me yje...
Derisa të më vijë Ylli i "Akshamit"
të më veshë me Fustan Nusërie...

...E pastaj, sëbashku si Një
të zbresim në shtratin e Tokës…
Të digjemi nga fryma jonë
dhe Dritën t'ia falim Botës...
Ku po fle?

Ku po fle,
ku po fle.
te një fjalë a mbi një muzë,
a me ëndrrën që të tret,
a mbi gotëzën me musht?

Ku po fle,
ku po fle,
në një cep shtrati të zbrazur,
me një trajtë semaforësh,
a mbi buzë nga morgu ardhur?...

Ku po fle,
ku po fle,
mbi petale trëndafilash,
përmbi èthe djalërie,
a mbi shkrepje shkrepëtimash?!

Ku po fle,
ku po fle,
pranë një vatërze përralle,
a mbi sy ku grirojnë re
dhe pikojnë vetëm nga malle?

Zgjohu,
zgjohu, n' sy më shih,
se s'kam kohë për t`u rrëfyer,
do të nisem për shtegëtim,
buzët ende s'i kam lyer…
Ku po fle...?
24 gusht 2007

Ndodh edhe kështu...
Se ku do të shkonte , nuk tregoi…
Se ku ishte, nuk e pyeta…
E zura për krahu deri në shtrat,
Ia mbulova drithmat
me kuvertën e derstilur
nga pritja…
***
Mbi lodhjen tënde, përkulem si kulpër…
Paprekur t'i puth sy e buzë…
Tek ëndrra s'mundem, s'ta përgjoj kurrë...
Dhe sikur Endrra të mos jetë - Unë.

Këtu të pres...

Këtu,
këtu,
këtu do pres…
tek fjal' e parë që më dha fjalë
tek vargu yt që m'u bë flirt,
tek ëndrra jote e përmalltë...

Këtu,
këtu,
këtu më gjen,
fshehur pas fjalës, në ëndërr shfaqur
si një vejushë me nota prehjesh,
me vello ëndrre të përflakur!...
Këtu,
këtu
edhe atje,
ku perëndon dhe lind më shpejt...
herë si brymë, herë si vesë,
mbi cipë të shpirtit do më gjesh...
Përballë
me sytë,
të bëhem Sy,
ku bebza sheh një jetë larg…
të bëhem buzë, të bëhem shpirt,
m'i thellë se ky oqean…

Ferri, Purgatori , Parajsa…-përmbi tokë
-…kur të japin një shuplakë në njerën faqe, jepua edhe faqen tjetrën… ( e shqipëruar nga autorja)
(e di që në "turrën e druve"
do të më "djegin" një ditë...
unë nga flakët e Ferrit vij
dhe jam ende Dashuri...)
1. Ferri
Ia gjeta strofullën Ferrit…-
Këtu , para syve, para vetes…
Më ulet këmbëkryq , si zot shtëpie,
Më tregon si më pjek,
kur s'i bëhem strehë për shpifje......
Ia gjeta "Pallatin" e djegur
mbi tokë -(s'ka të përtejme…),
ku nëna qan birin e vetëm ,
ku shpirti thèret pas shpine…
P – urgatori –
Edhe ti , këtu na je,
para syve, si shushunjë…
As andej e as këndej,
si lavjerrës eunukësh…
As andej, as këndej ,
si një lajkëz e shëmtuar,
As "Parajsë", as pakëz "Ferr",
Veç një "P…" e përdhunuar.
3 . Parajsa…
E kam parë me sytë e mi një prift
që "bekonte" kriminelin.
Edhe disa hoxhallarë
që "ta lajnë" xhepin…
E kam parë me sytë e mi,
Priftin e 6-të Janarit-
Kur ti, Zoti Ynë Bekoje Ujin,
ai u shihte këmbë e gushë
zonjkave të vèja…
Demoniane
Bëj bè, për vitet e tejtretur,
bëj bè, për Syrin e vetë Zotit!
bëj bè, për trupin e pakallur,
nën dhè-un ku më shuhet loti…
Bëj bè, për gjysmë vajzërinë,
për gjysmështegun-grua e pa thënë…
pëj bè për puthje-zën në ëndërr,
dhe një tjetër që m'u fsheh pas hënës…
Bëj bè për dashurinë e vdekur…,
dhe për një tjetër që më vjen e lindshme,
bëj bè për ditën më të trembur
që më bëri zokth me përpëlitje.
Bëj bè për syrin që s'i fikem,
i vetmi skllav me tej-liri t'jashtëligjshme…
në iksha vërtetë, nga kjo Dridhje,
do ta djeg me Aligerin - Dhimbjen!
Nëse më zgjon...
Isha mirë në errësirën time…
flisja me vete, qaja në heshtje…
pa isha mirë n'ëndrrën e vdekur,
me prangëdhimbjet që ju gjeta…
po ti, çfarë pate që më zgjove,
të më dhurosh dhimbje të tjera?…

Nëse më zgjon në tjetër shekull,
ku sy e shpirt janë vetëm Një,
ngrihem nga varri si e çmendur,
Zotin e bëj të flasë me zë…

Nëse pas fjalës kërkon të fshihesh,
dhe me një shkarpë trupin ma djeg,
të ndjektë nga rrënjët një vetëtimë,
që të bën princ e të bën mbret!

Nëse më zgjon, sot e pasmot
me heshtje-dhimbje, dashuri,
të kthehem Gjethëz në stinë pa mort,
ku edhe dimri ka frikë të vijë...

S'kam aq faj…
Falmë, falmë trup i huaj,
mbrëmë pa leje të kam puthur…
s'kam aq faj kaq shumë të vuaj(!)
vetë në shtrat më ishe futur…
Kur dhe ëndrra shfaqet djall
unë jashtë ëndrrës, s'kam aq faj…

Kur do të shoh
Kur do të vish, kur më ke ik'?
pyes më kot , duke u gdhirë... por Zëri dridhet e dot s'më thotë...
Por Zëri trembet nga tjetër botë...

Kur më ke ikur,kur do më vish,
pranë fjalës mik, pas fjalës -shpirt...
Më shkoi jeta me largësi,
pa asnjë trill, pa asnjë flirt…
Pa asnjë bebëz dritë më dritë,
zjarrur si Diell, plorur si Hënë…
Shkrumbur mbi tym të arratisë,
ngrirë e grirë nga koh'e vrarë…
Kur do më vish, me ditë a natë?
Kur do të shoh dalë nga një zhgjëndërr?
Dt. Duke u gdhirë 2 shtator'07
Po pastaj, a pas një viti…
Po tani e po pastaj
ç'do krijojmë ne të dy,
një gazetë që të na "hajë",
apo shpirt për dashuri?
A do lozim veç me ëndrra
Qe të çojnë vetëm te vdekja...
Ti Çehov dhe unë Lidia
Ti Romeo-unë Zhulieta...

Po pastaj, a pas një viti,
do ta lindim një fëmi',
me fytyrën e një malli
dhe me emrin Poezi?

A s'më thua, pas dekadash,
kur kjo botë të jetë një tjetër,
do tregohen si legjenda
puthjet që s'shkruhen në letër?

Pa më thuaj, paç të mirë,
kush nga ne është më i bukur,
unë që vrava dashurinë,
apo ti që m' vret i lumtur!
Vdes e para……,

Sikur të vdes duke të puthur,
pastaj ç'do bëjnë buzët e tua...?
Po të jem pak sy - përgjumur-
do të më thuash që s'të dua...!
...
S'di ç'të bëj (?!)
Veç di se digjem...
Nga një natë e tejkaluar…

Vdes e para –në të gdhirë
Pa rrëfyer pse më ike…
Vdes e para , veç jeto
në të tjera ardhje-ikje...
Vetëm shpirt kam te shpirti,
këmbë e duar nuk i njoh…
Pse të dua vdes e para,
Ikjen tënde mos ta shoh…
Jam e çmendur…

Jam e çmendur
se të dua, më shumë se ti mua,
të shoh dhe ku s'je…

Sikur vërtet
të ndodhesh mbi qepallat e mia,
nga çmenduria,
prap do të të përze….

Jam e çmendur.
Më shumë se dashuria,
me çmenduri të mbështjell….

Tani e kuptoj
çmendurinë time
dhe dua të jem e çmendur vërtetë!


Unë dhe Bota
(Autoportret)

Jetoj në një botë të largët,
apo bota më largohet, s'e di?!
të jetosh gjithë jetën me ëndërra
për botën, do të thotë - UTOPI.

Të qeshësh, kur thellë të qan zemra
dhe t'ia mbyllësh portat dashurisë;
të çmendesh për një Çehov të vdekur…
është marrëzi përtej marrëzisë.

Të digjesh nga nata e ftohtë;
të dridhesh nën diellin e nxehtë,
të tretesh në një pikë lot,
për botën nuk je e vërtetë…

Jetoj në një botë të largët,
apo bota është larg nga unë,
i përkas ndonjë shekulli të shkuar,
apo shekulli im është në udhë?!

Apo shekulli im po afrohet,
rend mbi vite, mbi ditë, s'm'ë kap dot…
te shtëpi e poezisë unë u mpaka,
eja shekull, ose ikë po je kot…
...Dhe Dashuria…

...Dhe Dashuria sa një det,
sa një qiell plorur me yje-
na u bë shtroje sa një folezë,
me nina-nana djepërie...

Na u bë muzë për një përrallë
dhe për të mençur dhe për të marrë,
Na u bë këngë si një legjendë
që do rrëfehet në mijra vjet...

...
Dhe Dashuria, Dashuria...
as legjendë,as përrallë
as Hotel me pesë yje,
as rrogoz thurur me kashtë...-
zgjohet , ngryset veç e trembur
brenda nesh , si zokth pa krahë...
...
Dhe Dashuria, Dashuria...
as legjendë,as përrallë
as Hotel me pesë yje,
as rrogoz thurur me kashtë...-
zgjohet , ngryset veç e trembur
brenda nesh , si zokth pa krahë...
...

Dhe Dashuria , Dashuria
me një ëndërr të pa fjalë,
të rrëmben nga frym' e fundit
të risjell në Këngë prapë...

4 shtator 2007
Po Jezunë ku ta fshehë?...
Le të dalë një burrë a grua!
djall a ëngjëll le të dalë,
të thotë: s'kam dashuruar,
as në ëndërr s'e kam parë…
Le të dalë dhe Zoti vetë
të na thotë: "Mos dashuroni"!
Po Jezunë, ku do ta fshehë?
Dashuria mban gjallë Globin…
Mono-dialog me Internetin
Sa her' t' lexoj ty, i dashur,
më parë se botës t'i vijë mëngjesi,
herë më pikon një lot i kripur,
herë, më i ëmbël se sheqeri…
Lotin e kripur dhimshëm ta prita
mbi mollëzën e gishtit të shtatë…
Pastaj një foto, me të djathtën i shkrepa -
kujtim nga lidhjet "Virtuale".

Me Lotin e ëmbël, më pas i thashë:[
"mbetsh, n' arkivin e gënjeshtrës,
si mostër – shkrumbur pa nishan,
si pabesi ndaj dhimbjes tjetër!

Sa herë, mundohem të të njoh,
Ty, internet - shpikje magjike,
pas mrekullive m'duhet t'pranoj
dhe kalemxhinj me mllef e shpifje…

Nga dita në ditë...
...po dashuroj Muhametin...
Na e dha shpirtin ,
pa na rrëfyer Portretin..
Puthmë! ose, Puthmëni!...
Puthmë në stinën tënde!
Të gjitha stinët i kam brenda vetes…
Ose:
Puthmëni në stinën tuaj..
Të gjitha stinët njësoj më bëjnë të vuaj…
Këmbët...
…Njëherë e një kohë
m'u çapitën pas prindërve…
Më vonë, nën mbulesë,
pas zhgjëndrrave...
Më pas,
zvarritur pas meje…,

Tani,
s'ma mbajnë Peshën
e lotëve…
Këmbët-
Pa m'u parë, më shahen…
Të mjerat!
S'ua mësova dot "sekretin""
E Ringjalljes !...
Dy vargje dhe ca "shkronja" më shumë ...
Vetëm me dy shkroja erdha vrap tek ju,
Tani "humb mes gjuhëve"
dhe s'më njeh askush...
Pas –tashthënie
1. Pasthirrmë!
Më falni, pa dashjen tuaj,
do të udhëtoj...
Eja dashuria ime!
eja të ikim,
më parë se të humbim
dhe trenin e fundit…
Dashuria ime, eja,
eja të ikim...
Pas pak do na djegin
dhe hirin…
2. "Tornado", Mos ik …
"Tornado", mos ik pa mua!
Merrmë në vorbullën
e çmendurisë tënde!
Për hatrin tim,
Leri të jetohen të tjerët!
(Tornado-emri i një stuhie –shtjellë, shkatërruese)
VO:
Nuk ma ka fajin Zoti!
Vetë kam trokitur
Nëpër dyer LOTI

No comments: