Tuesday, February 19, 2008

Festimi i Pavarsise se Kosoves ne Outer Banks,North Carolina

Tere jetën time kame imagjinuar ditën kur Kosova do te shpallet e pavarur. Jam shume e lumture qe mbijetova luftën ne Kosove dhe përjetova realizimin e ëndrrës time dhe te gjithë shqiptareve. Megjithatë, ndjeje dhembje për viktimat e luftës, te zhdukurve dhe familjet e tyre.

Dje ishte dite me emocione te pa përshkruara për mua: qaja, qeshja, vallëzoja,e bërtisja. Mami,Sara, John dhe unë përcollëm me vëmendje shpalosjen e procedurës se shpalljes se pavarësisë se Kosovës. E shikonim përmes një kanali francez ne internet pasi qe ata raportonin direkt live nga Prishtina. Por zërin e kisha te Radio Kosovës ne shqip. Isha krenare dhe mburrem me te gjithe zyrtaret kosovare per mbajtën e nje procesi demokratik. Isha e kënaqur kur dëgjoja zërin e presidentit Sejdiu, kryeministri Thaci dhe Jakup Krasniqi. Derisa Thaci lexone deklaraten e pavarise, ne qëndronim ne kembe. Te rrahurat e zemres shpejtoheshin derisa deputetet votnin per pavarsine e Kosoves, mandej shpërthyen lote gezimi. Perqafoja mamin, Saren dhe Johnin duke iu uruar pavarësinë e Kosoves dhe nje fillim te mbare per popullin kosovare.

Gezimi dhe krenaria mu rrit edhe me shume, kur mbreme ne
shtepine time erdhen 32 shqiptare dhe tre amerikane. Deri mbreme, une njihja vetem kater familje shqiptare qe banojne afer meje. Por kur i ftova te vijn per te festuar, iu thashe qe te ftojne cdo shqiptare qe njohin ne rrethin e Outer Banks, iu thash se,dera e shtepise time ishte e hapur per cdo shqiptare qe donte te festonte diten madheshtore dhe historike per Kosoven dhe gjithe shqiptaret. Ne shtepine time ndjehej fryme shqiptarizmi pasi qe cdo gje ishte shqiptare: nga dekorimet, ushqimet, muzika dhe vallet.

Dekorimet i kishte bere John me fqinjen time, piktoren Kathy Godwin. Ata bën dy pllakarta: Dita Pavarsise se Kosoves, 17 shkurt 2008; Kosova Independence Day, February 17, 2008. Kurse ne tjetrën shkruante, Kosova tani është e lire dhe e pavarur, Faleminderit Amerike. Ne te dy pllakartat ishte flamuri i ri i Kosoves dhe ai amerikan. Brenda ishin vendosur flamuri shqiptar dhe amerikan, balona dhe flamuj te vegjel shqiptar.

Tere diten kishim përgatitur ushqime shqiptare nga me te ndryshmet. Por ne mbrëmje secili qe vinte sillte ushqime dhe pije sa qe u be nje bufe me lloj lloj ushqimesh dhe pijesh. Derisa hëngrëm dark, u bisedua per ngjarjen me te re ne historinë shqiptare dhe evropiane. Diskutimi me i madh ishte rreth flamurit ku te gjithe miqtë shqiptare shprehen pakenaqesin qe nuk ishte pranuar flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare. Por une iu premtova se ne shtepine time flamuri shqiptar, kosovar dhe ai amerikane gjithmonë do te valojnë prane njeri-tjetrit. Shikuam lajmet qendrore te raportuara ne RTK online dhe ishte kenaqesi t’i shihje shqiptaret duke festuar ne menyre dinjitoze ne te gjithe boten.

Me vone filloi vallja kosovare me kenget e Afrim Muqiqit, mandej valle shkodrane, e shume,shume te tjera. Ne mes te valleve kishin nevoj per pak ajer te fresket dhe dilnim ne oborr ku vazhdonte celebrimi me ndezjen e fishekzjarrëve e xixëllonjave te shumta.

Ne fund vendosem qe cdo vite me 17 shkurt te mbeldhemi ne shtepine time, kurse per 28 nentor te mbledhemi tek nje familje nga Berati. Shpresoj qe ne te ardhmen do te çlirohen edhe viset tjera shqiptare e te kemi edhe me shume festa te festojme.

Urime Pavarsia e Kosoves,
Zoti i bekoftë shqiptaret dhe miqet e saj.

Me dashuri,
Teuta

No comments: