Thursday, April 17, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- Kozeta Zavalani -Bisede me Valdete IDRIZIN


Me Amazonën e Mitrovicës
Nga Kozeta Zavalani



Çmimi Ndërkombëtar për Gra të Guximshme është i vetmi vlerësim që jep Departamenti i Shtetit për gra që kanë marrë role udhëheqëse në botë. Ky vlerësim shihet si një mundësi unike për diplomacinë transformuese për çështjet e gruas.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolisa Rice, ndau më 10 mars në një ceremoni në Departamentin e Shtetit, Çmimin Ndërkombëtar për Gra të Guximshme. Në këtë veprimtari ishte edhe Valdete Idrizi shqiptare nga Kosova, krahas grave nga Afganistani, Fixhi, Iraku, Pakistani, Autoriteti Palestinez, Paraguai dhe Somalia. Zonjusha Vadete Idrizi, është një prej liderëve kryesore e organizatës joqeveritare "Community Building Mitrovica - CBM". Ajo ka punuar e jetuar, në mes të qytetit ku sot jetojnë të ndarë, serbët e zemëruar dhe shqiptarët paqësorë. Zonjusha Idrizi, e shpërngulur nga konflikti, është aktive në zonat me banorë serbë në Kosovën veriore, ku drejton projekte për gra dhe të rinj, me synimin për të ripajtuar dhe për të sjellë paqen ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike.

Presidenti i Republikës se Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu priti znj. Valdete Idrizi, udhëheqëse e OJQ-së "Community Building Mitrovica", e cila qe përfaqësuesja e vetme nga Evropa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mori çmimin për "Gra të Guximshme" nga Sekretarja e Shtetit, znj. Condoleezza Rice, për rolin e veçantë në integrimin e pakicave në Kosovë dhe në veçanti të komunitetit serb.

Presidenti Sejdiu e përgëzoi znj. Idrizi për çmimin e marrë duke e vlerësuar si tejet të rëndësishëm punën e saj ne kultivimin e raporteve ndëretnike.

Unë u takova me Valdeten në Hotel "Grand" në Prishtinë, se bashku me Teuta Shabani Towler, që ka ardhur nga SHBA për të shoqëruar mikeshën fituese në takimet e saj në vendlindje. Prania e saj ishte surprizë për mua. Teuta e ndjen këtë dhe më thotë

-Gjatë rrugës për në Skënderaj, Valdeti më thotë se ka ardhur një person, që po t'ia mësosh emrin, do të fluturosh tek ajo. Dhe vërtet ishte kështu, se porsa më tregoi se kishte takim me ju, unë erdha menjëherë. E kam marrë librin tënd në takimin që organizuam në New York nga Shoqata Pan Albanian Women Network dhe Motrat Qirjazi dhe kisha shumë kënaqësi të takohemi së bashku. . .

Ato kanë ardhur pas një takimi, që porsa kishin përfunduar në Kuvendin Komunal të Skënderajt. Në përshëndetjen e tij Ismet Salihu kishte thënë se, "Guximi është vlera që na ka bërë të ecim përpara" U takuam me dashuri dhe duke e uruar Valdeten, unë i dhurova një tufë të bukur me lule, zambak e trëndafila, duke i marrë pak kohë për bashkëbisedimin.

Fillimisht dua të më flisni për emocionet e marrjes së këtij çmimi - i them dhe ajo më përgjigjet:

-Emocionet kanë qenë shumë të forta. Unë isha e befasuar, sepse njoftimin ma dha shefja e zyrës Amerikane në telefon. Pranë kisha nënën time, që megjithëse asnjë fjalë nuk di anglisht, e kuptoi që isha fituese, vetëm nga emocionet që nuk munda ti fsheh…Ishte një çmim botëror dhe unë isha përfaqësuese nga Evropa. Emocionet pasuan atë të ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atë ditë kam festuar në Mitrovicë, por jo në atë masë që duhej, sepse nuk donim të provokonim serbët që kishim pranë, ndaj kemi treguar një maturi të madhe.

- Valdete Idrizi, mund të flisni diçka për vetveten?

-Jam lindur dhe e rritur në Mitrovicë. Deri në vitin 1999 kam jetuar në veri të qytetit, dhe prej at'here, jam transferuar dhunshëm në jug. Jetoj sot në një banesë me qira, më nënën, motrën e një nip që e dua shumë. Nuk di se çfarë bëhet me shtëpinë time në veri. Gjatë kohës së luftës qëndrova në Kosovë, angazhuar në iniciativat e para, për dialog mes serbëve dhe shqiptareve.

-Dhe kur jeni nisur në Washington për të marrë çmimin "International Women of Courage Award"

-Jam nisur në datën 7 dhe mbërrita aty në datën 8 mars, por takimi u zhvillua më datën 9 mars, në departamentin Amerikan të Shtetit, ku u takuam me presidentin Xhorxh Bush dhe zonjën e Parë Laura Bush. Para takimit kishim emocione se si do të visheshim dhe çfarë do të flisnim.

Në dhomën e bukur "Frenklin" u takuam me sekretaren e SHBA-së Kondolesa Reis, e cila ishte shumë e afërt me ne dhe i kushtoi secilës kohë e falenderim të posaçëm. Momenti i ceremonisë ishte shumë, shumë emocionues, veçanërisht për mua, sepse isha fituese nga Kosova, shteti më i ri në botë. Isha pak xheloze dhe i kisha zili femrat e tjera, sepse secila fituese kishte përfaqësues të shtetit, ambasadorin e vendit të vet, me përjashtimin tim dhe gruas nga Fixhi e Somalia. Isha xheloze që ato e kishin dikë nga shteti i tyre, kurse unë nuk e kisha as ambasadorin e Shqipërisë, sepse ai nuk ishte fare në Washington…. Ishte diplomatja Rozmari di Karlo, që e kisha takuar në Kosovë dhe gazetari Elez Biberaj, që më takuan aty.

-Çfarë do të kujtoni nga takimi me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë?

-Do të theksoja se në Shtëpinë e Bardhë, midis fotove nga takimet e Presidentit ishte edhe vizita e tij në Shqipëri, e cila më bëri të ndihem krenare. Kur erdhi tek unë dhe më takoi, iu drejtua të tjerave dhe tha:"Këtë duhet ta uroj dy herë, një herë për shtetin e saj, dhe pastaj për veten e saj, se a e dini që ka vetëm tri javë që është krijuar? …" Ato e dinin sepse unë u kisha treguar.

Unë pata nderin dhe kënaqësinë ta falënderoj zotin President, për përkrahjen që na kanë dhënë, sepse pa atë, në nuk do të ishim shtet…Pastaj u fotografuam si grup dhe veç e veç, me presidentin dhe me zonjën e pare, Laura Bush.

-Çfarë ju bëri përshtypje nga ky takim i paharruar?

- Një detaj shumë i vogël por i rëndësishëm, ishte fakti që z. Reis na i kishte mbajtur mend emrat e secilës prej nesh, duke na folur me specifikat e vendeve nga vinim, duke na kushtuar një përkushtim të veçantë. Ishte shumë e thjeshtë dhe e dashur me të gjitha ne. Do të theksoj edhe takimin që bëri Zonja e Parë më datën 10 Mars, ku ne ishim të ftuara speciale, së bashku me femrat më të suksesshme të SHBA-së, nga të gjitha profesionet; ushtarake, shkrimtare, artiste, femra, të cilat i kishim njohur vetëm nëpërmjet ekranit të televizionit, duartrokitën për çmimin tonë.

-Me këto që po thua edhe unë po emocionohem, dhe nuk di përse të të pyes më parë, por le të ndalemi pak në pritjen që tu bë, kur u ktheve në Kosovë.

-Para se të mbërrij në Kosovë le të kthehemi edhe njëherë në Washington, ku kam pasur një takim shumë të ngrohte me këshillin shqiptaro-amerikan atje, në një pritje ku jam ndjerë shumë mirë. Ka qenë një mundësi e mirë që të jap mesazh të mirë dhe të marr informacione për punën që duhet të bëjmë në të ardhmen. Prej aty kam shkuar në New York, ku kam pasur një tjetër emocion me miken time Teutën, por edhe me gra të tjera që i kisha njohur nëpërmjet sitit të forumit Bota e gruas shqiptare dhe "Rrjetin Pan Albanian Women Network" të cilat më bënë një pritje në Restorant "Prespa", me pronar një shqiptar nga Drenica e Kosovës. Aty kam pasur emocione sepse jam ndierë si në shtëpinë time. Rrallë i kam momentet kur nuk gjej fjalë për tu shprehur, e pikërisht ai moment ka qenë aty. Ishte një botë në të cilën unë kisha hyrë me dëshirën time, por të takoja më ato, që kishin ardhur nga vende të ndryshme të SHBA-së, ishte një tjetër emocion, që më bëri të qaj…

Surpriza tjetër ishte pritja në aeroportin e Prishtinës. Porsa zbrita shkallët e avionit shoh kolegen time që po më priste dhe mendova se kishte filluar punë si stjuardesë, pasi e dija që nuk lejohej njeri që të hynte Brenda pistës së aviacionit. Por kur lexova që ajo dhe të tjerët më larg kishin veshur nga një bluzë të bardhë ku ishin shkruar fjalët:"Valdete, krenohemi me dy"…Madje edhe policët më uruan për çmimin. Kur doja të hipi në autobus së bashku me pasagjerët e tjerë, polici më tha: -Jo, juve ejani veçan! …Jashtë priste një veturë speciale vetëm për mua…ishte një pritje e veçantë. Më tepër se 100 vetë kishin dalë për të më pritur me bluza të bardha, ku ishte shkruar emri im…

-Këtë pritje besoj e kishte organizuar Mitrovica jote, sepse ty të kanë quajtur "Amazona e Mitrovicës", sipas medias "Epoka e re".

-Po, ishin nga Mitrovica jo vetëm CBS por edhe organizata të tjera, përfshirë edhe agjencinë turistike që kishte sjellë falas autobusin, madje edhe Lokali Palas që kishte organizuar pritjen time. Më pritën më një ceremoni jashtëzakonisht mirë të organizuar, me këngëtarët më të njohur që kanë kënduar për mua deri në ora 2. 00 pas mesnate, mes familjarëve të mi dhe kolegëve me të cilët pata punuar dhe mjaft të ftuar të tjerë nga vende të ndryshme.

-Po ndonjë moment të vështirë nga jeta gjatë këtyre viteve?

-Nuk mund ta harroj kur doja të shkoja në veri në banesën time, për të marrë disa sende personale dhe më është mundësuar kalimi me ushtarë, por kur shkon pranë banesës më kanë pritur gratë e veshura më të zeza, 6 serbe, që nuk më kanë lejuar…Ka qenë një moment vërtet i vështirë, jam shokuar, pasi gjithnjë e kam menduar që ne femrat jemi simboli i mirësisë dhe jo i së keqes…Kam qenë me fat që shpëtova, përmes ndihmës së një komshiu dhe mbërrita në jug…Sfida më e madhe imja ka qenë puna në një terren me serbe e shqiptarë bashkë…

-Dua të di se si ishte interesimi i kolegëve të medias, për këtë eveniment?

Ishte shumë i madh, i jashtëzakonshëm. Ata kanë përcjellë çdo ditë veprimtaritë e mia, që nga mbërritja në aeroport, takim me presidentin Sejdiu etj. që më premtoi se do të kem përkrahje për të gjitha veprimtaritë e mia. Nuk kanë munguar edhe ftesa të tjera si ajo nga shoqata e të verbërve të Kosovës, të cilën më zgjodhën kryetare nderi. Unë edhe organizata të cilën udhëheq, kemi punuar në gjashtë komuna, të cilat më kanë pritur e uruar, si ajo në Skënderaj. Komuniteti ka bërë një punë shumë të madhe dhe më të madhe do ta kemi në të ardhmen, sepse unë nuk do të kisha pasur sukses, po qe se nuk do të kisha pasur përkrahjen e tyre.

-Si paraqitet situata në Mitrovicë sot?

Tensioni i Serbisë ende vazhdon në Mitrovicë, i shtuar para zgjedhjeve të 11 majit, duke nxjerrë edhe njëherë në pah dallimet midis serbëve të veriut dhe atyre në enklavat, ku janë të shtypur e nuk guxojnë as edhe mendimin e tyre ta thonë. Por ka edhe prej serbeve që e kane pranuar realitetin edhe pa u zyrtarizuar pavarësia e Kosovës. Shoqëria civile në Serbi është shumë e shtypur dhe ka probleme të mëdha. Ne bashkëpunojmë me organizata dhe lidere si Natasha Kandiç, që punojnë për të drejtat e njeriut por politika është tjetër dhe puna jonë është tjetër. Jemi ende në një llupë vëzhgimi nga ndërkombëtarët, ndaj duhet ta justifikojmë veten.

-Konkretisht çfarë jeni duke bërë, pasi kam mësuar se po bëni protesta?

- Këshilli Organizativ i Protestave të grave në Mitrovicë, ka vendosur të pezullojë protestën kundër, Administratorit Rajonal të Mitrovicës, Gerard Gallucci. Vendimi është marrë pas dhënies së sinjalit nga shefi i UNMIK-ut, Joackim Rycker se mesazhi i protestueseve është marrë shumë seriozisht dhe së shpejti do të zgjidhet kjo çështje.

-Besoj se tani do të keni edhe më tepër punë për të bërë me komunitetin tuaj, apo jo?

Jam e vetëdijshme se na prêt një punë shumë e madhe. Si lidere e organizatës, duhet të punojmë fort për një bashkëjetesë në bashkimin e Mitrovicës. Theksoj faktin se jam kthyer prej SHBA-së me një forcë dhe siguri të veçantë, që do të më ndihmojë në të ardhmen, sepse do të kem shumë dyer të hapura, për të punuar, për një të ardhme më të mirë.

E Enjte, 17 Prill 2008

No comments: