Saturday, April 19, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- MERITA BAJRAKTARI McCORMACK -ESSE

Komente:

Suzi shkruan:

E dashur Merita , e lexova shkrimin eshte interesant e ne te njejten kohe me vlere , ke kapur nje teme te vlefshme per te diskutuar. Mesova se ke nje vajze qe ka hyre ne moshen e adoleshences. Po te te them vetem nje gje, je akome tek fillimi e vite te veshtira te presin perpara . Une flas nga pervoja , nena ime edhe se ishte e huaj , rrenjosi brenda vetes zakonet shqiptare aq shume sa babai im i ndjere qe per mua ishte dhe mbetet njeriu me i mire qe kam njohur ndonjehere thoshte me te qeshur,: eshte bere me shqiptare se shqiptaret . Kete e them per te spjeguar se jam rritur me ato zakone te ngurta ku fustani duhej te ishte poshte gjurit etj etj, Problemi qendron tek femijet tane. Tani vajza ime i ka mbushur te njezetat e eshte qetesuar disi e jemi perseri mike e shoqe te mira, por te betohem ate qe me ka bere te heq e te kaloj keto vite nuk do ta harroj. Ishte nje beteje e perditeshme, te veshurit , te krehurit , truku , menyra se si duhej te fliste etj , pasi ti e din mire se sa kerkuese jemi ndaj femijeve tane, i duam te perkryer . Le pastaj studimi . Mua me vinte turp te bija nota te keqia ne shtepi, edhe kur merrja nente skuqesha kur ja thosha babait. Nejse.Mbaj mend se sa her e kam kthyer vajzen mbrapsht dhe e kam detyruar te nderrohet kur shkonte ne shkolle. Mbaj mend se pasi iku nje muaj ne Shqiperi tek halla e vet , e une dola ta prisja tek treni qe kthehej u tmerrova me ate maske truku qe kish ne fytyre ai engjelli im. Sapo kish mbaruar klasen e tete, nje muaj pa mua dhe ja... m'u deshen muaj te tere per te punuar me te. Qaja nga inati dhe se me vinte keq kur e shikoja te lyer ashtu.Le te mos flasim pastaj per shoqet qe mundohesha t'ja seleksionoja. Tani eshte rritur , ka filluar Akademine nautike ne Genova , eshte bere goxha vajze e sa here kur kujton diskutimet tona qesh , me kerkon falje e me jep nga nje te puthur ne faqe. Per fat te mire a te keq ato shoqe qe une nuk ja pelqeja kane marre rruge te keqe dhe ajo nuk i frekuenton me. Me ate ja hodha , tani jam ne lufte me djalin, eshte tetembedhjete vjeç e une jam gjithnje me gjak te ngrire. Por me shpresen tek Zoti besoj se do te behet i mire dhe ai. Megjithese tani kam nje dyshim te vogel, ndoshta ajo e kembengulur qe beja me shume me ka prishur pune se sa me ka ndihmuar. Te besh prindin nuk eshte aspak e lehte dhe nuk ka receta, çdo femije ka karakterin e personalitetin e tij. Por kjo moshe e adoleshences qe ketu ne Itali e quajne "mosha e gomarit" zor se kalon lehte. Ju uroj pune te mbare tere nenave ne edukimin e femijeve te tyre.
Auzana K,Imperia Itali


THJESHT dhe BUKUR - KAQ MJAFTON

Speciale dedikuar vajzave dhe grave.
Nga Merita Bajraktari-McCormack
18 Prill 2008

Bashkëshorti im dhe unë ,si çdo çift tjetër prindëror mundohemi të rrisim tre fëmijët tanë ashtu si është më mirë për ta, sipas gjykimit tonë, por edhe sipas traditave tona familjare si dhe brenda mundësive financiare apo kushteve në të cilat ne jetojmë. Jam e sigurt që kjo është një “deklaratë” që çdo prind shumë thjesht mund ta bëjë pa u menduar shumë se natyrisht,s’do shumë mend!Ne të gjithë dëshirojmë që fëmijët tanë të mësojnë mirë nëpër shkolla ,të sillen mirë, të jenë të zotër të vetvetes, të tregojnë respekt e ndihmojnë të tjerët dhe lista e kërkesave nuk mungon për ne si prindër, ndaj tyre.
Për ne, shqiptarët e emigruar, kjo detyrë prindërore është, për mendimin tim disi më e vështirë për arësye të mungesës së shembullit të familjes së gjerë dhe shumë brezave apo karaktereve influenciale si dhe për shkak të bollshmërisë në mjediset ku jetojmë të versioneve të ndryshme si të mundësive materiale, ashtu edhe atyre shpirtërore dhe morale.
Është detyrë e çdo prindi të ekspozojë fëmijën ndaj vlerave themelore të qëndrueshme dhe që kanë dhënë prova produktiviteti cilësor ndër shekuj, e natyrisht siç e kam shprehur dhe në shkrime të tjera “alfa dhe omega” pra fillimi dhe fundi , rrethi gjithpërfshirës është i Plotfuqishmi. Ai ka dhënë rregullat për ne,qeniet e krijuara prej Tij dhe ne i detyrohemi Atij se si e jetojmë jetën tone këtu mbi këtë tokë, dhe si prindër edhe se si rrisim fëmijët për t’i shërbyer qëllimeve të shenjta për të cilat jemi krijuar. Për të ilustruar këtë që thashë më sipër do ta thjeshtëzoja me një ngjarje që më ka prekur e ka lënë gjurmë tek ne këtë fundjavë qe shkoi.
Vajza jonë porsa ka hyrë në moshën e bukur dhe të vështirë të adoleshencës. Në këte faze ,dihet që ajo përballet me një morri situatash dhe problemesh të përditshme në shkollë, në shoqëri,me vëllezërit, ne prindrit, në mjedise të ndryshme publike etj. televizioni,media , arti i sotshëm, gjuha e perdorur janë te gjitha faktore influencialë në jetën e gjithkujt por ato lenë gjurmë te thella tek të miturit dhe adoleshentët. Shpesh ime bijë vë re, reagon, pohon ose qorton ndonjë akt apo dukuri, mundohet të integrohet pra me mendimin dhe gjykimin e saj. Shpesh është e vendosur për mendimin e saj tek “teston ujrat” mes të rriturve ndërsa ajo dhe bashkëmoshataret e saj mundohen të jenë pjesë e të tërës, “trying to fit-in” siç quhet në gjuhën angleze. Pavarësisht se sa influencialë janë prindrit tek fëmijët, jam e sigurt që për një adoleshent ndërhyrja prindërore per zgjedhjet që ata bëjnë , në pamjen e jashtme duket sikur ka pak efekt për momentin,ose më mire thënë reflekton pak, pasi është e natyrshme dhe pritet të jetë e tillë. Njohja e vetvetes, pranimi i saj, gjetja e identitetit etj,janë momente të rëndësishme për adoleshentet që forcojnë tashmë bazat e hedhura në fëmijëri për të vazhduar më pastaj në moshën madhore.Ashtu si vajza jonë,edhe shumë bashkëmoshatare të tjera të saj, janë në një fazë që përcakton të ardhmen e tyre, i jep drejtim faktit se kush janë ata në të vërtetë ,në shpirt e në personalitet. Në dritën e këtij mendimi dhe meraku, J , miket e mia dhe unë vendosëm të bëjmë një hap disi të veçantë me vajzat tona adoleshente kësaj fundjave.
Prenotuam për një aktivitet vjetor që quhet “PURE FASHION” dhe udhëhiqet nga organizata “Regnum Christi” dhe që në esencë ka paraqitjen e veshjeve femërore bukur, elegante,me shije dhe në mënyrë modeste. Kjo ishte një sfidë si për ne Nënat ,ashtu dhe për vajzat tona.Nuk e dija se sa vetë do të ishin të pranishëm, apo çfare efekti do të bënte tek ime bijë, shoqet e saj, tek unë, apo miket e mia kjo ngjarje. Ishte një eksperiment prindëror që ne në mënyrë të kujdeshme ,pa sforcarje, e zgjodhëm. I vendosëm pesë adoleshentet bashkë dhe pesë nënat ndenjëm në anën tjetër të tavolinës. Shfaqja filloi dhe ndërkohë që modelet paraqesnin veshje të ndryshme, për moshat e tyre, nga dyqanet më të njohura e më moderne të kohës në Amerikë, por bukur dhe thjesht,pa egzagjerime seksuale apo ekspozime të dukshme të pjesëve trupore, ne shihnim vogëlushet tona se si do reagonin. Shihje buzëqeshje tek to kur dëgjonin emra të njohur si Nordstrom,Uggs, Macy’s .Forever 21, “Tiffany” Papaya” Swarowski, American Eagle, Bannana Republic etj, vinim re se sytë e tyre ishin fiksuar në modelet që nuk ishin super të holla apo super të bukura fizikisht, nuk ishin “Tyra Banks” apo “Gisele”, por që kishin një bukuri që rrezatonte prej shpirtit të tyre dhe të bënin të ishe pjesë e ngjarjes,me thjeshtësinë e tyre dhe paraqitjen modeste e plot shije, dhe me krenarinë e tyre në piedestal,me një buzeqeshje që buronte nga një lumturi e brendshme mbrujtur në një personalitet e karakter të fortë.
Nuk e besonin vajzat tona se në vitet 60,70, 80 moda paskej qenë sic është sot, se edhe nënat e tyre paskëshin ditur të visheshin siç duan të vishen ato sot, por ishin skeptike në mënyrën e thjeshtë të veshjes. Nuk ishin “cool” ishte mendimi. Me këtë gjendje dhe me përçmimet e tyre ne po mbijetonim,derisa diçka tjetër ndodhi. Laura Evans, personalitet ne Televizionin FOX TV , prezanton autoren e mirenjohur Lisa Rice e cila ka bashkëshkruar librin “For young women only- Vetëm për vajzat” dhe me fjalën e saj bëri një efekt madhor tek të pranishmit, që ishin ndoshta me mijra në numër, në Hotelin Grand Hyatt-Washington DC.
Ajo shpjegoi se si punon mendja e vajzave të reja kur vishen,se ç’farë është qëllimi i tyre, dhe ndërkohë bëri edhe shpjegimin e detajuar se si është ndërtuar e si punon mendja e truri mashkullor në situata e moment te ndryshme të jetës së tyre . Ajo u ndal në funksionimin e trurit te djemve adoleshentë. Tregoi se si funksionon albumi digital në trurin e tyre. Ajo përdori termin “Brain wiring” dhe solli intervista filmike të djemve adoleshentë ku tregonin se si një djalë reagon dhe tërhiqet drejt një femre thjesht nga paraqitja e saj fizike dhe se si tundimi për të pare apo pasur më shumëmpra dëshira dhe fantasia fizike, rritet në përpjestim të drejtë me zbulimet e pjesëve të ndryshme të trupit të femrës dhe se si kjo sjell shqetësime në trurin e tyre,një shqetesim qe nuk mund të evitohet,përderisa sa ekspozimi është prezent. Tek Rice fliste dhe sillte shembuj se si truri I një djali rregjistron pamjet dhe imagjinon më shumë se sa sheh, dhe pret natyrisht të shohë apo prekë më shumë, dhe pasojat e një gjendje të tillë, ne ,nënat ,me kujdes vëzhgonim vajzat tona që flluan të shohin rrobat e tyre dhe të lëviznin nga vendi disi pak jo rehat. Tek i buzëqeshnin njëra-tjetrës dhe ishin pak a shumë te vëmendshme, kuptuam se një fare efekti ishte bërë ose ishte në proces. Informacioni po fillonte pak nga pak të zinte vend në mendjet e tyre, që janë ende sfungjer. Autorja vazhdoi të shpjegojë shtatë gërat kryesore që vajzat duhen të kenë parasysh kur pergatisin garderobën dhe si të evitohet nënvleftësimi i vetvetes,që reflektohet në veshjet ekspozuese. Tek ajo fliste, kujtoja nënën time që më thoshte pikërisht ato fjalë ,që natyrisht unë nuk ia vija plotesisht veshin atëherë. E quaja Nënën time personalitet të një kohe të qëmotshme…. Gjithashtu mbaj mend që Nëna thoshte, kur ta thotë në tjetër, e beson më kollaj…!Kujtoj se më thoshte që mënyra e veshjes, pavarësisht nga firma prodhuese e rrobave, është shprehje e asaj që je brenda vetes. Mënyra se si vishet një femër, reflekton çka je në brendësi. Sa më shumë ekspozim të pjesëve e formave të trupit fizik te bëhet, po aq deficit gjendet në respektin për vetveten. Pikerisht këtë tha dhe folësja në aktivitet. Veshja ekspozuese është tregues i varësisë së femrës nga gjinia tjetër dhe kthimi i kokave te djemve adoleshentë është në një farë mënyre , është diktim i mënyrës se si vajzat adoleshente vishen.
Në këtë aspekt,mendoj se të gjithë jemi dakord se është detyrë e prindërve të ekspozojnë fëmijën ndaj vlerave pozitive dhe moralit të duhur, për t’i shërbyer qëllimit të krijimit dhe për të jetuar brenda normave dhe moralit të pranueshëm. Ekstremet janë kurdoherë të dëmshme dhe natyrisht të panevojshme. Ndjehem mirë sot, sinqerisht, sepse mendoj se bëra diçka të mire në detyrën time amësore duke e ekspozuar time bijë ne dicka solide. Atë që po mendohesha t’ja thoja e shpjegoja me kujdes si ma thoshte nëna ime, vite më parë, ia tha vajzës sime dhe shoqeve të saj, një figure autoritive dhe në praninë e nënave. Vajza ime ka rreth një orë që po lexon librin që ia bleva …Më duket interesant thotë..E përkëdhela me dashamirësi dhe e lashë në leximin e saj,ndërsa mendova të ndaj këtë me nënat dhe prindrit e tjerë,pasi mendoj se ia vlen.Shpesh një moment i veçantë bën një efekt madhor. Varet se në çfarë situatash i ekspozojmë femijët tanë. Aq më tepër në shoqërinë e sotme kur efektet vizuale janë të kollajshme edhe për shkak të medias dixhitale. Le të perpiqemi për të berë të që i shërben më së miri atyre, të vegjëlve tanë. Ne Shqiptarët e kemi moralin dhe kujdesin një nga vlerat më te mira. Le ta pasojmë në gjeneratën e re ashtu si duhet.
Me dashuri dhe respekt, dhe me merakun e një nëne për fëmijët,
Merita B-McC.
WashingtonDC

No comments: