Tuesday, April 22, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- SUZANA KUQI-POEZI



Thuamë…

Thuamë
në më ëndërron akoma
në se jam përsëri në ëndrrat e tua
në mendon ndonjëherë
ashtu, i zënë në befasi
atëherë kur më pak e pret
për mua…

Thuamë
në ëndërron akoma sytë e mij
flokët e mij të lagur nëpër shi
buzëqeshjen time të trishtë
kur u ndamë atë ditë me qiell gri…

Ti më thuaj
ani se nuk ka më kthim…
Do të guxoj të vij pranë teje
në ëndrra
e kokën në jastëk
ta vë me ty
Të të kundroj me ëndje
edhe pse të mbyllur do të jenë
ata sy
E do të të puth
me puthje të lehta si ajri
Do të të mbeshtjell në krahë
ashtu si qiellin
pështjell drita e diellit
Do të të pëshpëris ne veshë
fjalë të ëmbla
nën tingujt e argjendtë
të violinave të hënës
e do të zbras në to
tërë mallin e zemrës
E pastaj do të iki me
dritën e parë të mëngjesit…


Imperia 17 prill 2008




Mall…

Të erdha pranë
një urim për ditëlindje
të marr o im atë.
Me hapa të lehtë e të mendueshëm
që trishtëm masin trishtimin
e këtij vendi
Ku të njëjtat fytyra,
me të njëjtën mënyrë
të shohin
Ballin mbështes
mbi gurin e ftohtë
si dikur mbi ballin tënd,
e në shpirt
diçka shumë, shumë,
më dhëmb.
Mendimi mundimshëm
kërkon të çajë kufijtë,
të hyjë thellë në tokë,
të fluturojë lart në qiell,
e të kridhet ne pafundësi
prej nga kthehet kujtimi yt
që trishtem, dhimbshëm, por ëmbël
mbështet buzët në ballin tim
duke më dhënë si dikur
Të ëmblin urim



Sublime

Krijesa ime e embël dhe e vockël
bërë prej mishi e gjaku
me dashuri e ëndrra ngjizur
përmes dhimbjeve lindur
delikate dhe e brishtë
e bukur deri ne mallëngjim
aq sa më lë pa frymë…

Të marr ndër duar
e në këtë moment
kuptoj sa të ngjashëm
e të ndryshëm
jemi me zotat
të ngjashëm
sepse himnin e pavdekshmërisë
këndon frymëmarrja jote
të ndryshëm
sepse për ty
drita e syve të mi
per të të mbrojtur
veten time
do të gozhdoja në kryq…



Imperia , me 8 mars 2008

No comments: