Wednesday, April 23, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- ALBANA MELYSHI LIFSCHIN-TREGIM



Stina e vetëvrasjeve


-Kjo ka ndodhur vite më parë në qytetin tim-



Pranvera atë vit erdhi që në janar. Mimozat çelën duke mbushur me aromën e
tyre gjithë qytetin. Ata që punonin nëpër zyra, kur vinte ora e drekës nuk
nxirrnin më mbi tavolina bukët e mbështjella me qese plastike, siç u qe bërë
zakon, por i bënin telefon njeri tjetrit e ja mbathnin tek kodrat e qytetit.
Shefat bënin sikur s'dinin çbëhej. Edhe vetë ata i kishte zënë pranvera e
parakohëshme. Reth orës një pasdite i vinin çelsin zyrës e ktheheshin në tre
pa një çerek, domethënë pak para mbylljes së orarit zyrtar. Në orën tre
pasdite bulevardi i madh mbushej me punonjës që dilnin nga puna. Gratë e
vajzat mbanin në duar buqeta mimozash dhe ecnin si të goditura nga dielli.
Studentët vështronin të çpërqëndruar nga dritaret e universitetit e mjaft
prej tyre pa kurrfarë takti gjatë kohës që pedagogu spjegonte, hidhnin sytë
tek ora si për t'i thënë "hajt, jepi shpejt". Me të rënë zilja merrnin për
nga kodrat e liqenit. Gjimnazistët që e kishin shkollën e tyre në fund të
qytetit bënin të njëjtën gjë. Pranvera e atij viti qe vërtet marramendëse.
Fjala që orët e fundit nëpër shkollat pothuajse nuk funksiononin fare shkoi
deri në ministrinë e arsimit. Nxënës, studentë e mësues qenë çthurur. Orët e
planifikuara për ekskursione e kishin kaluar limitin.
Kjo vazhdoi deri atë ditë kur u mor vesh se Anila Shpati ishte mbytur në
liqenin artificial.. Vajza ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme. Nuk
qe nga ato që binin në sy. Ishte e nivelit mesatar, e heshtur dhe e
mënjanuar. Trupin e saj e kishin nxjerrë nga liqeni në mbrëmje. Autopsia
zbuloi sekretin e vajzes: kishte qenë shtatëzënë! Në fillim këtë e mori vesh
një mjek, mik i afërt i familjes, i cili bëri çmos që fjala të groposej
bashkë me vajzën. Por sekreti kishte dalë vjedhurazi nga spitali, më shumë
nga shokimi qe kishte shkaktuar ky lajm. Askush s'mund ta mendonte një gjë
të tille për Anila Shpatin. Papritur vajzat e klasës së saj u mblodhën kokë
më kokë e përpiqeshin të zbulonin misterin e Anilës. Por nuk ishte e lehtë.
Vajza s'kishte patur asnjë shoqe të ngushtë që t'i rrëfehej. Nga që ishte
natyrë e heshtur, ajo nuk ngjit'te me asnjë. Madje për vajzat edhe fakti që
Anila s'paskësh qenë e virgjër, dukej fare i pabesueshëm. Kush kishte qenë
vallë i dashuri i saj?
- Ajo s'ishte as e bukur, tha dikush me zë të ulët .
-Unë sinqerisht nuk e di ç'është virgjëria, kishte thënë papritur Viola, një
kaçurelse që qeshte tërë ditën.
–Mos më shikoni ashtu, vërte nuk e kuptoj! Madje e kam frikë. Unë as e kam
idenë fare a jam e virgjer apo jo. Ja, e di ti ? I u drejtua ajo Shpresës,
nga e di? Shpresa u skuq.
- Deri sa s'kam shkuar asnjëherë me asnjë djalë, patjetër që e virgjer jam.
-As unë s'kam shkuar, por thonë se një vajzë u çvirgjërua pa dashje.. tha
dikush. Ato kthyen kokën.. Nila kishte hyre pa pritur në bisedë.
–Si padashur?
-Ku di unë! Thonë që është vetëm një cipë e hollë, si cipë qepe...dmth duhet
të jetë një gjë shumë delikate. Po sikur të ulesh padashur, ta zëmë, në
ndonjë gardh me majë?
Vajzat mbetën duke parë njera tjetrën të heshtura me sy gati të zgurdulluar
nga ajo pyetje sikur të gjitha papritur po dyshonin në virgjëritetin e tyre.
Marianës iu kujtua Vito Juvara i filmit italian' Gruaja më e bukur në botë"
që sapo kishin parë. Ai kishte thënë: E ç'farë pasurie tjetër mund t'i
sjellë vajza burrit natën e martesës, përveç virgjërisë?
Pas varrimit të Anilës, hija e saj i ndiqte vajzat çdo ditë. Edhe djemtë. As
ata s'ishin në gjendje të vinin gishtin se cili kishte qenë i dashuri i
Anilës. Për një gjë ishin të sigurtë, që ai nuk ndodhej në klasat paralele
dhe ndoshta as në shkollën e tyre.. Ca kohë vajzat e djemtë u bënë të
heshtur. Madje nuk bënë as mbrëmje për 7 marsin. Klasa atë ditë vërtet u
mbush me buqeta mimozash për mësuesit , por askush nuk përmëndi mbrëmje
tematike dëfrimi si zakonisht. As mësuesja vetë. Pasdite, pastruesja kishte
gjetur një degë të madhe mimoze të lënë në një nga bangat e fundit. E
kishte marrë në dorë e kishte hyrë në dhomën e mësuesve.
-Gjeta këtë në klasën e 10-te B.
–Ku e gjete?
-Tek banga e fundit, pranë dritares-tha pastruesja.
Mësuesja u pre në fytyrë.
-Banga e fundit pranë dritares? Je e sigurtë?
-Po, - tha pastruesja duke e lënë degën e mimozës mbi tavolinë .
Kishte qënë banga e Anilës. Që pas vdekjes se saj, shoqja e bangës ndrroi
vend, dhe banga mbeti bosh. Askush s'u ul më në bangën e fundit pranë
dritares. Dhe mësuesja kujdestare s'i kishte thënë askuj të ulej aty. Vetëm
sa herë që bënte apelin kur i afrohej emrit të Anilës instiktivisht ngrinte
syte nga banga bosh.
Doli marsi dhe në hyrje të prillit një lajm tjetër tronditi tëre qytetin.
Lejla Xhemali, ishte hedhur nga kati i katërt i pallatit ku banonte . Kishte
rënë mbi shtyllën e një neoni. Madje shenjat ishin ende atje, llamba e thyer
e koka e shtyllës zbuluar krejt. Njollat e gjakut dukeshin rrëzë shtyllës.
Qyteti atë ditë përjetonte një tmerr të vërtetë. Kujtimi i Anilës qe sapo
kishte filluar të zbehej në bisedat e njerëzve, u rikthye përsëri. Nuk
kishte dyshim që edhe Lejla duhet të ishte bërë viktimë e një histoie
dashurie .. Prindërit të tronditur filluan të merreshin me vajzat e tyre,
por ato zunë të lidheshin më shumë me njera tjetrën e më pak me prindërit.
Shkonin tek njera tjetra me shkak për të mësuar për provimet e fundvitit dhe
askush s'ishte i sigurtë nëse vërtet studionin apo kishin rënë në bisedat e
pafund të kohës së përzishme. Në funeralin e Lejlës shkoi i tërë qyteti.
Autobuzat e varruesve që s'kishin të mbaruar kishin bllokuar daljen e
qytetit. Varrezat u mbushën plot me njerëz, gjimnazistë e studentë të
shkollës së lartë, punëtorë e intelektualë, miq të familjes, motrave e
vëllezërve të Lejlës.
Në të ngrysur, kur autobuzat me njerëz kishin zbrazur varrezat dhe qyteti
kishte ndezur dritat, tek varri i freskët roja pa nje djalë të gjatë që qe
ulur në gjunjë e po qante. E njohu. Ishte basketbollisti më i mirë i
qytetit. Mbeti pa gojë. Të nesërmen lajmi u hap nëpër të tërë qytetin.
Sportisti ecte rrugës i kërrusur i përcjellë nga qindra vështrime. Si ishte
e mundur? Ai ishte edhe i martuar! E shoqja priste një fëmijë! Nuk ka se si!
E megjithatë roja e kishte parë tek varri i Lejlës duke qarë. Duhej të
kishte qenë pikërisht ai për të cilin vajza vrau veten….

(c) Albana Lifschin (vazhdon)
Nentor, 2007

No comments: