Wednesday, April 30, 2008

Bota e Gruas Shqiptare- VERA PELAJ-INTERVISTE ME FATOS ARAPIN

INTERVISTOI Vera PELAJ, GAZETARE NE RADIO BLUESKY, PRISHTINE


Blue Sky: Zotëri, Arapi! Urime për çmimin “Kurora e Artë”, që këtë vit iu nderuan në takimin e Strugës. Ju jeni poeti I parë shqiptar që nderoheni me këtë çmim. Si e pritët?

Fatos Arapi: Natyrisht me gëzim e prita. Jo aq tepër për emrin tim, se sa për poezinë shqiptare, e cila tashmë, mendoj se futet ose bashkërenditet edhe nga pikëpamja e vlerësimeve me bashkëshoqet e saja ballkanike dhe evropiane sepse poezia shqiptare me të vërtetë është poezi e fuqishme, e cila i ka kryer shumë mirë detyrat e saj ndaj vendit dhe ndaj poezisë. Po sigurisht tani, mendoj që me këtë rast, futemi edhe ne në analet e përgjithshme të saj dhe bëhemi si motër me poezinë ballkanike dhe me atë evropiane.

Blue Sky: Në vitet ’70-të, derisa u shemb “Rilindja”, njëra ndër shtëpitë botuese më të mëdha që ka pasur Ballkani, ka botuar disa nga librat tuaj, qoftë me poezi qoftë me prozë. A ju kujtohen titujt e atyre librave?

Fatos Arapi: Po më kujtohen, p.sh. librin “Kaltërsia” ma ka sjell vetë dorasi poeti kosovar Esad Mekuli, e redaktuar nga poeti Ali Podrimja. Pastaj vëllimi, I cili më ka bërë shumë punë, sepse në njëfarë kuptimi më ka shpëtuar, ka qenë vëllimi “Fatet”. Kjo përmbledhje prapë ka qenë e redaktuar nga miku im Ali Podrimja. Ka qenë një vëllim që më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë, sepse evidentone këtë poet të veçantë. Me autoritetet këtu, unë vazhdimisht kam qenë I kundërt. Jo disident në kuptimin dissident, por gati gati sa nuk i kisha prangat në duar. E vëllimi “Fatet”, m’i ka hequr prangat nga duart, për mendimin tim.

Blue Sky: Si poet, ju keni përcjellur rrjedhat e poezisë në hapësirën shqiptare. A mund të veçoni ndonjë gjeneratë poetësh?

Fatos Arapi: Për fat të keq, një pjesë e tyre, që më vjen shumë keq, nuk janw mw. Do tw veçoja Azem Shkrelin, I cili ka qenë një nga kulmet e poezisë shqiptare dhe I cili meritonte më shumë sesa unë çmimin. Pastaj ju nw Kosovw keni një plejadë të tërë poetësh. Unë nuk dua t’I përmend emrat sepse jam I bindur që do të harrojë dhe nuk është e drejtë që të përmend emrat, por poezia kosovare dha një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe. Gjithashtu edhe këndej nga ana jonë ka pasur. Është plejada tjetër e poetëve të viteve ’60-të, dhe jo vetëm të viteve ’60-të, por edhe e viteve ’70-të, të cilët kanë bërë çka është e mundur për poezinë. D.m.th poezia, unë e thashë që në fillim dhe dua të kuptohen, që poezia shqiptarë I ka bërë detyrat historike të imperativit historik të saj, I ka bërë shumë mirë në ato kushte shumë të vështira, në të cilat është ndodhur.

Blue Sky: Kritika shqiptare, brezin tënd, e ka konsideruar si fillim të mbarë të fjalës shqipe. Brezi juaj, Agolli, Arapi dhe Kadare, keni kontribuar mjaftë në gjininë poetike. Ç’farë mendoni për brezat e rinjë?

Fatos Arapi: Dëgjoj shumë andej e këndej që janë pesimist këta që flasin rreth letërisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumë llojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptarë tashmë e ka të qartë synimin e saj drejtë lirisë së njeriut, drejtë të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar në veçanti, mendoj se është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimist. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…

Blue Sky: Prania e juaj vërehet edhe te disa poetë d.m.th janë ndikuar nga krijimtaria juaj.

Fatos Arapi: Është krejt normale ajo sepse në fillimet e veta, çdo poet është si puna e fëmijës, që do ta kërkojë dikë që ta marri për dore dhe ajo është krejt normale. Por, vjen një moment që ai e kupton që duhet të shkëputet nga dora dhe duhet të ec vet në këmbët e veta dhe atwherë fillon te eci poeti. Poeti nuk është gjë tjetër veçse është personalitet i tij, shpirt i tij dhe kultura e tij. Kështuqë, ai do ta gjejë vetëveten. Mos u shqetësoni nga ajo sepse është në influencën e këtij apo atij poeti, nuk ka rëndësi. Me kalimin e kohës ai do ta gjejë, nëse është poet, po e nënvizoj nëse është me të vërtetë poet, nëse ka lindur vërtetë poet, siç thoshin antikët latinë dhe nëse ka lindur vërtetë poet, ai do ta gjejë rrugën e vet. Nuk ka ndonjë gjë për tu shqetësuar aty.

Blue Sky: Në vitet ’70-tw, një grup shkrimtarësh iu kundërvuan realizmit – socialist. Teksti ishte “Vox clamantis in diserto – Zëri I humbur në shkretëtirë”. Pati shkaktuar shqetësime mjaftë tek ne. Te ju si është pritur, pasiqë ishin kohë të vështira?
Fatos Arapi: Tek neve ajo erdhi si një lajm, si një fenomen që ka ndodhur. Nuk ka pasur shumë rëndësi tek ne fakti se ç’farë bëhet. D.m.th, në këtë pikëpamje se ç’farë thoshnin teorikisht. Brezi i viteve ’60-tw, që erdhëm ne, më tëpër shikonim krijimet tona dhe mbështeteshim tek këto krijime duke lexuar poetët botërorë në përgjithësi dhe poetët dhe poezinë tuaj në përgjithësi. Ne shikonim më tëpër krijimet sesa anën teorike sepse ana teorike, tek ne ishte shumë e ndaluar. Ju kishit më shumë liri e poashtu edhe kritikët tuaj, kishin më shumë liri. Prandaj edhe sot e kësaj dite, inteligjenca e kritikës tek ju, është shumë më e fortë sesa këtu tek ne. Akoma tek ne nuk e kemi bërë kapërcimin e personaliteteve të mëdha, të vërteta e të fuqishme të kritikës. Nuk është se neve na kanë ndihmuar kritikët, por ne krijuesit vetë kërkonim dhe ne mbështeteshim vetë në krijimin tonë. Po e kemi dëgjuar atë “Vox clamantis in diserto – Zëri I humbur në shkretëtirë”.

Fatos Arapi: Vëllau i juaj Vllashi, është mjaftë i pranishëm në poezinë tuaj, ju keni shkruar edhe një libër për të. Ai ishte luftëtar në LNÇ, por fati deshti që ai të pësojë mu nga ata bashkëluftëtarw. Si duket edhe ju keni pasur mjaftë probleme nga qeveria e atëhershme?

Fatos Arapi: Po, kam pasur shumë probleme. Të flasim hapur, e kam pasur mbi kokë gjithmonë familjen Shehu, pra familjen e Mehmet Shehut e kam pasur gjithmonë mbi kokë. Por, megjithatë, në kushtet në të cilat kam kaluar, është për t’i thënë zotit, shyqyr që arrita në ditët e sotme, që arrita të jem gjallë.

Blue Sky: Ku vete letërsia shqipe sot?

Në çështjet e letërsisë, nuk mund të flitet kështu. Unë e kuptoj dhe dëgjoj gjithnjë ankime. Letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar. Shembull le të marrim vitet ’35. Nuk ka qenë vetëm Lasgush Poradeci, po në vitet ’35 këtu ka pasur një gjeneratë të tërë shkrimtarësh. Ka qenë Ali Asllani, ka qenë Asdreni, Fishta, pastaj të rinjtë Petro Marko, Nexhat Akiu, kanë qenë plotë, mirëpo në një moment të caktuar, poezia bën sintezënë e vet dhe del një talent I fuqishëm I cili sintetizon të gjitha këto. Kështu p.sh. një sintezë e tillë është edhe poezia e Lasgush Poradecit, e cila nuk mund të themi se përfaqëson të gjithë këtë gamë të madhe të poezisë shqiptare, që ekzistonte atëherë. Natyrisht Fishta ishte një Fishtë, Ali Asllani ishte një Ali Asllan, Asdreni qe një Asdren, Lasgushi një Lasgush, por sidoqoftë vëheshin sintezat, kështuqë nuk duhet të jemi pesimist në këto gjëra dhe nuk duhet t’i kërkojmë në letërsi përnjwherësh gjërat. Ato sinteza janë sinteza historike, historia I bwn ato zhvillime.

Blue Sky: A mund të shikohet letwrsia si në të kaluarën e copëtuar, pasiqë nuk ekzistojnë më kufinjtë në hapësirëën shqiptare?

Fatos Arapi: Jo, jo jo. Sot letërsia shqiptare mendoj unë, ka mundësi komunikimi, mundësi leximi. Gjithnjë e më shumë është duke u bashkuar, janë duke u shkrirë njëra me tjetrën dhe duke patur ndikime njëra mbi tjëtërn. Unë p.sh, shoh ndikime të ndryshme tek të gjithë poetët qoftë edhe tek vetevejta ime. Ndikohem qoftë edhe nga një poetë I ri, I cili më jep një figurë shumë të bukur p.sh në një poezi ec një figurë shumë e bukur, unë ndikohem menjëherë. Unë mendoj se poezia shqipe sot, i ka të gjitha kushtet që të eci bashkarisht dhe bashkërisht do të eci, s’ka se si ecën ndryshe.

Blue Sky: Sa është e pranishme letërsia shqipe në hapësirën evropiane?

Fatos Arapi: Pengesa e madhe është vetëm gjuha. Është gjuha që është një gjuhë e vockël dhe është një gjuhë ndoshta, ndoshta, e vështirë për t’u mësuar. Pastaj janë shteti dhe politika jonë, qw nuk I japin rëndësi fare problemit të përkthimeve kështuqë, përkthimet janë bërë monopol të disave, të cilëve të them të drejtën, unë nuk iu afrohem fare e as nuk u jam afruar ndonjëherë, as nuk do të provojë. Unë shikoj punën time por, letërsia shqipe si letërsi, është letërsi që ka personalitete shumë të fuqishme. Shkrimtarët shqiptarë, e kanë krijuar atdheun e tyre estetik tashmë. Shqipërinw estetike. Kjo është shumë më e rëndësishme sepse kjo do të edukojë brezat e ardhshëm, do të kalojnë këto tollovira që kalojmë neve tani, do të vijnë brezat e ardhshëm, e ata do të edukohen nga atdheu estetik. E nënvizoj ATDHEU ESTETIK, që kanë krijuar shkrimtarët shqiptarë me gjeneratat e tyre. Dhe këto gjenerata, e kanë bërë mirë, e kanë bërë me dinjitet, e kanë bërë me një kulturë të fortë evropiane, detyrën e tyre ndaj këtij atdheu estetik të tyre.

Blue Sky: Fërkimet në mes të krijuesve janë të pranishme. Si i shihni ju z. Arapi?

Fatos Arapi: Ajo është e natyrshme fare, as mos u trondisni fare. Që në kohët antike, Juvenali, poeti romak, thoshte “ Po ku ka në Romën e vjetër një kënd që nuk punohen pranga për poetët”? Edhe unë kam një poezi që them që “poetët lindin me pranga në duar…”. Poetët lindin me pranga në duar, por ata nuk i shohin prangat. Kjo është ana e mirë e tyre. Ata nuk i shohin prangat sepse ata ndjekin idealet e lirisë, idealet e humanizimit, idealet e njerëzimit, të poezisë së tyre, të anës së bukur, të harominsë, të dashurisë midis popujve, midis njeriut, të zhbirimit të shpirtit njerëzor, I cili është kaq i pasur. Kështuqë, edhe pse lindin me pranga në duar poetët, vazhdojnë punën e tyre dhe poezia vazhdon punën e saj. Megjithëse thonë të zhduket, jo andej e jo këndej, ato nuk janë asgjë, poezia do të jetojë sa të jetë njerëzimi.

Blue Sky: A kemi ne shqiptarët, kandidatë të denjë për çmimin Nobel për Letërsi?

Fatos Arapi: Këtu më vure në një pozitë jo të mirë. Këto çmimet janë nganjëherë fatet, janë momente komplekse, bile bile, ishte një tezë e madhe që thoshte se nganjeherë çmimet i zhvlerësojnë shkrimtarët dhe poetët, por nuk kemi çka ju bëjmë. Derisa ekzistojnë, ekzistojnë. Nuk di çka të them për ato punë.

Blue Sky: A mund ta përmendësh ndonjë nga shkrimtarët tanë, që ti do ta nominoje për këtë çmimim?

Fatos Arapi: Për çmimin Nobel? Ta nominoja unë? Nuk do të pranoja ta bëja këtë punë, jo se ka apo nuk ka. Mund të ketë, mund të mos ketë por, unë vet nuk do të guxoja dhe nuk dua që të merrem me këtë punë që të përcaktojë sepse për mua nuk ka shumë rëndësi.

Blue Sky: Diçka për fund?

Fatos Arapi: E para dhe e gjitha, të studiojnë vetëveten, shpirtin e tyre, ta kultovojnë shpirtin e tyre, ta bëjnë atë shpirt me të vërtetë një shpirt të një njeriu të epokës në të cilën jetojmë, epokë e cila është me të vërtetë shumë e zhurmshme, shumë e vrullshme, por që jep mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e shpirtit njerëzor. Mbi të gjitha, ne shqiptarët, kemi nevojë të njohim vetvetën, të njohim historinë tonë, sidomos të kaluarën historike dhe të mos e ulim kokën para askujt. Por në të njejëtn kohë, të kemi dashuri, respekt, dinjitet për çdo njeri, për të gjithë. Për fqinjët, për njeriun në përgjithësi. Liri, njerëzi dhe dashuri midis njerëzve. Ky është mesazhi im.

No comments: