Thursday, June 26, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--MERITA B.McCormack-Mbresa




Muzika shqiptare magjeps artdashësit e kryeqytetit amerikan të Shteteve të Bashkuara.

Merita Halili dhe Raif Hyseni me orkestrën e tij ngrejnë peshë dy nga sallat dinjitoze në Uashington DC

Botoi ILLYRIA 24 Qershor 2008

Nga Merita Bajraktari McCormack

Foto: Stephen Winick

American Folklife Center, Library of Congress


Uashington DC

Me 18 dhe 19 Qershor 2008, Merita Halili dhe Raif Hyseni së bashku me orkestrën e tij ishin ftuar për dy koncerte në kryeqytetin Amerikan, Uashington DC. Koncertet u sponsorizuan nga “Millenium Stage”-Skena e Mijëvjeçarit” e Qendrës Artistike Kulturore “Kenedi” dhe nga Qendra Amerikane e Folklorit, pjesë e Bibliotekës së Kongresit Amerikan. Me 18 Qershor koncerti i parë u dha në sallën e Qendrës Artistike Kulturore “ Kenedi” kurse koncerti i dytë u dha në Auditorin “Coolidge” te ndërtesës “Xheferson” të Bibliotekës së Kongresit Amerikan. Qindra spektatorë mbushën sallën e Auditorit “Coolidge”. Në koncertin e dytë, morri pjesë Zj.Elvana Shtëpani,Sekretare e Parë e Ambasadës Shqiptare në Uashington, zonja Diane, një nga drejtueset kryesore të Bibliotekës, Zj.Anne Harrison, Librare e Rrjetit FEDLINK,Z.Grant Harris, Shef i Dhomës Europiane të Bibilotekës së Kongresit, Zj.Peggy Bulger, Drejtoreshë e Qendrës Folklorike Amerikane , Z.David A.Taylor, shef i Departamentit të Kërkimeve dhe Programeve pranë Qendrës Folklorike Amerikane,Zj.Thea Austen,Koordinatore e Ngjarjeve Publike, editori i Bibliotekës Z.Steve Winick, Z.Larry Weiner, specialist i muzikës së Ballkanit dhe përfaqësues i Qendrës së Muzikës Tradicionale Bullgare “Lyuti Chushki”, përfaqësues amerikanë të grupeve të ndryshme folklorike në Shtetet e Bashkuara si dhe shumë shqiptarë që banojnë në zonën përreth kryeqytetit amerikan dhe dëgjuan për këtë koncert. Koncerti në Bibliotekë ishte rreth drekës dhe të shihje sallën e mbushur plot, kuptoje se njerëzit dashamirës së artit të Merita Halilit, Raif Hysenit e orkestrës së tij nuk ngurruan të linin punën apo shkollën dhe të shijonin atë magji të artit shqiptar që u shpalos aq bukur dhe fuqishëm atë ditë pranvere.

Koncertet

Unë nuk morra dot pjesë në koncertin e datës 18 Qershor, por isha me fat të shijoja atë të datës 19. Nga lajmet e Zërit të Amerikës ,seksioni shqip, mësova për një pjesmarrje masive më datën 18 dhe pashë mesazhet që Merita dhe Raifi i përcollën artdashësve dhe shqiptarëve në veçanti. Ditën tjetër, morra të tre fëmijët e mij ,si edhe një shoqe të vajzës dhe u gjendëm në sallë rreth orës 11:30 për të siguruar vendet.Më kujtohej se në Shqipëri ishte e pamundur të gjeje bileta në ditën e parë ose të dytë të koncerteve të Meritës,edhe pse mund te ishte në Pallatin e Sporteve. Eksperinca të mëson!

Nancy Groce, anëtare e stafit per realizimin e ketij koncerti ishte ajo që na përshëndeti tepër ngrohtësisht ne fillim dhe na drejtoi për në sallë . Pas pak minutash ajo erdhi sërish dhe na prezantoi me organizatorët e koncertit. Ajo ndjehej mirë dhe entuziaste që do dëgjonte muzikë shqiptare per të parën herë në skenën e atij auditori. Pas takimit dhe bisedës me Zj.Elvana Shtëpani e cila ishte sa entuziaste aq dhe krenare për artistët bashkëkombas, për koncertin, por edhe e preokupuar me shqetësimet aktuale për të ndihmuar në promovimin e kulturës sonë , u takuam me Z.David A.Taylor, Zj.Thea Austen, dhe Zj.Peggy Bulger. Ata ishin kuriozë,entuziastë, dhe disi të habitur nga talentet që kishin hasur tek Merita dhe Raifi dhe djemtë e orkestrës, një natë më parë në Kenedi Center. Zj.Peggy Bulger e hapi mbasditen duke shpjeguar historinë dhe prezantoi Zj. Ethel Raim e cila foli pak për Qendrën e Muzikës dhe Vallëzimit Tradicional në Nju Jork dhe pastaj bëri prezantimin dinjitoz të Meritës dhe Raifit tonë.



Unë nuk “po rrija rehat”, e dija biografinë e tyre, por i thashë vetes: “bëj durim se amerikanët nuk e dinë…” Fletëpalosjet me ngyrë rozë, që prezantonin çiftin tonë simpatik, ishin në qendër të vemendjes së publikut dhe ishte kollaj te dalloje shqiptarët në sallë të cilit,si unë, mezi po prisnin të dilnin në skenë artistët. Hapet dera dhe i pari me kostumin popullor del Raifi, që si shumë artistë të tjerë shqiptarë në xhamamadanin kuq si zjarri kishte të qëndisur shqipen dykrenare. I qeshur, i dashur duke përshëndetur audience, ai fton kolegët e tij të orkestrës në skenë, dhe pasi zunë vendet, filloi argëtimi fantastik. Me duart e tij magjike Raifi shpalosi edhe njëherë atë talent dhe autoritet professional të rrallë, duke luajtur në fizarmonikë, me buzëqeshjen në fytyrë me fokusimin maksimal në instrument dhe në rithëm, ai i dha drejtim orkestrës e këngëtares përgjatë koncertit. Fillimi sihte një potpuri instrumentale që përmes fizarmonikës së Raifit, klarinetës se Maksim Vathit, kitarave të Mirxhen Darovës dhe Tom Leshajt si dhe daulles se Sevimi Ymerit, nuk la duar pa përplasur dhe nuk la sy pa lotuar. Nuk mundesha të mbaja lotët, sidomos kur interpretuan valle popullore të krahinës sime. “Qaj Minushe” më solli kaq lotë e emocion si dhe sa e sa kujtime. …dhe jo vetëm mua…Plot bashkëkombasve tanë, ndërsa amerikanëve, jam e sigurt iu bënin përshtypje të tjera gjëra. Ata mahniteshin-siç do pohonin më vonë, gjatë bisedave pas koncerti me ritmin, sintoninë, shpejtesinë e duarve, koordinimet dhe meloditë.

Pas kësaj në skenë del e veshur me kostumin popullor të Shqipërisë së mesme, qëndisur në ar dhe argjend artistja Merita Halili që ka shpirtin si zëri i saj..mrekulli. E qeshur, e dashur, me një prezencë skenike unike, ajo pushtoi audiencën që me strofat e para të këngës “Lule të Bukura ka Tirana”. Muzika nuk njeh kufi. Kjo dekalratë e mirënjohur u ilustrua edhe atë ditë më 19 Qershor, në zemër të Uashingtonit. Merita bëri auditorin për vete menjëherë.Nuk mbeti këngë pa u shoqëruar me duartrokitje dhe nuk mbeti zemër pa shtuar ritmet e trokitjes në kraharor. “Jelekun kadife”, “Dola në Penxhere” “Jam Jabanxhi” ishin tre këngët që pasuan dhe pas duartrokitjeve të gjata Raif Hyseni i shpjegoi publikut me një anglishte të bukur se c’farë kuptim kishin këngët paraprirëse .

Ai si një diplomat i shkolluar posaçërisht, diti të falenderojë organizatorët e koncertit dhe pastaj bëri një hyrje të këngëve që do të pasonin. Ai shpjegoi kuptimin e tyre. Ajo që më ngjalli një emocion të paharruar ishte moment kur Raifi me një patriotizëm të justifikuar shfrytëzoi një nga skenat më të famshmë në Amerikë të shpjegojë se ku banojnë shqiptarët në Ballkan, përmendi Trojet Etnike në Kosovë e Mal të Zi në Maqedoni dhe përmendi edhe Camërinë. Ai tregoi për folklorin e pasur sipas trevave dhe përmendi që ne jemi një komb,një kulturë, por çdo krahinë shqiptare ka një veçori dalluese dhe shtoi se pavarësisht se Merita është e mirënjohur për folklorin e Shqipërisë së Mesme, ai tregoi se ajo dhe ai,së bashku me orkestrën e tij , në atë skenë të respektuar përfaqësonin muzikën folklorike shqiptare si të plotë dhe kështu i dha udhë interpretimit të mrekullueshëm të një kënge shqiptare nga Maqedonia dhe më tutje për të ndezur flakë sallën me këngën kosovare “Mihane”. Raifi si një mjeshtër dirigjues udhëzoi audiencën të marrë pjesë në këngë me frazat “Hopa” dhe “Hajde” dhe sinqerisht, tek shihja amerikanët me poste madhore në atë institucion të këndonin shqip, u ndjeva shumë e ngazëllyer se pashë gëzim dhe nderim, pashë liri dhe mirënjohje. Kujt i kishte shkuar në mendje, jo më shumë por njëzet vjet të shkuara, që Merita Halili do tundte sallën e Bibliotekës së Kongresit Amerikan dhe se një adashe e saj, një vajzë e varfër nga Devolli, e izoluar dhe persekutuar familisht për arësye politike do të shkruante këto radhë për atë koncert, kur Kosova do te ishte shpallur Republikë dhe komunizmi do kishte marrë tatëpjetën e ngadaltë? Edhe të ëndërroje për këtë dhe të tregoje të nesërmen ëndrrën patjetër do kishe përfunduar me akuzën “agjitacion dhe propagandë” mbas hekurave të burgjeve komuniste. Ndërsa ameriaknët e lindur të lire, dinë të shijojnë larine, por dinë dhe të respektojnë lirinë e tjetrit. E tek Larry Weiner lunte “Vallen e Rrugovës”” nga vendi ku ishte ulur, nën tingujt e artistëve shqiptarë, unë qeshja dhe qaja me lotët e kujtimeve,gëzimit të suksesit të miqve të mij dhe krenohesha me kulturën e pasur të popullit tim shoqëruar me keqardhjen e së shkuarës….

Për të mbajtur premtimin si përfaqësuese e kombit dhe artit folklorik shqiptar, Merita interpretoi një potpourri këngësh nga Jugu I Shqipërisë duke pëerfshirë edhe versionin polifonik të këngës “U mbush mali plot me rrush”. Pa i thënë verbalisht spektatorëve, Merita i foli atyre tek i ftoi me mikrofonin drejtuar atyre, ti bashkoheshin asaj dhe Raifit ne këngë, ishte kaq bukur të dëgjoje fraza të folklorit shqip kënduar prej spektatorëve.

Ndoshta im atë, nëse e shihte këtë koncert, jam e sigurt që do thoshte “Tamam muzikë e pastër shqiptare!”. Them kështu pasi sot në folklorin shqip janë future shumë huazime të panevojshme, ndërsa Merita dhe Raifi e kultivojnë dhe e pasurojnë artin shqiptar me profesianlizëm e pasion duke e mbajtur atë njëqind për qind shqiptar. Raifi shprehet se: “MUZIKA ËSHTË GJUHA E NJË KOMBI”. Një përcaktim filozofik ky , i këtij artisti patriot. Ai me të drejtë dhe plot pasion shprehet ne ketë formë jo vetëm sepse është i ndërgjegjshëm për kontributin unik të Meritës dhe të vetin e kolegëve të orkestrës, por edhe si thirrje për ata që e kultivojnë artin shqiptar kudo që jetojne e punojnë. Për artistët në Shqipëri e trojet tona ne Ballkan, shembulli i artistëve shqiptarë në Emigracion, e në veçanti në Shtetet e Bashkuara, sidomos shembulli I kontributeve me vlerë, si ky në fjalë në kryeqytetin Amerikan, janë më tepër se sa ilustruese i thënies Noliane: “Mbahu Nëno Mos Kij Frikë, se Ke Djemtë në Amerikë”

Njëri prej spektatorëve amerikanë, ulur pranë meje, më tha në shqip se e kuptonte strofën “bjeri gajdes gajdexhi, bjeri më t’u thafte dora ..gajdexhi ezmer i ri , po të prêt e gjora…. “ por këtë fjalën “e xhora” më tha se gjej dot ne fjalorthin që kam …” Ia shpjegova kuptimin figurativ dhe ai vazhdoi të vallëzojë duke i shpjeguar shoqes në krah, ndërsa unë doja të zgjateshin edhe ato minuta që kishin mbetur me shqiptarët e mij, prezentë në skenë, për të shijuar më shumë këngët e vallet e fundit, por edhe për të marrë premtimin e Meritës dhe Raifit që do të rikthehen sërish në këtë skenë për të sjellë më shumë nga repertori i tyre i pasur.Ky premtim ishte edhe dhurata tjetër që spektatori pëlqeu shumë, pasi natyrisht ata donin më shumë nga zjarri i ndezur në shpirtrat e tyre donin më shumë nga magjia e folklorit shqiptar.Këtë e treguan nga duartrokitjet e gjata dhe brohorritjet e shumta….

Shkëndijat e para për të realizuar këtë concert…

Zj.Thea Austen, Kordinatorja e Ngjarjve Publike në Qendrën Amerikane Folklorike të Bibliotekës së Kongresit Amerikan dëgjoi për herë të parë një artiste shqiptare nga Tirana dhe një instrumentist shqiptar nga Mitrovica e Kosovës, të interprentonin në skenë direkt në një nga koncertet e organizuara në “Balkan Camp-Kampet Folklorike Ballkanase”

“Rashë në dashuri menjëherë me këtë çift interpretuesish me nivel të lartë”,- më tregon ajo. “Nuk munda t’i rezistoja dot dëshirës për të mundësuar një koncert të tyre në Uashington DC, ku kolegët e mij, publiku folkdashës të shijonte atë që unë shijova ato momente.” Dhe kështu filloi procesi,-shpjegon ajo,- që zgjati shumë,por që realizoi një dëshirën time të kahershme që e bazoja në një fakt të vërtetë.Ishim me fat tregon Thea, qe sivjet ne serinë e koncerteve vjetore të kishim një vend të lirë, vetëm, dhe përkoi si me programet e Qendrës Folklorike Amerikane pranë Bibliotekës së Kongresit ashtu edhe me dyzet vjetorin e Qendrës se Muzikës e Vallëzimit Tradicional të Nju Jorkut-pjesë e të cilës janë Merita ,Raifi dhe orkestra e tij.

Zj.Austen falenderohet shumë që jehona e ketij koncerti do të gjejë vend ne shtypin shqiptaro-amerikan dhe ndjehet edhe më shumë krenare për zgjedhjen që bëri dhe e mundësoi të realizohet.

Programet e Qendrës Folkorike Amerikane dhe koordinimet me shtetet e ndryshme .

“American Folklife center HOMEGROWN The MUSIC OF AMERICA 2008 -Traditional Ethnic and Regional Music and Dance Concerts from the Library of Congress”

Kjo frazë është në krye të lajmit në broshurën që shpërndajnë organizatorët. Pyes Zj.Austen se si u mundësua inkuadrimi i Merita Halilit dhe Raif Hysenit dhe ajo më shpjegon se brenda pesë-gjashtë vjetësh organizohen pesëdhjetë koncerte të ndryshme me shtatë deri në nëntë koncerte në vit me muzikë tradicionale që mund te ketë bazë etnike dhe që vazhdon të kultivohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo thekson se pavarësisht se muzika është tërësisht etnike, per Institucionin që ne perfaqësojmë, vazhdon ajo, ata artistë kosniderohen si të shtëpise, pra folkloristë amerikanë”

Merita Halili dhe Raif Hyseni janë pjesë e Qendrës të Muzikës dhe Vallëzimit Tradicional të Nju Jorkut dhe si pjesë e kësaj qendre ata janë zgjedhur si interpretuesit më të mirë për të përfaqësuar folklorin e shtetit të Nju Jorkut sivjet, dhe aq më tepër që sivjet kjo qendër feston edhe dyzet vjetorin e krijimit të saj.

Drejtoresha egzekutive e kësaj qendre,Zj Etel Raim, ishte shumë e lumtur që Merita Halili dhe Raif Hyseni me orkestrën e tij përfaqësuan denjësisht Nju Jorkun, qendrën që ajo drejton dhe natyrisht të gjithë ne Shqiptarët kudo ku ndodhemi.

Pas Koncertit

Merita dhe Raifi se bashku me instrumentistët e grupit dukej sikur ishin më të freskët se kurrë. Ata përqafoheshin me miq, kolegë, autoritarë e dashamirës, fotografoheshin,flisnin lirshëm me këdo dhe natyrisht falenderimet e tyre ishin pjesë e rëndësishme e çdo bisede.Pyeta Zj.Anne Harrison se ç’mendonte apo ç’farë i kishte pëlqyer më shumë?

“Teknika e Meritës,- tha ajo është unike,e pabesueshme.”!.

“Ajo ka një prezencë skenike te sajën, të lindur”, insistonte Larry Weiner.

“Gishtat e Raifit” u shpreh një vajze e re, plot emocion, të cilës nuk ia morra dot emrin… “ishin kaq elegante dhe fokusi i tij më mrekulloi-,” vazhdoi ajo.

“Ritmi në daulle” u shpreh Karolina, mikja e sime bije...Duke u pajtuar me ta, përqafova bashkëpatriotët e mij Merita, Raif dhe koleget e tyre të orkestrës ,me shpresën se do shihemi sërish duke i falenderuar për këtë koncert që shënohet si historik per nga koha, rëndësia dhe vlera.

Me ta u mburr Nju Jorku në Uashington dhe ne, patritotët e tyre veçse ndajmë gëzimin e suksesit të tyre duke i thënë BRAVO dhe JU LUMTË!

Shpresoj te kem sjellë pak ngrohtësi nga ajo flakë që ndezi qindra shpirtra dhe që i dha edhe pak më shumë pozitivitetit te imazhit tonë kombëtar. Faleminderit Merita, Raif,Maksim, Mirgjen, Tomi e Sevim. Fotot që shoqërojnë artikullin janë kortezi e Z.Steve Vinick, redaktor dhe shkrimtar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan..

Washintgon, 22 Qershor 2008

Merita Bajraktari McCormack

http://www.panalbanianwomennetwork.net

No comments: