Tuesday, June 24, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--MIMOZA DAJCI-Esse

26 Qershor - Dita Ndërkombëtare e
Përkujtimit të Viktimave.


Nga Mimoza Dajçi
New York


26 Qershori është përcaktuar si Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Torturës nga Zyra e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Eshtë zgjedhur pikërisht kjo datë pasi më 26 qershor të vitit 1987 ka hyrë në fuqi Konventa e Kombeve të Bashkuara kundra Torturës dhe Veprimeve të tjera Çnjerëzore Denigruese. Çdo vit më 26 qershor, mijëra njerëz në regjione të ndryshme të botës i bashkohen zërit kundër torturës. Kjo datë ka për qëllim Mbështetjen e Viktimave të Torturës dhe marrjen e masave parandaluese të saj në Botë. Disa nga Nenet e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës janë:

Rehabilitimi

Ku viktima duhet të trajtohet me shërbime fizike e psikologjike, këshillime sociale e terapi të ndryshme sipas nevojës.
Kompensimi
Tek kompensimi përfshihet ai financiar për të financuar të gjitha dëmet e shkatuara ndaj viktimës në çdo kohë e rrethanë që janë kryer ato në dëme monetare dhe jo monetare, fizike, morale dhe shpirtërore.
Të drejtat e mospërsëritjes
Ky Nen - synon që Viktimat e Torturës të dëmshpërblehen për të këqijat dhe keqtrajtimet që i janë bërë duke ia rimëkëmbur dinjitetin e saj. Këtu përfshihet edhe dëmshpërblimi nga Shteti për pranimin e atij akti të kryer së Torturës. Marrja e masave për garantimin e mos përsëritjes së Torturës nga Shteti mund të bëhet përmes dokumentimit të praktikave të Torturës, ose bërjes së ndryshimeve legjislative në përputhje me detyrimet e Ligjet Ndërkombëtare, si dhe duke mos lejuar ushtrimin e torturës.
Akoma edhe sot sipas vëzhgimeve të Kombeve të Bashkuara rezultojnë 105 shtete që ushtrojnë torturë mbi viktimat njerëzore. Po sipas një raporti të Amnesty International, tortura përdoret në më shumë se një të tretën e vendeve në botë. E duke ndjekur me kujdes dokumenta e literatura që flasin mbi Torturën do të shohim se ajo ka për qëllim shkatërrimin e individit, e të thyejë personalitetin e tij. Torturuesit e dinë që tortura mund të shkatërrojë mendjen pa vrarë trupin. Metodat e torturës janë fizike dhe psikologjike. Janë specifikuar disa lloj torturash, si ajo fizike, elektrike, e mbytjes, tortura seksuale, djegia, farmokologjike, gjymtimi, tortura dentale etj. Tortura është një goditje e rëndë ndaj integritetit fizik e psikologjik të qënies njerëzore dhe poshtërimi më i ulët që mund të imagjinohet. Një nga shtetet që ka ofruar trajnim profesional për viktimat dhe familjet e tyre është edhe Danimarka, e cila ka qenë e para që ka ngritur edhe në Shqipëri Qëndrën e Rehabilitimit të Torturës.
Dihet dhe është konstatuar se pas arrestimit të burrit në familje, gruaja dhe fëmijët kanë përjetuar një përvojë traumatike: që le mbresa të thella dhe shkakton probleme psikologjike. Prandaj edhe gruaja e femijet duhet te marin patjeter trajtim mjekesor. Në rast se burri ka qënë i vetmi njeri që fitonte bukën, gruas do t’i duhet të punonte shumë për t’ia dalë mbanë. Ajo në atë rast është fyer shumë keq nga shoqëria, guardianët e burgut, apo është distancuar edhe nga të afërmit e familjes, siç ka ndodhur edhe në vendin tonë ku motra nuk i fliste motrës e vëllai motrës sepse i kishin arrestuar apo pushkatuar të shoqin. E ajo ose duhej të bënte divorcin me të që të afrohej nga shoqëria apo rrethi i saj familjar ose të vuante së bashku me fëmijët e saj.

Në vendin tonë
Me vendosjen e diktaurës komuniste në Shqipëri filluan edhe arrestimet në masë. U ngritën burgje të shpalluara e të pashpalluara, kampe pune të detyruara si për burra ashtu edhe për gra. Kishim në atë periudhe asgjesime të fshehta për ish të burgosurit politikë. Kishim nëpër burgje politike qytetar të huaj, shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, ndodhi në atë periudhë grabitja e arit në masë. Pra shkatërrimi dhe tortura për afro gjysëm shekulli ishin prezente në vendin tonë. Kanë shkruar disa ish të burgosur politikë si At Zef Pellumbi, Marie Dvorani Medicina, Agim Musta, Pjetër Arbnori, Bedri Çoku, Esat Çoku, Lekë Mirakaj, Caush Çoku, Tomorr Aliko, Visar Zhiti, Luan Myftiu, Uran Kostreci, Tanush Kaso, Bedri Blloshmi, Zoterinjte Uran Butka, Pjeter Pepa, Kostaq Xoxe, Vesel Kulla, etj, etj. Por akoma ka vend për të hedhur në letër dëmet e torturat që ka përjetuar nga komunizmi populli ynë i pafajshëm.
Duke qënë se kam bashkëpunuar nga afër me Shoqatën e Grave ish të Burgosura e të Persekutuara Politike si dhe me shtypin e ish të Përndjekurve Politikë, do të përmend disa emra të grave që u burgosën, vranë, torturuan, e internuan, të cilat me qëndresën e tyre i bënë sfidë diktaturës si: Musine Kokalari, ku për nder të figurës së saj shkrimtari Agim Musta ka themeluar edhe Fondacionin “Musine Kokalari”, Marie Dvorani Medicina, Marie Tuci, Hanife Karakula, Bardha Bushkola, Marta Doda, Shanisha Dosti, Tefta Tasi, Ana Daja, Adile Boletini, Agime Pipa, Hava Golemi, Dylbere Zeneli, Jolanda Karbunara Tahmizi (italiane), Rita Koçi, Zybejte Alizoti etj, etj. Vitet e fundit edhe në Shqipëri përkujtohet kjo datë për nder të ish të pushkatuarve, burgosurve e të internuarve politikë. Përpara se të vija në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më kujtohet shumë mirë se shumë aktive në këtë drejtim ka qenë edhe Shoqata e Grave ish të Burgosura dhe të Persekutuara të Shqipërisë me Kryetare ish të burgosurën politike Zj. Marie Dvorani Medicina. Ajo mbështetej edhe nga ish të burgosur të tjerë politikë si Esat Çoku, Mois Mirakaj, Agim Musta, Fiqiri Muho, Tanush Kaso, Jolanda e Hamit Tahmizi, Fatime Dega etj.
Eshtë për të ardhur keq por kjo shtresë akoma nuk është integruar plotësisht në vend si në vendim-marrje, politikë e dikastere të rëndësishme të vendit. Dihet se tranzicioni nuk është i lehtë për një vend si Shqipëria që kaloi diktaturën më të egër në Europë, por sidoqoftë duhet të bëhet kujdes më shumë me këtë shtresë. Nuk vihen re shenja pendimi, reflektimi nga torturuesi, për krimet e së shkuarës. Nuk ka falje publike apo gojore nga askush. Edhe pse ata dihet se kush janë, por ata krimet e tyre i quajnë akoma “anonime”. Në Shqipëri akoma drejtojnë nëpër institucionet qendrore ish torturuesit e viktimës, disa të deklaruar e disa jo. Por besojmë se viti 2009 s’ka për ta gjetur më vendin tonë me kandidatë për deputet në parlamentin e ardhshëm me ish bashkëpuntorë të sigurimit të shtetit. Duke u mbështetur kështu edhe tek deklarata e Zëvëndës Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës deputetit të Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj ku thotë se: “Kryeministri i vendit Z. Sali Berisha ka mandatuar një draft të ri për ish bashkëpuntorët e sigurimit që të mos përfshihen më në politikë dhe institucione serioze”.
Por pakënaqësia e kësaj shtrese përveç të tjerave është edhe në një pikë tjetër, sepse nuk janë përfshirë në draftin e dëmshpërblimit të pushkatuarit që s’kanë lënë mbrapa trashëgimtarë, gruan, fëmijë apo prindër, por vetëm motra e vellezër që s’kanë të drejtë për t’i përfituar këto dëmshpërblime të tij, ndërkohë që në Shqipëri persekucioni arrinte deri në 4 breza.

No comments: