Wednesday, June 18, 2008

Bota e Gruas Shqiptare-RAIMONDA MOISIU-Rrefim per nje arratisje te madhe



Ne foto Refati dhe Hania

Fizikisht tërë jetën në arrati, shpirtërisht dhe sytë me lot malli nga Atdheu!
(Historia e arratisjes së bujshme të tetë bijve nga Kamenica e Korçës,shtate burrave dhe nje grua)

Nga Raimonda Moisiu.
Hartford CT USA

Unë, shoku i Enver Hoxhës që u arratisa në Australi

Ka ndarë vitet e rinisë me Enver Hoxhën, Ymer Dishnicën, Mikel Zavalanin, Safet Butkën, Koci Xoxen e dhjetëra ish-liceistë të Korçës së viteve ‘30 dhe ka përqafuar idealin e tyre për një Shqipëri të lirë. Ishte ndër të parët që u rreshtua në barrikadat e lëvizjes antifashiste, por do të zhgënjehej menjëherë kur ditët e lirisë do të binin në prangat e komunizmit. I ndarë përgjithmonë me miqtë e hershëm, do të merrte rrugën e arratisë për të ikur larg, sa më larg.
Ndërsa jeta e Refat Hysenit ndiqte këtë metamorfozë, duke ndërruar atdheun e dashur me Australinë e kontinentit të skajshëm, prapa do të mbeteshin kujtimet e fëminisë dhe përjetimet nga Kamenica ku kishte lindur dhe ishte burrëruar, të cilën nuk kishte dashur ta ndërronte me asgjë në botë. Më shumë se sfidë mbijetese, arratia për të, sikundër edhe për qindra të tjerë, ishte një lloj proteste ndaj diktaturës që pllakosi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore. Refat Hyseni u bë pjesë e atyre intelektualëve që me forcën dhe vitalitetin e tyre demonstruan haptazi të vërtetën se “Atdheu nuk kishte jetë, nuk merrte frymë", se duhej diçka të ndryshonte për një shtrirje më të gjerë të sferave gjithëpërfshirëse të jetës, për atë ideal që ata kishin luftuar, për një të ardhme të brezave në vazhdim, për të hedhur themelet e një shteti demokratik. Ata duke u ngritur mbi terrorin komunist shprehen entuziazmin e tyre për "botën e ndaluar", për botën jashtë mureve të Shqipërisë, “këtij shkëmb graniti”, siç e propagandonte ideologjia komuniste.
Nuk ishte thjesht një mospajtim me realitetin e ri që dominoi vendin pas çlirimit nga okupatori, po shumë më tepër nga kaq. Rebelimi i atyre që kishin qenë protagonistë të lëvizjes antifashiste, ish-shokëve të armëve e të idealit të liderëve komunistë, i atyre që u paraprinë zhvillimeve të rindërtimit, u bë opozita e parë që doli kundër rrymës së gënjeshtërt, hipokrite, vrastare. Të kryqëzuar përballë represionit të egër, ata duhej të rrezikonin për t’u arratisur. Për t’u larguar sa më larg mortajës që ripushtoi Shqipërinë pas luftës antifashiste.


Sfida për të mbijetuar
Kur u kthehet çasteve të arratisjes, Refat Hyseni, tashmë 85 vjeç, thotë se kanë qenë momentet më të vështira të jetës së tij. E zgjedhur si rruga e vetme për mbijetesën njerëzore, arratia për të ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme. Gjithsesi, shton ai, gjërat shkuan për mbarë e falë zotit gjithçka rrodhi pa shumë sakrifica. E bloi në kokë këtë vendim Refat Hyseni një ditë maji teksa punonte në oborrin e vet, aty në fshatin e lindjes, në Kamenicën e Korçës dhe shikonte drobitjen e nuses së sëmurë që nuk kishte me se ta kuronte. Vendosi spontanisht të ikë ndërsa shikonte nënën që me lot në sy vajtonte në heshtje se nuk kishte çfarë të gatuante për fëmijët e saj. E mblodhi mendjen top për këtë rrugë teksa përjetonte përbuzjen e shokëve të idealit, mënyrën si e flakën papritur e pakujtuar, duke i shkatërruar ëndrrat e së ardhmes. Duhej të ikte, të ikte, ndryshe duhej të zvarritej tërë jetën…
Ai mëngjes maji për të ishte shumë i rëndësishëm. Kishte pjekur në vetvete një vendim të rëndësishëm. Ndaloi për një çast punën, hodhi vështrimin rrotull dhe ja nguliti sytë malit të Kozelit, aty ku pas shpateve të tij ishte një botë tjetër, krejt tjetër nga ajo e njerëzve të tij. Andej duhej kaluar, për të prekur botën e lire, jetën e vërtetë me frymëmarrjen e lirshme…
Mendimin e fshehtë që vinte nga thellësia e shpirtit e diskutoi me vëllain e tij, Abedinin, e më pas me disa prej të afërmve e bashkëfshatarëve të tij. Pastaj me ta filloi të bëjë edhe planin. Me dorën e vet Refat Hyseni do ta përcaktonte gjithë itinerarin nga do të kalonin, duke saktësuar mirë çdo detaj e masë paraprake, çdo shteg e rrugëkalim. Mbi të gjitha duhej ta ruante sekret aventurën e rrezikshme…



Ideatori i arratisjes

Refat Hyseni, ishte njeriu që ideoi arratisjen e bujshme. I lindur më 21 shkurt 1923 në Kamenicë të Korçës, bir i një familje atdhetare, do të bëhej i njohur në fillimin e viteve ‘50 për “tradhtinë” e pabesueshme të arratisjes bashkë me shtatë pjesëtarë të fisit të tij. Arsimin e hershëm e kishte kryer në qytetin e Ersekës, ku aty ishte miqësuar e ishte bërë shokë ideali me vëllain e gjeneralit komunist, Petrit Dumes,deshmorin ,Baki Dume. Prej këtej vazhdoi studimet në Shkollën Teknike të Korçës, e cila ishte nën një strehë me liceun francez të asaj kohe. Aty jeta e tij do të merrte një dimension të vrullshëm. Kontakti dhe shoqëria me mjaft nga liceistët me ide përparimtare për kohën si Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Mikel Zavalani, Safet Butka, Koci Xoxe etj., do të krijonin te djaloshi nga Kamenica ndjenjat e një të riu që aspiron shumë për atdheun e vet. Njohja dhe krijimi i familjes me bashkëshorten, Hanijen nga Viçani i Korçës, do ta bënte më të plotë jetën e tij. Strehën e tyre në fillim do ta krijonin në qytetin e Korçës. Po vetëm për pak kohë, pasi shtëpia në të cilën jetonin ishte e dajës së tij Zalo Famës, ish-prefekti i Zogut dhe si e tillë do të shënjestërzohej nga forcat partizane, për t’u sekuestruar ndërkohë që banorët e saj do të degdiseshin në fshat. Do ta trondiste disi kjo Refat Hysenin, po si kohë lufte që ishte, do t’i nënshtrohej fatit pa kërkuar shpjegime tek ata që e kishin vënë përballë si nipin e zyrtarit të ish-mbretit. Gjithsesi, ndjenjat e tij atdhetare do t’i shfaqte në vazhdim duke ju bashkangjitur reparteve partizane që luftonin pushtuesin këmba-këmbës. Kështu deri në ditën e çlirimit. Pjesëmarrja në radhët e antifashistëve dhe diploma e shkollës së kryer, do t’i shërbente Refat Hysenit për t’u integruar në Forcat e Mbrojtjes së Atdheut, si ushtarak, në fillim toger e më pas me grada të larta. Si ushtarak do të shërbente në Vlorë, Berat, Tiranë, Kukës për disa vite me radhë, deri sa dikush do t’i zbulonte defektin në biografi, lidhjen familjare me ish-prefektin e Zogut. Do të mjaftonte kaq për t’u shpallur i padëshirueshëm për ushtrinë. Do të mjaftonte kjo që rrjedha e jetës së tij të merrte tjetër trajektore. Fillimisht e ulin në gradë, më vonë e liruan nga ushtria dhe e dërgojnë në fshat. Kjo shuplakë do të pasonte mandej me jetën e vështirë ekonomike, varfërinë në ekstrem, pakënaqësinë ndaj sistemit, diskriminimin klasor deri te përçmimi njerëzor që do ta bënin të vendoste arratinë, largimin një ditë e më parë nga realiteti represiv. Në këtë vendim padyshim kishin ndikimin e vet edhe disa ngjarje të kohës, siç ishin arratisja e shumë njerëzve, grupe-grupe dhe vendosja e tyre në vendet perëndimore. Këto arratisje të bujshme si ajo e Ekrem Bardhës me familjen nga Kolonja, ajo e grupit të Ditar Kurtesit, “mitit” të arratisjeve, që për shumë se dy dekada, do t'i bënte "zbor" sigurimit Shqiptar, duke dalë e hyrë shumë herë në Shqipëri, kishin tronditur nga themelet regjimin komunist. Refat Hyseni, ndër të tjera e kishte “dashuruar” jashtë mase figurën e Ditar Kurtezit, i cili hynte aq shpesh sa e kishin parë të bisedonte e të hante bukë me sharrëxhinjtë e Ballabanovës, Katundit, Treskës, Trebickës, Radovickës etj. Për njeriun e goditur pabesisht pse ishte i afërmi i njërit prej zyrtarëve të ish-mbretit, kishte qenë mbresëlënëse arratisja e grupit të Foto Bashos, ku plotë 85 vetë me mushkat të ngarkuara me sendet e shtëpisë kishin kaluar kufirin shtetëror ditën në diell.
Te këta shembuj Rifat Hyseni gjente forcën dhe sigurinë për vendimin e bujshëm. Rasti i tij do t’i shtohej kësaj historie që bënte fjalë për braktisjen fizikisht nga atdheu, për të mbetur të lidhur shpirtërisht me të tërë jetën…

Arratia, ankthi, shpresa
“Të ikim të shpëtojmë!”. Të parit që do t’ia bënte prezent vendimin e guximshëm, do të ishte vëllai i tij, Abedini, pastaj do të ulej shtruar me kushërinjtë Ahmet e Sali Hyska, Xhemal Ahmeti, Ali Rizai, Estref Aliu dhe në fund kur çdo gjë ishte pjekur do t’ia shpjegonte të shoqes, Hanijes. Megjithëse e sëmurë, ajo nuk i tha jo të dashurit të zemrës, atij që i kishte dhënë besën dhe i kishte falur zemrën. Dhe kështu një ditë maji bashkë me Refatin, Aliun, Rizain, Abedinin dhe Estrefin, marrin mushkat dhe shkojnë në malin e Kozelit, me pretekstin për të bërë dru. Aty përcaktojnë me detaje rrugën se nga do të kalonin kufirin, për në tokën greke. Kur kishin realizuar të gjitha masat, natën e 5 qershorit, duke u gdhirë 6 qershor 1954, të tetë, shtatë burra e një grua, lanë shtëpitë e morën udhën duke u ngjitur në fshehtësi të plotë shpatit të malit. Një sfidë i priste përpara. Prapa kishin lënë Kamenicën e dashur, njerëzit e të afërmit, kujtimet e viteve të shkuara dhe brengat e një jete të trishtuar. Pas kaq vitesh Refat Hyseni kujton me dhimbje çastet e ndarjes me nënën, e cila teksa i përcillte për larg qante nën zë dhe i uronte me fjalët e zemrës “Rruga diell!”. Deri te kufiri shtetëror me territorin e Greqisë u deshën dhjetëra orë rrugëtim nëpër errësirë, natën në shi. Çasti i kalimit të kufirit në zonën midis Nikolicës, Kozelit e Arrëzës së Devollit, ishte triumfi i parë. Aty të tetë bijtë e Kamenicës pushtohen me njëri-tjetrin, derdhin lot ankthi, shprese, malli, lamtumire, dhimbjeje për atë çka lanë pas. Me fytyrën e lotuar e të lodhur, hodhën sytë edhe njëherë andej nga kishin kaluar. Kishin ikur përgjithmonë! Po kjo nuk ishte gjithçka. Momentet e para në tokën e huaj merren në bisedë informative nga njerëzit e sigurimit të vendit fqinj. Prej aty do të nisin të tjera vështirësi…


Përballë mediave greke
Ikëm për të mbijetuar! Kjo ishte përgjigjja e parë e tetë të arratisurve nga Kamenica e Korçës përballë interesimit të mediave të vendit fqinj. Ka mjaftuar një lajm i thjeshtë për mbërritjen e tyre klandestinë aty dhe janë gjendur menjëherë përballë 60 gazetarëve grekë. Rrëfimet për ta vazhduan me orë të tëra. Ja si u përthye kjo ngjarje të nesërmen në gazetat greke…
Gazeta "Athinaiki"e 6 qershorit 1954, në faqen e parë, në rubrikën speciale, njëherazi me fotot e të arratisurve boton shkrimin "Tetë shqiptarët e ikur shpjegojnë arsyet e arratisjes”.
Ndër të tjera, në këtë shkrim nënvizohet “Të arratisurit e 6 qershorit janë tetë veta. Shtatë burra dhe një grua. Përpara gazetarëve grekë e të huaj ata shpjegojnë me detaje gjendjen e vështirë ekonomike, varfërinë, diskriminimin klasor që u bëhej nëpërmjet luftës së klasave, survejimin, internimeve, vrasjeve pa gjyq, shfarosjeve, burgosjeve politike e pa shkak etj.
Gazeta "Imerisia" e datës 8 qershor 1954, bashkë me foton e tyre, do të citonte në faqen e parë: “Shqiptarët e arratisur, të cilët kaluan kufirin duke u gdhirë 6 qershori, u paraqitën dje para televizionit, mediave greke e të huaj, të rrethuar nga 60 gazetarë duke shpjeguar për gjendjen që është në vendin e tyre dhe regjimin komunist. Ata janë: Ahmet Hyska, Refat Hyseni & Hanije Hyseni (Bashkëshortët), Abedin Hyseni, Sali Hyska, Ali Riza Mydini ,Estref Aliu dhe Xhemal Ahmeti. Të tetë janë me profesionin fermer dhe u dorëzuan në pikën ushtarake kufitare të fshatit Alevista. Gjendja e tyre ishte shumë e mjeruar. Ata u morën në mbrojtje dhe kujdesje nga autoritetet greke”.

Ditët e kampit
Të vështira e befasuese do të vijonin ditët e kampit ku grumbulloheshin të gjithë ata që futeshin ilegalisht në tokën helene. Njeriu që do t’u uronte mirëseardhjen dhe do t’i çonte aty ishte, Tosun Mehmeti, një bashkëfshatar i tyre antikomunist i zjarrtë, i arratisur disa vite më parë. Ai do t’i takonte aty me Abas Ermenjin, Zef Malajn, Luan Gashin, Gani Hamit Vlorën e disa hebrenj, një pjesë e të cilëve kishin mbërritur aty pas arratisjes nga vendi ynë. Ndër vizitorët e parë të huaj që i takoi ishte shefi i Sigurimit për Ballkanin, koloneli anglez, Hilton, i cili siç kujton Refati fliste një shqipe jashtëzakonisht të pastër dhe e njihte shumë mirë gjendjen në Shqipëri. Nën përkujdesjen e tij të tetë do të fillonin procedurat zyrtare të emigrimit.
E kështu, secili prej tyre, sipas statutit të të drejtave ndërkombëtarë për të ikurit nga vendi i origjinës, aplikuan për t’u larguar drejt SHBA-së dhe Australisë. Pesë prej tyre marrin miratimin për në Australi, duke u mbështetur edhe nga njerëzit e tyre që kishin në kontinentin e largët. Ndërkohë tre të tjerë u legalizuan për të emigruar në SHBA. Një jetë tjetër nisi për ta. Po asnjëherë nuk u ndanë shpirtërisht me atdheun e tyre. Me shpresën se një ditë do të riktheheshin në Shqipërinë e rilindur, një pjesë e tyre ndërruan jetë në dhe të huaj.

Epilog i trishtuar
Kaloi një jetë larg, shumë larg tokës mëmë. Një pjesë ndërruan jetë në dhe të huaj. Të tjerët u bënë baballarë, gjyshër e madje edhe stërgjyshër pa e parë asnjëherë fytyrën e vendlindjes. Refati me bashkëshorten Hanije Hyseni aktualisht jetojnë moshën e tretë në Brisban të Australisë. Abedin Hyseni, i vëllai i Refatit krijoi familje jetoi, punoi derisa vdiq, duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa po në Australi. Po kështu edhe Ahmet Hyska, i cili mundi të rikthehej nga Australia vetëm në vitet e demokracisë. Teksa rrëfen për këtë epilog të trishtuar njeriu që ideoi këtë vendim të jashtëzakonshëm në fillimin e viteve 50 thotë se Ali Riza Mydini kaloi një jetë të tërë në SHBA,tani jeton ne Tirane, Sali Hyska në Australi ku edhe ndërroi jetë duke lënë pas pinjollët e tij. Po kështu Estref Aliu dhe Xhemal Ahmeti jetuan, punuan derisa vdiqën në SHBA. Ai thotë se së bashku me bashkëshorten kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri pas 40 vjetëve. Kanë përjetuar një gëzim të papërmbajtur duke puthur edhe gurët e rrugës së Kamenices së tyre që u kishte munguar një jetë të tërë...
Kjo është historia e tyre. Historia e dhimbshme e njerëzve që merrnin arratinë për një jetë më të mirë, për t’i shpëtuar persekucionit të ferrit komunist...


Liceistët
Për herë të parë për idealet e lirisë ka dëgjuar nga goja e liceistëve të Korçës. Pikërisht në këtë periudhë Refat Hyseni ka qënë në kontakte të përditshme me emra të njohur të shoqërisë shqiptare të cilët do të linin gjurmët e tyre në formimin e tij. Në kujtesën e njeriut që pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në Australinë e largët kanë mbetur emrat e Enver Hoxhës, Ymer Dishnicës, Mikel Zavalanit, Safet Butkës, Koci Xoxes që në rininë e parë i shpalosën ëndërrën e lirisë. Metamorfoza, thotë Refati qëndron në tradhëtinë që Enveri i bëri kësaj kauze të shenjtë


Nga Raimonda Moisiu
Hartford CT USA
Maj 2008

No comments: