Tuesday, June 24, 2008

Bota e Gruas Shqiptare--SUZANA KUQI-Esse

Djali dhe gënjeshtrat...

Një ditë tek pastroja shtëpinë dhe djali i dashur me dy shokë
po loznin në kompjuter, sigurisht në dhomën e djalit. Dëgjoj një zile
celulari. Mpreha veshët , nuk ishte i imi, as i djalit, pasi e dini që
tani secili ka të vetën dhe me kohë fillon e i njeh. Jo për të
përgjuar, jo, nuk mund ta bëjë këtë një nënë e mirë, por nuk e di se
si u ndodha para derës së dhomës së djalit me fshesë në dorë. Dëgjova
padashje :
- Mama, jam akoma në tren, don dhe gjysëm ore të
mberrijë në stacion.
Pashë me habi se këto fjalë po i thosh shoku i djalit tim Xhulio që
ishte ulur këmbëkryq mbi shtratin e tim biri e luante në kompjuter.
Desha t'i them se përse e gënjen mamanë por në këtë kohë bjen një
zile tjetër celulari. Këtë rradhë ishte e shokut tjetër i tim biri
,Alesios.
- Mama , nuk e kapa dot autobuzin, jam këtu në stacion e
po pres tjetrin.
Stacioni ishte karrikja e tim biri.
Vazhdova punën e thashë me vete , derëzinjtë , si nuk ju vjen turp po
gënjejnë mamatë e tyre në këtë mënyrë. Gjysma e së keqes që nuk e bën
im bir. Ai nuk më gënjen kurrë, e përse ta bëjë ? Ndonjëherë më të
rrallë kur ishte i vogel, por tani që u rrit …Ai është përherë i
perpiktë, ngrihet në mëngjes e shkon në shkollë, pastaj kthehet me
shokë në shtëpi.S'ka gajle që burri i dashur nganjëherë i gjen
tenxheret bosh pasi ata duhet edhe të hanë, por të paktën vjen në
shtëpi. E pastaj del një herë me shokët. Kthehet shpejt. Pastaj del me
të fejuarën e tij. Të them të drejtën vonohet pak por kthehet. Ndërsa
të shtunat e të djelat nuk e di se kur kthehet pasi mua më ka zënë
gjumi. Problem është vetëm kur sjell dëftesat e shoh mungesat. Po kur
i ke bërë mor bir? E ai fillon e më numëron ditët që ka qenë sëmurë,
ditët që ka patur grevë shkolla, mësuesit , shoferët e autobuzave bile
edhe të mencës së shkollës e ai nuk han në mencë. Dhe i dalin aq shumë
sa unë çuditem se si ka mundësi që ka bërë aq pak mungesa. Unë nuk i
mbaj mend të gjitha grevat, por ai po. Sot në mëngjes u zgjua herët ,
u la , hoqi mjekrën, tani i ka dalë edhe qimja, e shkoi në shkollë
pasi më puthi më parë në faqe. Bir i mamasë, sytë mu mbushen me lot e
krenari, u rrit, është bërë goxha djalë, lum unë që e kam. Bile më
erdhi keq se harroi të merrte paninen që i kisha përgatitur. Kaluan
nja dy orë kur ja behu im vëlla.
- Ku e ke djalin ?- pyeti ai.
- Në shkollë – ja kthej unë.
- Shkollat janë mbyllur për zgjedhje, im
bir nuk kish shkollë sot.
- Ndoshta shkolla e tij nuk është mbyllur –
ja kthej e qetë por befas më hyri krimbi i dyshimit.
- Burrë ,- i kthehem tim shoqi që nuk kish
punë se binte shi e kështu ishte në shtëpi ,- merre një herë në
telefon tët bir .
Burri i dashur për të mos ma prishur ose të paktën kështu më tha e
mori në telefon. Por djali i ëmbël nuk përgjigjej.
- E sheh, në shkollë është , ndryshe do të
ishte përgjigjur. Ti e din se në shkolle i fikin cel…
Nuk e mbaroi fjalën kur u dëgjua një zile celulari. Ishte i vajzës engjëllore.
- Unë !- bërtiti ajo në telefon ,- Unë, nuk
i kam thënë asgjë babait..
Ja rrëmbeva celularin nga dora e dëgjova zërin e tim biri.
- Gënjeshtare . Do t'i kesh thënë ndonjë gjë
patjetër se ndryshe nuk do të më telefononte.
Unë , që më ishin ngritur qimet përpjetë i ulëras :
- Ku je ?
- Në shkollë ,- u përgjigj thjesht e pa turp fare ai.
- Cfarë shkolle !? Shkolla është e mbyllur.
- Ma , jam në shkollë .
M'u kujtua treni. Pa të hip dhe unë një herë në tren thashë me vete.
- Dëgjo këtu ti mor... unë jam para shkollës
tënde dhe e shoh që është e mbyllur.
- Jam tek Blu- Muni .- u dorëzua ai.
Blu – Muni është një dyqan lojrash elektronike.
- Shpejt në shtepi !- e urdhëroj dhe i
mbylla telefonin. Tani isha e sigurtë se pas dhjetë minutash do të
ishte në shtëpi.
- A nuk don kap me shpulla ?– thotë im vëlla.
- Me shkelma !- bërtet burri i dashur.
- Dëgjo të keqen, leri shqelmat,- i them
burrit , - ndryshe nuk do të të tregojë gjë se…
- Veç po nuk erdhi në shtëpi- vazhdoi burri.
- Po të isha unë do të më kishe rrahur për
vdekje – thotë vajza engjëllore.
I ati u kthye dhe e pa me inat. Nuk i kish dalë ende inati për atë
shëtitjen deri në Palermo të time bije që tha se shkonte tek një
shoqja e saj por ne na gërryente krimbi se ishte një shok.
- Ti duhet të kishe vdekur para dy javësh,.
Por ç'ti bej sat ëme! – ja mbylli gojën burri i dashur vajzës.
Unë u çova e dola nga salla. I vura rripin qenit e prisja në
gatishmëri. Sapo dëgjova çelësin në derë e hapa dhe i rrasa në dore
litarin e qenit.
- Shko e bëji një xhiro qenit ! – i them me
inat. E për çudi e mori e nuk bëri fjalë, të ishte një ditë tjetër nuk
do ta kish nxjerrë kurrë.
- Erdhi ? – pyeti burri.
- Ja tani sa t'i bëjë një xhiro qenit. Po vë
kafenë – i them unë e dola përsëri nga salla. Kur dëgjova hapat e tim
biri që po kthehej nëpër shkallë bera gati nja dy qese plehrash e dola
tek dera.I mora rripin e qenit e i rrasa në dorë plehrat.
- Shko e hidhi – i thashë.
Pastaj bëra një listë të gjatë ushqimesh , bëra gati paratë e dola në shkallë.
- Shko e bëj pazar !- i thashë.
Ai me pa një hop sikur donte të më thonte se nuk isha në terezi nga
trutë ,por pastaj i mori pa bërë fjalë. Ndërkohë vëllai im iku e burri
filloi të lexonte gazetën. Unë ruaja nga dritarja. Kur e pashë djalin
të vinte i ngarkuar i dola përsëri tek shkallët, i mora qeset e
ushqimeve dhe e çova në farmaci. Pas farmacisë i dhashë sërish qenin e
për fat që burri i dashur filloi të dremiste pasi unë nuk dija se ku
ta çoja tjetër…

No comments: