Monday, January 26, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA TOCILA-Veshtrim mbi veshjen popullore

Merita Toçila

Stiliste

 

Veshja popullore dhe ndikimi i saj në modë

 

(Një vështrim i shkurtër…)

 

 

Relacioni midis modës dhe vizatimit shpesh është i fortë dhe disa herë i dobët, por megjithatë është një përpjekje e vazhdueshme e ideve dhe tensionit estetik midis tyre, gjë e cila ndikon në influencën e këtyre dy fushave paralele. Fushat e tjera të funksioneve të ndryshme u vijnë në ndihmë duke ardhur gati automatikisht në një ide për veshje, aksesorë, etj. Forma më minimale e modës pastaj zbulon një sekret të ri, që pjesa e ideuar është shpesh më interesante se veshja e përfunduar. Porse, mund të ndodhë edhe që pjesa e prodhuar të jetë më e specifikuar dhe më interesante se ideja e fillimit. Disa produkte të modës prodhohen mbështetur mbi abstrakten. Ato injorojnë edhe mbajtësin e veshjes duke mos respektuar as të dhënat fizike, duke mos i vënë në vendin e duhur pjesë të ndryshme të veshjes dhe duke e sjellë atë jo praktike. Që këtu ka lindur ideja që trupi duhet konsideruar si një telajo ku duhet piktuar, ose si një objekt të cilit do t`i jepet forma skulpturore sipas konceptit të krijuesit.

 

Arkitektura e parë që ka realizuar njeriu është veshja, për të krijuar një ambient mbrojtës. Pra në kuptimin e parë, veshja të çon tek mbrojtja nga të ftohtit apo të nxehtit. Porse në kuptimin e dytë ajo përcjell kënaqësinë e përkatësisë në një grup apo shkallë të caktuar dhe në sisteme të tjera përcjell mesazhe sensuale ndaj një grupi të caktuar njerëzish, të një tribuje apo klani. Me kohë ajo filloi të perfeksionohej duke u shtuar dhe me objekte zbukurimi, apo ornamente, për të treguar hierarkinë apo dinastinë. Pak e nga pak veshja krijoi gjuhën e vet vizive e cila duhej të ishte në koherencë me gjeometrinë e kohës. Kështu për shumë kohë veshja i përshtatej trupit dhe ndryshimet nga shekulli në shekull ishin shumë të vogla. Vetëm në fund të shekullit XIX, filloi të zbulohej kënaqësia e çrregullsisë dhe e mos respektimit të raporteve; e përmbysjeve të gjuhës së ndërtuar vizive. Kjo filloi me përmbysjen e rregullave në pikturë nga avangardat ruse, vazhdoi me eksperimentet e Yves Klein në vitet `60 (për ta parë trupin si një vëllim mbi të cilin mund të manipulosh idetë duke vepruar direkt me ngjyrë mbi të) dhe të tjerë pas tij që ushtruan body-art duke u dhënë shkak stilistëve të krijonin veshje direkt në trup vetëm me ngjyrë. Këto ide qenë shumë novatore, saqë i shndërruan pasarelat në një shfaqje të vërtetë arti. Çdo lëvizje në pikturë apo në gjinitë e tjera të artit pasqyrohet dhe në modë. Çdo stilist mund të krijojë një fytyrë të vetën, një krijimtari artistike tërësisht personale dhe të pavarur nga të tjerët.

Për të krijuar një individualitet të tillë stilistët rendën për të zbuluar ide të reja për të qëndruar gjithmonë ndër më të mirët dhe ky kërkim idesh solli dhe kthimin tek tradita, si baza më e mirë për të justifikuar krijimet dhe për fat të mirë, tradita duke qenë një ekstrat i krijimtarisë në shekuj ka se me çfarë të furnizojë; mbetet gjithmonë një fushë që duke e eksploruar zbulon gjëra të reja.

 

Edhe tradita jonë në këtë drejtim është shumë e pasur. Një veshje popullore shqiptare është një ekspozitë më vete e artit popullor.

Është e mahnitshme larmia e kostumeve popullorë në vendin tonë dhe puna aq e hollë me detajin. Kemi një pafundësi florealesh të qëndisura mrekullisht nga duart e vajzave dhe grave. Qëndisja dhe endja kanë qenë traditë vetëm për femrat të cilat kalonin një pjesë të mirë të ditës mbi to. Ato qëndisnin veshjet për femra, meshkuj dhe për fëmijët e familjes. Mund të ndodhte që përgatitja e një kostumi shkonte me vite të tëra dhe ajo ishte një pasuri e madhe për familjen, e cila trashëgohej në çdo brez. Rrallë ndodhte që një veshje të ishte e thjeshtë në ndërtimin artistik të saj, edhe ato që i përkisnin shtresave jo të larta të shoqërisë shqiptare. Pothuajse të gjitha veshjet kishin të njëjtin seriozitet përgatitjeje dhe të njëjtin shpenzim në kohë, në punë dhe në materialet e përdorura në të. Çdo veshje kishte ngjyra, shumë ngjyra. Gjejmë në to të bardhën që zë pjesën më të madhe të veshjeve(këmishat, fustanellat, jelekë, tirqe,  çitjane…);kjo e bardhë e plotë(reminishencë e veshjeve ilire) kombinohet me të kuqen hallej, të artën, me blu kobalt, të gjelbrën smerald, vishnjen e errët madje dhe të zezën(jelekë, xhubletë, gjoksore, tunikë…). Si pëlhura ka ndërthurje të damaskut apo velurit me mëndafshin dhe të gjitha këto të qëndisura me fije fine metali të çmuar(ar ose argjend). Motivet e qëndisura janë kryesisht floreale, lulet e stilizuara, shpendë, insekte si evokim i kohës së interesimit të njeriut mbi natyrën, arabeskat dhe motive gjeometrike më të vona dhe më pak me simbole pagane, por edhe në ato veshje që gjenden janë shumë potentë si motive, sepse mbizotërojnë dukshëm. Qëndisja shpeshherë shoqërohet me punë kryq për të krijuar një element tjetër dekorativ dhe copa të mbivendosura si reliev. Pjesët më tepër të qëndisura janë jakat, mëngët shpinoret, gjoksoret, tunikat, etj., të cilat gjenden në modele nga më të larmishmet. Çdo krahinë ka një veshje të ndryshme nga tjetra. Çdo ceremoni apo rast gëzimi ishte një okazion për të veshur kostumet më të bukura në botë. Ato që janë më tepër të përdorshme janë jakat rrumbullake, mëngoret e qëndisura në fund, tek burrat i gjejmë të mbledhura, tunikat janë të përdorura shumë dhe të larmishme në formë në pjesën fundore të tyre, gjoksoret e Shqipërisë së mesme me jakat e mëdha dhe të gjera, Xhubletat me kindet e mëdha, rripat e trashë me togëzat e rënda prej bronxi, dhe një mori kapelesh, shamish apo përparjesh. Dhe të gjitha këto të qëndisura me fije të arta dhe argjendtta, me motive ku asnjë nuk i përngjan tjetrit.

Edhe në veshjet e mesjetës të imponuara nga sundimi turk, përsëri u ruajt karakteri kombëtar duke i sjellë ato si një vepër origjinale shqiptare, siç është veshja e Shqipërisë së mesme me çitjanet që zbresin deri tek kavilja. Me qëndismat në rrethorin mbyllës, me jelekun që zbret sa mbaron gjoksi dhe ka vetëm një mbyllje duke lënë të kuptohet forma e gjoksit, veshja është trasformuar në një veshje tërësisht shqiptare dhe po aq e hirshme dhe joshëse. Edhe kaftani që është një xhaketë e gjatë që zbret deri në fund të këmbëve më mëngë të gjatë të rëna nga pas. Kokat zakonisht mbuloheshin me shami në zona të veçanta dhe diku me kapele të stilizuara ku gratë mund të shprehnin gjithë dëshirën dhe talentin e tyre për t`i zbukuruar me lule ose dhe me zbukurime me gurë ose pare. Një veshje të tillë dhe një mbretëreshë e asaj kohe do ta kishte zili. Një fakt është që veshja shqiptare eshte prekur pak, ose thuajse fare nga tendencat fetare, në të nuk gjenden kryqe, figura shenjtësh, aty gjithmonë ka lule të stilizuara, flutura, zogj, figura gjeometrike etj. Në këto kohë dhe pëlhurat filluan të zëvendësohen me linone dhe pambukun si më pak të kushtueshme. Edhe në kohë të mëvonshme qëndisja ka zënë një pjesë të mirë kohe të vajzave shqiptare deri në mesin e viteve `80 duke e zhvilluar si hobi në kohën e lirë, madje në këto vite pati një ndryshim të stilizimeve të cilat vinin më të studiuara dhe inspiroheshin shpesh herë nga krijimet e artistëve që punonin në ndërrmarrjet artistike të asaj kohe.

Sot qëndisja vjen si një objekt koleksioni. Interesimi ndaj saj qëndron në vlerën historike të veshjes shqiptare edhe pse në këndvështrim të vogël nuk mund të quhet një vepër e mirëfilltë arti, ajo vjen si një thirrje e fortë e së kaluarës tonë, përcjell mendimin, ndjenjat dhe informacione të çmuara të kohëve të tjera. Është një pasuri e jona.

Nga gjithë ajo trashëgimi kulturore që kemi, nga dokumentet historike, artistikë dhe muzealë dhe nga objektet e gjalla që kanë mbetur në sëndukët e vjetër të shtëpive karakteristike shqiptare apo dhe nëpër ato pak muze etnografike, jemi të ndërgjegjshëm për atë pasuri të madhe qëndismash, aksesorësh të mrekullueshëm byzylykësh, togëzash, varësesh aq të rralla, veshjesh mëndafshi dhe kadifeje të qëndisura dhe të punuara aq bukur, saqë mahnitin mbi të gjithë vizitorët e huaj.  Kjo tërheqje ka ndodhur në  çdo kohë, aq sa artistë, piktorë dhe estetë të huaj nuk kanë mbetur pa e vënë në dukje këtë krijimtari të larmmishme, duke krijuar vepra me vlera dhe artistike. Ndër këta mund të përmendim; piktorin anglez Eduart Lir, piktorin francez Leon Zherome, piktorin kroat Pajo Jovanoviç, autoren angleze Edit Durham, etj, që me krijimtarinë e tyre kanë lënë dokumente shumë të vyera jo vetëm artistike, por dhe historike mbi veshjet karakteristike shqiptare.

 

 

 

No comments: