Monday, January 26, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-ZENEPE LUKA-Interviste

Gazeta   shqiptare

E djel - 25 Janar 2009 | Nr 4447 Viti XV

ONLINE

shqiptare

 

 

E djel - 25 Janar 2009 | Nr 4447 Viti XV

ONLINE

 

Nedim Vlora: Varri i djalit të Ismail Qemalit nuk është gjetur akoma

 

» Dërguar më: 25/01/2009 - 12:44

 

 

 

Lajme te ngjashme

Ky është Vangjush Furxhi!
• Datë: Oct 06, 2008

Zenepe Luka



Historia e familjes Vlora, e treguar nëpërmjet nipit të Ismail Qemalit, burrit të parë që i dha Pavarësinë Shqipërisë, na jep shumë detaje dhe të reja, të papublikuara asnjëherë më parë për dëshirat, martesat, lindjen e fëmijëve të Ismail Qemalit por edhe brezave pas tij. Pengu i vetëm i nipit të burrit të parë të Vlorës, është gjetja e eshtrave dhe varrit të djalit të Ismail Qemalit, e më pas, vendosjen e tyre në Kaninë të Vlorës. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta Shqiptare, Nedim Vlora, rrëfen vuajtjet e familjes përgjatë viteve të drejtimit të shtetit shqiptar nga Zogu, më pas në diktaturë, por edhe aktualisht në demokraci. 
Ju dispononi të gjithë dokumentat origjinale të familjes Vlora. Kush janë fëmijët e Ismail Qemalit dhe si ra në dashuri me bashkëshorten e tij. Të ishte dashuria qe solli lindjen e kaq fëmijve? 
Ismail Qemali pati 9 fëmijë, 6 djem dhe tre vajza. Djali i parë është Nedim Mahmud Bej (1782-1920), i cili pati tre fëmijë: Ismail Kemal Galib Aleksandre, Blanke Paulette dhe Suzan. Më pas është Tahir bej, që nuk pati fëmijë, Ibrahim Et'hem bej, Ahmed Xhevdet bej, Qazim bej, të katër këta nuk lanë pasardhës. I fundmi fëmijë i Ismail Qemalit është Qamil Bej (1985-1950), që kishte lindur në Stambol dhe që u vendos përfundimisht në Shqipëri, pas vdekjes së të atiti, më 1919. Ai u martua me Ylvie Dyrmishin, vajzë e patriotit Ahmet Aga Dyrmishi, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës dhe një nga trimat besnikë të Ismail Qemalit, me të cilën pati dy djem: Ismail Qemal (1920-90) dhe Xhevdet Sulejman (1922-93). Ismaili la 5 fëmijë, pikërisht Kleoniqi, Ariana, Qamil, Elvinda dhe Darling. Ndërsa Xhevdeti ka lënë dy fëmijë, Ada dhe Qemal. Vajzat e Ismail Qemalit janë Myvdet Serdar, Ylvije Zarshati, Alije Pasha (martuar me Hamdi Pashanë). 
Si u prit lindja e fëmijës së parë, që është gjyshi juaj, Mahmudi, çfarë kujtimesh ruani ju, nipi i tij? 
Sigurisht, lindja e parë që të bën baba, aq më tepër kur lind edhe djalë, që për shqiptarët përbën një eveniment të rëndësishëm, është një gëzim i madh, ngjarje e shënuar. Kështu edhe për Ismail Qemalin, lindja e djalit ishte një festë e pazakontë. Kjo edhe për faktin se në atë kohë, ishte me rëndësi lindja e djemve, pasi, jo vetëm që do të përcillte emrin e familjes, por do të ishin në krah të etërve duke kontribuar dhe përpjekur për Shqipërinë, kombin e tyre, që e kishin aq të shtrenjtë. 
Ismail Qemali, nuk bëri një djalë por 6 djem, që gjatë gjithë kohës iu vunë në krah dhe bashkarisht realizuan ëndërrën e madhe të shqiptarëve: Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 
Mund të flisni rreth familjes së gjyshit tuaj, kush i rrëmbeu zemrën, përse u vendos në Bari dhe si e përjetonte mallin për Shqipërinë? 
Meqë gjyshim im, Mahmud, ndiqte një politikë në favor të pavarësisë, ai u burgos nga sulltani Abdul Ahmid II, duke e dërguar në bugun e Bitlis, në Anadoll, ku qëndroi 7 vjet,(nga 1901-1908). Pasi doli nga burgu, i sëmur me turbekuloz, u vendos në Nicë, Francë. Rastësia bëri mrekullinë, teksa qëndronte nën hotelin Place, pa një vajzë të bukur. Ai ishte duke pirë kafe me të atin, Ismail Qemalin dhe dy vëllezërit, Tahir dhe Ethem, kur të gjithë shohin të zbresë nga shkallët e hotelit vajza e re dhe e bukur, Alice, që ishte vajza e pronarit të hotelit. 
Ky hotel frekuentohej nga politikanë të shumtë evropianë, nga artistë evropianë dhe nga njerëz të rëndësishëm të Francës dhe evropianë. Ajo tërhoqi vëmëndjen e të tre vëllezërve, por Ismail Qemali, preferoi që vajza t'i drejtohej Mahmudit. 
Midis tyre lindi një dashuri me shikim të parë, por që u konsolidua më tej, ç'ka solli martesën e çiftit dhe celebrimin në vitin 1913. Ai ishte 41 vjeç dhe ajo 18 vjeçe. Më 21 janar të vitit 1914, çifti i ri solli në jetë një djalë, të cilin e quajtën Ismail Kemal Galib Aleksandër. Sapo lajmi i mbërriti në Vlorë Ismail Beut, ai la Qeverinë dhe u nis menjëherë për të mbërritur në Nicë. Për lindjen e djalit të parë, nipit të parë të Ismail Qemalit, u qëlluan 24 topa. Mahmudi dhe Alice, patën edhe dy fëmijë të tjerë, Blanke Paulette dhe Suzan. Si pasojë e sëmundjeve që mori në burg, Mahmudi vdiq në Vlorë, në vitin 1921. Bashkëshortja e tij, gjyshja ime, Alice, që ishte katolike, mbeti me tre fëmijët e vegjël, dhe vendosi të sistemohej në Bari, që ishte qyteti më i afërt me Shqipërinë. 
Përse nuk u martua kjo grua e re dhe e bukur? 
Gjithmonë, në respekt të fesë të ndjekur nga Alice, asnjëri nga vëllezërit e Mahmudit, nuk u martua me të. Ata iu lutën, që të mos largohej shumë nga Shqipëria. Është ky shkaku, kjo kërkesë dhe njëherësh dëshira e saj, që u vendos pikërisht në Bari, ku qëndrojmë edhe sot. 
Si e përballoi jetën gjyshja, ka zëra që ka lypur për të rritur fëmijët. Sa është e vërtetë kjo? 
Ka përballuar një jetë të vështirë. Ajo mbahej me të ardhurat që dërgonin ndonjëherë vëllezërit e Mahmudit. Pastaj përgjegjësia ra mbi tim atë, që në atë varfëri mbushi moshën madhore. 
Babai im, Ismail Kemal Galib Aleksandër, kishte ndërmend të kthehej në Shqipëri, për të kryer një rol politik, por mbas vetëshpalljes së Zogut si Mbret i Shqipërisë, iu ndalua që të kthehej në atdhe. Zogu i dërgonte një rrogë mujore me qëllim që, nipi i ri i Ismail Bej, të arsimohej larg Shqipërisë. Ai u diplomua në Bari, në Fakultetin e Shkencave Ekonomike e Sociale. 
Përse e shmangu Zogu babanë tuaj, të ishte një frikë se mos i merrte postin? 
Sigurisht, ky ishte shkaku i vetëm. Arsyet janë lehtë për t'u kuptuar nga momenti që edhe falë sforcimeve të shumta të historianëve, për të modifikuar historinë, të gjithë e dinë se Zogu nuk rridhte nga ndonjë familje princërore, sikurse ishte në të vërtetë Ismail Bej, pasardhës i familjes së Aranit Komnenit. Pas pushtimit italian, familja Vlora mbeti pa asnjë të ardhur dhe u katandis në një gjëndje të rëndë ekonomike. 
I përmbushte kushtet babai juaj, për të drejtuar Shqipërinë? 
Sigurisht. Gjatë pushtimit italian, im atë, nipi i parë i Ismail Qemalit, ishte në moshë të rritur, kishte përfunduar studimet dhe kishte bërë gati valizhet, për t'u nisur në Shqipëri. Pasi shpërtheu lufta, ai u dërgua në kufi, në Torino me gjithë familjen. Më vonë, për arsye shëndetësore të motrës, e gjithë familja u detyrua që të trasferohej në Sanremo, ku edhe sot jeton një nga pasardhëset (Sarah) e Suzanës, vajza e dytë e Mahudit. 
Babai juaj ka pasur nënshtetësi shqiptare? 
Është një kuriozitet, madje shumë i rrallë. Nga fundi i luftës, im atë, nipi i Ismail Bej, nuk ishte as francez (vendi i lindjes), as italian (vend i banimit), as shqiptar (atdheu i origjinës). Të njëjtin fat pati e gjithë familja. Është e dhimbshme të pohoj, që bashkëshortja e Mahmudit, Alice, vdiq apolide, pra, pa asnjë nënshtetësi. Kombësia italiane iu dha në vitet '50, për meritat ndaj shteti italian, pasi si nip i Ismail Bej, kishte luftuar si partizan kundër nazistëve. Dy motrave, iu dha nënshtetësia italiane në vitet 80-të. Ajo ka punuar në tregun e luleve të Sanremos, ndërsa motra tjetër, Blanche Paulette, në vitet 50-të, shkoi në USA si refugjate shqiptare.Ajo ka punuar si punëtore në një fabrikë në New York. Pas disa vitesh shkoi në Kanada, ku edhe ndërroi jetë. 
Si e përballoi jetën në tokë të huaj? 
Në kushtet që u krijuan, tim eti nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të kërkonte punë në Itali. Një periudhë, dha mësim në lëndët gjeografia ekonomike dhe politike si dhe gjeografia e përgjithshme në Universitetin e Barit. Ka qenë professor me publikime të shumta, me artikuj dhe libra, disa prej të cilave kanë shënuar linja të reja kërkimi të disiplinës dhe janë të praktikuara edhe sot. Ka publikuar edhe një libër mbi Shipërinë me titull "Shqipëria e re" në vitin 1979, një kërkim prej 122 faqesh. 
Cili ishte pengu i tij dhe që jua trashëgoi edhe juve? 
Ka peng më të madh, që babai i tij, gjyshi im, djali i Ismail Qemalit, Mahmud Bej, të mos ketë varr? Mahmud u varros në varrezat e Vlorës. Do të ishte e drejtë që të gjendet varri i tij. Ia kërkoj Vlorës këtë. Të gjenden kockat e tim eti dhe më pas të vendoset e të prehet në Kaninë, tokën e të parëve. Ka një mendim të shoqatave për të sjellë të gjithë fëmijët e Ismail Qemalit në Kaninë. Kjo do të ishte një shërbim i fundit për ta, pasi sikurse dihet, regjimi komunist, i persekutoi, por edhe qeveritë e më pasme nuk i kanë vënë në vendin e duhur pasardhësit e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora. 
Diçka nga jeta e babait tuaj, si i shkoi jeta me bashkëshorten, sa herë ka ardhur në Shqipëri, lidhje e tij me fëmijët e Ismail Qemalit? 
Në vitet 30-të, babai im jetonte në Rrugën Vittorio Emanuele II, që ishte rruga kryesore e qytetit të Barit. Në pallatin përballë, jetonte një vajzë, që ai e pëlqente dhe u dashurua me të. 
Me gjithë vështirësitë burokratike të vendosura nga ligjet fashiste mbi racat, të rinjtë u martuan më 1939-tën. Nga martesa patën dy fëmijë: Vitoria dhe Nedim. Martesa ishte e bazuar në dashurinë midis tyre sepse asnjë prej tyre, nuk kishte mbështetje ekonomike. U martuan, e bënë drekën tek një i afërm i tyre dhe më pas u nisën për një udhëtim të shkurtër për të bërë muajin e mjaltit. 
Çfarë keni mësuar nga prindërit tuaj? 
Kanë qënë model se si duhet të përballohet jeta në vështirësi, se kur çifti e do njëri-tjetrin, nuk ka pengesë të mos kapërcehet. 
Babai im ka ardhur në Shqipëri në vitin 1978, pas një ftese specifike që i u bë. Mallin dhe atë çka ndjeu për Shqipërinë, i hodhi në librin që cituam më lart. Më pas ka ardhur edhe 3-4 herë të tjera dhe iu dha mundësia që të njihte kushurinjtë, fëmijët e të vëllait, Qemal Bej, Ismailin dhe Xhevdetin, gratë dhe fëmijët e tyre. Ata na e kthyen vizitën në Bari, pas rënies së regjimit. Tim eti, sa herë shkonte në Shqipëri, i lexohej lumturia në sy. Ai kujtonte mbi të gjitha shëtitjet që bënte në rrugët e Vlorës. Ai na tregonte një episode, se kur ishte 6 vjeç, shëtiste nëpër rrugtët e Vlorës mbi kalë, i shoqëruar nga xhaxhai i tij, Tahiri, që edhe ai ecte mbi kalë. Vdiq më 2001, pa u kthyer më në Shqipëri, duke më lënë amanetin, për të gjetur varrin e të atit. 
Mund të thoni diçka rreth familjes tuaj, profesor Vlora, cilat janë marrëdhëniet me trashëgimtarët e tjerë të Ismail Qemalit? 
Jam diplomuar në fakultetin e Ekonomisë, fillova të jap mësim që në moshë të re, pasi fitova konkursin në nivel kombëtar. Në vitin 1966 u martova me Xhakoma Marzani dhe nga martesa lindi vetëm një djalë, Aleksandër Kemal, i cili është biolog. Ai është martuar me një biologe dhe nga martesa ka lindur një vajzë, Alessia Blanche, trashëgimtarja e fundit e dinastise Araniti Komneni Vlora. 
Sa keni mundur të përcillni ndjenjën e atdhetarisë, tek djali juaj, ndjehet sadopak shqiptar? 
Kur nga fundi i viteve '70 djali im, Aleksander Kemal, erdhi në Shqipëri, ngeli i shokuar nga varfëria e shqiptarëve dhe të kushërinjëve të tij moshatarë. Para se të kthehej në Itali u fali atyre gjithçka që kishte dhe u betua, se nuk do të kthehet më në Shqipëri. Në vitin 1990, pas ardhjes së refugjatëve të parë në Itali, kur u vendos që të mernim një pozion të fortë politik ndaj regjimit komunist, nuk hezitoi për asnjë moment edhe pse i dinte reziqet që mund të haste. Në të njejtën mënyrë, pasi unë mora kërcënimet me vdekje nga ana e sigurimit, sepse themelova në Bari Qeverinë e Shqipërisë së lirë dhe demokratike, ai u tregua shumë i vendosur dhe i gatshëm, për të marrë vendin tim dhe për të vazhduar të njejtën vijë politike kundër regjimit. Studimet e tij e kanë mësuar që të mos zhgënjehet ndaj aparencave. Im bir, ështe shumë konkret dhe imazhet e reja të Tiranës dhe qyteteve shqiptare, nuk e kanë bindur ende. Rruga e zhvillimit ekonomik, është shumë larg. 
Një pyetje e fundit profesor Vlora. Bie në sy një fakt, që fëmijët dhe në tërësi, pasardhësit e Ismail Qemalit, janë martuar me të huaja. Cili është shkaku dhe sa ka ndikuar ky argument, në zbehjen sadopak të familjen Vlora? 
Asnjë nga trashëgimtarët e titujve dinastikë (të parëlindurit e parë) Araniti Komneni Vlora nuk është martuar me gra shqiptare. Vetë Ismail Bej, në kujtimet e tij thotë se parardhësit e tij ishin të detyruar që të martoheshin me gra të huaja për motive dinastie dhe politike. Përveç ligjeve dinastie, largësia nga atdheu mëmë, ka detyruar që martesa të bëhej me gra të huaja. Por ky fakt, nuk ka zbehur aspak vlerat patriotike të Familjes Vlora. Pasardhësit e Ismail Qemalit, brezat që do të vijnë, janë dhe do të jenë krenarë, që i përkasim familjes së Araniti Komneni Vlora.

 

 

No comments: