Friday, January 30, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-ZENEPE LUKA-Interviste me murgeshen 85-vjecare

Zenepe Luka eshte gazetare nga Vlora e cila me penen e saj evidenton ngjarje te perditshme dhe sjell intervista me figura te njohura te historise shqiptare. Ne krahun e majte do te shihni nje montazh fotosh te kesaj gazetareje me pinjollet e Familjes se Ismail Qemal Bej Vlores dhe nga vizitat e saj neper bote. Nderkohe me poshte keni nje interviste teper interesante dhe rreqethese te gazetares Luka me murgeshen shqiptare Mrika Gjoka,botuar sot ne shtypin shqiptar dhe ketu ne revisten "Albanian Women World".

Murgesha 85-vjeçare:


Kam lindur dhe do të vdes e virgjër
më: 30/01/2009 - 12:35


Zenepe Luka


E ka emrin Mrika, por motrat italiane e thërresin Julia. Është nga Lezha, por prej 64 vjetësh jeton në Vlorë. Julia, është ndër murgeshat e para shqiptare, që nuk i ka rrahur zemra kurrë për njeri. Ajo ka dalë në fotografi në moshën 50 vjece dhe tani që jep këtë intervistë për herë të parë në shtyp. Murgesha rrëfehet me sinqeritetin që i kërkon Zoti vuajtjet që ka hequr gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës, që me duartë e saj ka bërë disa peshqeshe për të, por që kurrë ai nuk e mësoi që qëndiste një murgeshë. Dhimbja që ndjen për priftin arbëresh që u burgos dhe vdiq ditën që do të lirohej nga burgu dhe që nuk ka një varr. Gjatë kohës që ushtronte fenë fshehurazi, ajo çmon ndihmën që I ka dhënë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, Petrit Hakani, si dhe një grua që ishte kryetare komiteti.


Kush është Julia-Mrika Gjoka?


Jam 85 vjece e më 1 tetor të 85 viteve më parë kam lindur në Lezhë. Ishim 5 fëmijë, 4 motra dhe një vëlla. Tani jeton vetëm një motër, të tjerët nuk janë më gjallë. Kam nipër e mbesa plot. Babai im ka bërë shkollën në Shkodër, ishte njeri i ditur. Jemi katolikë. Si hodhët hapat si murgeshë? Isha 15 vjeçe atëherë. Shihja priftërinjtë që vinin, nuk harroj Dom Nikollën që vinte dhe na fliste në kishën që ende jeton. Ai na bënte shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Shtëpinë e vet e bëri shkollë dhe ne shkonim shumë fëmijë ku ishim 4-5 vajza. I çonin me zor, pse kishte zakone. Bëra dy vjet shkollë dhe përveç arsimimit mësova edhe mësimet për fenë. Vendosa të bëhesha murgeshë, isha e bindur për këtë. Kur e pyetën babanë ai u përgjigj: "e lë në dëshirën e vajzës". Me këtë frymë u rrita dhe më ftuan në Kuvendin e Shkodrës, shkova bashkë me kushërirën, Injace Gjoka, e cila vdiq e re e shkreta. Shkuam në Shkodër, na vizituan se si ishim me shëndet. U bëmë 6 vajza, erdhën edhe murgesha nga Italia. Sapo kisha mbushur 18 vjeçe vesha rrobat e murgeshës në Kuvendin që u bë në Shkodër. U bë edhe Kuvendi I Tiranës, ku edhe atje u bënë 5 vajza murgesha. Mua më dërguan murgeshë në Elbasan, ku qëndrova tre vjet. Më 19 mars 1945, erdha në Vlorë.


Me se jeni marrë në qytetin e Elbasanit, ju pranoi komuniteti?


Kemi ndihmuar të plagosurit italianë dhe shqiptarë. E kishim në Krastë spitalin. Ishin shumë fanatikë. Në Vlorë u vendosëm në disa baraka që të çojnë tek kisha ortodokse. Aty gjetëm murgesha italiane por, shteti që erdhi në fuqi dha urdhër: "Të largohen motrat italiane, nëse ka shqiptare të rrinë, në mos të mbyllet". Mon Sinjor Prenushi, që ishte në Durrës, por mbulonte edhe qytetet e tjera, lajmëron motrën Bonfilja që ishte në Shkodër dhe I thotë: "Më dërgo urgjent tre mungesha për në Vlorë, se ndryshe Qeveria do ta mbyllë kishën". Mirpo asnjëra nuk donte të vinte në Vlorë, pasi kishin dëgjuar për spitalin psiqiatrik dhe kishin frikë, nuk e di pse. Por në fund erdhi motra, Injacia dhe motra tjetër, Tereza Manovi shkodrane që ishte në Elbasan, edhe një tjetër Cicile Kakarriqi, erdhën në Vlorë.


Kujtoni se si I dëbuan motrat italiane nga Vlora?


Më 12 të natës, më 19 mars i kanë nisur drejt Italisë. Kanë ikur me lot në sy. Nuk pagun as qeratë e shtëpisë. Kujtoj që Shtëpia e Kulturës na kërkoi një pemë me rrobë, një pjeshkë, shumë e bukur, e çelur. Doli edhe në një revistë. Kur u bë fabrika e llampave, erdhi një nurrë me pozitë të madhe ishte ai dhe më tha: "Duhet një kuti e bukur ku do të vendosen llampat e para dhe do t'i dërgoheshin peshqesh Enver Hoxhës". Si e bëre? Prej xhami. E veshëm me atlas të bukur të kuq, ngjyrë që e pëlqenin shumë, vendet ku vendoseshin llampat. Ishte vërtetë një peshqesh i rrallë, për të cilën m'u desh shumë kohë për ta bërë. U kënaqën shumë dhe më paguan mirë. Sikurse mora vesh, Enveri ishte mahnitur nga kjo dhuratë e rrallë, por ai nuk e dinte se atë e bëri një murgeshë. Askush nuk ia tha. Po kishte edhe peshqeshe të tjera nga duart e mia.


Çfarë?


Erdhën e më lajmëruan se do fillonte punimet hekurudha e parë dhe Enverit do t'i dërgohej si peshqesh treni i qendisur me dorën time. Kam qëndruar një javë mbi të, qëndisja ishte me mbushje, në një stof gri dhe treni i kuq. Kur e pashë Enverin me atë dhuratë në duar në gazetë, jam prekur. Thosha: "O Zot se di ky udhëheqës që atë tren e ka qëndisur një murgeshë, njeri i Zotit që bën vetëm mirë për njerëzimin?". Ishin rrethanat që ai s'duhej ta mësonte kurrë këtë fakt, madje vetëm ajo kryetarja e dinte që peshqeshet bëheshin prej meje, ndërsa të tjerëve u thuhej: "punojnë vajzat e Vlorës". Duart e mia kanë qëndisur edhe peshqeshe për Stalinin. Përsëri kërkuar nga Enveri? Kërkuan një shall të qëndisur bukur me të gjitha ngjyrat. Duket se e mori Nexhmia për t'ia dhuruar Stalinit. Si e përballonit jetën? Bënim punë dore, paja nusesh, vinin kërkesa edhe nga Tirana. Shumë intelektuale, që ishin edhe me pozitë, I porosisnin tek ne pajat, edhe kurora nusesh. Punonim si rrobaqepësi me kategori të shtatë në shtëpi, por me leje. Megjithëse bënim punë artistike, të bukura që pëlqeheshin shumë, mjafton fakti që ishim murgesha, na bënin presion çdo ditë. Vinin njerëz të pushtetit, të policisë dhe na thonin: "U ngrysët sot, nesër mos ju gjejmë këtu". Ishte urdhër nga lart. Enveri nuk na donte, por punët e dorës që bënim, i çonte peshqesh Stalinit.


Po për fenë?


Punonim fshehurazi. Kushurirën time e burgosën, pasi i kishin burgosur të vëllanë. E di pse? E spiunoi një shoku I tij, që ne e kemi mbajtur me bukë, Preng, quhej. Ai kishte bërë një shaka si 16 vjecar që ishte, kalonin në një kofër. Duke qeshur I kish thënë atij. Nëse vjen Enver Hoxha këndej, unë do ta hedh me duartë e mia në humnerë. Ai e spiunoi dhe djali u dënua 16 vjet burg, duke lënë tre djem në shtëpi. Ishte martuar 16 vjeç. Ajo kryetarja na mblodhi e tha: Shkoni në ndërmarrjen e grumbullimit, se do tu largojnë apo do të vuani. Ashtu bëmë. Me vjetërsirat bëmë veshje, I grinim dhe mbushnim dyshekët. Qepnim fustane, veshje për fëmijë. 15 vjet në këtë ndërmarrje. Punonim natën, fshehurazi, kemi bërë ehe pagëzime. Kujtoj një fëmijë që e kish emrin Petrit dhe kur u bë tre vjeç e solli e ëma bashkë me një shoqen e saj. E pagëzuam me emrin Pjetër. Ai vinte çdo ditë në Kishë, por morrëm vesh që duke luajtur ai kish vrarë një shokun e tij dhe u fut në burg. E kemi kërkuar, por na kanë thënë se është emigrant në Itali. E futën në burg, e çuan në shkollën e edukimit në Lezhë. Na vodhën bibliotekat, qindra libra.


Keni punuar me Mon Sinjor Bonatin, priftin arbëresh?


Kam punuar një vit me të, derisa e futën në burg. Na ka treguar se si erdhi në Shqipëri, e kishin futur në një thes dhe e hodhën në një makinë sipër. Kujtoj atë natë të tmerrshme që e morën me dhunë. Kur iku na tha: "Mos u mërzitni, vazhdoni punën". E mbajtën një vit në burgun e Vlorës, ishte përballë bashkisë së sotme. Na dërgonte rrobat për të larë, ishin të gjakosura me morra. E burgosën se ishte nga Vatakani. E rrihni në burg. Po kur vinin policët e na thonin: "Prifti na dërgoi për verë. Ne u jepnim çfarë kishim, por e dinim që verën e pinin vetë ata. Pasi mbushi vitin këtu e dërguan në burgun e Durrësit. E kemi takuar dhe na ka shpjeguar se si e rrihnin, i çanin kokën me tufën e celësave. Vdiq ditën që do të fitonte lirinë. Është vërtetë e dhimbshme, që prifti arbëresh me gjak shqiptari, ndërroi jetë ditën që do të linte burgun. Na thanë se pësoi infarkt të miokardit nga gëzimi. Nuk dimë se çfarë ndodhi me të, ku e varrosën. Edhe sot nuk i dihet varri dhe kjo është dhimbje për të gjithë klerikët.


Çfarë ndodhi më 1967?


Një luftë e vërtetë, u rrit presioni shumë. I morën ambjentet e kishësh dhe vendosën Teatrin e Kukllave. Na nxorrën jashtë dhe na thanë largohuni. Na morrën rrobat e murgeshave dhe na thanë vishuni si gjithë të tjerat. Miqësia me Petrit Hakanin drejtori I policisë në Vlorë.. Gruaja e tij kishte bërë shkollë me ne, kur ishim në Elbasan. Ajo ishte myslimane, por I pëlqenim. Kur jemi takuar me të këtu, ajo u befasua dhe i kërkoi të shoqit që të na respektonte, së paku të na linin rehat. Çuditërisht ai kish punëtore në shtëpi një shkodrane që rriste dy fëmijët e tij. Për hir të së vërtetës dua të them se Petrit Hakani na ka ndihmuar edhe të shkonim tek prifti. Shkonim tek priftërinjtë që vuanin dëbimin në burgje në Tepelenë. Me lejën e tij i çuam rrobat priftit për të bërë meshën, i çuam edhe ushqime. Ka shkuar motra Tereza Manoviq. Ka shkuar me një shofere, në mos gabohem e quanin Ylvije. Ugo Manaj pronari I madh Italian që kishte Skelën. Edhe atë e futën në burg, ishte inxhinier ndërtimesh që kish bërë vilat një katëshe në dalje të qytetit .Shteti kërkonte të strehoheshin qytetarët aty.


Pas viteve 90-të cfarë ndodhi?


Nuk mund të harrohet 1997. Vinin të plagosur për t'u mjekuar dhe ka pasur disa raste që këtu në kishë përballeshin kundërshtarët. Detyroheshim të mbaronim me një palë të nxirrnim ata e pastaj me rradhë. Edhe femra kemi ndihmuar shumë. Kujtoj një rast, kur një breshëri kallashi u derdh në dhomë. U shtrimë barkas dhe për fat të mirë nuk na zuri asnjë plumb. Mjaft vajza kanë kërkuar mbrojtjen tonë dhe ne kemi lajmëruar policisë, në qëndrën e strehimit të tyre. Një jetë të tërë në kishë, e bukur edhe sot.Nuk të ka rrahur zemra ndonjëhertë? Na kanë ngacmuar gjithmonë burrat duke na thënë: Pse nuk martoheni, jeni të bukura, të mira. Na kanë provokuar mbarë e mbrapsh. Por unë jam betuar si njeri i Zotit. Kam lindur dhe do të vdes e virgjër. Më mirë kështu se sa si vajzat e sotme që ndërrojnë shumë partnerë. Një jetë të tërë në Vlorë, me cfarë përshtypjesh? Nuk janë njerëz të dashur, nuk e shprehin mirënjohjen. Të duan të respektojnë sa kanë nevojë, pastaj të kthejnë krahët.


E ke takuar Nënë Terezën?


Po kur erdhi na Tiranë na dërgoi makinë dhe shkuam atje.


Papen?


Ah fati i keq, pasi, unë isha në Itali u operova nga kocka, isha në Itali. Por më ka njohur nga larg dhe më ka përgëzuar.

No comments: