Monday, February 02, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-VILHELME HAXHIRAJ- ESSE DHE POEZI


Vilhelme Vranari Haxhiraj

VLORE, Shqiperi- Vlora Albania

PAVARESIA E KOSOVËS I KA RRËNJËT NGA JANINA NË PRIZREN



Po shkon një vit që KOSOVA fitoi të drejtën më legjitime, shpalli PAVARËSINË KOMBËTARE, lirinë e shumëpritur, e cila lind bashkë me njeriun. Ishte ëndrra e tyre shekullore, që u ishte mohuar me të padrejtë, për të cilën kanë luftuar, kanë kaluar kalvare vuajtjesh të pashëmbullta dhe krimesh makabre, që mbajnë vetëm një emër drithërues “Genocid shfarosës”. Përse vallë një trevë e Dardanisë së lashtë sa vetë bota, e banuar nga shqiptarë autoktonë, të një gjaku, të së njëjtës racë ilire, të një gjuhe dhe po me të njëjtat tradita me trungun mëmë, ka qenë nën sundimin serb? Asnjë shtet i huaj nuk guxon t’u japë përgjigje pyetjeve të shumta, edhe pse e di, që Fuqitë e Mëdha morën nëpër këmbë një popull të vogël, fisnik e ndoshta më të lashtin e kontinentit të vjetër. Përse e shqyen vallë, e bënë copa-copa duke i prerë 2 krahët Shqiponjës dhe e lanë një trung cung? Për ta bërë fakt të kryer shpërbërjen e një kombi vital, që e çmon lirinë më shumë se jetën, ata shfrytëzuan Krizën Lindore të fundshekullit të XIX-të, e cila u bë rrezik për cënimin e trojeve ilire. Një rol të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare dhe për ta penguar revanshin ndaj shqiptarëve patën Rilindasit e në mënyrë të veçantë, vëllezërit Frashëri. Djali i madh, Abdyli, për nevoja jetike ishte vendosur në Janinë qysh në moshën 18 vjeç. Gjatë qëndrimit në qytetin thesprot u shqua si personalitet politik aty nga vitet 1877, kohë kur e gjithë Lindja ishte përfshirë nga kriza e luftës Ruso-turke. Nëse nuk merreshin masat paraprake nga atdhetarët që jetonin në mërgim, Kriza Lindore ishte një rrezik serioz për Shqipërinë. Shtetet që drejtonin politikën e kohës mendonin ta zhduknin Shqipërinë nga harta gjeografike. Rreziku i shpërbëjes së Shqipërisë, bëri të mundur kijimin e Komitetit të Janinës në Maj të vitit 1877, nën kryesinë e Abdyl Frashërit. Komiteti i Janinës i dërgoi Portës së Lartë një memorandum, ku sqarohej gjendja e keqe e shqiptarëve dhe kërkonin bashkimin e trojeve shqipatare në një vilajet të vetëm autonom. Për arritjen e qëllimit Komiteti i Janinës kërkoi përkrahjen e Greqisë dhe krijimin e një aleance ushtarake anti-osmane. Bisedimet e fshehta me krerët grekë u zhvilluan në Janinë, në Korrik 1877. Greqia nuk e pranoi krijimin e një principate të pavarur shqiptare dhe ndërkohë pohoi se nuk do të hiqte dorë kurrë nga pushtimi i Shqipërisë jugore.

Në fundvitin 1877 Abdyl Frashëri (deputet i Janinës në parlamentin e II-të Osman) u zgjodh Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare me qendër në Stamboll. Në këtë detyrë, i përkrahur nga shqiptarët e Stambollit, ka dhënë një ndihmë të pallogaritur për të mos lejuar kurrë shuarjen e emrit të Shqipërisë. Duke nisur qysh nga fundi i shek. XVI-të e në vazhdim në Ballkan dhe në vendin tonë nisën të zhvillohen një serë kuvendesh me gjithëpërfshirje. Kundër sundimit osman ishin krijuar qysh më parë një sërë vatrash të nxehta politike ndërkrahinore, si: Kuvendi i Shënmërisë së Matit (7/11/1594), Kuvendi i Zadrimës ( 1/11/1598), me pjsëmarrje nga Durrësi, Shkodra, Kurbini, Lezha dhe Prizreni. Më 1608 në Manastirin e Moraçës pranë liq. të Shkodrës u mblodh i pari kuvend ndërballkanik, me krerë shqiptarë, serbë, malazesë, maqedonas. Më 1614 në Kuç të malësisë veriore u mblodh Kuvendi i dytë, ku si në të gjitha kuvendet e mëparshme apo të mëvonshme, si ai i Dukagjinit, apo i Dibrës, u projektua lufta ndaj pushtuesve osmanë dhe u dërguan peticione shteteve Perëndimore, ku kërkohej përkrahja e tyre. Nga 6 krerë drejtues të Kuvendit të Moraçës, 4 ishin shqiptarë. Në të gjitha këto organizma, krahina autoktone shqiptare e Kosovës ishte e përfaqësuar nga patriotët e vet. Përpjekjet për Pavarësi vazhduan sepse mbarimi i luftës ruso-turke dhe Traktati famëkeq i Shën Stefanit e copëzonin Shqipërinë duke e ndarë mes fqinjëve. Ky traktat ishte në favorin e Greqisë, që pretendonte tokat jugore shqiptare deri në Vjosë, apo Shkumbin, Më pas qarqet shoviniste greke dolën me idenë e Vorioepirit, të ndihmuar dhe përkrahur nga ndonjë bukëshkalur himariot, që i mbante flamujt e të huajve nën jastëk, për t’i ngritur nga frynte era. Madje arrin deri aty sa në fillim të shek XX-të e shet Himarën se gjoja qenka tokë greke. Për këtë njeri të paskrupullt, tradhëtar e progrek, ia si shkruan Fletorja e përjavëshme “Politika” më 23 gusht 1923: “Niko Milo një vagabond e aventurier…që shtëpia e tij në Himarë rron me thërrimet greke, nuk i mjaftoi që më 1920-21, për 10 muaj e quajti Himarën koloni greke, ose tokë kriminelash të ndarë nga gjiri i atdheut Shqiptar…por nxit popullin e pafajshëm dhe patriot të Himarës, duke i bindur se së afërmi do të vijë Greqia...U largua në Korfuz, ku prefekti i atjeshëm e emëroi Kryetar të Komitetit Vorioepiriot. I vëllai i tij në Himarë vazhdon të punojë për të huajin, duke e shtrirë ndikimin nga Palasa në Nivicbubar…”. E njëjta gjë ndodhi edhe me veriun e vendit të Shqipërisë , të cilin e pretendonte Serbia, që kërkonte t’i shtrinte kufijtë e saj jugor deri në Mat. Po këto pretendime ishin edhe për krahinat jugë-lindore dhe ato perëndimore të vendit tonë. Të shtyrë nga pozita gjeografike e favorshme, dalja e gjerë në Mesdhe përmes Adriatikut dhe Jonit, bukuritë natyrore, pasuritë e mëdha mbitokësore dhe nëntokësore kishin rritur oreksin e fqinjëve tanë. Duhet theksuar se kolonizimi i trevës së Kosovës nga sllavët ka ndodhur para pushtimit osman. Ndaj patriotët shqiptarë kërkonin që ajo të shkëputej njëherë e mirë nga çdo lloj shfrytëzimi. Pas shumë kuvendesh madje të organizuara edhe nga arbreshët e Italisë, bëri të mundur themelimin e Lidhjes së Prizrenit. Abdyl Frashëri, si njëri me më potencë dhe i vendosur për zbatimin e platformës politike të Komitetit Qëndror të Stambollit, e bëri të njohur publikkisht rrezikun aktual të Shqipërisë përmes botimit të disa artikujve në shtypin europian. Nën drejtimin e Ilias Pashë Dibrës u mblodh Kuvendi i parë i Dibrës më 1 Mars 1878, ku Abdyli ishte përfaqësues i Toskërisë dhe jugut të vendit. Më 10 qershor 1878 ai mori pjesë në themelimin e Lidhjes së Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare brenda Shqipërisë, me program të qartë politik dhe me një strukturë organizative në të gjitha trevat shqiptare, me një organizim qëndror dhe lokal. Në Kuvendin e Prizrenit morën pjesë përfaqësues nga të gjitha krahinat, u zgjodh Këshilli i përgjithshëm me atributet legjislative dhe Komiteti Qëndror me funksionin ekzekutiv. Më 17 qershor u aprovua Statuti i Lidhjes. Më 3 Korrik Këshilli i Përgjithshëm miratoi ligjet e reja ( një kanun të ri), gjë që shënoi fitoren e Lidhjes. Në të nuk përfshihej besnikëri ndaj Portës së Lartë, por autonomi dhe kundërshtonte vendimet e traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Abdyli u zgjodh Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme. Në Janar 1879 A. Frashëri organizoi kuvendin e Prevezës, ku u pengua shkëputja e Çamërisë nga toka mëmë. Veç të tjerash u theksua shpallja e Autonomisë në tërësinë tokësore shqiptare. Për këtë arsye në pranverën e vitit 1879 L. e Prizrenit dërgoi një delegacion nën kryesinë e Abdyl Frashërit, i cili vizitoi gjithë oborret e Europës, të Fuqive të Mëdha që mbanin peng fatin e Shqipërisë. Për aktin atdhetar të tij edhe sot këndohet kënga: “Abdyl prishe pasurinë një barrë flori…dhe Bismarku se ç’të pyeti: “Djalo nga je ti?” -Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri. I rritur në ato male me libra në gji. Duhet të mendoni mirë ju për Shqipëri, mos e bëni copa-copa sikur s’ka njeri…” Veç paprekshmërisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë, Lidhja e Prizrenit detyroi Fuqitë e Mëdha që Ulqini t’i jepet Malit të Zi. Nën udhëheqjen e A. Frashërit u organizua Kuvendi i Gjirokastrës më 1880, ngjarja më e rëndësishme politike pas Lidhjes, ku u vendos organizimi i Kryengritjes së armatosur. Gjatë kësaj kohe në Prizren Komiteti Qëndror u transformua në Qeveri të Përkohëshme, ose “ Kuvernë të Përdorme”, E cila drejtohej nga Haxhi Ymer Prizreni (kryetar), Zija Prishtina(sekretar), Shuaip Spahiu ( n/kryetar), Sulejman Vokshi për punët ushtarake dhe A. Frashëri për punët e jashtme, i cili ishte përfaqësues i krahut radikal. Por veprimtarisë së tyre iu kundërvu krahu i moderuar, brenda Qeverisë. Qytetet e çliruara nga ushtria e Lidhjes si: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Tetova, Dibra, Gostivari etje, ranë në duartë e ushtrive osmane. Pushtimi i Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës, shënoi rënien e Lidhjes Prizrenit më 1881. Gjithsesi kjo nuk i pengoi shqiptarët të organizojnë kuvende dhe kryengritje anti-osmane. Rëndësi të veçantë kundër rrezikut austriak, ka kuvendi i Farizajt që u mblodh më 20/7/1908, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Isa Boletinit. Kurse më 21-25 maj 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut , i udhëhequr nga Hasan Prishtina (ish deputet në Prlamentin e Stambollit.), ku u vendos për Kryngritjen e përgjithshme 1909-1911, e cila përfshiu gjithë vendin, nga Kosova deri në në Gjirin e Artës.

Kuvendi që shpalli Pavarësinë Kombëtare ishte ai i Vlorës nën drejtimin e Ismail Qemalit. Më 28/XI/ 1912, ku morën pjesë përfaqësues nga gjithë Shqipëria. Qeveria e Vlorës përbëhej me anëtarë nga të gjitha krahinat shqiptare. Ndërsa qeveria merrte masa për krijimin e shtetit të parë shqiptar, në Trieste zhvillonte punimet Kongresi (mars 1913) për kufijtë e Shqipërisë që përfaqësohej nga shqipëtarë. Kurse ato që i vunë vulën, ndarjes së Shqipërisë në copa-copa, duke ndarë nga trungu mëmë, Kosovën, Çamërinë, Plavën, Gucinë si dhe trojet e banuara nga shqiptarët në Malin e Zi e Maqedoni, ishin Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Kështu Kosova përfundoi nën sundimin e Republikës Federale Jugosllave. Ka aq shumë ngjarje historike sa do të duheshin volume të tëra për të përshkruar egërsinë e sundimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e tyre shekullore për Pavarësi Kombëtare.

Por ajo që shënoi domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës nga Serbia, kanë qenë 10 vitet e fundit. Genocidi që u përdor ndaj shqiptarëve trima, të cilët kanë kërkuar të jenë zotër të fateve të tyre, të tokës mëmë, të pasurive përrallore të nëntokës me qymyrguri dhe minerale të rralla. Në kujtesën e çdo shqiptari do të ngelen mjaftë figura të shquara kosovare, si ajo i Binak Alisë, udhëheqësi i kryengritjeve antiosmane në fillim të shek -të XIX? I madh dhe i vogël i njeh Azem dhe Shote Galicën. Kush nuk e kujton trimin e Kaçanikut Idriz Seferi, që lufoi kundër osmanëve, serbëve dhe bullgarëve? A mund të harrohen vallë ata lumenjë gjaku të shqiptarëve të pafajshëm ndër shekuj? Kujtesa njerëzore ruan vrasjet makabër në kope sikur të ishin bagëti, duke i hedhur në një gropë të përbashkët, ku përfshihen mijëra varre paemër?! A mund të harrojë nëna djalin që ia vranë para syve duke e lënë qyqe me duar në gji? A mund të harrojnë fatin e tyre të zi sa e sa vajza dhe nuse të reja, të ngelura në mëshirën e fatit? Askush nuk mund ta harrojë heroin legjendar ADEM JASHARI dhe zhdukjen barbare të familjes së tij. A e di bota vallë se sa e shenjtë është familja për shqiptarin? Si mund ta krahasojnë Genocidin e ndjekur ndaj shqiptarëve të Kosovës, në krahasim me holokaustin nazist, në raport me numrin e popullsisë? Mjaftë, nuk mbante më kupa. Kosova nuk e duronte dot më dhunën dhe robërinë.

Këmbanat e fitores së Prishtinës trokitën fuqishëm, sepse e gjithë bota që do paqe dhe mirëkuptim mes kombeve, gjithë faktori politik ndërkombëtar, SH.B. A. dhe B.E e përkrahën fuqishëm Pavarësinë e Kosovës. Paçka se ende kundërshtojnë Serbia, Rusia apo Qipro. Si duket kanë harruar se iku koha e sferave të influencës së ish Kampit socialist. Si ndër shekuj, kur rrënjët e lirisë u mbollën nga Janina në Prizren, edhe tani shqiptarët qëndrojnë përkrah njeri-tjetrit.Pavarësia e Kosovës, si domosdoshmëri e ruajtjes së rendit e qetësisë në Ballkan e në rajon, sot ka hapur dyert drejt integrimit. Si një urëlidhëse mes krahut të shqiponjës me trungun mëmë, do të shërbejë rruga Durrës-Prishtinë. Kjo rrugë do të shërbejë si lidhja shpirtërore mes shqiptarëve të ndarë për gati një shekull, integrimin e të dy anëve drejt zhvillimit ekonomik, kulturor dhe historik. Shtylla vertrebrale e kombit më të lashtë të Europës, do të plotësohet, kur krahu i dytë i Shqipes, Çamëria,do të fluturojë e lirë. Ndaj me të drejtë uroj:”GËZUAR NJË VJETORIN E RILINDJEN SË DYTË TË PAVARËSISË KOMBËTARE, KOSOVË!”






Poezi Kushtuar Kosovës

KRAHËT E SHQIPES
-Kosovës martire-

Dy krahët Shqipes ia prenë barbarisht,
pamëshirë në copa e ndanë dhe e përçanë…
E trupi i të shenjtës “Mëmë” u la në gjak,
Kaoni, Thesproti, Dardani dhe sa e sa…
thirrën njëherësh fisnikët ilir anembanë:
-Ngrehuni o burra, kudo që jeni,
Sot Shqipja mëmë, e plagosur na thërret:
“- Ndër shekuj plagë të rënda kam marrë,
as vet s’e di si kam ngelur ende gjallë
nuk dua hakmarrje, urrejtje dhe mëri.

Shqipja të fluturojë kërkon vetëm liri,
ndaj edhe sot nuk dua të merrni hak.
mjaft me luftë, me mllefe dhe kërbaç,
Në Kosovë s’ ka prag të mos jetë larë në gjak
një foshnjë të dëlirë, një djalë a një vajzë e vranë,
apo një vatër e shuan pa nam dhe nishan.

Vdekja për liri për ta ishte me mjaltë,
edhe pse mbyllën një derë, shuan një vatër,
nuk ndizet më zjarr e s’del më tym në oxhak,
por kurrë mos harroni të parët tuaj krenar,
atdhetari dhe vëllazërim kishin në plan të parë.
Kosovë martire! Hidhi sytë mbi flamurin kuq e zi,
me gjak ilir është endur, përmes territ të zi,
Shqipja as ka vdekur dhe as vdes kurrë,
se për shqiptarin nuk ka vlerë jeta pa liri...!”
17-12-2007

49- GËZUAR RILINDJEN E DYTË, KOSOVË!
S’ gjej dot fjalë gëzimin ta shpreh,
sa shekuj lufte për një botë të re!
Sa ëndrra u thurën në lumenj gjaku
rënkoi trualli,
u drobit i riu…
lëngoi plaku…!
U ngrit Rugova dhe Pavarësinë uron:
“Gëzuar për jetë e mot, o mëmë Kosovë!
Drithërohet poeti, një pikë loti i rigon,
kur toka e vetë dhe shkëmbi gjak pikon…”
Thërret e këlthet sa gjithë bota dëgjon:
-Nga Prekazi po vjen Adem Jashari,
heroi legjendë, me gjak shqiptari.
ka në dorë flamurin e Shqipes kuq e zi,
mbërrin në Prishtinë e gjen simbolin e ri!
Ulet në gjunjë dhe puth tokën gjaklarë,
i përulet flamurit me nderim atdhetari,
prej shpirtit të sfilitur dy fjalë i dalin:
“Ta gëzojë Pavarësinë Kosova mbarë!
Buzë e zemër më dridhen dhe syri më qan…
vëllezër, mos më koritni, prej gazit e kam.
Uroj vëllazërim,
dinjitet kombëtar,
fat e mbarësi
kudo që ka shqiptarë!
17/ 2/ 2008 ora 16-oo


*HAPMA ZEMRËN, O NËNË!

Me krenari ty të falem,
Kosovë!
Para teje në gjunjë
përulem o nënë!
Nderim…
mirënjohje…
përkushtim…
për shekuj të tërë!

Mbështetur kokën ,
në prehërin tënd,
hapma zemrën,
më bëj pak vënd.

Kosovë!
O bijë martire…
Lejomë,
që mallin të ta shuaj
Për djemtë e vajzat lastarë,
që as jetën s’e kursyen
po për ty, o nënë, e dhanë.

Kosovë!
O bijë e Shqipes krenare,
përse shekujt të drobitën?
Luftrat…
hallet…
dhe dertet të rritën,

Kosovë!
Më fut në gji ti, o mëmë,
Me ledha…
ngrohtësi
e dhembshuri…
të t’i shëroj plagët
e shpirtit tënd!

Ndaj, hapma zemrën
e më bëj pak vend,
qetësinë ta gjej
në kraharorin tënd!

No comments: