Thursday, February 12, 2009

Bota e Gruas Shqiptare_FLORA DURMISHI-Interviste me fotografen Mimoza Veliu

Fotografia që flet



Intervistë me Mimoza Veliun-fotografe



Mimoza, para disa ditësh, ka hapur ekspozitën me fotografi artistike me titull “Delirium”, në Galerinë e Arteve të Kosovës. Ekspozita u prit shumë mirë. U komentua nga vizitorët por edhe njohësit e mire të kësaj fushe siç është z Afrim Spahiu, Shkelzen Maliqi, Osman Demiri, e të tjerë.



Disa fjalë për Mimozën:



Mimoza Veliu, ka lindur në Tetovë ndërsa prej disa vjetësh jeton, bashkë me djalin e saj Jonin, në Berlin. Mimoza ka shumë dëshira! Atyre nuk ua di fundin. E do shumë jetën. Kërkon tri jetë se kjo nuk i mjafton per të realizuar gjithë ato që ka në plan. Për të fotografia është një pasion që dhemb. Madje i është kthyer në varshmëri.



Shikon shumë vepra të të mëdhenjve të fotografisë, sikur i përpinë ato. Dhe jo vetëm klasikët e fotografisë, shikon dhe studion edhe talentët e rinj të cilët e befasojnë me filozofinë e tyre jetësore, përmes artit të të fotografuarit.



Tash se voni ka filluar të punojë si fotografe për disa
institucione në Berlin.




Mimoza, je e kënaqur ti vetë me ekspoziten e fundit në Galerinë e Arteve në Prishtinë?




Stresi për të bindur Galerinë për të hapur një ekspozitë personale, për të bindur publikun që të vijë ta vizitojë këtë ekspozitë ka qenë kaq i madh sa gëzimi, satisfaksioni pastaj është i dyfishuar. Unë jam shumë e kënaqur me rrjedhën, jam e kënaqur me organizimin, me ndihmesën që më është dhënë me publikun. Mund të them që në vazhdën e punës sime, si fotografe, ka qenë ndër më të suksesshmet.



Ekspozita titullohet “Delirium” pse?




Më është bërë shumë herë kjo pyetje edhe për faktin e koincidencës me përmbledhjen poetike të Mimoza Ahmetit dhe them që në nënvetëdije edhe mbase jam ndikuar nga ky inspirim, mirëpo mbase edhe nuk e kam ditur dhe në momentin që më është bërë kjo pyetje thash “ua” mbase edhe është e vërtetë, nuk e mohoj! Delirium është një gjendje të cilën të gjithë, në një mënyrë apo në një tjetër, e përjetojmë në faza të ndryshme të jetës, kur dalim nga vetvetja ose i kthehemi vetvetes sepse është gjithnjë diskutabile nëse do ta quajmë dalje nga vetvetja ose kthim në vetvete këtë gjendje. Mendoj se i koincidonte edhe asaj që unë kam dashur gjithmonë të kap te fotografitë e mia, të nxjerr nga modelët e mi, ajo ndjenja e të qenit një frymë dhe jo trup, ndjenja e të qenit e c’ekuilibruar, jasht kornizave të së përditshmes, të konventave shoqërore, si do që ta titullosh. Interpretime ka të ndryshme për gjendjen e deliriumit dhe ky ishte varianti im.



Unë jam impresionuar me fotografitë e kësaj ekspozite! Ato më bënë për vete. Po ti ç’marrëdhënie ke me fotografinë?




Unë jam e lidhur shumë ngusht me fotografinë. Është resursi i dytë pas djalit tim që më jep energji pozitive, sepse jeta sjell nganjëherë edhe peripeci të ndryshme, ballafaqime me probleme të llojit të ndryshëm, të cilat nuk varen nga natyra yte, nga karakteri yt apo gadishmëria yte për t’u përballur me jetën por vijnë edhe përkundër fuqisë tënde që ke për t’i përballuar, megjithatë, njeriu në jetë kërkon një balancim. Dhe, këtë balancim, ne artistët, për fat të mirë, e kemi pak më të avancuar. Ndoshta është mendjemadhësi, nuk e di, por mendoj që ne artistët jemi të privilegjuar që e kemi këtë mundësi balanci të ndjenjave të së keqes dhe të së mirës. Unë me fotografinë, Florë, jam shumë e lidhur edhe për një fakt tjetër se fotografia më ka bërë të ndjejë më shumë vetëbesim, të ndjejë atë ndjeshmërinë e të ekzistuarit dhe të jetuarit dhe edhe një menyrë për të ju treguar të tjerëve mënyrën tënde se si ti e shikon jetën edhe për të shprehur të gjitha ëndërrat, filozofitë e jetës.



Është jeta yte në këto fotografi?



Nuk e përjashtoj që kam edhe autoportrete por shumica e fotografive të mia janë njerëz të tjerë të cilët tregojnë historitë e ndryshme të tyre, mirëpo mënyra se si unë i kam kapur këto fotografi flet shumë për jetën time. Nuk e mohoj në asnjë mënyrë se të gjitha momentet që kam dashur të kap kam dashur të koincidojnë me situata të ndryshme të jetës që unë kam pasur, i kam përjetuar, i përjetoj ose mbase do të doja t’i përjetoja në të ardhmen.



Kush eshte fajtori ose me meritori qe ti je bërë fotografe?



Kam filluar të besoj në Zot, s’kam qenë e tillë fare, por mendoj që është një fuqi që, krahas fuqisë time si artiste, më jep një shtytje. Është pikërisht ajo gjëja që më ka bërë mua të lumtur kur më ka falë djalin dhe më bën mua të lumtur kur më jep atë mundësinë për të shikuar, për të vështruar, për të përceptuar situata që ia vlen të fotografosh. Natyrisht është meritë e ytja kur arrin ose nuk arrin dicka por janë edhe ndikimet direkte dhe indirekte që njerëzit i kanë gjatë jetës së tyre. Ne ndikohemi edhe nga armiqtë, ne ndikohemi edhe nga njerëzit që ta duan të keqen, ne ndikohemi gjithmonë pozitivisht nëse duam të ndikohemi pozitivisht, nëse duam t’i kuptojmë ndikimet në këtë aspekt. Në jetë gjithnjë dua të mësoj. Jam para diplomimit. Marrja e diplomës është dicka shumë rutinë por në kuptimin të mësoj nga njerëzit dhe cdo gjëje në jetë i qasem me një dozë kurioziteti dhe dëshiroj që të shfrytëzoj rastin që nga çdo situatë e jetës të mësoj dicka.



Të kujtohet fotografia e parë më serioze që e kanë pëlqyer edhe të tjerët shumë?

Oh më ke zënë shumë ngusht, nuk e di nëse mund të përgjigjem. Mund të jetë siperfaqësore kjo që do të them por ndjenja që më është dhënë kur më është paguar fotografia e parë është ajo që unë kam thënë “ua”! Nëse jo gjithkush, po të paktën dikush, është në gjendje të vlerësojë në këtë mënyrë duke paguar me para fotografinë, ka dëshirë ta ketë në mur...



E çfarë fotografie ka qenë ajo?



Kam pasur një ekspozitë fotografish në Berlin me portrete nga Kosova, të grave dhe fëmijëve të dalë nga lufta, të mbetur jetimë. Dhe këto fotografi i pata prezantuar në Berlin. Kjo ishte hera e parë kur unë mora ofertat për të blerë fotografitë. Pra ajo fotografi ishte, kur unë, përmes dy këmbëve të ngjitura në një sfond tregoj një lloj balancimi të jetës apo situatave të ndryshme. Artistët jetojnë nga komplimentet, jetojnë nga vlerësimet dhe kjo i bënë që të ndihen mirë dhe të vazhdojnë punën.



Me çfarë aparati ke bërë fotografitë e para dhe me çfarë aparati punon sot? Nga një aparat në tjetrin të është dashur kohë të përshtatesh?



I takoj asaj pjese të artistëve që nuk janë të pasionuar pas teknikës, që nuk bëjnë luftë për të ardhur te teknologjitë më të reja apo për të ndërruar modelet më të reja që vijnë në treg. Unë jam munduar që gjithë atë energji ta harxhoj në krijimin e një origjinaliteti te unë, që të kem atë nënshkrimin tim te cdo fotografi. E kam filluar me fotografi analoge, me që në atë kohë fotografia digjitale, para 9 vjetësh ishte, në avancim, por unë gjeja aparate analoge më të leverdishme. Kjo, ndoshta sepse unë kam bërë në Berlin një shkollë njëvjeçare të fotografisë analoge dhe këtë e kishim si parakusht për të bërë atë shkollën, që të kishim një aparat analog me vete, puna në labor, zhvillimi i filmave, të gjitha. Ndërsa më vonë shikoj që puna në labor është punë shumë e bukur, është ndjenjë shumë e rrallë mirëpo që të kërkon shumë kohë dhe shumë para. Puna në labor unë them mes miqve, mes shokëve, është punë e të pasurve sepse ata e kanë edhe kohën edhe paratë. Ndërsa ne që egzistojmë nga fotografia e kemi jetën e shpejtë dhe në këtë shpejtësi ne duhet të punojmë me fotografi digjitale. Unë përdor një Kon D80 me ndjeshmëri të dritës nga 1.8 deri në ata standardet që janë 3.5 . Për momentin shikoj që për nevojat e mia, për punë ekspozitash për punë formatesh janë më se të mjaftueshme.


Ti nuk jeton në Kosovë! Po të mos shkoje në Gjermani do të ishe kjo që je sot? Kam përshtypjen se atje artistët përkrahen më shumë!

Varësisht në cfarë periudhe të jetës tënde ke dalur në këto vende. Unë për veten time ndihem e privilegjuar që kam pasur mundësinë të njihem me një kulturë të re të një populli, me një traditë shumëvjeçare, si në krijimin e shtetit por edhe fatin tjetër që unë kam shkuar atje mbi moshën 20 vjecare. Në kohën kur unë nuk kam mundur më të kaloj nëpër degradime të ndryshme të personalitetit ose asimilime ku jam në gjendje të shikoj vendin tim nga vi me sy autokritik sepse Gjermania ashtu si edhe vendet tjera të Europës të japin të gjitha mundësitë, varësisht se cilat ti do t’I shfrytëzosh. Ashtu siç ti ke mundësi të avancohesh në jetën tënde, karrierën, përsonalitetin tënd ashtu ke mundësi të shkosh vetëm mbrapshtë, sepse të flasim hapur, shqiptarët që jetojnë në Gjermani por edhe në vendet tjera të Europës nuk është se janë hapa përpara nga shqiptarët që jetojnë në Kosovë përkundrazi ata kanë stagnuar. Këtu është ajo që them unë, që duhet të dish çfarë të përfitosh nga shteti që jeton dhe jo të lejosh që të mbetesh mes dy kulturash…



Por po insistove rrugët I ke të hapura apo jo?



Deri në një masë. Do ta them me kujdes por gjermanët janë një pupull që të avancojnë deri aty sa të të shikojnë sërish nga lart!



Të flasim pak edhe për ekspozitat e tjera.

Kam 6 ekspozita personale në Berlin, një në Suedi një në Tetovë. Në të gjitha këto, përveç të fundit, kam prezantuar fotografinë reportazh, atë që unë kam sjellë gjithnjë për publikun e jashtëm nga vendi ku unë vi sepse kjo ka qenë më ngacmuese për ta. Opinioni gjerman është I interesuar, veçanërisht, të shikojë pamje nga jeta në Ballkan ndërsa në këtë ekspozitën e fundit unë mora guximin të paraqitem me fotografi artistike sepse unë e dua shumë fotografinë artistike kam dashur të shikoj se si do të priten dhe nëse unë do të duhej që në të ardhmen të vazhdoj këtë lloj fotografie.



Ke bërë edhe katalogë të tjerë nga ekspozitat që ke pasur?


Po kam edhe të tjerë nga të gjitha ekspozitat që kam pasur.



Sa vend zë femra dhe fëmijët në fotografitë e tua?


Një pjesë shumë të madhe të fotografive të mia, ndoshta nga momenti kur u bëra nënë, fillova të shikoj botën e fëmijëve me një sy krejt ndryshe, arrij të perceptoj ciltërsinë që kanë ata para kamerës dhe jovështirësitë që kam unë si fotografe për të nxjerrë këtë origjinalitet prej fytyrave të tyre sepse nga të tjerët është një cikë e vështirë përvecse të trajnuarit, modelet e mi i kam të trajnuar, janë modelë profesionalë të tjerëve është vështirë t’ua nxjerrësh më duhen 2 orë, 3 orë derisa unë të nxjerr atë që unë dua të nxjerr. Te fëmijët e kam shumë më të lehtë. Ata janë vetvetja, janë shumë origjinalë janë shumë të sinqertë.



I fotografon anëtarët tu të familjes? Janë ata personazhe të fotografive tua?

Duke mos e tepruar në asnjë mënyrë. Një ndër personazhet e fotografisë time kam edhe djalin tim. Por duke u munduar të krijoj një fotografi artistike që nuk do t’I jepte atë identitetin e të qenit djali im por do t’I japë fotografisë identitetin e një fëmije që paraqitet aty.



E di sa foto ke bërë deri tash dhe sa prej tyre nuk vlejnë?


Arti i fotografisë është si arti i pikturës apo i skulptures. Jo gjithnjë të shkon përdore dhe jo gjithnjë ka të tillë që me devotshmëri mbrojnë idenë se ajo që është shkrepur është mënyra se si është parë dhe nuk duhet larguar, ajo është art! Jo për mua nuk është art! Ajo është vetëm një tendencë për të krijuar artin.



Ç’teknikë përdor, Mimozë?


Unë përdor fotografinë bardh e zi në një pjesë më të madhe të kohës! Sepse më duket që ka një aspekt më artistik, i jep një frymë ndryshe publikut. Por edhe fotografia me ngjyra, varësisht nga situata që krijohet, dmth kur fotografia vetë ka një kolorit të madh, atëherë është gjynah t’ia heqësh atë dhe ta kalosh në bardh e zi.



Poezia është ura për të gjitha artet! Ti kalove nëpër të apo jo?



Përmes artit ne mundohemi që të nxjerrim dëshirat tona. Të nxjerrim në pah filozofitë tona të jetës dhe kjo më ka ndodhur gjithnjë edhe me poezinë! Këtë jam duke bërë edhe me fotografinë! Është një mënyrë e mirë e balancimit të jetës, mendoj që ka shumë rëndësi.

Duke kërkuar më shumë informacion për ty lexova diku edhe këtë vlerësim: “Lëvizja,dritë-hija, femra, fëmijët dhe fryma e realitetit, në të
gjitha këto, janë veçantitë e fotografive të Mimozës. Të gjitha këto,
duke kaluar nëpër syrin dhe objektivin e saj marrin vulën e kohës,
por mbi të gjitha marrin vulën e autores.”


Vula e autores - Për mendimin tim ky është vlerësim shumë i madh! A ka arritje më të madhe se sa sapo ta shikosh nje foto ta dish edhe autorin, pa e parë emrin?! Ky është synimi i çdo artisti dhe ky për mua është kulmi apo jo?

Shpresoj të jetë kështu! Unë jam shumë e lumtur që arti im vlerësohet në këtë mënyrë ky ka qenë dhe është synimi im më i madh: që ta kem unë atë vulën time! Të njihet fotografia, stili im i të bërit fotografi dhe të njihem unë si autore përmes saj.

Mimozë, faleminderit shumë për intervistën

E ndjeva veten shumë të nderuar dhe shumë të kënaqur me këtë bisedë.



Intervistoi: Flora Durmishi

No comments: