Saturday, July 25, 2009

Bota e Gruas Shqiptare-Vilhelme Vranari Haxhiraj -esse

Vilhelme Vranari(Haxhiraj)

VLORË: NJË MEMORIE E HISTORISË SONË TË MOHUAR

KUJTOHEN ME NDERIM DHE DHEMBJE 1400 BIJA DHE BIJË TË VLORËS QË U VRANË
DHE U BURGOSËN NË BURGJET E DIKTATURËS

Po e nis shkrimin me këto vargje kuptimplote, të cilat janë sentencë e romanit “Dilema e së nesërmes”,

MOS HARRO!...

Kurrë mos harro!
Ne të gjithë kemi një vatan,
lindëm nga e njëjta baltë!
Si unë edhe ti, për herë të parë
shqiptuam fjalët: “Nënë dhe babë”.

A e mban mend?
Sa herë kujtonim të parët tanë,
të habitur njëri-tjetrit i thamë:
“Qënkemi një fis e një farë,
pa u njohur desh u vramë?!...”

Kujtohu!
Jo ne! Kurrë ne!
Koha bastarde na ka ndarë,
për të kënaqur të pangopurit lakmiqarë.
Lodër e kujt jemi bërë vallë?

Më urren sikur të kam vrarë,
Më sheh vëngër e tërë inat,
sikur kërkon të marrësh hak.
Bota mizore, bota e përdalë,
me ne a nuk është ngopur vallë?!

Mos harro!
Nëna nuk i do fëmijët të ndarë!
Prej drobitjes zemra i pikon gjak.
Mos harro të më buzëqeshësh pak!
Zgjatma dorën që të ecim bashkë!

Nga këto rreshta, çdo individ, i majtë, i djathtë, apo i qendrës, është në gjendje të bëjë një analizë të mirfilltë, jo të njëanshme. Kur janë probleme kombëtare kardinale, kur bëhet fjalë për bashkim dhe jo për rindarje klasore njëanshmëria është e dëmshme. Ndaj le të shërbejë si kujtesë për këdo se kemi lindur në këtë tokë dhe historinë e kemi gdhendur të gjithë bashkë papërjashtim.
Për gjysmë shekulli diktaturë u tjetërsua historia, u zhvat prona, u vodh identiteti shekullor i familjeve fisnike, u mohuan vlerat njerëzore dhe mbi të gjitha individi. U gënjyen brezat me një histori të gjymtuar, të gënjeshtërt, të njëanëshme dhe tejet të politizuar. Për gabimin e një individi apo të një fajtori të pafaj u dënua një familje, një fis, u mohua një krahinë dhe u lanë në harresë, me dashje duke mos u përfshirë në historinë tonë kombëtare. Ky dallim klasor i ndau shqiptarët në “atdhetarë” dhe “armiq të betuar” të tokës që i lindi. Mos vallë ishin bijë të një planeti jashtëtokësor? Me ç’të drejtë ua mohonin pronën e tyre, që ishte atdheu që i lindi dhe i mëkoi me dashurinë për tokën, për njerëzit dhe gjuhën? Dashuria amtare bëri që ata të vinin shenjën e barazisë mes lirisë dhe jetës. Si në gjithë vendin edhe në Vlorë dhe rrethinat e saj, ndodhi e njëjta gjë me gjysmën e popullsisë. Mes këtyre njerëzve që u gënjyen dhe u flijuan, mes këtyre luftëtarëve të lirisë dhe demokracisë së vërtetë, që u vranë e u sakatosën, u burgosën, familjet ua internuan, u mohuan profesionin, këto ditë kujtohen me nderim dhe dhembje 1400 vlonjatë të harruar.
Pikërisht atë detyrë që nuk e bën historianët, po e bën një grup qytetarësh të mirë vlonjatë. Ata janë njerëz të thjeshtë. Nuk janë Akademikë, as doktor shkencash sociale apo juridike, as me detyra shtetërore, por me përgjegjësi morale qytetare që ia vlen të admirohen. Ideator i kësaj pune,që e quaj si një ringjallje e jetëve të varrosura, rilindje e jetëve të mohuara, dergjur burgjeve dhe internimeve, ishte qytetari fisnik, z.Shaban Xhyheri. Ky qytetar i urtë, i moshuar, në prag të nëntdhjetave, i cili mbart qytetari, kulturë dhe atdhetari, po realizon atë pjesë të mohuar të historisë së Vlorës, e cila është e pandashme nga historia kombëtare. Puna e kryer me një vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, e të gjithë grupit të punës, bëri të mundur që ditën e mërkurrë datë 22, në qytetin e Vlorës të çelet ekspozita fotografike e të vrarve dhe të burgosurve politkë nga dikatura komuniste.
Nuk janë pak, por 1400. Vetëm të pushkatuar apo të varur janë 425, nga të cilët 14 janë gra. Kurse 980 janë të burgosur, nga të cilët 52 kanë vdekur në burgje, duke e rritur varrezën gjigante të kombit më të lashtë të kontinentit. Shumica e tyre u vranë dhe u burgosën në kope. Dënimi kolektiv, shpikja e “madhe”e diktaturës më të egër që ka njohur njerëzimi, shfarosi palcën kurrizore të kombit; fisnikërinë dhe intelektualët. Ndërsa duartrokiste Hamletin, Demoni me penën e ngjyer në gjak shqiptari, nënshkruante vdekjen, burgosjen dhe internimin e rinisë, segmentit më vital të kombit.Truri i kombit u varros në këneta, kanale, miniera dhe aerodrome, duke u kthyer në shtretër gjarpërinjësh a fole mushkonjash. Për gjysmë shekulli, Shqipëria, Parajsa ku kanë folenë Perënditë, u shndërrua në një burg, ku kishte vetëm roje dhe të burgosur. Me zakon, a me ligj, çdo kufomë ka të drejtën e një copë toke, ku të prehet. Por Shqipëria e bukur dhe e pasur, veç tejet e vuajtur dhe e varfër, u shndërrua në një varrezë gjigante mbushur plot me varre pa emër, ku mes tyre u dergjën edhe këta dragonj.
U mohuan këta bijë të një klase fisnike, që në shekuj, ka qenë palca e kombit dhe pati vlerat e saj të pazëvendësueshme si në politikë, ekonomi dhe kulturë. Vrasjet dhe dënimet sollën ndarjen e kombit më dysh, në dy klasa armike,. Si pasojë lindi urrejtja dhe hakmarrja. Krimet u bënë vetëm për të mbajtur në këmbë sa më gjatë kolerën komuniste, një shtet të pathemelt. Pas rënies së diktaturës, shkaktarët e shfarosjes masive, të urisë e mizeries, të luftës klasore “u gjykuan”, ndërsa ata, apo bijtë e tyre nisën të drejtojnë shtetin e ri demokratikë. Sa për të qeshur dhe njëkohësisht për të qarë. Kriminelët duheshin dënuar për genocid dhe jo për kafe e metrazhe. Duke e marrë këtë shfarosje, për numër popullsie, kam bindjen se është shfarosja më e madhe e shekullit. Sepse e njëjta gjë u ndoq edhe ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës nga komunizmi serb. Kurse brenda territorit mëmë, këto krime u bënë jo nga i huaji, por nga vëllezërit e një gjaku. Thonë me gojë, se e pranojnë krimin dhe padrejtësinë që i është bërë gjysmës së shqiptarëve, por në këto vite demokraci, persekutorët, as u penduan dhe as kërkuan falje, sepse nuk e njohin veten si të tillë.
Historianët kanë shumë përgjegjësi në mohimin e fakteve reale. Janë faktor për përçarje dhe luftë klasore, e cila e ka dëmtuar Shqipërinë. Komunizmi e varfëroi shqiptarin jo vetëm materialisht, por edhe mendërisht. Kurse mosmarrëveshjet mes shqiptarëve, u rritën oreksin qarqeve shoviniste të fqinjëve. A ka dobi kombi nga grindjet dhe urrejtjet?!
Po i drejtohem Presidentit dhe Qeverisë shqiptare, se mes këtyre fisnikëve që i morën zvarrë, ka plot individë që japin vlera me profesionalizëm, ndoshta japin më shumë se bijtë e atyre që dje ua mohuan vlerat, madje edhe fizikisht, kurse sot na drejtojnë. Tashmë ata vlerësohen me tituj, u jepen pensione të posaçme apo emërohen në vende me rëndësi. Integrimi i të harruarve a nuk duhet të vlerësohet? Rivlerësimi i viktimave të komunzmit, kthimi i pronës pronarëve legjitim dhe dënimi i krimeve të komunizmit, janë domosdoshmëri e shtetit Demokratik.
Historianët duhet t’u drejtohen jetëve dhe aktivitetit të këtyre shqiptarëve të mohuar që janë memoria e gjallë e historisë sonë. Brezat duhet t’i njohin të dy anët e historisë sonë të pashkruar dhe të shtrembëruar. Atdhetarizmi nuk njeh ngjyra politike. Pavarësisht nga bindjet, të gjithë jemi shqiptarë, vëllezër të një gjaku dhe jemi autoktonë në këto troje. Kemi nevojë për vëllazërim e dashuri dhe jo për përçarje e urrejtje. Kjo ekspozitë është një memorie historie, e cila këlthet: “Politikanë, qeveritarë, gjyqtarë dhe prokurorë, mos lejoni tragjeditë të përsëriten!”


EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E TË MOHUARVE POLITIKË DËSHMON:
” ATA U RILINDËN PËR TË MOS U HARRUAR KURRË!”

Deputeti dhe kryetar i PD. Vlorë, Ardian Kollozi,
premtoi se Ekspozita do të ketë një dhomë të përhershme

Më 22 korrik, në orën10-oo, në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, u çel ekspozita fotografike e të pushkatuarve dhe burgosurve politikë .Ishte një takim me pjesmarrje të gjerë të familjeve të viktimave, të afërmve të tyre si dhe miq e të ftuar. Aktivitetin përkujtimor e nderuan personalitete si Kryetarii Qarkut Vlorë z.Agron Sharra, Sekretare e prfekturës, zj Dorote Konomi, Kryetari i P.D Vlorë z.Ardian Kollozi, Deputeti Dashamir Tahiri. Gjithashtu auditorin e nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe personalitete nga Tirana si: Drejtor i Institurit të Inegrimit të të përndjekurve politikë, z. Simon Miraka;Kryetar i Partisë së Ballit KOmbëtar, z.Adriatik Alimadhi; Kryetar i shoqatës sé të pëndjekurve politikë të Tiranës, z. Skënder Qëndro; Historiani z. Uran Butka etje…Ishte një aktivitet i suksesshëm, që pati rëndësi të veçantë, sepse nxori në dritë 1400 burra dhe gra që luftuan e nuk u vlerësuan; që u vranë për liri –demokraci dhe u mohuan si pjesë e historisë kombëtare.ishte kjo arsyeja qëekspozita u çel në praninë e disa mediave vizive. Pas himnit të Flamurit dhe një minutë heshtjeje në nderim të atyre jetëve të mohuara dhe të harruara, përurimin e ekspozitës, e çeli ideatori dhe nismëtari që punoi për muaj të tërë, z.Shaban Xhyheri, i cili pasi përshëndeti pjesmarrësit, familjet e viktimave, miqë e të ftuar,tha: “Jemi sot këtu të pranishëm, me një nderim të thellë dhe me dhembje, për të çelur ekspozitën fotografike në kujtim të këtyre 1400 shqiptarëve të vërtet, që na vështrojnë të heshtur përmes fotografive. Por sot ata u ngritën nga gjumi i rëndë i harresës historike, ndodhen mes nesh më të gjallë se kurrë ndonjëherë. Kanë ardhur të çmallen me ne, me të afërmit që u kanë munguar. Ishte një takim shumë i vonuar, por jo për fajin tonë.
Si mijëra e mijëra shqiptarë që u sakrifikuan për liri, edhe këta 1400 të rinj e të reja, burra dhe gra, u flijuan për liri-demokraci. Ndaj diktatura komuniste i vrau, i burgosi, i varrosi për së gjalli, i internoi, i dhunoi moralisht dhe fizikisht nëpër biruca dhe burgje, nëpër qelitë më të ngushta se varret dhe më të ftohta se vdekja, sepse ata donin drejtësi dhe sepse ishin dhe ngelën antikomunist.
Të nderuar miq! Për të vënë në dukje, për t’u njohur opinioni mbarë vlonjat dhe botëror me sakrificën e tyre sublime deri në mohimin e jetës së tyre të re, është bërë një punë e madhe nga një grup nismëtar i përkushtuar, dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm.Ndaj si më i moshuar që jam ia vlen t’i falenderoj.
Këta zotërinj janë: Shaban Xhyheri, Shpëtim Sharra, Fahri Shaska, Bahri Çeprati, Kujtim Sadiku, Arianit Hoxha, Adif Shenaj, Dero Murataj, Hajdar Saçaj dhe Qani Xhaferi.
Veç fakteve dhe fotografive ne kemi bërë edhe një punë të madhe me median vizive dhetë shkruar, të cilët i falenderojmë. Me median si brenda dhe jashtë vendit është marrë zj.Vilhelme Vranari Haxhiraj! Sa për fillim,veç fotove tëvëna nëstenda, ne e kemi plotësuar edhe me Pamje filmike nga burgjet komuniste, apo në qelitë dhe në hetuesi. Gjithashtu kemi shkëputur citate tëgoditura nga trilogjia Vështroni Meduzën e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj.
Ekspozita jonë e deklaroj të çelur. Ekspozita do të qëndrojë e hapur dhe ju lutem ta pasurojmë me foto të tjera, me kujtime, ditarë, apo sende që kanë qenë personale të viktimave ! Ju faleminderit për pjesmarrjen dhe vëmendjen!
Më pas e mori fjalën z.Fahri Shaska, i cili vuri në dukje luftën dhe përpjekjet për liri të këtyre njerëzve, të cilët u trajtuan si armiq të kombit dhe jo si luftëtar lirie.
Kurse Vilhelme Vranari –Haxhiraj- me një ESE paraqiti dhembjen dhe pasojat e diktaurës komuniste,luftës më çnjerëzore të klasave, e cila humbi çdo vlerë humane dhe këto foto të heshtura, ku secila simbolizon një jetë të harruar, tëdiskriminuar, sot kërkojnë vetëm faljen nga persekutorët e tyre. Kjo ekspozitë është një kujtesë historike për brezat, që kurrë të mos lejojnë tragjeditë të përsëriten.
Në fjalën e tij, historiani dhe studiuesi, z. Uran Butka, ekspozitën e quajti një punë shumë të madhe, dhe me vlerë,gjë për të cilën falenderoi grupin e punës dhe premtoi se do të jape ndihmesën e tij për të realizuar një film dokumentar. Ky lapidar që ju përuruart sot, ia vlen të quhet plotësim i historisë me atë pjesë të munguar të saj.
Ndërsa z.Simon Miraka, veç punës së mrekullueshme që është bërë ,theksoi se nga kjo ekspozitë duhet të marrin shembull gjithë qarqet e vendit,madje edhe Tirana që nuk ka arritur të bëjë diçka të tillë.Këshilla e tij ishte për arsimimin e fëmijëve,sepse Shqipërisë i duhen njerëz të mësuar nëpër universitetet më në zë ,t ëpërvetësojnë gjuhë të huaja që të jenë të zotët për t’u ballafaquar me këdo dhe të jenë të aftë profesionalisht për të.për të ndërrtuar Shqipërinë demokratike, shtetin e së drejtës.
“Kjo ekspozitë përkujtimore, është më e pakta që mund të bëjmë për këto jetë të mohuara, të sakatosura që ju sot i ringjallët,-theksoi kryetari i shoqatës së të përndjekurve politikë Tiranë, z. Skënder Qëndro. Ai porositi që ekspozita duhet të mbahet hapur që të vizitohet edhe nga të rinjtë .Brezat duhet t’i mësojnë me fakte krimet që ka bërë diktatura komuniste, sepse xhelatët nuk e njohin pendesën ,ndaj nuk dinë as të falin. Punën e mrekullueshmee tëkomisionit ,e përshëndeti Kryetari i qarkut Vlorë z.Agron Sharra, Kryetari I Partisë së Ballit Kombëtar për Shqipërinë, z.Adriatik Alimadhi,dhe Deputetët: z. Ardian Kollozi dhe z. Dashamir Tahiri. Z. Ardian Kollozi edhe si kryetar i Partisë Demokratike Vlorë, Vlerësoi punën e vyer premtoi se ekspozita do të qëndrojë hapur duke e vendosur në një ambient tjetër të përshtatshëm.
Së fundi Shaban Xhyheri, ekspozitën e deklaroi të çelur. Ekspozita do të qëndrojë e hapur dhe ju lutem ta pasurojmë me foto të tjera, me kujtime, ditarë, apo sende që kanë qenë personale të viktimave ! Ju faleminderit për pjesmarrjen dhe vëmendjen!Pas vizitës së stendave nga miqtë, familjarëtdhe të ftuarit, në munitor u paraqit çdo stendë me të burgosurit dhe të pushkatuarit sipas fshatrave. Ekspozita vazhdon të vizitohet gjatë gjithë ditës. Le të shpresojmë se planet që ka grupi të realizohen vetëm se duan mbështetjen qytetare dhe të pushtetit.Secili largohej nga ekspozita me shprehjen:”I Paharruar qoftë kujtimi i tyre!”


Vilhelme Vranari (Haxhiraj)
VIKTIMAT E KOMUNIZMIT SOT KËRKOJNË VETËM FALJE NGA PERSEKUTORËT…

EKSPOZITA E VLORËS KËLTHET: “JU TË RINJ, MOS LEJONI TRAGJEDITË TË PËRSËRITEN!”
Fjala e mbajtur në çeljen e Ekspozitës
Të nderuar familjarë dhe të afërm të viktimave të genocidit komunist!
Të nderuar miq dhe të ftuar!
E ndiej veten të privilegjuar dhe të nderuar që në këtë tubim historik, komisioni i punës i kësaj ekspozite, më dha mundësinë që të shpreh mendimin tim modest për këtë ringjallje të historisë sonë të pashkruar.
Së pari përgëzoj dhe falenderoj ideatorin dhe nismëtarin e ekspozimit të këtyre figurave të harruara, z.Shaban Xhyheri, që kërkon të vë në piedestal vlerat morale, qytetare, intelektuale dhe atdhetare të çdo vlonjati. Për këtë të moshuar të urtë rëndësi ka të jesh shqiptar i mirë. Po qe i tillë, nuk ka si të mos jesh qytetar i mirë i Vlorës. Gjithashtu përgëzoj stafin për punën e vyer në Rilindjen e historisë së shtrembëruar, të gjysmuar dhe të gënjeshtërt. Këtë ekspozitë e quaj “Orakull i Memories Historike”. Miq dhe të ftuar, po citoj disa vargje që rastësisht i lexova në internet:
“Mik i dashur, na u dhimbse kur tregoje,
Si të kishin shtypur, marrë nëpër këmbë...
Liria erdhi...
Dhimbjen në piedestal ta vumë, të ngritëm lart.
Na le pa mend:
Sa shumë i ngjave shtypësit tënd!” -Këto vargje i ka shkruajtur me siguri një bijë sigurimsash. Si përgjigje e poezisë, në emër të gjithë atyre që diktatura komuniste, më e egra e njerëzimit, u mohoi jetën, që trupat e tyre lastar plehëruan këneta, miniera, kanale, atyre të rinjëve që i murosën në pallate, aerodrome dhe në rrugët e ndërtuara me punën e papaguar të tyre, duke e mbushur këtë vend-burg me varre pa emër, po u kushtoj këtë ESSE
“ Ej, ti …që na përçmon dhe na përbuz…
*Ti nuk e di se ç'do të thotë të të vrasin djalin e vetëm pa asnjë shkak, vetëm se ishte bir i një familjeje fisnike.Vdekja me plumb është e ëmbël. Por ç’mund të thuash për të riun 18 vjeçar që e mori mushka zvarrë dhe nënës në shtëpi i çoi vetëm njërën këmbë? Këtë plagë të Sigurimit të Shtetit nuk mund ta harrojë jo familja, por as bashkëkohësit .
*A ka drejtësi, kur dikë e burgosën për agjitacion dhe propagandë vetëm se s’ piu dollinë për mustaqet e Stalinit?!
* Nuk di si ta emërtojë dënimin me burgim të përjetshëm të qindra e mijëra të pafajshmëve, vetëm se nuk ishin në gjendje të shlyenin tatimet e jashtëzakonshme.
*Në ç’vend të botës është vrarë ideali i femrës, apo nëna shtatzënë si në Shqipërinë komuniste? U zhduk inteligjenca e arsimuar në Perëndim, kur shumë emra të tyre, ende ruhen me gërma të arta “Elita të Shekullit XX-të”?
* Si do ta quaje dënimin kolektiv, 70 burra lidhur këmbë e duar me zinxhirë dhe në qafë mbanin varur një parrullë: "Kriminelët në litar!"dhe pas shpine:"Kështu do ta pësojnë armiqtë e klasës"?!
*Ti nuk e ke provuar që të mos thotë kurrë goja “Baba” dhe s’e di se ç’do të thotë të rritesh jetim me baba gjallë!
*Ti nuk e imagjinon dot, të të zhvasin mundin dhe djersën e qindra viteve dhe të të lënë me gisht në gojë, aq sa nuk ke me çfarë i mbledh fëmijët.
*Si mund ta merrni me mend se urrejtja e komunizmit arriti deri aty, sa vrau barbarisht kafshën që s'ka gojë, vetëm se i përkiste një fisniku. A mund t'i shtypësh kokën barbarisht një qeni të bardhë si bora vetëm pse e kishin sjellë nga Austria?
*Si do të ndiheshe kur të sekuestrojnë gjithçka dhe të nxjerrin në rrugën e madhe? Pastaj” bamirësit komunist ", të dhurojnë një barakë në kënetë, ku të internojnë si fis dhe si shtresë ?!
*Ti nuk e kupton sa vragë lë tek fëmija, të cilit i pëlqen libri, kur sheh se i rrëmbejnë bibliotekën qindravjeçare dhe i hedhin librat në kamion si plehëra dhe jo si burim kulture apo dijeje.
*Ti nuk e njeh vuajtjen dhe urinë, si mund të të dhembset një nënë që gjithë ditën i bie bretku në ish ullinjtë e saj, dhe në darkë i mbledh fëmijët me lakra pa vaj?
*E di ti se trastat, tok me fëmijët ,në supet e grave e nënave tona, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve ?
*Nuk të kanë thënë ndonjëherë: “Ti nuk ke të drejtë të diplomohesh se i përket një bote tjetër, botës së mohimit të vlerave dhe vuajtjes çnjerëzore” .
*A mund ta besosh se një nënë me fëmijë,gjeti dritare të rënies së luftës së klasave, diplomohet denjësisht, dhe kur Dekanata për aftësi, e propozon për punë, Kryetari i Kom. Ekzekutiv e pyet: “A e bën dot luftën e klasave? Dhe kujt? Asaj që e kishte hequr mbi supe atë luftë klasore, barbare dhe më çnjerëzore. "I madhi" thotë: "Pushtetin tonë komunist e ndan një hendek i thellë me interesat e klasës tuaj. Ne u përkasim 2 botëve të kundërta, armike,ndaj ti s'ke vend në shoqërinë tonë.
*A e di se mijëra të rinjëve iu mohuan të drejtën e studimit dhe sa të tjerëve u shkoi talenti dëm?!
*Ke provuar ndonjëherë kur komunistët festojnë themelimin e "nënës parti", dhe fëmijët e tu të t'i nxjerrin nga shtëpia në shi, në të ftohtë, prej aty ku të kanë rënë brinjët në ndërtimin e pallatit, vetëm për një metër kub ajër më shumë, sepse ti nuk ke të drejtë të jetosh në pallat?
*Ti nuk e di se ç'është vrasja morale. Eshtë një dhunë psiko-fizike që të vret gradualisht. Eshtë një vdekje e ngadaltë.
*Ti nuk e njeh mbijetesën. Ajo është virtyt i fisnikërisë. Nuk dhurohet, nuk blihet me para dhe as me kulturë. Fisnikëria trashëgohet në gene brez pas brezi.Të persekutuarit e mbijetuar, si duket ruajnë në gjak, genet e ilirëve të pastër ( jo ata të përzier që kanë nxjerrë raca bastarde),sepse vetëm ilirët e kulluar u mbijetuan shekujve.
Të nderuar politikanë dhe pushtetarë, shikojini këto portrete të heshtur, a nuk është një pamje rrëqethëse?Janë 1400 të rinj, gra dhe burra që u vranë, u dhunuan, u mohuan jetën, ëndrrat, profesionin, vetëm sepse luftuan për liri dhe demokraci, por jo për një Shqipëri-burg apo një atdhe të shndërruar në një varrezë mbushur me varre pa emër.
Sot është DITA E RINGJALLJES së tyre dhe ata nuk duan asgjë. Nuk duan hakmarrje, sepse ajo sjellë dhunë dhe hasmëri. Ata kërkojnë paqe mes shpirtrave të lodhur e të sfilitur të shqiptarëve. Nga persekutorët, xhelatët që u morën jetën, u vranë shpresat dhe ëndrrat, ata kërkojnë vetëm një fjalë,”Falje”.Mjerisht xhelatët nuk njohin pendim,ndaj nuk dinë as të kërkojnë falje për krimet e bëra.
Këto portrete sot e në vazhdim këlthasin:”Ne jemi pa varre, ndaj na gjeni një copëz dhomë ku të prehemi e të bisedojmë me brezat, që të mos lejojmë të përsëriten tragjeditë, dramat e një kombi vital, që do të zilepsnin edhe tragjedianët më të mëdhenj të kohërave. Ata do të ringjalleshin për të shkruar tragjedinë më të kobshme, më rrëqethëse të njerëzimit, atë të vendit të shqiponjave. Përmes Faljes së Persekutorëve tanë, kërkojmë integrimin e bijëve, mbesave dhe nipave tanë në shoqërinë e re. Trajtoini ata sipas arsimimit, intelektit dhe profesionalizmit.. Jepuni pronat pronarëve, ktheni identitetin legjitim të rrëmbyer dhe do të shihni se si do të ndryshojë kjo tokë e përgjakur me gjak të pafajshëm shqiptari. Atëherë ne do të prehemi të qetë, sepse do ta shohim realitet ëndrrën tonë, që s’na lanë ta realizonim.”Kjo thirrje u drejtohet Politikës, Pushtetit dhe Drejtësisë për t’i rivlerësuar gjithë viktimat e komunizmit. Kjo ekspozitë kujtimore, si pjesë e historisë kombëtare, duhet të ketë një ambient që të vizitohet vazhdimisht, sepse rinia duhet ta njohë luftën e klasave, genocidin shfarosës që u ndoq në Shqipëri, në Çamëri dhe Kosovë. Mes këtyre tre pavioneve, ata do të jenë në gjendje të përcakrtojnë se cilët kanë qenë persekutorët e secilës.trevë të Shqipërisë. Rinia le të jetë gjykatësja më e drejtë e së djeshmes së hidhur.Vetëm e vërteta historike e Shqipërisë sjellë paqen dhe mirëkuptimin mes shqiptarëve, gjë për të cilën kemi nevojë sot më shumë se kurrë.
Kjo ekspozitë është një memorie historie, e cila këlthet: “Ju të rinj që do të jeni politikanët, qeveritarët, gjyqtarët dhe prokurorët e së nesërmes, mos lejoni tragjeditë të përsëriten dhe mos harroni se të gjithë jemi shqiptarë, të një race, flasim një gjuhë,kemi një traditë dhe në gene kemi gjak ilir.”

No comments: