Monday, April 30, 2007

ILIRIANA SULKUQI-POEZI

Këshillat e nënës sime


1. Nëse dikush…


Nësë dikush
(si njerkë shterpë),
të shpon me gjilpëra
në membranën e shpirtit
dhe,
nga vajzë nëne
bëhesh Kumuri –
Mos vajto
Mbi çatitë e botës,
Të ndjellësh zi!


2. 9 trëndafila…


Kur të shohësh në ëndërr
një mik a mike
që dorën drejt teje zgjat…
Pa larë sytë,
bija ime,
nga lulet -
nëntë trëndafila
mbështilli me mall…

Më pas,
një nga një
e ditë për çdo ditë,
deri në ditën e nëntë –
miqtë do t’i kesh pranë zemrës.
Miqtë do t’i kesh përballë…



3. Mos e shiko peshoren…


Kur të blesh diçka me masë,
mos e shih peshoren me sy!…
Kujtdo që gram-ët t’i “han”,
bollëk ju bëftë në shpirt!


4. Edhe Dielli hije le…


a. …edhe Dielli hije le…
b. Mos vrapo kur fryn erë.
c. Fshihe lotin nën qepallë…!
d. Duaje mikun sa është gjallë…!


4. Tri fjalë – një magji…


Tri fjalë,
Thënë njera pas tjetrës
Ose me të shkruar
Ose vesh më vesh,
Janë magji e zezë, bija ime,
Të vrasin
Pa të thënë : mirëmëngjes…

Tri fjalë,
Si tri rrufe,
Njera pas tjetrës
Dhe pemën e motçme
E bëjnë eshkë.

…megjithate, megjithatë,
me urrejtjen,
asnjëherë mike mos u bëj.

Iliriana Sulkuqi
Brooklyn, fundprill,2007

Ju uroj familiarisht, fundjavë të gëzuar e shlodhëse, kudo që ndodheni.
Larg jush dhe me ju, përgjithmonë Iliriana

No comments: