Tuesday, July 10, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-LINDITA AHMETI -POEZI

Linditë Ahmeti


VASHA, HELIOSI III

Këngëtari popullor e ul malin
Të dalë Heliosi.
Pëlcasin qelqet e frengjive
nga gezimi.
Virrmat nga dhembja
fiken një nga një
dhe i dorëzohen ëndrrës.
Mëkatarët e përcjellin natën
të dëshpëruar.
(Të presim o e nderuar,
ty që i mbulon fshehtësitë!)
Vasha e përgjumur
zbret shkallëve
ta hapë derën
prej nga shihet udha që shpie
kah e panjohura.

Dhe më në fund
Heliosi!
Një shkëlqim,
me një kunorë të paparë,
me gurë të cmueshëm,
e shpërndan gëzimin
i cili troket nëpër dritare,
me gishtat prej rubini,
nga lartë
poshtë,
duke dhënë shenja
ta marrësh me mend
se cfarë bukurie
nuk mund të shihet
nga poshtë lartë.

Paqe e qetësi!

Vasha
del nga nata e rëndë.
Para saj Heliosi
i ngre perdet e zeza
të natës.
Në skenë është
kopshti, vajza,
fluturat dhe bilbilat rreth saj.

Vashën e ndjekin rryma lotësh.
Heliosi i fal mollë të arta
që ajo ta ndërtojë udhën e saj
të gëzimit
derisa ajo e shikon paskajin
në të kufizuarën absolute.

Fluturat ndalen e pushojnë
në ëndrrën e saj
dhe vijnë bilbila të kaltër
t’ia akordojnë zërin
për këngën e dashurisë.
Përsëri Heliosi ia fal lirën e tij
Për t’i vënë kurorën bukurisë.

Ecën kështu vasha
duke kënduar,
duke mbajtur bardhësinë me vete,
kurse Heliosi
ia shtron udhën me flori.

Mirëpo kur Heliosi
hedh dritë
këtu poshtë,
edhe dorës së huaj
i hapet shtegu
ta kthejë cdo gjë për së prapthi

dhe përsëri Heliosi
tërhiqet
prapa mali
dhe përsëri
bie nata.

No comments: