Friday, July 13, 2007

Bota e Gruas Shqiptare-MERITA BAJRAKTARI McCORMACK -ESE

Në Zot ne Besojmë

Botoi Tirana Observer 13 Korrik 2007


Merita Bajraktari

Ishte mesi i viteve 1980. Për ne, shqiptarët që kemi jetuar atë periudhë në Shqipëri, e mbajmë mend mjaft mirë vuajtjen e madhe ekonomike dhe atë shpirtërore. Ekonomikisht vendi ynë ishte më i varfri dhe po shkonte drejt urisë, shpirtërisht ne ishim bosh... Truri ynë ishte krejtësisht i shpëlarë me ideologjinë marksiste-leniniste dhe për brezin tim që ishte ende adoleshent ose në rininë e hershme, në atë periudhë për të cilën unë flas, ishte një periudhë konfuze, një periudhë paqartësie dhe stresi të jashtëzakonshëm. Në atë periudhë unë i kisha shpëtuar "për nji fije" regjimit nga duart dhe u gjenda studente në ILB Kamzë, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Flas i kisha shpëtuar, se biografia ime "ishte për ditë të hallit", sipas sekretarëve të Byrove dhe i shpëtova për shkak të mesatares sime maksimale në të katër vitet e shkollës së mesme. Kështu mundësova diplomimin tim në atë kohë të vështirë. Mbas vetes lashë me dhjetëra shokë e shoqe që kishim pothuaj të njëjtën biografi, por që mesatarja e tyre ishte diçka rreth 9.3. Ne ishim një grup i vogël studentësh që shiheshim me kujdes e "ruheshim" se çfarë do thoshim. Ne ishim ata që në marksizëm apo histori të Partisë së Punës së Shqipërisë s'mund të merrnim kurrë dhjetë, se automatikisht ulej një ose dy nota nga biografia. Dita e parë që shkela në mjediset e ILB, dikush më orientoi drejt një burri të qeshur, të mbushur e me flokë të rëna. - Shikoje atë burrin, është filozof i madh, ateisti numër një. Ai është Hulusi Hako, të cilin Papa Gjon Pali e ka dënuar me vdekje në mungesë.... - Çfarë, - thashë unë, duke hapur sytë, - Vatikani nuk dënon me vdekje, i ke mendtë në koke ti...? - E kam të sigurt, - më tha bashkëbiseduesi, - është filozof që ia ka sjellë Vatikanit në majë të hundës, me argumente i ka treguar që feja me të vërtetë është "opium" për popullin... E thashë mirë..., do ta mbaj mend.... Dhe, që atëherë s'e kam harruar profesorin... Sidomos në këto dy dekadat e fundit, e kujtoj me shpresë se mbase ai e ka harruar ateizmin dhe ka gjetur Zotin...Ishte viti i tretë i fakultetit 1987, filloi pluralizmi i ideve, pluralizmi i mendimeve..., ju kujtohet??? Dhe, ne, studentët në ILB, ishim në atë vorbull, në atë ekzaltim, në atë shpresë që një ditë do thoshim diçka lirisht më në fund. Shpresonim....Ishte leksion në një nga lëndët marksiste.... - Kush ka pyetje, - si zakonisht pyeti profesori im i Marksizmit. Ai porsa kishte shpjeguar diçka "dialektike", se gjithçka nuk zhduket, por transformohet. - Ja, - thoshte profesori, - djegim drurin, bëhet hi e hedhim hirin në fushë me grurë, na jep drithë se e merr drithi në formën e fosfatit.... A si e ka emrin.... Po kukurisnim ne grupi "rebel" dhe krahasonim me mjetet e përshtatshëm që na dukeshin përkatës për momentin... G. ishte një student që erdhi në vitin e tretë nga një fakultet tjetër. Po, transferim babai në prodhim, transferim i biri nga (mbase) Inxhinieri Elektronike në Ekonomi Bujqësore. - Shpirti, profesor, në çfarë transformohet? - ngriti zërin një nga studentët afër meje.- Çfarë tha profesori?Heshtje... - A ka pyetje tha ia?Heshtje sërish... - Pra e mbyllim, e vulosim për sot, Zot nuk ka dhe shkoni e jetoni për sot, kur vdes njeriu mbaron jeta e tij. Pra nuk ka Zot e thamë. Ka vetëm... E, nuk po e sjell me detaje shpjegimin e tij....G. kishte një adhurim special për Amerikën dhe mbante me vete gjithnjë simbole amerikane. Atë ditë kishte një dhjetëdollarëshe dhe ndërsa profesori thoshte “s'ka Zot, transformimi është natyral, mëma natyrë, e të tjera”, G. nxori dhjetëdollarëshen dhe më tha mua me zë të ulët: - Merita, ti di anglisht, ç’do të thotë "In God We Trust"? Mezi e mbajta të qeshurën dhe megjithëse unë isha e sigurt që G. e dinte, unë ia shkrova në një copëz letër me gërma të mëdha si për të ritheksuar atë që ne na mohohej përditë, "Në Zot ne besojmë". - Keni pyetje ju andej nga e majta? - pyeti profesori filozof duke u drejtuar nga qoshja jonë. G. e kroi pak kokën dhe tha: - Profesor na tregove se çdo gjë transformohet, po shpirti pas vdekjes ku shkon profesor? Profesori nuk ndërroi ngjyrë as u inatos, por zgjati krahët e sikur u shtriq disi nga podiumi dhe tha: - Ah ti, e di ku e ke, e di ku e ke fjalën (mbase i referohej "fjalëve" të hapura që H. Hako ishte themeluesi i ateizmit dhe ne studentët e kolegët duhet të ishim në ballë në mbrojtje e në manifestim të ateizmit)… - Kemi me dhjetëra studentë këtu që duan pyetje e përgjigje serioze. Dialektika është gjë e madhe R... dhe i përmendte G. mbiemrin me një të qeshur të çuditshme… Kështu kalonin ditët dhe ne ushqeheshim me urrejtje për fenë, për Zotin e vërtetë, për Papa Gjon Palin e Dytë dhe paraardhësit e tij, për klerikët e institucionet fetare në përgjithësi. Për Papën, këtë udhëheqës shpirtëror të miliona njerëzve. Ne ushqeheshim me helm fjalësh në shkolla. Ne ishim tjetër, ne s'na duhej Papa i Romes, ne kishim "Papët" tanë, sipas të cilëve, ai Papa i vërtetë për popujt ishte kriminel, gjakatar, armiku numër tre i Shqipërisë pas Rusisë e Amerikës. Dhe, ne dëgjonim, hapnim sytë, mësonim broçkulla. Dëgjonim në gjuhë të huaja radiot fshehurazi, netëve vonë, me zë të ulur në maksimum. Papa tregohej ai që ishte, dëgjonim lutjet e tij të vërteta për ne, thoshim pse na gënjejnë në shkollë? Por kush guxonte të pyeste profesorët? Një ditë sërish ne, "rebelët" biografi-keqët, "korruptuam" një pedagog që na mbante disi afër, ishte shpirtmirë, por ama dhe i "binte qylit" dendur, mbase nuk kishte para të mjaftueshme për të pirë ekstra kafe shoqëruar me petulla me sheqer në kafen e institutit. E qerasëm me pare "borxh" nga latat tona, se dhe ne ishim me para jo me “bursa”, por ia vlente të qerasnim profesorin, na pëlqente aventura dhe rreziku. Natyrisht matnim hapin mirë, por e dinim që mund të ishim disi më të hapur me të. Pyetja jonë ishte: - Profesor, ku shkon shpirti pas vdekjes? G. gjithë humor e mbështillte profesorin vocërrak me trupin e tij dhe ishim në sekret të plotë: - "Djema dhe vajza shihni punën, mos bëni shaka me të tilla gjëra, ju e dini që ne jemi ateistë, nuk besojmë në shpirt. Ka veç trup, ai vdes, ai transformohet, kocka e mos më pyesni më të tilla pyetje të rrezikshme. - Po pastaj, - i tha M., një studente që erdhi pesë vjet me vonesë, ishte nga Jugu.- Pastaj profesor, të lutem na trego si mendon ti apo je i një mendjeje me profesorin e dënuar nga Vatikani?- Ohu..., më erdhi ora e leksionit mua, ikni se u bëmë vonë, mos më ngatërroni me këto gjëra. Hajde atë kafen ma bëj petull ti L..., e ha rrugës, - iu drejtua një studenti nga Laçi. Dhe na la pa përgjigje dhe profesori tjetër i Filozofisë, duke shijuar petullën në rrugicat e institutit.U diplomuam, u emëruam ku donte organizata bazë e partisë apo e rinisë dhe përjetuam shokun e madh, tërmetin, revolucionin përmbysës. Demokracia erdhi dhe tek ne! 5 prill 1993... Papa viziton Shqipërinë. Unë punoja në Tiranë atë kohë, zyrën e projektit e kishim në Ministrinë e Bujqësisë dhe pata mirësinë të shoh Papën në makinën e tij antiplumb pothuajse jo më larg se 3-4 metra dhe nuk e di si ta përshkruaj atë që kam ndjerë. Mbaj mend Adën, mbeskën time 4-vjeçare që drejtonte gishtin nga shkonte makina e Papës dhe bërtiste: “Papa, Papa”, dhe e ëma e saj e emocionuar i thoshte se ai është i dërguar nga Zoti. I shihja nënë e bijë, gëzoja për vete dhe për to, por më tepër më qeshte shpirti im. Vizita e Papës për ne ishte shpresë për vazhdimësi të tilla, pasi ishin shenja drejt lirisë së ëndërruar. Një vit më vonë, unë pashe Papën të dielën për Pashkë, më 10 prill 1994, në sheshin e SHEN PJETRIT në Vatikan, pasi John dhe unë të nesërmen vumë kurorën në Romë. Prindërit e tim shoqi ishin kaq të emocionuar. Lot pashë në sytë e tyre tek filmonin Papën dhe tek bisedonin me njëri-tjetrin. Ndërsa unë mendoja se ç'mund të bënte profesori im nëse do ndodhej në këtë moment kur mijëra e mijëra njerëz prisnin përshëndetjen dhe bekimin Papal për Pashkë.Serish unë mësoja kush ishte Papa Gjon Pali i Dytë. Ishte po aq bukur, po aq paqësore, po aq shpirtmbushëse të përjetoja ato çaste. Pas kaq vitesh, tashmë në emigracion, plotësisht e lirë në zgjedhje informacioni, pa imponim, më ka mjaftuar të mësoj kush ka qenë Papa Gjon Pali apo kush janë kardinalët në Vatikan apo institucionet dhe udhëheqësit e besimeve të tjera fetare në të gjithë botën. Po kështu kam mundësuar të zgjedh rrugën time drejt Zotit dhe ndjehem absolutisht e lumtur për këtë. Ashtu si unë, ndjej se janë me mijëra ata shqiptarë që kanë gjetur qetësinë e vendin e tyre në zgjedhjen e besimit dhe rrugën e tyre drejt Zotit. Nuk e di se çfarë bëjnë netëve të vetmisë apo në moment meditimi profesorët e mi të filozofisë marksiste-leniniste. A ju shkon ndonjëherë mendja se mbase Zoti ekziston?

...................................................................................
Krye

No comments: